FETNETE RAMOSAJ: TRIMI I MARTIRASIT QË BËRI EMËR NË DUKAGJIN

(Prishtinë, 15. 06. 2012) – Komandant LULI, gjatë vitit 1998, ishte anëtar i Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, më pas edhe zëvendëskomandant i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” dhe komandant i Brigadës 135 “Agim Zeneli” të UÇK-së, duke luftuar me devotshmëri në shumë beteja të përgjakshme, përkrah viganëve të kombit tani dëshmorë, si: Shkëlzen Haradinaj, Xhelal Hajda, Naser Brahimaj, Mujë Krasniqi, Bedri Shala, Bekim Berisha, Agim Zeneli, Fadil Nimani, Avdi Mujaj e shumë të tjerë,…
Lulzim (Gani) Morina, i njohur gjatë luftës si Komandant “Luli”), padyshim se është njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili trimërinë nuk e kishte shterpë as të rastit. Që nga fillimi i luftës frontale në Kosovë në mars të vitit 1998 deri në përfundim të saj luftoi me heroizëm të rrallë në rajonin e Dukagjinit. Ishte në ballë të betejave të përgjakshme për jetë a vdekje, disa herë u plagos, qindra herë u ndesh me vdekjen por çdo herë ngadhënjeu mbi të dhe me devotshmëri u bëri ballë shumë sprovave të rrezikshme. Është vështirë që fjalët të kenë fuqi të përshkruajnë figurën njerëzore e luftarake të Komandant Lulit. Në rastin e tij, madhështorja e heroikja ndjehen si diçka e natyrshme e normale.

_______________________

Lulzim Morina u lind më 8 shkurt të vitit 1972, në një familje të varfër, por bujare dhe me tradita atdhetare, në fshatin Martiras (ish – Hallaç i Vogël) të komunës së Lypjanit. Në vitin 1955, familja e tij për shkaqe ekonomike u detyrua të shpërngulet nga fshati Fushticë e Poshtme, për t’u vendosur në Martiras. Babai, Ganiu, axha i tij, dhe anëtarët e tjerë të familjes morën pjesë në demonstratat gjithëpopullore që prej vitit 1981 e këndej, për çka shumë herë u keqtrajtuan nga policia serbe.
Prindërit Gani dhe Habibe Morina, edhe përkundër kushteve të rënda ekonomike, shtatë fëmijët e tyre (tre djemtë e katër vajzat) i rritën dhe edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare. Lulzimi ishte më i madhi. Shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaroi në Lypjan. Në moshën 18-vjeçare, për shkaqe ekonomike dhe politike iu desh të largohet nga vendlindja. Gjatë vitit 1990-1991 punoi në Shibenik të Kroacisë për të siguruar ekzistencën e familjes. Me të shpërthyer të luftës në Kroaci, vullnetarisht u inkuadrua në radhët e luftëtarëve kroatë, ku luftoi kundër forcave serbe deri në përfundim të luftës. Më vonë do të marrë pjesë edhe në luftimet në Bosnjë, deri në vitin 1996 kur emigroi në Gjermani, e u vendos në qytetin Rovensburg, afër Mynihut.
Komandant Luli që kishte kaluar luftërat e rrepta në Bosnjë e Kroaci, duke e ndihmuar luftën e tyre për liri, ishte ndër të parët që iu përgjigj kushtrimit të luftës në Kosovë. Përvojën e luftës e barti tek rekrutët vullnetarë të UÇK-së. Në mars të vitit 1998, kthehet nga Gjermania në Shqipëri, e prej andej hyri në Kosovë për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndalet në Zonën e Dukagjinit, ndalet në Gllogjan, për të qëndruar deri në fund të luftës. Kontributi i tij, si në organizimin e luftës, si në vijat e para të frontit, si në aksione të ndryshme luftarake, qoftë edhe në prapavijë të armikut ishte i madh dhe i pamohueshëm.
Gjatë vitit 1998, ishte anëtar i Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, më pas edhe zëvendëskomandant i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” dhe komandant i Brigadës 135 “Agim Zeneli” të UÇK-së, duke luftuar me devotshmëri në shumë beteja të përgjakshme, përkrah viganëve të kombit tani dëshmorë, si: Shkëlzen Haradinaj, Xhelal Hajda, Naser Brahimaj, Mujë Krasniqi, Bedri Shala, Bekim Berisha, Agim Zeneli, Fadil Nimani, Avdi Mujaj e shumë të tjerë, ku gjithmonë tregoi heroizëm të rrallë e guxim të pashoq. Mori pjesë dhe u dallua si epror lufte në luftimet disamujore të zhvilluara në Baballoç gjatë vitit 1998; në luftimet tepër të rrepta në Prejlep, ku ishte komandant i vijës së frontit prej muajit qershor deri në shtator të vitit 1998, vijë kjo që kurrë nuk u thye nga forcat armike, edhe përkundër sulmeve të përditshme, ku iu shkaktuan dëme tejet të mëdha forcave serbe; pastaj në luftimet e zhvilluara në Gllogjan, Irzniq, Ratishë, Broliq, Dashinoc, Pozhar, Lumbardh, Shqiponjë, Gërgoc etj., për të vazhduar me sukses në luftimet e zhvilluara në Lugun e Baranit, gjatë pranverës së vitit 1999, si komandant i Brigadës 135 “Agim Zeneli” deri në çlirim.
Thënë kushtimisht, emri i Lulzim Morinës, është i lidhur ngushtë pothuajse me të gjitha betejat e zhvilluara në Dukagjin. Gjithnjë qëndroi i pamposhtur në ballë të frontit, duke përballuar sulmet barbare e të pabarabarta gjatë ofensivave serbe, gjithnjë duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme në njerëz dhe teknikë lufte. Luli ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në stërvitjen dhe përgatitjen e rekrutëve të rinj të UÇK-së, tek të cilët me përkushtim barti përvojën e tij luftarake të fituar gjatë luftës në Kroaci e Bosnjë.
Secili prej nesh që ka pasur rast ta takojë Lulzim Morinën, qoftë edhe vetëm një herë, për të ka pasur respekt të veçantë, sepse ai në shkallën më të lartë i nderonte e respektonte të gjithë. Nuk ka ndodhur që dikujt t’ia thotë një fjalë të keqe. Ishte i afërt me të gjithë bashkëluftëtarët dhe është përpjekur t’u ndihmojë e t’i përkrahë me të gjitha mundësitë. Ishte gazmor e optimist edhe në çastet më të vështira të luftës, edhe atëherë kur luftohej për jetë a vdekje, e nuk dihej çdo të sillte e nesërmja. Edhe pas përfundimit të luftës, gjithnjë do të jetë në krye të detyrës, duke kryer me përkushtim të veçantë detyrat për ngritjen dhe zhvillimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, ku kryente detyrën e Shefit të Sektorit të Logjistikës, me gradën e kolonelit, në Zonën e Tretë të Mbrojtjes.
Fatkeqësisht, në një aksident komunikacioni humbi jetën tragjikisht më 18 dhjetor 2000, në Osek Hilë, në magjistralen Gjakovë-Deçan. Varrimi i tij u bë më 20 dhjetor, me nderime të larta ushtarake, në praninë e mijëra qytetarëve në vendlindjen e tij, në Martiras të Lypjanit.
Komandant Luli, pjesën më të lavdishme të jetës e lidhi përjetësisht me këtë pjesë të Kosovës. Lufta dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfim për të tashmen dhe të ardhmen, si një shembull unikat i përkushtimit dhe sakrificës për liri. Bashkëluftëtarët e tij dhe mbarë rajoni i Dukagjinit, do ta kujtojnë gjithmonë me respektin më të madh e nderimin më të lartë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura