BEDRI ISLAMI: SOT, NË PRAG TË 100 VJETORIT – ADEM JASHARI E MERITON TË JETË NË TRIBUNËN E RILINDËSVE

(Vjenë, 25. 11. 2012) – Sot, në prag të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, shumë larg saj, në Athinë, do të zhvillohej një manifestim. Ndër fotot që mbanin pjestarët e manifestimit, në mes të Abdyl Frashërit, Samiut, Naimit, Bajram Currit e Isë Boletinit, ishte edhe një foto e njohur e Adem Jasharit, në të njëjtat përmasa dhe në të njëjtin vend.
E pashë dhe mendova: a është Adem Jashari në Rilindësit e mëdhenj të kombit tonë?
Në pikëpamje kohore, mes tij dhe Rilindësve janë më shumë se 8 dekada. Koha, në këtë rast, është në të kundërtën e asaj që do të themi më poshtë. Mirëpo nuk është koha ajo që ndërlidh ngjarjet dhe njerëzit, është diçka më e madhe se kaq; është idea dhe përkushtimi, e jo vetëm kaq, por më tepër; është edhe fakti se sa jeta dhe mendimi i tyre i shërbej kohrave, kombit dhe të ardhmes. 100 vite më parë, si vazhdë të mendimit politik të Rilindësve dhe luftës së atdhetarëve të mëdhenj, u bë ajo që mund të quhet Shqipëria londineze, shteti i tashëm, jashtë së cilës mbetën treva të rëndësishme të atdheut, të cilat, shpesh herë, kishin qenë palca e kombit dhe e qendresës së tij.
Në kohën kur po mendohej se fatkobi i shqiptarëve ishte vendosur përfundimisht dhe, se pavarësisht dëshirës, kishte përfunduar deri tek kufijtë e vitit 1913 ëndrra e rilindësve, në Kosovë, më saktë, në Drenicë, pikërisht me 28 Nëntor, do të lindte një njeri, i cili përmbysi fatkobin tonë dhe riktheu në kohë, edhe një herë, ëndrrën e rilindësve.
Adem Jashari, ditëlindja e të cilit do të ishte e njëjtë me të shtetit shqiptar, do të ishte rilindësi i madh, i cili, me një vizion që dukej jashtë kohe, bëri të mundur që ëndrra të vazhdonte, dhe ashtu si në mitet e mëdha, si në legjendat e lashta, do të kthente edhe një herë pas kohën, do të bënte që ëndrra e tij të ishte vazhdim i një rilindje kombëtare, në fundin e shekullit të njëzet.
Kjo do të thotë se ajo që nisi në fillimin e shekullit, si një ëndërr e përgjakshme, do të mbyllej në fundin e tij, si një ëndërr e realizuar.
Ky burrë, i cili me thjeshtësinë e tij dukej si çdo njeri i zakonshëm, i dashur dhe hokatar, i pasionuar me armët si mjet lirie, u rrethua me 5 mars 1998 dhe luftoi tri ditë e tri netë. Në tri ditë e tri netë, si kujtonte mbesa e tij, ai këndonte vetëm dy këngë, këngën e Çerçiz Topullit dhe të Kamber Loshit, si një vijmësi përbashkimi.
Ndaj Adem JASHARI e meriton të jetë në tribunën e Rilindësve, pasi Ai, pavarësisht nga koha, ishte vazhdimi i ëndrrës së tyre dhe realizuesi i Ëndrrës së madhe të Shqiptarëve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura