(Pashtriku.org, 25. 06. 2012) – Mik i nderuar Sheradin, Si do e kesh vërejtur, dhe e ke vërejtur me siguri, kohët e fundit, jo rastësisht, është ashpërsuar gjuha e mohimit dhe e shpifjes ndaj vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe bartësve të saj, duke hedhur në tregun mediatik aq shumë të pavërteta dhe sajime, sa që është e pamundur të mendohet se ata dalin nga mendja dhe dora e njerëzve që flasin shqip. Jo rastësisht, për këtë jam i bindur, si bartëse e vyer e lëvizjes çlirimtare, më saktësisht si krijuese dhe organizatore e saj, po hidhen gjithëfarë llumrash edhe kundër Lëvizjes Popullore të Kosovës, qëndrimeve të saj, po manipulohet me të vërtetat dhe me ndodhitë. Kjo është e dyta herë që ndodh në këto përmasa, herën e parë, menjëherë pas çlirimit të Kosovës, kur forcat udbashe e titiste, njëlloj janë, ishin të frikësuara nga e kaluara e tyre vrastare dhe atdhemohuese dhe gjetën të vetmen rrugë për të shpërndarë fajin e tyre tek lufta, e cila tashmë kishte krijuar një realitet paralirie në Kosovë; dhe tani, së dyti, kur Kosova gjendet në një fazë të re të jetësimit të pavarësisë së saj.
___________________________
Duke qenë se për disa kohë, dhe pikërisht kur po zhvillohej lufta në Kosovë, isha zgjedhur drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, mendova se do të ishte e natyrshme që të risillnim edhe një herë në vemendjen e njerëzve qëndrimet politike që ka mbajtur Lëvizja asaj kohe, mendimet e saj, predispozitat, lëvizjet që ka bërë, thirrjet dhe përcaktimet, sakrificat, përkushtimin dhe qendresën e njerëzve të zakonshëm, të cilët, pasi bënë një histori, shkuan përsëri në gjirin e popullit nga dolën. Unë e di se në këto vite paralirie dhe lirie jo të gjitha janë bërë mirë, jo çdo gjë është realizuar, por kjo nuk ka të bëjë me temën që po trajtoj. Mendova, nëse edhe ju e shikoni të arsyeshme, të risjell në faqen pashtriku.org, e cila tashmë, duhet pranuar, është më e lexuara, një pjesë të shkrimeve që kam botuar asaj kohe, në ciklin e njohur “Shansi i fundit në mbarimin e shekullit”, dhe t’i sjell në mënyrë autentike, ashtu si janë botuar asaj kohe, pa asnje shtesë apo largesë, saktësisht. Këtë e bëj që njerëzit të dijnë krejt normalisht se cilat kanë qenë qëndrimet tona, pasi, si drejtues i Lëvizjes, ata nuk kanë qenë vetëm qëndrimet e mia vetjake. Do ndjehesha i lumtur, nëse edhe Ju e gjeni të vyer këtë ide dhe e bëni publike në faqen tuaj të internetit.
Përzemërsisht,
Bedri Islami – 24 qershor 2012.
* * *
Në vazhdim ju sjellim disa shkrime të ish’kryetarit të LPK-së, shkrimtarit dhe publicistit tonë të njohur Bedri Islami, nga cikli: „Shansi i fundit në mbarim të shekullit”, të botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Kosovës” – në fund të vitit 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999.
_________________________
BEDRI ISLAMI: TË RËNËT MBETEN PËRHERË TË RINJ
Pashtriku.org, 25. 06. 2012 – Pak ditë më parë, një mik i imi gazetar londinez më kishte përcjellë katër fotografitë e Fehmi Lladrovcit, dy ditë para se të vritej. Dhe më kishte shënuar se këto ishin fotografitë e fundit të tij. U gëzova për fotografitë, por nuk isha dakord se ato ishin fotot e fundit të heroit. Sepse një njeri si Fehmiu nuk mund të vdesë. Ai mund të vritet, por kjo është diçka tjetër, që nuk ka lidhje me vdekjen. E të gjithë këta që po nderojmë sot nuk kanë lidhje me vdekjen. Edhe atëherë kur emrat e shumë prej nesh do të jenë harruar, emrat e këtyre njerëzve do të jetojnë. Ata do të jetojnë aq sa do të jetojë Kosova, aq sa do të jetojë shqiptaria dhe kjo do të thotë përjetësisht.
I Pavdekshmi Fehmi Lladrovci.
___________________________
Nderimi për dëshmorët është një nga ato rastet që e fisnikëron njeriun dhe e bën më të ndërgjegjshëm për fatet e vendit të tij, është njëri ndër momentet kur aktet madhore të sakrificës për lirinë e vendit që dëshmuan shokët, të njohurit, vëllezërit dhe motrat tona, me vetë jetën e tyre dëshmojnë se shqiptaria rron e do të rrojë në mendjet dhe në zemrat e njerëzve.
____________________________
DOKUMENTARI: LEGJENDA DHE MBIJETESA E JASHARJAVE…
_______________________________
Shokët e luftës, e kemi për detyrë për t’i nderuar në heroizmin e tyre, në ditërënien dhe njëkohësisht në ditën e pavdeksisë së tyre, vendosën në themelet e lirisë së Kosovës jetën e tyre. Dhe këtë e bënë thjeshtë e pa bujë, e bënë ashtu si u kishte thënë prej vitesh zemra e tyre dhe ashtu si ishin betuar, në ditën e shenjtë kur u pranuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përgjithsisht ata ishin të rinj, në bulimin e jetës së tyre, ishin në kohën kur kishin ende shumë për të bërë – por në fakt ata shkruan në muajt e fundit të jetës së tyre, në muajt e heroizmit, një dëshmi të madhe se deri ku shkon sakrifica e njerëzve tanë për lirinë e vendit. Dhe në këtë luftë për liri është dëshmuar po ashtu se mbi gjithçka ne duam të jemi të lirë, duam të jemi zotër në shtëpinë tonë dhe në tokën tonë, duam të ndërtojmë jetën ashtu si e kemi ëndërruar dhe për të cilën janë gjakuar breza të tërë. Dhe për këtë ëndërr fisnike, për këtë ëndërr atdhedashurie – shqiptarët në këtë fundshekulli dëshmuan se janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën e tyre – jo thjeshtë si individ, por edhe si brezni. Dëshmoi këtë shembulli i madh i Jasharajve legjendarë – shembulli i cili gjakoi tre breza njëherësh dhe shndërroi në legjendë tre breza njëherësh – dëshmoi shembulli i Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, të cilët ricikluan historinë e re të Drenicës në përmasa edhe më të mëdha, dëshmon edhe shembulli i vëllazërve Gursel e Bajram Sulejmani. Dy vëllezër si drita, dy vëllezër që e morën përsipër mbi shpatullat e tyre flijimin për lirinë e Kosovës, dy vëllezër që u përgjakën dhe ranë për tokën ku kanë lindur, që lanë në shtëpitë e tyre familjet që i prisnin të ktheheshin me lirinë, dy vëllezër që ishin njëkohësisht edhe dy bashkëluftëtarë – janë një shembull i madh i vetëndërgjegjësimit të shqiptarëve në këtë fund shekulli. Ne i nderojmë ata dhe nuk guxojmë t`i harrojmë, sepse mbi rënien e tyre do të ngritet e ardhmja. Ne i nderojmë ata, sepse në themelet e republikës nuk vendosën lule, por jetën e tyre rinore, dhe këtë nuk e bën dot kushdo. Secili prej atyre që nderojnë Abedin Rexhën e qeshur dhe trim, të vrarë pas shpinës në pritë nga dora tradhtare, e cila një ditë do të ndëshkohet ashpër, Sejdi Sejdiun e paharruar apo Skënder Çekun si shpata, Agim Bajramin e mençur, apo Agim Mazrekun zemërprush, Bekim Berishën trim mbi trima, apo Bedri Shalën trim si vetja, Sadik Shalën një djalë plot guxim, Remzi Ademin apo Fatime Hetemin, Ilir Konushevcin e urtë e të guximshëm, apo Gani Paçarizin e zjarrtë – ne i kemi nderuar të gjithë. Sepse ne nuk mund t`i ndajmë ata nga njëri tjetri – sepse gjithësecili prej tyre është si bjeshkët që përbëjnë vargmalet shqiptare. (* Lexoni në shojcën e pashtriku.org, Komunikatën nr.61 të SHP të UÇK-së, në të cilën prezentohen 54 dëshmorë të rënë gjatë betejave të përgjakshme të verës 1998)
E kemi të domosdoshme të nderojmë dëshmorët
Pak ditë më parë, njëri nga dëshmorët më të parë të Kosovës, Edmond Hoxha, do të kishte qenë 23 vjeçar. Ke thënë vetëm kaq dhe i ke thënë të gjitha – njëzet e tre vjeçari, i cili së bashku me shokët e tij, Zahirin dhe Hakifin shkruan njërën nga faqet më të reja të qëndresës shqiptare. Atë ditë, më 16 tetor të vitit të kaluar, kur u vra në përpjekje Adrian Krasniqi nuk ishte vetëm se 25 vjeçar dhe moshën e tij kishte edhe Ilir Konushevci. Rinore, me atë papërsëritshmërinë e rinisë së tyre ishin thuajse të gjithë dëshmorët e qëndresës së re shqiptare në Kosovë dhe kjo është dëshmia e madhe se asgjë nuk është vyshkur dhe asgjë nuk është shuar në shpritin e lirisë shqiptare.
E kemi të domosdoshme të nderojmë dëshmorët, sidomos në kohëra të vështira. Duke i nderuar ata, përkulemi përpara shqetësimit të tyre themelor, çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare dhe pavarësinë e saj; por edhe para përpjekjeve vigane që kanë bërë ata për rizgjimin e atdhedashurisë. Rizgjimi i atdhedashurisë ka qenë një ndër aktet e vazhdueshme të kombit tonë. Sepse ashtu si kemi patur maja të larta të qëndresës, kemi patur edhe një të vërtetë tepër dëshpruese, që një pjesë e shqiptarëve ishin ftohur prej atdheut të tyre. Këtë rizgjim nuk mund ta bënin paçavurat politike që kishin zënë myk nëpër tempujt politikë të Tiranës, të Prishtinës apo të Tetovës. Nevojitej një rizgjim i madh kombëtar dhe nevojitej po ashtu një forcë e madhe të merrte përsipër këtë barrë të rëndë, por jetike për tërë kombin. Dhe këtë e kanë bërë, po e bëjnë e do ta bëjnë edhe në të ardhmen djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht ata të cilët nxorrën në pah vlerat morale dhe fizike të shqiptarëve dhe dëshirën e tyre për të jetuar të lirë. Një tjetër arsye që e bënte edhe më madhor aktin e tyre historik ishte propaganda kundërshqiptare, tepër e egër dhe tepër e përgjakshme që kishin bërë e vazhdojnë të bëjnë fqinjët e Shqipërisë, serbët dhe grekët dhe që ishte propagandë e egër dhe shtazarake, që rallë herë është parë në fytyrë të dheut. Përballë kësaj fortune, përballë kësaj humnere në të cilën gjendet kombi ynë, ku në njërën anë ishte gjakosje e hapur dhe në anën tjetër hemoragjia e brendshme, të shfaqur në vizioin e shovinistëve serbë apo grekë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbajti një qëndrim fisnik të admirueshëm, duke zgjedhur në vend të përbaltimit, lartësimin e kombit shqiptar. Këta djem e vajza sot janë dëshmi e kësaj lartësie.
Mynhen, tetor 1998: Ish’kryetari i LPK-së Bedri Islami, duke folur në tubimin përkujtimor kushtuar të gjithë dëshmorëve të rënë në fushëbetejat e luftës.
___________________________________
Nuk është shpikje poetësh, as propagandë nacionaliste të thuhet se trojet shqiptare kanë qenë disa herë në pragun e humnerës dhe të harrimit. Traktatet për të ndarë atë mes fqinjëve, ndarjet që më pas janë bërë dhe që kanë datat e viteve 1913, 1918, 1945 e tjerë, janë të ngjashme me traktatet që po thuren në fundin e mijëvjeçarit të dytë për të ligjëruar këtë ndarje dhe pushtimin. Në këto kushte, në kushtet kur në Kosovë populli shqiptar po përgjaket nëpër të gjithë brezat, ku fshatrat po digjen dhe grunajat janë shkrumbuar, kur jeta e njerëzve është ndalur nga gjëmimi i granatimeve, kur një qen çek i quan vrasjet mizore si një mirësi, në kushtet kur tërbimi nacionalist antishqiptar merr përmasa të atilla, sa që në mes të Shkupit maqedonët kanë guximin të thërrasin «Shqiptarët në krematorium», kuptohet se cila është detyra e shqiptarëve – atdhedashuria. Kjo nuk bëhet me konfernca shtypi, kjo nuk bëhet me pritje dhe protokolle, kjo nuk bëhet duke thënë se duam të jemi europianë dhe tolerantë, kjo nuk bëhet duke u takuar me Millosheviqin dhe këlyshët e tij, kjo nuk bëhet duke kërkuar mëshirë dhe pak vend në tokën dhe në strehën tënde: por bëhet duke qëndruar fort si burrat. Këtë e bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, këtë e bënë këta djem dhe vasha. Sikur edhe kaq të bënin, ata e kishin vendin në kujtesën e kombit, por ata bënë shumë më tepër se kaq.
Në kushte të tilla kur serbët po gjakosin krejt Kosovën, në kushtet kur grekërit po mbushin gazetat me pretendimet e tyre ndaj Shqipërisë së jugut, në kushtet kur politika ishte përgjumur dhe përgjunjur, në kushte të tilla ulërish se te shqiptarët paska nacionalizëm, se na mori në qafë Ushtria «lirimtare e Kosovës apo të ulërish për dorëzimin e armëve, kjo është me të vërtetë, dashje ose pa dashje, thirrje e hapur për tradhti të hapur ndaj atdheut. Nuk e kishin të tepërt jetën e tyre Adem, Hamzë dhe Shaban Jashari dhe fisi i Jasharajve, nuk e kishin të tepërt jetën e tyre Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, nuk e kishin rininë e tyre të pashpresë djemtë që dhanë jetën për lirinë: por ishte bërë i tepërt pushtimi, ishte bërë e rëndë dhuna, ishte bërë e padurushme gjakosja. Ka patur dikur njerëz që thonin se na mori në qafë Shaban Polluzha, apo mulla Idrizi i Velekicës, ka patur dikur njerëz që helmonin se Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka qenkan seperatistë dhe antishqiptarë, ka patur dikur njerëz që baltonin mbi gjakun e Afrim Zhitisë apo të Rexhep Malës, por historia është dëshmuese se kush ngeli në kujtesën e saj për legjendën që shkroi dhe kush ngeli në memorjen e saj për tradhtinë. Ne nuk duam të përsëritet përçarja, djemtë që dhanë jetën thërrasin për bashkimin e mendjes dhe të zemrës.
Në familjen e popujve europianë, kombi shqiptar është i vetmi i ndarë mizorisht, i prerë mizorisht dhe i vrarë mizorisht
Kombi shqiptar në këtë fund shekulli vazhdon të përjetojë orën e tij të ligë. Ai është i goditur rëndë në trupin e tij, ngaqë është i ndarë dhe i shpërndarë në tre a katër shtete- nënvizon Ismail Kadare.
Mirëpo, pavarësisht nga kjo, shqiptarët e kanë tashmë një shans për të ngritur dinjitetin dhe identitetin e tyre dhe ky shans është tek Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës. Nëpërmes tyre është ringritja morale dhe qëndresa e popullit. Mos të ndalemi në këtë orë të ligë – për të mbjellë ligësinë. Mos të shikojmë tymin në majen e kullës për të thënë se është përzhitur atdhedashuria. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë që të heshtin qyqet që tash sa kohë po parandjellin veç fatkeqësi dhe vdekje. Ato qyqe duhet të heshtin në radhë të parë brenda nesh, në vetëdijen e njerëzve shqiptarë e rrotull nesh. Asnjë trysni shtetesh, lobesh apo organizmash ndërkombëtarë nuk munden ta pengojnë kombin shqiptar të kryejë atë që të gjithë kombet e tjerë të Evropës plotësisht apo gati plotsisht e kanë kryer: bashkimin e tyre. Me këtë kombi ynë nuk synon asgjë të pazakontë dhe nuk kërkon asgjë të veçantë, ai kërkon atë çfarë i takon.
Emblemat e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës:
Këto emblema të UҪK’së janë punuar në mars të vitit 1998 në qytetin KAHL/Main të Gjermanisë, në Firmën “MONO – Qiuck”. Me këtë rast janë punuar: 3000 copë të formatit 95X70 mm dhe 3000 copë të formatit 50X45mm. Më 8 prill 1998 (ditë e mërkure) këto emblema janë dërguar në Shqipëri nga veprimtarët e LPK-së SH.B dhe M.K, dhe ia kanë dorëzuar anëtarëve të SHP të UҪK-së, XH.H dhe A.SH, për t’i futur në Kosovë.
__________________________________________
Në familjen e popujve europianë, kombi shqiptar është i vetmi i ndarë mizorisht, i prerë mizorisht dhe i vrarë mizorisht. Kombi ynë nuk dëshiron të tjetërsohet. Ky është dhe amaneti që e përcjellin dëshmorët tanë, ata njerëz që e kanë vdekjen mbi tanket e armikut si një djalë trim me emërin Halit Asllani. Ata që e ndezin flakë kullën dhe shkretojnë arkanët serbë, si Jasharët, ata që sulen mes plumbave si Lladrovcët, ata që e vendosin rininë e tyre në themelin e rinisë së tokës së tyre si Gursel e Bajram Sylejmani, Ata që gjithmonë do të jenë bashkë me ne si Agim Bajrami e Agim Mazreku e dhjetra e dhjetra të tjerë të cilët janë dëshmi e kohës së re shqiptare.
Pak ditë më parë, një mik i imi gazetar londinez më kishte përcjellë katër fotografitë e Fehmi Lladrovcit, dy ditë para se të vritej. Dhe më kishte shënuar se këto ishin fotografitë e fundit të tij. U gëzova për fotografitë, por nuk isha dakord se ato ishin fotot e fundit të heroit. Sepse një njeri si Fehmiu nuk mund të vdesë. Ai mund të vritet, por kjo është diçka tjetër, që nuk ka lidhje me vdekjen. E të gjithë këta që po nderojmë sot nuk kanë lidhje me vdekjen. Edhe atëherë kur emrat e shumë prej nesh do të jenë harruar, emrat e këtyre njerëzve do të jetojnë. Ata do të jetojnë aq sa do të jetojë Kosova, aq sa do të jetojë shqiptaria dhe kjo do të thotë përjetësisht.
*) Nga cikli i shkrimeve: „Shansi i fundit në mbarim të shekullit”, të botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Kosovës” – në fund të vitit 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999.
::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::
*) SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
Më 30 Tetor 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (për mjetet e informimit publik) – ka lëshuar Komunikatën Nr.61, në të cilën prezentohen 54 dëshmorë të rënë gjatë betejave të përgjakshme të verës 1998. Më poshtë lexoni këtë komunikatë:
* * *
U SH T R I A Ç L I R I M T A R E E K O S O V Ë S
– Për mjetet e informimit publik
K O M U N I K A T Ë NR. 61
Populli Shqiptar i Kosovës dhe Ushtria e tij çlirimtare, gjatë ofensivës së fundit u përball me ofensivën e përmasave më të gjera militariste serbe e cila do të mbahet mend për veprime gjakatare, kriminale, të vandalizmit të shfrenuar serb, por edhe me shkallën më të lartë të rezistencës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë këtyre betejave, Ushtria Çlirimtare të Kosovës tregoi aftësi operative të nivelit të lartë. Luftëtarët trima e të pathyeshëm, me sakrificën që dëshmuan në këto beteja, janë shembulli më i mirë se si luftohet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këto luftëra Ushtria Çlirimtare e Kosovës fitoi një përvojë të gjithanshme që është garancë për ardhmërinë e saj në rrugën e rëndë, përplot sakrifica, në rrugën e çlirimit të Kosovës.
Duke u ndeshur me trupat e regjimit kriminal serb në fushën e nderit, heroikisht ranë këta luftëtarë të lirisë, heronj dhe dëshmorë të ardhmërisë: Remzi Ademaj, Zhur, Bedri Shala, Negroc, Bekim Berisha, Pejë, Skënder Çeku, Qyshk, Sejdi Sejdiu, Nerodime, Gursel dhe Bajram Sylejmani, Sadovinë, Nuhi Mazreku, Gariq, Afrim Buçaj, Lladroc, Avdyl Zogaj, Lladroc, Afrim Krasniqi, Lladroviq, Liman Gega, Fshat i Ri, Prof. Hamdi Berisha, Gurbardh, Ymer Alushani, Komoran, Ramadan Morina, Damanek, Gani Kastrati, Nekoc, Behadin Hallaqi, Prizren, Adem Lushtaku, Prekaz i Poshtëm, Prof. Murat Haliti, Lubovec, Prof. Enver Haliti, Lubovec, Agim Shala, Ujmirë, Bajram Berisha, Shtuticë, Fejzë Gashi, Shtuticë, Naim Gashi, Shtuticë, Driton Shaban Brahimaj, Prekaz i Poshtëm, Kadri Miftar Mustafa, Prekaz i Poshtëm, Agim Rrahim Ramadani, Prekaz i Poshtëm, Hamit Hyseni, Oshlan, Enver Met Kastrati, Polluzhë, Vehbi Ejup Hoxha, Krajkovë, Fatime Shala, Bajgorë, Shefqet Zeka, Prishtinë, Behxhet Karaxha, Çikatovë e Vjetër, Skënder Karaxha, Çikatovë e Vjetër, Bahri Veseli, Broboniq, Shemsedin Pajazit Haxhiu, Ternavc, Tahir Ibrahim Haxhiu, Ternavc, Nuradin Durmishi, Krushicë, Ruzhdi Salihu, Zborc, Xhemshir Ademaj, Petrovë, Agim Bajrami, Kaçanik, Bashkim Vishi, Kaçanik, Fatos Sherif Krasniqi, Negroc, Haki Liman Krasniqi, Negroc, Skënder Liman Shala, Vuçak, Ilaz Javori, Lazicë, Faton Fazli Syla, Bequk, Mehmet Azem Salihu, Gradicë, Dr. Bislim Uka-Leci, Gradicë, Ismet Uka, Ticë, Qemail Mehmeti, Plluzhinë, Skënder Salihaj, Mulopol, Ajet Hasani, Godanc, Fehmi Kastrati, Kishnarekë.
Është gjaku i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ranë në të katër anët e Kosovës që na obligon dhe detyron që shqiptarët kudo që jetojnë të bashkohen edhe më shumë rreth luftës për çlirimin e Kosovës.
Vëllezër e motra, bashkëkombas e bashkëluftëtarë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndjen dhembje të papërshkrueshme për dëshmorët e lirisë dhe për çdo qytetarë të Kosovës, ndjen dhe ndan dhimbjet dhe vuajtjet e shkatërrimeve masive që na i shkaktoi armiku barbar, por është edhe i bindur se liria dhe pavarësia nuk kanë alternativë tjetër.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta e më të çiltëra familjarëve e bashkëluftëtarëve për më të dashurit e tyre, për ata që për liri e atdhe nuk kursyen asgjë, as më të shtrenjtën – jetën.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë!
Rroftë Ushtria Çlirimtare të Kosovës!
Prishtinë, 30. 10. 1998
SHTABI I PËRGJITHSHËM
I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
………
___________________________
(Ilustrimet dhe shtojcën e përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)