BEDRI TAHIRI: RIFAT KUKAJ – BARDI I LETËRSISË PËR FËMIJË

 Drenas, 28. 10. 2014 – Asociacioni i letrarëve dhe artistëve ART CLUB ”Rifat Kukaj”, më 25 tetor, në Shtëpin e Kulturës “Valdet Xhemajli” në Drenas, mbajti Edicionin e parë të manifestimit letrar “Vjeshta dhe Vargje”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë letrare të krijuesit Rifat Kukaj, ku u lexua edhe kjo kumtesë: Të nderuar familjarë, miq, kolegë e bashkëpunëtorë të të madhit Rifat Kukaj!Të respektuar krijues, dashamirë të fjalës së bukur artistike dhe ju të pranishëm! Të flasësh për poetin, prozatorin, dramaturgun, përkthyesin dhe skenaristin e letërsisë për fëmijë e për të rritur, të papërseritshmin Rifat Kukaj, është sikur të provosh ta kapësh diellin me dorë apo ta zbrazësh detin me lugë. Besoj, të gjithë sa jemi këtu e kemi njohur nga afër Bardin e lëtërsisë shqipe për fëmijë, por unë mbaj peng dy momente; herën e parë në dasmën e Lulëzim Jasharit, djalit të komandant Adem Jasharit dhe herën e dytë në jurinë vlerësuese në një festival poezie në Skënderaj. Dhe, lekët që na takuan si juri, ia përcolla ditën që udhëtonte për Ulqin.
-Merrni çka të doni për të pirë sot, se më nuk paguaj,- na tha atë ditë tek kafe Koha, përballë Pallatit të Shtypit në Prishtinë, dhe vërtet më nuk u pamë. Një profeci, që, mjerisht, u bë realitet.
Rifat Kukaj u lind në Tërstenik të Drenicës, më 25 tetor 1939. Në moshën gjashtë vjeçare ia vranë të atin cerberët e përtej Tunës dhe ai u rrit me lotin e ngrirë në qepallë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Normalen në Prishtinë. Fillimisht punoi mësues e pastaj drejtor në vendlindje. Që nga viti 1963 kalon e punon në Prishtinë, në Radio e në “Rilindja”, gjithmonë me shpirtin dhe ardhmërinë e shoqërisë: me fëmijët. Përktheu letërsi për fëmijë nga autorë sllovenë, kroatë, serbë, e hungarezë por edhe vetë shkroi në shumë nga këto gjuhë. Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe ndihmoi shumë autorë të rinj të hapnin shtigje në krijimtari.

 Vdiq në Ulqin, më 11 shtator 2005 e u varros në vendlindje me nderime të larta.
Të gjithë teorikët letrarë pajtohen se më se vështiri është të shkruash për fëmijë. Të krijosh për më të vegjëlit, patjetër duhet të zbresësh në nivelin e tyre, duhet të jesh psikolog, pedagog, prind, gjysh e eduktor shembullor. Shkrimtari Rifat Kukaj i posedonte të gjitha këto, andaj lëvroi me sukses gjini dhe zhanre të ndryshme të fushës së letërsisë për fëmijë, duke u bërë mjeshtër i rrëfimit dhe i komunikimit, i emocionit dhe i besueshmërisë, i modelit përrallor dhe i hapësirës imagjinatave.
Rifat Kukaj nisi të shkruaj qysh si nxënës. Vjershën e
parë për fëmijë „Besimet e kota” e botoi në revistën „Pionieri”
më 1952, kurse vjershën e parë për të rritur „Të ishte” në revistën letrare „Jeta e re” në vitin 1956. Prej atëherë ka publikuar në të gjitha revistat e gazetat në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. Ka botuar rreth 100 libra me poezi, tregime e romane, për fëmijë dhe për të rritur. Pastaj tekste për ilustrime, pjesë teatrore, drama, skeçe, humoreska, përralla, fabula e deri te trajtesa të ndryshme letrare e shoqërore.
Rifat Kukaj do të bëjë emër jo vetëm në Kosovë, por në shkallë kombëtare. Sot nuk ka mundësi të hartohet një abetare, një libër leximi apo një antologji e poezisë për fëmijë ku të mos zërë vendin kryesor krijimtaria letrare e Rifat Kukajt. Përpunimi i personazheve, apo fgurave poetike, kanë origjinalitetin e vet dhe janë shumë të afërta për lexuesin, ngase janë kultivuar nga libri në libër me përkushtim e pasion krijuesi. Nëpër krijimtarinë kaq të begatë të Rifat Kukajt janë trajtuar me kujdes të gjitha relacionet e botës fëmijërore, si ato prindër-fëmijë, gjyshër-fëmijë, rrethi familjar-fëmijë, shoqëria-fëmija etj.
Pra, opusi krijues i Rifat Kukajt është aq i gjerë e aq i larmishëm, saqë nuk di çka të përmendësh brenda një kumtese të tillë modeste. Megjithatë po veçojmë romanet: “Bardhi e Mirushja”(1968), “Vjollca magjike” (1999), “Lepuri me pesë këmbë” (1971), “Rrasa e zogut” (1975), “Kokërrmeli e pilivesa” (1972), “Zogu i bardhë” (1989) etj; Përmbledhjet me tregime: “Rrëfejza” (1965), “Harmonika e vogël” (1967), “Dylbia e kapedanit” (1973), “Ujku me kamerë” (1988), “Elefanti që fluturonte” (1997), “Gjiri i Delfinit” (2002) etj; Përmbledhjet me poezi: “Gjerdani i blertë” (1965), “Vallja e kallinjve” (1967), “Trimnitë e karkalecit” (1967), “Princi i Krujës” (1969), “Fshati i Pishës” (1969), “Çka fshin dhelpra me bisht” (1976), “Deti u bëftë kos” (1980), “Ti një kokërr unë një kokërr” (2000), “Ëndrra të trembura” (2002), “Ma jep gishtin e vogël” (2005) etj; Vëllimet me poezi për të rritur: “Nusja”, “Qafa e Ujkonjës”, “Njeriu që nuk mund të vdiste” etj.
Për sukseset e arritura në lëmin e letërsisë është fitues i shumë çmimeve letrare në Kosovë, në Shqipëri, në Lublanë, në Zagreb, në Novi Sad etj.
Ai shkroi edhe shumë përkushtime. Një ndjenjë e fuqishme i përshkon sidomos poezitë që ua kushtoi miqve të tij poetë, Ymer Elshanit dhe Odhise Grillos. Dhimbjen për humbjen e kolegut Ymer Elshani e shpreh kështu:
Pa ty stinët zvarriten ngathtë, ngathtë.
Për n ‘vendlindje udha m ‘është shëmtuar,
Se ç ‘ma theve, or krahun e djathtë,
Me stuhinë e dhembjes së pashëruar…

Ndërkaq, Odhise Grillon, një vit pas vdekjes së tij, e përkujton:
Bashkë pamë Kosovën e Drenicën e vjetër,
Lirisë i uruam këmbë të mbarë;
Por së toku s ‘do na i zënë sytë tjetër
As Drenicë, mjer unë, e as Himarë…

Odhise Grillo dhe Rifat Kukaj paraqesin dy krahët e shqipes që plotësojnë njëri- tjetrin dhe tok bëjnë tërsinë e letërsisë sonë kombëtare për fëmijë. Se poeti është zëdhënësi i popullit të vet, i kombit të vet, i atdheut të vet, dëshmojnë dy vargjet e fuqishme të poetit për poetin:
Kush nuk e do Odhisenë
Nuk e do mëmëdhenë!

Fati i popullit tim është edhe fati im,- thoshte mendjendrituri ynë, Pjetër Bogdani. Kështu logjikonte edhe Rifat Kukaj. Kjo u dëshmua gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në nëntor 1973, kur, sipas Admirina Peçit, ai qe interesuar edhe për armët dhe në një rast paskësh thënë se po të vijë koha, ai i pari do ta hedhë bombën aty ku duhet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Dhe, çka të themi tjetër për këtë bard të letërsisë sonë për fëmijë? Ndoshta, edhe nuk ka nevojë, sepse ai kaherë ka fituar pavdekësinë. Emri i tij është gdhendur në kujtesën e kësaj letërsie, sepse librat e tij e pasuruan traditën tonë letrare në fushën e letërsisë për fëmijë, po edhe krijuan traditë.
Mjafton ta përkujtojmë, ta nderojmë e ta çmojmë veprën e tij jetësore e letrare. Andaj, lavdi për jetë e mot të madhit Rifat Kukaj! Faleminderit për vëmendje! (Drenas, 25 tetor 2014)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura