BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: PËRSHKALLËZIMI I KUVENDIT DHE STABILIZIMI I VENDIT!

Prishtinë, 03. 10. 2015: (A është bojkot apo komplot) Kuvendi i Kosovës po më ngjanë shumë në ekipin futbollistik të Juventusit; që të dy e nisën keq sezonin e vjeshtës duke rënë shumë poshtë në tabelat e klasifikimit. Juventusi mbeti pa tre lojtarë kyç prandaj, mbase ka edhe arsyetim për rënie të lojës, sidomos në repartin e sulmit. Kuvendi nuk e pësoi asnjë ndryshim në formacion dhe në aspektin fizik, pas disa muaj pushim , dukej se ishte i gatshëm për fillimin e lojës. Në aspektin intelektual, as futbollistët nuk shquhen (me përjashtim të rasteve të rralla) për ndonjë zgjuarësi apo se nga ta kërkohet të kenë një qasje filozofike. Në këtë drejtim as Kuvendi i Kosovës nuk dallon shumë nga disa futbollistë, madje qëndron edhe më keq. Dëshmi për këtë janë intervistat, debatet diskutimet në foltore që nuk e meritojnë dhe sjelljet e tjera. Futbollistët zakonisht paguhen mirë për punën e tyre sikur që edhe deputetët e Kosovës nuk është se paguhen keq. Në këtë aspekt nuk mund të krahasohen Ismet Beqiri me Lionel Mesin apo Kristiano Ronaldo me Adem Grabovcin, as sa i përket shënimeve e sidomos dështimeve për të shënuar e mos të flasim për të hyrat që i realizojnë nga angazhimet dhe sponsorët e tyre. Pastaj, nuk mund të krahasohen as kampionët në hudhje të gjyles, shtizës apo shigjetës me kampionët e hedhjes së vezëve në Kuvendin e Kosovës siç ishin Pali, Donika dhe Glauku! Nuk dukej aspak profesionale e lëre më estetike situata kur Glauku (sikur Kolosi i Rodosit) gjuante vezë në drejtim të Davidit (Isa Mustafës) që më shumë i ngjante një laboranti që nuk ishte i sigurt në eksperimentin e alkimisë politike që ia kishin përgatitur të tjerët, se në një kryeministër që do të demonstronte autoritet, vendosmëri dhe këmbëngulje në mbrojtje të vendimeve që i kishte nënshkruar vet! Pastaj, futbollistët janë pjesë aktive e bastoreve sportive duke trukuar rezultate sikur që edhe kuvendarët tanë janë pjesë shumë aktive e bastoreve politike duke trukuar procesin e votimit të ligjeve dhe marrëveshjeve të ndryshme. Edhe në rastin e parë sikur edhe në të dytin , dirigjentë të trukimeve janë mafia ndërkombëtare, qoftë për përfitime materiale apo politike! Futbollistët dhe kuvendarët janë kukulla që mbledhin troha të imëta që mbesin pas orgjive të drekave dhe darkave. Për ndërhyrje të ashpra apo kur i shkelin rregullat e lojës, futbollistët dënohen me kartonë të verdhë, të kuq , me disa lojë moslojë , me të holla e deri te diskualifikimi i përjetshëm. Deputetët e Kuvendit deri më tani nuk janë dënuar fare me asnjë masë ndëshkuese, madje janë stimuluar për lojën e ashpër apo thyerje të rregullave. Kuvendarët e kanë një përparësi para futbollistëve; edhe nëse gjatë një kontrate (mandati) 4 vjeçare sa zgjatë zakonisht edhe kontrata e futbollistëve profesionistë, nuk janë aktivë edhe një minutë të vetëm, nuk ka mundësi të ndërrohen gjë që nuk ndodhë me futbollistët. Futbollistët i vlerëson menaxheri dhe trajneri ndërsa deputetët i vlerëson zgjedhësi. Nëse futbollistët zihen në pozitë jashtë loje atëherë ndërpritet aksioni dhe anulohet edhe goli eventual ndërsa nëse deputetët zihen jashtë loje apo luajnë jashtë rregullave të lojës atëhere ndërprehet seanca e Kuvendit. Për fitoret e futbollistëve gëzohen dhe urojnë simpatizantët ndërsa pas marrëveshjeve gëzohen ata që kanë fituar ndërsa urojnë politikanët që i kanë kurdisur këto marrëveshje. Pas humbjes (në rrethana të dyshimta në futboll) ka të drejtë ankimimi dhe rezultatin mund ta ktheni në favorin tuaj ndërsa pas humbjes politike mund të ankoheni:”te Busha në Tok Bahçe“ dhe më së shumti që mund të fitoni është futja në lista të zeza të vendeve “mike“, ndonjë aktakuzë me prospekt të Dubravës apo Dyzit, aranzhmanin e plotë për Holandë përmes Gjykatës Speciale dhe përjashtimin nga skena politike! Për fund, nëse Juventus vazhdon me këto rezultate, atëherë vitin e ardhshëm do ta gjejmë në Serie B të ligës italiane kurse opozitën kosovare nuk do ta gjejmë as në ligën e dytë politike por do të jetë krejtësisht jashtë loje! Shpresoj se nuk do të ndodhë kështu sepse nuk mund ta paramendoj Kuvendin e Kosovës pa Zafir Berishën si analist erudit dhe dr.Pal Lekajn si shërues shaman me terapi të vezëve !
Për çfarë debate po flisni, pashë Zotin
Shumica e delegatëve nuk e kuptojnë dallimin midis debatit dhe dialogut sepse kryesisht bëjnë monolog duke folur vetmevete pasi askush nuk i dëgjon. Debati është një gladiatorizëm verbal (gojor) ku qëllimi është të mundet kundërshtari e jo zgjidhja e problemit. Dialogu është një përballje e argumenteve që ka për qëllim zgjidhjen e problemit pa e mundur kundërshtarin dhe është përpjekje që kundërshtarin ta bëni bashkëpunëtor. Kjo në Kuvendin e Kosovës nuk ka gjasë të ndodhë. Opozita fillimisht kërkonte që kryeministri Mustafa të raportojë për marrëveshjet e arritura në Bruksel, pas një fushate të fyerjeve dhe sharjeve reciproke në media elektronike dhe të shkruara. Kjo, në fakt e ngushtoi hapësirën për diskutim dhe opozita doli me një kërkesë që nuk ka gjasa të realizohet për të gjallët e Vuçiqit, Mustafës, Mogerinit, Brukselit, Vashingtonit dhe qendrave tjera vendosëse. Nënshkrimi nga marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të tërhiqet por ato mund të anulohen nga Gjykata Kushtetuese apo gjatë ratifikimit në Kuvend e që nuk do të ndodhë në rastin e Kosovës në asnjë mënyrë! Ky është ai shyleveku apo trukimi që e përmenda më lartë që e kanë bërë pardonët ndërkombëtarë dhe dodonistët vendorë! Marrëveshjet kanë qenë jotranparente dhe të imponuara dhe jo shprehje e vullnetit të deputetëve që është edhe mandati i tyre moral dhe material. Për marrëveshje do të marrim vesh më shumë pas një kohe kur ndonjë akter ndërkombëtar i këtyre marrëveshjeve do të pensionohet dhe do të shkruaj memoare për ta pasuruar jetëshkrimin e tij dhe për ta mbushur llogarinë e tij bankare. Mund të shkruaj edhe Blerim Shala nëse kthehet përsëri në shoqëri civile. Edita nuk di si do të shkruaj kur nuk e ka treguar as 10 % të vërtetën prej 100% -it. Ne si “popull“ (ende jemi në formim sepse jemi parapopull) harrojmë shpejtë prandaj e kemi një histori sikur të Dritan Priftit apo Ylli Pangos! Sa shpejt e harruam formimin e një Gjykate kriminale dhe raciste sikur kjo e ashtuquajtura Gjykatë Speciale. Nuk kërkojmë përgjegjësi nga ata që bënë krime kurse ia nxjerrim sytë njëri – tjetrit! I kemi harruar të gjitha masakrat që janë bërë në Kosovë (mbi 286), varreza masive (199) dhe të zhdukur (mbi 1500) e tash po merremi me raste individuale duke shpallur fajtorë individë ende pa përfunduar hetimet, pa aktakuza, pa një gjykim të drejtë dhe pa të drejtë ankimimi. Këtë nuk po e pranon as shteti i Holandës duke kërkuar që të akuzuarit dhe të dënuarit eventualë nga Speciallka të kenë të drejtë të ankohen para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strazbur! Pas Speciallkës zhgënjimi do të jetë shumë i madh për ata që me të drejtë presin që të zbardhet fati i anëtarëve të familjeve të tyre , qoftë të vrarë apo të zhdukur. Speciallka po formohet si kërkesë e Rusisë, Serbisë, Dik Martit, Karla del Pontes, një pjese e medieve dhe shoqërisë civile në Kosovë dhe në Serbi dhe disa “miqve“ ndërkombëtarë prandaj as që do të merret me krimet e pasluftës nëse ata nuk janë serbë apo joshqiptarë! Prandaj e kundërshtoj këtë Gjykatë sepse do të gjykojë në baza etnike, nuk do të gjykohen përgjegjësit për krime dhe nuk do të jetë në mbrojtje të viktimave sepse nuk i trajton të gjitha viktimat si viktima por vetëm një pjesë të tyre sipas parimit ekskluzivisht etnik. A ka më e mundimshme se situata kur klientët e ardhshëm të kësaj gjykate në mënyrë të vullnetshme e votojnë këtë Gjykatë ndërsa partnerët e tyre të koalicionit , shqiptarë apo serbë por edhe të tjerët të mozaikut multietnik ndahen të ngazëllyer me këtë Gjykatë dhe i fërkojnë duart duke drejtuar shikimin në karriget që do t’i zënë pasi ata që do të arrestohen ta marrin vizën disavjeçare për Holandë! Skajshmërisht e pamoralshme dhe e pështirë! Merreni me mend çka më tha një “trim“ i luftës: “e ndaj krejtësisht mendimin me ty rreth kësaj Gjykate dhe kurr nuk do ta votoja mirëpo arsyeja e vetme ishte se nuk dëshiron të prishet me amerikanët dhe Amerikën“! E kuptova dhe arsyetova plotësisht për faktin se kur isha në Amerikë shumë rrugë, sheshe, institucione shtetërore mbanin emrin e këtij që e ka votuar Gjykatën Speciale. Lavdi marrëzisë!

“Elita” e papërgjegjshme politike që s’i beson askush!

Opozita nuk po merret më me Speciallkën sikur që pas një kohe nuk do të merret as me Zajednicën dhe Demarkacionin e kufirit! Kur shkruaja për Kajdanovën pata menduar se nuk do të kem nevojë të shkruaj për pasardhësin e saj sepse nuk besoja se do të jetë si Tina. Kur erdhi Delli, me të bëmat dhe të pabëmat e tij, më bënë që me zë ta qaja për Tina Kajdanov dhe kujtoja orientimin paqësor të saj duke kërkuar kthimin e saj ! Kur të bëhet demarkacioni i kufirit me Serbinë jam i sigurt se Ramushi, Visari , dr. Pali, Donika, Zafiri dhe Topuzi do ta puthin kufirin me Cernagorën sikur dikur Isa Boletini që e puthte flamurin kombëtar dhe tokën e arbrit! Edhe Zajednicën do ta harrojnë sepse gjatë përpjekjeve për marrje të pushtetit pranuan të bëhen partnerë të Zajednicës duke e votuar (-VV) themelimin e saj. Jabllanoviqin e patën bërë si krushk të parë deri sa paradite akademiku i nderuar Mustafa e pas dite tradhëtari Isa Mustafa lidhi koalicion me Hashimin! Prandaj po kërcënohen me pushkë të zbrazët duke e ditur se këto marrëveshje nuk kthehen mbrapa! Nuk e besoj se opozita është e vullnetshme të sakrifikohet sikur Jan Pallahu në Pragë, në mbrojtje të demokracisë dhe Nora e Kelmendit, në mbrojtje të nderit! Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje me çështje që e preokupojnë qytetarin për çdo ditë dhe t’i lërë temat e mëdha të cilat më nuk mund të përdoren si karburant për lëvizje të masave. Marrëveshjet janë shumë të dëmshme prandaj opozita është dashur të mobilizohen para arritjes së marrëveshjeve dhe jo pasi është falur Bajrami! Ose, opozita në pamundësi për të fituar hapësirë ku do të vlerësohet angazhimi i saj është dashur që ta bojkotojë krejtësisht Kuvendin dhe atëherë e tërë përgjegjësia do të shkonte në adresë të pozitës. Kështu, ua ka kënda të merrni pagë të mirë, mëditje të majme, vetura zyrtare për kanagjeqe, syneti dhe dasme, shetitje brenda dhe rreth rruzullit tokësor e tash, pasi u ka dalë tëmbli mbi përshesh, po ankoheni. Në situatën e krijuar të dyja palët janë të pasinqerta; pozita me veshje dhe sjellje prej engjulli po e portretizon opozitën si vet djallin duke ofruar hapësirë për debat ku opozita do t’i paraqes argumentet pas së cilës do të merreshin vendime të përbashkëta por nuk diskutohet nënshkrimi i Isa Mustafës në marrëveshje. Me një fjalë, pasi ka vdekur Hasani të ulemi dhe të konstatojmë se Hasani vërtetë paska vdekur. Jo more, pasi ka vdekur Hasani, ai duhet të varroset dhe t’i mbahen të pamet për kryeshëndoshë. I tillë është edhe fati i marrëveshjeve të nënshkruara. Opozita është e pasinqertë sepse e dinë shumë mirë se situata është e pakthyeshme dhe përsëri e përdorë si kartë për pushtet, në emër të mbrojtjes së shtetit! Zhgënjimi më i madh i opozitës do të jenë protestat masive gjithëpopullore ku, jam i sigurt se nuk do të marrin pjesë as 5% e nënshkruesve të peticionit. Dhuna nuk është zgjedhje e as zgjidhje e duhur prandaj opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje e që për dikend do të jenë ferr i vërtetë! Pozita është e rënë për toke dhe po mbijeton vetëm në mungesë të një oferte serioze nga një subjekt politik që përmbajtësisht do të dallonte nga pozita dhe opozita! Opozita tërë kohën po punon për pozitën dhe kundër opozitës. Në këtë rrethana edhe nëse, në rast të një fatkeqësie natyrore siç është tërrmeti i një intensiteti të ulët shkakton dëme në dritaret e Kuvendit të Kosovës, përgjegjësia do t’i adresohet opozitës! Opozita nuk ka kapacitet të mbijetojë temperaturave të larta dhe do të digjet në zjarrin që e ka ndezur vet. Vetëm ajo pjesa idealiste e VV është e gatshme të qëndrojë e duhet ta pranojmë se ka mbetur minoritet edhe brenda vet VV. Ramushi po e do Zajednicën sipas Ahtisarit të cilin VV do ta kryqëzonte sikur Krishtin prandaj nuk ka këtu qëndrueshmëri. Nisma po merret me probleme të tjera ndërsa arma më e fortë e saj, Zafir Berisha, ka kaluar në radhët e analistëve që është humbje e pariparueshme për partinë.
Zgjidhja është :
1. pozita dhe opozita duhet të joshen dhe të futen në kabinetin e presidentes Jahjaga dhe të përmalluar për mungesën e gjatë (ishin në pushime në Amerikë) t’i bien në përqafim njëri – tjetrit duke mos e harruar të kaluarën por të punojnë për të ardhmën e Kosovës për të cilën janë flijuar dhe po flijohen aq shumë.
2. duhet të huazohet vetëm për 30 minuta z.ministri për pushtet lokal, z. Barjam Gecaj i cili e pati perfeksionuar artin e bindje të deputetëve të pabindur duke i mbajtur deputetët nën shkallët e Kuvendit sikur Kardinalët e Vatikanit që i mbajnë të mbyllur deri sa ta zgjedhin Papën e radhës dhe,
3. në rast të dështimit të dy pikave të para, duhet të organizohet një pelegrinazh në orët e vona të mbrëmjes për Dragodan te Orakulli i Delfit ku Zeusi, nëse nuk binden (për çka nuk ka mundësi), do t’i shndërrojë në buburreca apo diçka tjetër që janë në kompetencë të zoologjisë. Uroj të mos ndodhë kështu sepse do të ishte fund i demokracisë, paqes rajonale dhe globale dhe seriozisht do të rrezikohej koalicioni në luftë kundër ISIS-it, ku Kosova e ka një rol të pazëvendësueshëm. Me një fjalë, në rast të mosbindjes për përafrim pozitë dhe opozitë, fund i botës nuk është larg!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura