GJOKË DABAJ: SI MUND DHE SI DUHET TË REALIZOHET PËRKUJDESJA PËR SHQIPTARËT

Durrës, 22. 09. 2016: Midis atyre që i kanë lexuar platformën e Përkujdesjes Shqiptare dhe librin “Strategjia e shqiptarëvet“ ka ende disa paqartësi lidhur me OBJEKTIN e përkujdesjes. Madje edhe në konsultën e zgjeruar të Këshillit Nismëtar të Përkujdesjes Shqiptare, analizë 3-mujore, që u mbajt në Prizren më 10 shtator 2016, u shfaq aty-këtu kjo paqartësi. Prandaj dhe po e ritrajtoj këtë problem, në mënyrë që, më në fund, të mund të nxiret një konkluzion i qëndrueshëm.
Ç’kuptojmë me shprehjen OBJEKT I PËRKUJDESJES? Me cilët shqiptarë duhet të merret institucioni i Përkujdesjes Shqiptare dhe në ç’mënyrë mund dhe duhet të kryhet kjo punë?
OBJEKT I PËRKUJDESJES jemi të gjithë shqiptarët, sepse që të gjithë kemi nevojë për një përkrahje, për një ndihmë, pra për një PËRKUJDESJE RECIPROKE! Ky është themeli i doktrinës sonë. Nuk është i sotëm. Është i kahershëm dhe, për një doktrinë të këtillë, ka nevojë çdo komb, i cili dëshiron të mbijetojë dhe të përparojë.
Por, objekti KRYESOR, përqëndrimi KRYESOR është te ata shqiptarë që janë të rrëzikuar më shumë, qoftë prej të tjerësh, qoftë edhe prej vetes.
Po marr disa shembuj që mund t’i konsiderojmë edhe si kategori.
1.Ata prindër që, për një arsye ose tjetër, nuk u mësojnë fëmijëvet të vet GJUHËN SHQIPE. Me ata prindër duhet të punohet në mënyrë sistematike që të mos veprojnë ashtu, sepse, duke ia ndërprerë fëmijës të shkuarën familjare, duke mos ia mësuar atij gjuhën e të parëvet, ia dëmtojnë rëndë edhe të ardhshmen. Por, a mund të kryhet kjo punë vetëm me këshilla nga larg, qoftë edhe duke i përsëritur ato këshilla natë për natë në televizor?! Këtu jemi shumë prej nesh të paqartë.
2.Atyre fëmijëve shqiptarë që nuk e kanë rastin të mësojnë në shkollë GJUHËN SHQIPE, u duhet krijuar mundësia që, nëpërmjet institucionit tonë, ta mësojnë këtë gjuhë. A mund bëhet kjo punë vetëm me propaganda televizive apo edhe me themelim lëvizjesh të bujshme kombëtare, me mbledhjera e me kongrese?! Jo! Atëherë, si mund të kryhet kjo punë, në një kohë kur shtetet tanë nuk po mund t’ua sigurojnë shkollimin shqip as 3% të fëmijëvet shqiptarë?!
3.Atyre të rriturve shqiptarë, të cilët, për shkak të rrethanavet, nuk i kanë mësuar GJUHËN SHQIPE dhe HISTORINË E SHQIPTARËVET, duhet t’u jepet mundësia që t’i mësojnë këto gjëra edhe në moshë të rritur, kudo që të ndodhen, në cilido vend të Globit. Por kjo ndihmë nuk mund t’u jepet atyre pa kontaktuar me ta sy më sy dhe ditë për ditë.

4.Qindra mijë shqiptarë, madje miliona, NUK REGJISTROHEN NË DOKUMENTET E TYRE SI SHQIPTARË. Vetëm mbasi kanë kaluar shumë breza, kur ndonjëri bëhet i famshëm, kujtohet t’i kërkojë rrënjët e veta dhe deklarohet si “me prejardhje shqiptare”. Po me miliona të tjerë që nuk bëhen të famshëm, ç’bëhet? Ata shkrihen dhe zhduken si kripa në ujë midis popujvet të tjerë! …Të gjithë e dimë që të kthyerit për së mbari të kësaj derdhjeje të etnitetit tonë, nuk është një punë e lehtë. Por a mund të ndalet kjo derdhje thjeshtë duke konstatuar?! Apo duke thirrur nga larg: “Shqiptar, mos rri, po duku, shqiptar!.. Kujto vendin tek ke lerë!” ?!
***
5.Shqiptarët që kanë vështirësi në familjet e veta, duhet të ndihmohen, me këshilla, por edhe në forma të tjera, për t’i kapërcyer ato vështirësi. Një grua apo një burrë që ka probleme me sjelljet apo konceptet e burrit apo gruas së vet, natyrisht, në rast se e kërkon ndihmën, duhet ndihmuar, që ata probleme t’i kapërcejë para se të vijnë gjyqet, divorcet apo tragjeditë që nuk janë të pakta në Kombin tonë. Por e gjithë kjo ndihmë, në mijëra familjet tona, nuk mund të jepet nga distanca. Madje edhe së afërmi është tepër vështirë të arrihen rezultatet e dëshiruar.
Nëse një prind ka probleme me fëmijët e vet, atje duhet ndërhyrë për t’u normalizuar marrëdhëniet. Nëse një vajzë ose një djalë i ri përjeton sjellje jo të mira, konservatore, nga ana e prindit, sërish kërkohet që dikush të ndërhyjë me autoritetin e vet. Të gjitha këto janë punë tepër të vështira. Kërkohet metodikë tepër profesionale dhe kërkohet kontakt i përditshëm.
6.Shqiptarët kanë vështirësi edhe në vëllazëritë e veta, në fiset e vet, si dhe me fqinjët e vet, atje ku banojnë. Janë me mijëra raste, të cilët, duke mos gjetur askund rrugë të arsyeshme zgjidhjeje, shoqërohen me grindje e mëri të egra, që pastaj shumë prej tyre të kalojnë në gjakderdhje zinxhir.
Përkujdesja Shqiptare merr përsipër të bëjë çmos për t’i parandaluar të gjitha këto dukuri tonat tepër negative. Jemi kombi me më shumë vrasje njëri me tjetrin në Evropë e ndoshta edhe në botë. Gjakderdhja brenda Kombit tonë është trajtuar me shqetësim të madh në literaturën tonë, por edhe në atë botërore. Përkujdesja Shqiptare duhet të gjejë mënyra për ta ndalur përfundimisht këtë hemoragji të tmerrshme. Jo vetëm me pajtim gjaqesh, por sidomos me parandalimin para se të ndodhë vrasja e parë. Duhet kuptuar mirë kjo që po themi: Do ndalur gjakderdhja para se të derdhet gjaku i parë!
7. Kombi shqiptar gjendet sot para një situate, o ta lërë veten të zvetnohet dhe të zhvleftësohet, nën trysninë e opinionevet antihumanë, antinjerëzorë, përhapur në shoqërinë e sotme në formë epidemie, ose të vihet përballë të këtilla trysnive me vendosmëri, duke i kultivuar dhe ruajtur virtytet tradicionalë të etnisë sonë. Bixhozi dhe lojërat e fatit, hajdutëria dhe grabitjet, zhvirgjërimi i parakohshëm nëpër shkallët e pallatevet dhe nëpër shkurre, prostitucioni, incesti, pedofilia, homoseksualizmi, përdorimi i drogës, trafikimi i njerëzvet, qoftë i fëmijëvet, qoftë i të rriturvet, shfrytëzimi i lypsarisë, trafikimi i organevet njerëzorë me qëllim transplanti, dhënia e ryshfetevet, pranimi i ryshfetevet, spiunimi për interesat e të huajvet.
Asnjëra nga këto dukuri njerishkatërruese nuk i shkon karakterit të shqiptarit. Që të gjitha këto dukuri kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në Kombin Shqiptar në formën e plagëvet, në formën e dregëzavet të qelbëzuara, dhe, Përkujdesja Shqiptare, në mos i vëntë vetes detyrë t’ia mjekojë Kombit Shqiptar këto plagë, këta çibanë e këto dregëza, le të mos krijohet, se s’ka arsye as të ekzistojë. Nuk ka arsye për të ekzistuar një institucion shërimi, nëse nuk merr përsipër për t’i luftuar sëmundjet në mënyrën më efikase të mundshme, ATJE KU JETON I SËMURI. S’e di a po kuptohet kjo, sado që e shkrova me shkronja të mëdha. ATJE KU JETON dhe duke u marrë INDIVIDUALISHT me secilin prej tyre.
8.Në Kombin Shqiptar ka përçarje e ndasi, përkundër përpjekjevet shekullore për të mos pasur përçarje e ndasi. Ndasi apo thjeshtë përçmime dhe rromuze midis fshatravet fqinjë, ndasi midis krahinavet, ndasi midis dialektevet, ndasi midis pjesëtarëvet të fevet të ndryshme (mjafton të kujtojmë tragjedinë e Çamërisë), ndasi deri në urrejtje midis pjesëtarëvet të partivet, ndasi e nganjëherë kontradikta të rënda midis brezavet, ndasi dhe urrejtje midis klasavet dhe shtresavet të ndryshme sociale, midis të varfërvet dhe të pasurvet, ndasi në opinione, deri në debate e grindje të pafundme e krejt pa bukë. E përdora fjalën ndasi në vend të fjalës përçarje, thjeshtë për të mos e paraqitur gjendjen krejt të zezë.
Në Kombin Shqiptar për shekuj me radhë, nga parailirët, ilirët dhe deri në ditët e sotme, janë bërë përpjekje të shumta për të mos pasur përçarje. Rilindja jonë Kombëtare është shembull adhurimi në pikëpamje të përpjekjevet kundër çdo përçarjeje, e atillë që s’e ka pasur asnjë rilindje tjetër e kombevet rreth nesh.
Në kohën e Enver Hoxhës, në Republikën e Shqipërisë, të gjitha përçarjet që i përmenda më sipër, u luftuan me sukses, përveç përçarjes klasore, me ç’rast u vu si qëllim, jo marrëveshja ndërklasore, por zhdukja e klasës së të pasurvet, gjë që rezultoi e pamundshme, qoftë edhe sepse në vetë ish-klasat e të varfëvet do të krijohej pashmangshëm një klasë e re të pasurish.
Përkujdesja Shqiptare duhet të ngulë këmbë kundër të gjitha përvojavet negative në këto fusha, duke kultivuar me zgjuarësi praktikat pozitive, për të realizuar një kohezion sa më të qëndrueshëm brenda Kombit tonë. Mirëpo, e gjithë kjo nuk mund të arrihet pa një veprimtari në terren, tepër të kualifikuar.
9. RENEGATIZMI, dmth prirja e një pjese shqiptarësh për t’u shërbyer armiqvet të Kombit Shqiptar, ka qenë dhe është njëra ndër plagët e rënda të Kombit tonë. Përkujdesja Shqiptare do ta sfidojë e luftojë këtë dukuri me të gjitha mënyrat e mundshme, përfshirë aty edhe eliminimin apo asfiksimin e shkaqevet që e çojnë njeriun shqiptar në renegatizëm.
***
Pjesa më madhe e atyre që i lexojnë këta rreshta, do të thonë: Që të gjithë ne JEMI për t’i luftuar këto dukuri negative. S’ka shqiptar që të mos jetë i këtij mendimi për ta pastruar Kombin tonë prej të këtilla papastërtive. Madje as ata individë që janë të prekur prej ndonjërës nga këto dukuri, që kanë bindje kështu e ashtu, që janë të cekët, që janë të paarrirë, që mund të jenë edhe të molepsur me vese, kur të bisedosh me ta, nuk do të të thonë se po thua keq, sado që ndoshta do të mundohen për t’u përligjur duke “arsyetuar”.
Mirëpo, sapo shtrohet puna për MËNYRAT PRAKTIKE, se si do arrihet deri në rezultatin më pozitiv të mundshëm, këtu ka, ose paqartësi shpeshherë tepër flagrante, ose diversitet mendimesh deri në shkallën e dilemavet fatale: A do të arrijë ndonjëherë Kombi Shqiptar për ta kuptuar e zbatuar këtë mjet kaq efikas të shërimit dhe të përparimit që e kemi parashtruar aq qartë në platformën tonë të Përkujdesjes Shqiptare?!
Ndërkaq, platforma, tashmë mirëfilli E JONA, jo E IMJA, sepse është pranuar e përkrahur prej shumicës së atyre që e kanë lexuar, është fare e thjeshtë për t’u kuptuar.
(I lëmë skeptikët, se ata nuk janë për t’u marrë parasysh.)
Përkujdesja Shqiptare, për të arritur qëllimin e vet, natyrisht që do t’i përdorë të gjithë mjetet modernë të komunikimit e të propagandës. Gazetat, televizionet, muzikën, këngën, filmin, letërsinë artistike, shkencat filologjike, artet figurativë, tubimet, konferencat, kuvendet. Por MJETI KRYESOR dhe I PAZËVENDËSUESHËM duhet me doemos të jetë PUNA KONKRETE me grupe individësh dhe me individë, në vendet ku ata J E T O J N Ë.
Mund të thuash sa të duash në radio e në televizion: Mos e harroni gjuhën shqipe! Mund të thuash sa të duash në gazeta e në televizion: Mos u vrisni njëri me tjetrin! Mund të predikosh sa të duash në media: Mos e braktisni Atdheun! Mund të flasësh sa të duash nëpër rrjetet socialë kundër prostitucionit (sado që atje flitet ndryshe, shpeshherë në favor të prostitucionit). Dhe mund të thuash sa të duash në radio e televizion: Mos e tradhtoni Atdheun për interesat tuaj vetjakë! Të gjitha këto prapë se prapë kanë për të ndodhur, nëse Përkujdesja Shqiptare nuk do të shtrihet INSTITUCIONALISHT deri te secili shqiptar kudo që ai të gjendet.
Që ne shqiptarët të kemi sa më pak TË BURGOSUR, që numri i tyre të vijë duke u pakësuar nga dhjetëvjetëshi në dhjetëvjetësh, duhet EDHE PËRKUJDESJE E PËRDITSHME profilaktike, parandaluese, EDHE PËRKUJDESJE NJË PËR NJË, që ata djem tanë, ai gjak i yni të mos shkojë, si i thonë fjalë, për dhjamë qeni.
Që ne shqiptarët të kemi sa më pak JETË TË HUMBURA KOT, nëpër rrugica, rrugë e autostrada, nuk mjafton vetëm policia. Duhet punë edukuese atje ku lindin e rriten këta djem e vajza, para se të kenë vdekur me adhap nëpër kanale e cepa urash. Sepse, pas vdekjes, qaji sa të duash dhe lajmëro sa të duash nëpër gazeta e televizione, ata nuk ngjallen më.
Këto punë KONKRETE, për të siguruar një progres të gjithanshëm dhe gjithpërfshirës në Kombin tonë, nuk mund të arrihen me asnjë formë tjetër, veçse ME KRIJIMIN DHE MBAJTJEN GJALLË TË FJALËMIRAVET SHQIPE. Pikërisht këtë nuk po arrijnë ta kuptojnë shumë prej nesh. Unë e kam sqaruar dhe përshkruar me hollësi disa herë këtë KOMPONENT TË TRETË të Përkujdesjes Shqiptare dhe prapë po ka hezitime nga më të ndryshmit.
Kemi një DOKTRINË tonën KOMBËTARE, e cila duhet të përzgjidhet dhe të ofrohet për t’u pëvetësuar e zbatuar, duhet doemos një UDHËHEQJE QENDRORE, pa lejuar kurfarë parcializimi, sepse pikërisht parcializimi na ka prurë deri në këtë gjendje të frikshme të luftës për ekzistencë, dhe duhet përkushtim për ta vënë në rrugë të mbarë punën e FJALËMIRAVET SHQIPE, me kthjelltësi, me atdhedashuri të mirëfilltë dhe me zemërgjërësi.
Gjokë Dabaj, 16-20 shtator 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura