BEHXHET SHALA BAJGORA: HASHIM THAÇI, PIRROJA I PROCESEVE INTEGRUESE NË BE DHE NATO!

 Prishtinë, 26. 06. 2016: (Pikëllimet e Bekimit dhe të Lirimit) – Mbretëria e Britanisë së Madhe doli nga BE ku realisht edhe nuk ishte. Pati shumë lutje, dikund edhe kërcënime që të ndikohet në votimet dhe rezultatet e referendumit. Këta janë mësuar me Kosovën ku mund dhe bëjnë ç’të duan prandaj mendojnë se ky model mund të shndërrohet në fontanë dëshirash dhe se askush nuk guxojnë të mendojnë ndryshe apo kundërshtojnë! Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar menduan ndryshe dhe votuan ashtu siç mendojnë se është më mirë për ta! E ardhmja do të tregojë se kush pati të drejtë dhe e ardhmja e afërt do të tregojë nëse BE do të rrënohet apo konsolidohet! Euroskeptikët kanë krijuar një përparësi ndërsa unionistët kanë shënuar një autogol. Realisht, kohë më pare BE-në e shpëtoi Gjermania e Merkelit duke bërë sakrifica të jashtëzakonshme me refugjatë nga Siria dhe vendet e tjera të krizës duke i strehuar jashtë mundësive pranuese që i kishte. Turqinë e mashtruan se mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave nëse i mbanë disa milonë refugjatë në Turqi e që ishin kandidatë potencial për destabilizmin e Evropës! Kosovën e kanë shndërruar në karikaturë duke i vendosur çdo ditë kushte të reja për liberalizim të vizave. Madje, duke vërejtur se qytetarët e Kosovës, të rraskapitur dhe lodhur për shkak të aventurave politike dhe luftës së pamëshirshme dhe të pamoralshme për pushtet dhe krizës së thellë ekonomike që ua mohon ardhmërinë edhe në kushte të dinjitetit minimal, janë kapur fort pas këtyre vizave thuaja se me liberalizimin e vizave çdo qytetar i Kosovës i merr automatikisht, së paku 100.000 euro para xhepi për shetitje në shtetet e Shengenit! Politikanët që janë në pushtet pa shtet dhe ata që duan të marrin shtetin pa pushtet, skajshmërisht po e keqpërdorin këtë dëshirë duke fajësuar këta që janë në pushtet, pa shtet se janë fajtorë për mosliberalizimin e vizave kurse këta të pushtetit minus shtetit po i akuzojnë ardhacakët e shtetit pa pushtet se mosratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e zi e pamundëson liberalizimin e vizave paçka se humbja e territorit as që iu bën përshtypje. Sikur që nuk i kishte bërë përshtypje as “mbretit malok“, Ahmet Zogut që falte territore majtas – djathtas vetëm për të mbetur në pushtet dhe për t’i rehatuar laviret që e rrethonin sikur edhe motrat “princesha“ që për mbretërin kishin njohuri aq sa kishte njohuri Gjergj Arianiti për Samsung Galaksy 7! Viktima e parë e mospranimit të qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar që të mbetet në BE ishte kryeministri Dejvid Kameron. Ai dha dorëheqje sepse , qytetarët, kryeministër i të cilëve ishte , nuk e dëgjuan ate prandaj edhe dha dorëheqje. Po të ekzistonte mundësia që Kuvendi i Kosovës të vendosë për mbetjen e Mbretërisë së Bashkuar në BE, kjo çështje do të ishte e harruar dhe nuk do të vinim në situatë që aq shumë të mërziteshin Bekimi dhe Lirimi, i pari ministër për integrime evropiane të Muçibabës dhe Shipitullës kurse Lirimi ambasador, kush e dërgoi hej bacë , në Mbretërinë e Bashkuar e cila dezertoi nga BE . Bekimi i integrimeve evropiane të Muçibabes dhe Shipitullës e cilësoi si ditë të zezë ditën kur u votua për dalje nga BE të Mbretërisë së Bashkuar sikur që dikush e pyet ate dhe se ai është person i duhur të flasë në emër të Mbretërisë së Bashkuar dhe votuesve të këtij shteti! Përralla hesapi , për (keq) përdorim të brendshëm! Kurse Lirimi e cilësoi si katastrofë të vërtetë këtë votim – mohim për të mbetur në BE. Pse more Lirim po flet pasi është falur Bajrami?! Po ta kishe dhënë këtë deklaratë para se të votohej në Mbretëri të Bashkuar jam i sigurt se 99 % e votuesve të Mbretërisë, duke e ditur autoritetin tend, do të votonin për mosdalje të Mbretërisë nga BE! Kështu, për shkak të reagimit tënd të vonuar , i ke marrë në qafë shtetet anëtare të BE –së, qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar por edhe qytetarët e Kosovës së ndarë . Trus more se nuk të pyet kush asgjë !

Jem ilira , jem teuta
Shkëlqesia e Tij , President i Republikës së Kosovës , zotni Hashim Thaçi është si Vasko de Gama , Ameriko Vespuçi apo Magelani sepse për çdo ditë po zbulon , përmes vizitave , vende dhe shtete për të cilat mbase kurrë nuk ka dëgjuar më parë. Vendlindjen e vet , Burojën e ka fshirë nga globi dhe të gjitha atlaset si dhe enciklopeditë botërore. Nuk zbret nga aeroplani sikur të ishte vëlla siamezë me mashtruesen e Brukselit, Edita Tahirin . Ishte te Papa Françesku nga i cili mori premtimin se Vatikani në 500 vjetët e ardhshëm do ta njoh Kosovën si shtet ! Por një vizitë që më bëri jashtëza konisht përshtypje dhe e cila është vendimtare për ardhmërinë e Kosovës dhe integrimeve të saj euroatlantike ishte vizita në Panama, shtet ky që ka rëndësi strategjike për Kosovën . Lexues të nderuar , ju mund të mendoni se po bëj hajgare por po shkruaj me seriozitetin më të madh dhe jam jashtëzakonisht i entusiazmuar me këtë vizitë të shkëlqyer në Panama. Historia e Kosovës me Panamanë është shumë më heret para se të shpërthejë afera për pastrimin e parave përmes Panama Pappers . Ishte një ditë e bukur , pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kur e morëm një ftesë nga atëherë kryeministri , tash Presidenti Hashim Thaçi , të koduar me shifrën: “ jem ilira , jem teuta “. Ftesa ishte top secret . Së pari kisha mëdyshje nëse duhet të shkohet duke marrë parasysh faktin se Hashimi është cinik i madh dhe shakaxhi edhe më i madh ! Ekzistonte mundësia që kur të shkojmë në takim të na thoshte se jemi mbledhur këtu për ta festuar ditëlindjen e artistes së madhe kosovare , Donjeta Kallashit apo se na ka ftuar Ilir Shaqiri në një syneti të nipit! Hashimi ka shije të stërholluat artistike dhe shumë mirë i dallon vlerat kombëtare dhe artistike sikur që këtë e bëri edhe vorioepiroti Sali Berisha kur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë përshëndeti artisten e madhe shqiptare , me përmasa (pas operacionit të silikonit) më të vogla, edhe ndërkombëtare, Çiljeta Xhilaga. Këtu Hasha dhe Sala nuk kanë shokë që u vien deri te gjuri në identifikimin dhe afirmimin e vlerave kombëtare dhe artistike ! Kallashi dhe Çiljeta , ma gjeni një të tillë , që me fakte mund t’ua mohojë vlerat artistike këtyre dy mega c..yjeve ! Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vorioepiroti Berisha ia fali portin e Shëngjinit Kosovës prandaj , ish kryeministri Thaçi na ftoi në këtë takim top sekret . Realisht , Berisha nuk ishte as hija e Ahmet Zogut , i cili, po të mbetej në pushtet , Shqipërinë do ta fshinte nga faqja e dheut duke ua falur tokat Maqedonis, Malit të Zi dhe Serbisë. Po pra ! Berisha bëri marrëveshje me grekë për ujëra kurse neve na la në rërën e hedhur duke na hedhur me portin e Shëngjinit të cilin nuk na ka lëshuar as edhe për një natë të vetme nëse nuk e kemi paguar hotelin apo banimin në ndonjë apartament privat ! Në atë mbledhje ish kryeministri Thaçi na tha se pasi e kemi portin e Shëngjinit duhet të kemi edhe anije sepse , nuk ka kuptim porti, pa anije. Na foli për traditat e ilirëve në anijendërtim , tregti dhe fitoret në ujëra falë, këtyre anijeve. Qeveria mori vendim t’i ndaj 32 miliardë euro për blerje të anijeve nga anijendërtuesit grekë dhe norvegjez, për fillim kurse në fazën e mëvonshme parashihej ndërtimi i dy aeroplanëmbajtësve që do të kushtonin diçka mbi 120 miliardë euro që për ekonominë dhe buxhetin e Kosovës janë shifra të papërfillshme. Në ndërkohë, Berisha na la pa portin e Shëngjinit kurse ndërtimi i anijeve kishte përfunduar. Thaçi, si largpamës që është bëri zgjidhje duke vendosur kontakte dhe marëdhënie diplomatike me shtetin e Panamasë që është pronare e Kanalit të Panamasë . Pasi Kosova hapi Ambasadën e saj në Panama ( shteti i tretë sipas radhës ) Hashim Thaçi, tash si president domosdoshmërisht e vizitoi Panamanë për të siguruar qasje të papenguar anijeve të shumta kosovare që do të lundronin përme këtij kanali të Panamasë! Prandaj, e quaj këtë vizitë me interes të jashtëzakonshëm dhe të një rëndësie strategjike për të ardhmën e Kosovës dhe nuk i kuptoj ata që këtë vizitë e konsiderojnë si djerrje të kohës dhe shkërdhim të mjeteve të buxhetit të Kosovës. Po të mos i luante fjalët vorioepiroti Berisha dhe po ta tregonte vendosmërinë e Ahmet Zogut në faljen e tokave shqiptare , për pushtet , para dhe kurva të bordeleve të Vjenës, teksti im do të dukej ndryshe! Kështu , jam në anën e Hashimit sikur që jam edhe në anën e shoqes së Dellit që aksidentalisht ishte presidente e Kosovës e cila, për më shumë se 10 ditë , me shpurën e saj, me paratë tona po xhezdisë nëpër Amerikën e Donald Trampit , nëpër kanaxheqe dhe ndeja të natës ku po mbanë ligjerata politike (për çka ishte e njohur në Kosovë dhe në botë) sikur edhe ligjeratën me temë boshtë:” Kapja e Shefqës dhe 40 imamëve , radikalë të islamit dhe kusherinj të Mullah Omarit ..” E kemi edhe presidentin e LDK-së që e rëzoi Enveri që, gjithashtu po mbanë ligjerata me paratë tona jo në Rekë të Keqe të Gjakovës por në Rijekë të Kroacisë. Flitet që kroatët, duke e çmuar cilësinë e këtij presidenti të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, e kanë rezervuar dy vjet më parë, sikur për koncertet e Andrea Boçellit, Unikatilit, Jay Z apo Afrim Muçiqit. Kjo është për faktin se ne nuk ua dime vlerat dhe vetëm pasi t’i humbim (kurrë mos i gjetshim!!) na bjenë mend për ta ! Të paparë janë dhe shumë të panevojshëm janë ! Me këto privilegje që i kanë, mos ua pafshin hajrin kurrë , fort po e shpërdorin buxhetin dhe djersën e qytetarëve të Kosovës ! Po duan ta luajnë rolin e presidentëve amerikanë por…por …! Po ndalem këtu e po përmbahem nga komenti !
Lojë shpërblyese
Të gjithë ata që më tregojnë se në të cilën parti është Nait Hasani , do të fitojnë një shpërblim. Nuk mjafton të thuhet se Naiti është në PDK, LDK, AAK, NISMA apo VV por duhet të ofroni argumente që do të më bindin. E di se do ta keni shumë vështirë ta argumentoni se në të cilën parti është Naiti shkaku se jeni para një rebusi të ngatërruar ama , duhet të angazhoheni sepse as shpërblimi nuk fitohet lehtë dhe pa shkrirë mend. Shumë fat dhe durim për këtë lojë shpërblyese!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura