SHERADIN BERISHA: SI U BË BEHGJET PACOLLI – PRESIDENT NGA MANIPULANTI, HASHIM THAҪI DHE SMS’të E AMBASADORIT AMERIKAN, DELL (22 SHKURT 2011)?!

Pashtriku.org, 15 korrik 2017: (Nga arkivi i pashtrikut, shkurt 2011) – Rikujtesë për harrestarët e koalicionit qeverisës PDK-AKR-minoritetet (shkurt 2011) – Si rrodhi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës?! – Më 22 shkurt 2011, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme, në të cilën në rend dite ishte votimi i presidentit dhe Qeverisë së Kosovës. Kandidati i vetëm për president ishte lideri i AKR’së Behgjet Paqcolli, ndërsa mandatari i qeverisë ishte lideri i PDK’së Hashim Thaçi. Të pranishëm në sallë ishin 81 deputetë, nga 120 sa janë gjithsej, mungonin deputetët e LDK’së, përveç Ismet Beqirit. Në emër të koalicionit qeverisës, kandidaturën e Behgjet Pacollit për president e ka paraqitur Ibrahim Makolli nga AKR’ja. Me shumicë votash, Kuvendi e ka mandatuar Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, të formuar në mbledhjen konstituive, që të konstatojë nëse kandidati i propozuar i plotëson kushtet, sipas Kushtetutës. Komisioni i Përkohshëm parlamentare për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, i mandatuar në seancën plenare, ka konstatuar se Behgjet Pacolli i plotëson kushtet për të qenë kandidat për president, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për President. Përfaqësuesja e lëvizjes “Vetëvendosjes” Alma Lame nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e komisionit. Tri partitë kryesore opozitare (LDK, Vetëvendosje dhe AAK) e kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës, para se të nis votimi për presidentin e Kosovës, ndërkohë që 67 deputetët e partive të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion qeveritar, kanë vazhduar mbledhjen e jashtëzakonshme, me rend dite zgjedhjen e presidenti dhe të Qeverisë. Përpara se ta lëshon seancën e Kuvendit, Ismet Beqiri, në emër të LDK’së, ka thënë se ky grup parlamentar ka vendosur të mos marrë pjesë në votim, pasi konsideron se zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk kanë qenë demokratike dhe të lira dhe nuk mund të prodhojnë një qeverisje legjitime. “Marrëveshja për koalicion nuk është bërë mbi bazën e interesave të gjera, por mbi baza të ngushta”. Më të zëshëm dhe argumentues kundër kandidaturës së Pacollit për president kanë qenë deputetët e Vetëvendosjes. Në emër të Vetëvendosjes, deputeti Visar Imeri tha se nuk do ta votojnë Pacollin për president, ngase, sipas tyre, ai është i papërshtatshëm politikisht dhe personalisht për të udhëhequr Kosovën.  (Lexoni: fjalën e Visar Ymerit të mbajtur në kuvend
http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosova_2011/shkurt_11/21-27.11/visar_ymeri_pse_nuk_e_votojme_behgjet_pacollin_22.2.11.htm )

Edhe Ardian Gjini i AAK’së tha, se ky grup nuk do të marrë pjesë as në votimin e presidentit, e as në votimin e qeverisë. Ai theksoi se AAK’ja nuk dëshiron të jetë dëshmitare e një marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Ndërkaq partitë e minoriteteve SLS dhe Grupi 6 Plus (pjesë e koalicionit) kanë bërë të ditur se do ta votojnë Pacollin për president.
Manipulimi i votimit për president të Kosovës!
Siç theksova më lartë, pasi deputetët e opozitës e lëshuan seancën, në sallë mbetën vetëm 67 deputetët e koalicionit qeveritar. Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me votim të fshehtë, me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit. Nëse në dy raundet e para, kandidati nuk merr numrin e mjaftueshëm të votave, në votimin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash. Në dy rrethet e para të votimit Behgjet Pacolli nuk arriti të siguronte votat e nevojshme (80 vota) për të qenë president i vendit, për shkak se në sallën e Kuvendit ishin prezentë vetëm 67 deputetë. Madje, me votat e fituara në dy raunde të para të votimit, parashikohej edhe mundësia e dështimit të raundit të tretë – kur presidenti mund të zgjidhej me shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh – sepse në raundin e parë pro Pacollit votuan vetëm 54 deputetë, 11 ishin kundër dhe 2 fletëvotime ishin të pavlefshme, ndërsa në raundin e dytë 58 deputetë votuan pro, 7 ishin kundër dhe 2 fletëvotime ishin të pavlefshme. Dhe po që se do të dështonte zgjedhja e presidentit edhe në raundin e tretë, atëherë Kuvendi do të shpërbëhej dhe Kosova do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pas rrethit të dytë të votimit në Parlamentin e Kosovës, meqë nuk u arrit të zgjidhet presidenti, mandatari për formimin e Qeverisë, Thaçi, dhe deputetë të tjerë janë parë të qohen në këmbë, për të bërë një pauzë. Hashim Thaçi, ndërkohë është parë kur ka shkuar te kryeparlamentarit Jakup Krasniqi për këtë qëllim. Por, Jakup Krasniqi ka deklaruar se seanca duhet të vazhdojë. Ai ka thënë se nuk ka një kërkesë për pauzë dhe lëshimi i sallës pa urdhrin e tij, përbën shkelje kushtetuese dhe të Rregullores së Punës të Kuvendit të Kosovës. Më pas, Hajredin Kuçi ka dalë në foltore dhe kryeparlamentarit Krasniqi i ka kërkuar që të jap pesë minuta pushim. Më pastaj Jakup Krasniqi dukshëm i revoltuar ka thënë: “Mund të shkohet në pauzë 5 minutëshe, mund të shkohet edhe dy ditë po deshët, por rezultatet e këtij votimi janë këto që u panë dhe u verifikuan. Ato nuk mund të ndryshohen dhe çdo presion i mundshëm ndaj deputetëve përbën shkelje të Kushtetutës”. (!!!) Deputetët e koalicionit dolën për pesë minuta në pauzë, ndërsa u kthyen në sallë pas 45 minutash! Se çfarë ka ndodhur gjatë kohës së pauzës tregon raundi i tretë i votimit për president. Në raundin e tretë nga 67 deputetë të koalicionit: 62 kanë votuar pro Pacollit president, 4 vota ishin kundër dhe 1 fletëvotim ishte i pavlefshëm! Pas raundi të tretë, ku ka rezultuar me zgjedhjen e Behgjet Pacollit për president të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se “pauza ishte e suksseshme”!
SMS’të që zgjodhën Behgjet Pacollin president të Kosovës!

Behgjet Pacolli, duke komunikuar me SMS – me Essad Puskar dhe ambasadorin Dell!

Gjate seancës së Kuvendit të Kosovës, në kohën e votimit për president, i nominuari për t’u bërë simbol i unitetit të kësaj Republike, duket se ka qenë më shumë i zënë me leximin e mesazheve elektronike në telefonin e tij mobil, të cilat, sipas asaj që ka zënë fotokamera, ishin instruksione për sjelljet dhe pritjet gjatë votimit të tensionuar dhe, në momente, shumë të paparashikueshëm, që – siç tregojnë qartë edhe “SMS’të presidenciale” – është përcjellë me pasiguri nga vetë i nominuari. Një pjesë e SMS’ve – ato më relevantet në lidhje me procesin e votimit për president – shihet se i janë dërguar Pacollit nga këshilltari i tij, Essad Puskar, i cili, gjatë seancës së Parlamentit, ka qenë në mesin e korit diplomatik, afër ambasadorëve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë që ishin prezentë në galerinë e sallës së Kuvendit të Kosovës. Essad Puskar është parë në ekranet televizive të ketë qenë i ulur përkrahë ambasadorit amerikan Dell.

Essad Puskar bashkë me ambasadorin Dell, në momentet kur po komunikonin përmes SMS’ve me Behgjet Pacollin!
Pusskar, sipas informatave nga ueb faqja e tij, është partner me Pacollin në kompaninë e tij Mabetex, ndërkohë i shërben edhe si këshilltar i lartë, ndërsa është edhe këshilltar i lartë për politikë të jashtme i partisë së Pacollit, AKR. Para se t’i bashkëngjitej “Mabetex”-it, sipas informatave nga ueb-faqja e tij (essadpuskar.com), Puskar ka punuar për USAID’in si drejtor i programit për Kosovën veriore të Zyrës për Iniciativa të Traniscionit.
Lexoni më gjerësisht: Kush është Essad Puskar – http://essadpuskar.com/biography
SMS’të e Essad Puskar’it drejtuar Behgjet Pacollit qartësojnë copëza të prapaskenës së zgjedhjes së presidentit të vendit (ku siç duket është përfshirë edhe ambasadori amerikan Dell), të cilën publiku i Kosovës nuk ka mundur ta shihte në transmetimin e drejtpërdrejtë televiziv, për faktin e thjeshtë se një pjesë e procesit është dirigjuar nga larg. Sot, mediat e shruara kanë sjellur një pjesë të fotove që dëshmojnë atë që duket të jetë korruptim i procesit demokratik të Kosovës, komunikimin e Essad Puskar dhe ambasadorit Dell përmes SMS’ve me Behgjet Pacollin, gjatë kohës së votimit të këtij të fundit për president të Kosovës, si dhe një SMS të Nexhmedin Spahiut dërguar z.Pacolli! Ky fakt tashmë (fatkeqësisht) nuk përbën lajm në Kosovë!

Lexoni SMS’të

Mesazhi i Esad Puskarit për Pacollin: “BP (Behgjet) jam me Chrisin (Dell’in), ai po pyet a është SLS në pyetje apo kush”.

Mesazhi i Pacollit për Dell’in, përmes Esad Puskarit: “Dell, nuk është SLS, por një fraksion nga PDK. Por duket se raundi i parë i votimit ishte votë e revoltës”.

Mesazhi i Pacollit për Dell’in përmes Esad Puskarit: “Pyete Dell’in çfarë të bëj në raundin e 3’të (të votimit)”

Mesazhi i Esad Puskarit për Pacollin: “Ai (Dell) po thotë shko fol me Hashimin dhe vendosni. Ai përkrah vetëm vendimet që i merrni ju dy… Të askujt tjetër. Ai (Dell) i thotë jo Jakupit. Nëse do të dalësh më mirë në raundin e dytë (të votimit), ai thotë të vazhdosh.

Mesazhi i Esad Puskarit për Pacollin: ”Dell (po thotë) më në fund, Fatmiri dhe Jakupi u frikësuan nga kërcënimi. Ai mendon se tani do të kryhet”.

Mesazhi i Nexhmedin Spahiut për Pacollin: “Bëja me dije Hashimit se s’fi ton ti, nuk do t’i ketë votat e AKR’së për Qeveri. Loja me Demaçin është e Hashimit (e ka shti n’kurth Vetëvendosjen). Mos u tërhiq para raundit të tretë se qëllimi është me t’frikësu që t’i mu tërhjekë….”
Këto fakte të sipërfaqësuara më lartë, dëshmojnë qartë për manipulimin e tmerrshëm që ka ndodhur gjatë votimit për president, nga Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli, Esad Puskar, ambasadori Dell etj!!!

Cili është kabineti i qeverisë Thaçi-2?
Në këtë seancë, Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, zgjodhi edhe Qeverinë multietnike me në krye Hashim Thaçin. Për kabinetin e paraqitur nga Thaçi votuan 65 deputetë, ndërsa një ishte kundër (kundër ishte deputetja Rada Trajkoviç). Hashim Thaçi, pasi ka mbajtur një fjalim para deputetëve, ku ka prezentuar programin dhe vizionin e tij për qeverisjen në katër vitet e ardhshme, ka paraqitur përbërjen e Qeverisë së re:

Zëvendëkryeministrat:
Edita Tahiri, zëvendëskryeministre;
Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryeministre;
Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër;
Bujar Bukoshi, zëvendëskryeministër dhe
Slobodan Petroviq, zëvendëskryeministër.
Ministrat:
Enver Hoxhaj, Ministër i Punëve të Jashtme,
Vlora Çitaku, Ministre i Integrimeve,
Ramë Buja, Ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë,
Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë,
Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme,
Sasha Rashiq, Ministër i Kthimit dhe Komuniteteve,
Dardan Gashi, Ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor,
Memli Krasniqi, Ministër për Kulturë, Rini dhe Sport,
Fehmi Mujota, Ministër për Infrastrukturë,
Radojica Tomic, Ministre e Pushtetit Lokal,
Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike,
Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë,
Besim Beqaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik,
Bedri Hamza, Ministër i Financave,
Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë,
Agim Çeku, Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Nenad Rashiq, Ministër i Punës dhe mirëqenies Sociale,
Blerand Stavileci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura