BEHXHET SHALA BAJGORA: KEMI POLITIKANË GJENIAL, TË KALAVESHUR ME PLATFORMA TË TREDHURA!

Prishtinë, 27 prill 2018: (Platforma , parolle , parolle …) Ishte një hit muzikor i kënduar nga Rita Pavone në gjuhën italiane para 30-40 vitesh që quhej , parolle , parolle , parolle ( fjalë, fjalë , fjalë .. ) e që lidhej me dashuri të papërmbushur dhe se përfundon vetëm me fjalë. Në atë kohë disa akterë që pretendojnë se merren me politikë në Kosovë , bënin hapat e parë duke u mbajtur për bisht të qenit të shtëpisë i cili , për shkak të lodhjes dhe moshës , nuk shërbente më si ruajtës i shtëpisë por si ndihmës për fëmijët e vegjël të shtëpisë , qoftë për t’i bërë hapat e parë , qoftë për t’u argëtuar sepse , në atë kohë nuk kishte lodra sikur sot. E as kopshte për fëmijë sikur që nuk kishte as kopshte apo hotele për qenushë ku disa politikanë të matrapazuar kosovarë i dërgojnë “ të dashurit “ e tyre, për pushim dhe relaksim nga lodhja e të jetuarit në mesin e njerëzve. Është një thënie tjetër që lidhet me mjekësi konservative dhe alternative ku thuhet se : “ ku ka shumë mami gjatë lindjes , fëmiu lind me të meta …”. Gjithashtu , gjatë kohës së komunizmit socialist në ish – Jugosllavi , ku shqiptarëve që e donin lirinë , disa shqipfolës , bijtë dhe bijat e të cilëve sot vrajnë e kthjellin në Kosovë duke qenë njerëz kryesorë ( si këshilltarë vendimarrës ) në Presidencë , Kuvend dhe Qeveri ua kanë kajtë nëntqindmijë nëna dhe baba , e kishin një moto të trashëguar nga jugo – sllavët : “ nëse nuk doni të bëni asgjë , mbani sa më shumë mbledhje dhe prodhoni sa më shumë dokumente ..”. Këta tre shembuj vlejnë vetëm për injorantë , shtete të pakonsoliduara e që thirren në një demokraci të qëndrueshme siç ishte Italia e Rita Pavones , ish – Jugosllavia e kriminelit Tito që aq shumë e kanë dashur disa persona me ndikim sot në Kosovë sikur që është Azem Bejta i komunizmit , dhe bijtë dhe bijat politike të kriminelit Tito , “ humanistit Millosheviq “ , kohën e të cilëve duan ta kthejnë sot . Për fat të mirë Kosova ka pasur dhe ka politikanë patriotë që kanë luftuar për këtë vend dhe që luftojnë edhe sot , deri në euron e fundit që e marrin , si kompensim për të kaluarën përmes mbajtjes së pushtetit dhe postit duke e dëmtuar jashtëzakonisht shumë Kosovën në kohën kur është dashur ta bëjnë të kundërtën. Mbajtja e pushtetit për një kohë të gjatë e prodhon tiraninë , dhunën , anarkinë e konsoliduar dhe të kontrolluar e që për rezultat e ka koncentrimin e tërë pasurisë te një rreth i ngushtë , te një person i cili është në krye të oligarkisë në ndërkohë që pjesa dërmuese e qytetarëve e pëson. Krijohet një perandori e krimit dhe zhvatjes e cila domosdoshmërisht shembet dhe përfundon tragjikisht për kryezaptuesin dhe lakejtë rreth tij. Nuk ka shembull në botë që një keqbërës apo dhunues i vullnetit të ketë përfunduar mirë sepse , ose është tërhequr zvarrë , ose është detyruar të jetojë i syrgjynosur , në një vend tjetër. Kjo është situata sot në Kosovë ku i kemi të gjitha dhe nuk kemi asgjë ! Nuk njihet vend në botë që aq lehtë dhe aq paturpshëm , për interes personal ( material ) dhe ruajtje të lëkurës e shpërdoron kapitalin politik të një vendi dhe ardhmërinë sikur që po ndodhë në Kosovë , nga individë të papërgjegjshëm , sikur që dikur bëhej nga krahu pacifist ( kapitulues ) dhe sot nga një pjesë e krahut të luftës ( dezertorë të qëllimeve dhe dhunues të idealit ) !

Sot në Kosovë kemi prodhim të shtuar të platformave politike , dokumenteve , konferencave , tryezave politike nga injorantët politikë , debateve të organizuara nga pjesa më e kriminalizuar e mendermethënë shoqërisë civile e që pretendojnë të merren me çështje të mëdha pasi ato të “ voglat “ e që janë të rëndësishme për qytetarin ( ulja e papunësisë , mënjanimi i varfësrisë , shkollimi i shëndoshë dhe cilësorë , mbrojtja shëndetësore profesionale dhe e pakorruptuar , shërbimet tjera publike në përputhje me standardet më demokratike ) moti i kanë zgjidhur e që as Gaboni , vendi me një demokraci ndër më të zhvilluarat në botë ( mike e Hashimit dhe Erdoganit për trajtim të gylenistëve ) dhe me një ekonomi jashtëzakonisht të përparuar me të ardhura për kokë banori prej 250 $ në vit nuk e ka arritur këtë sukses ! Me të drejtë presidenti ynë post-historik , në takimet e nivelit shumë të lartë , ku për arsye të jorelevancës që paraqesin për proceset globale botërore nuk ftohen Trampi , Kancelarja Merkel , Makroni i Francës , Putini i Rusisë dhe Kimi i Koresë Veriore sikur dhe të tjerët , por marrin pjesë politikanët e pensionuar dhe të harruar , analistë të deklasuar që për një honorar të bëjnë më të rëndësishëm se të gjithë fituesit e Çmimit Nobel , dhe matrapazë shetitës dhe cirkusantë të tjerë parashikues , deklaron se Kosova është storie ( përrallë ) e suksesit. Pajtohem plotësisht me këtë nëse e ka parasysh statusin personal , të të afërmve të tij dhe armatës së llaskucëve që lehin për të , sipas refleksit të Pavllovit në mënyrë automatike . Kosova nuk është tregim i suksesit por Kosova është tregim i zhgënjimit dhe injorancës , të humbjes së perspektivës dhe shkatërrimit të embrionit të të bërit shtet . Qofsha i gabuar dhe lehtësisht mund edhe të gaboj sepse unë nuk e kam trurin e presidentit dhe as të rrogëtarit më të lodhët të tij shkaku se , edhe kur kam shkruar shkrime e kam lutur Bacën Adem të shkruaj në emrin tim kurse sot e lus Fistek Leshin . Pra , i lexoj shkrimet që dikush i shkruan për mua e që është shumë më pak e dëmshme se , psh. kur dikush e shkruan një libër për ty , një platformë politike që e shkërdhenë shtetin apo statutin e një OJQ-je siç është Asociacioni i Komunave të Serbisë në Kosovë , për të cilën e tërë bota është hallakatur duke e caktuar edhe afatin se kur do të themelohet. Unë jam realist , idealist ( budalla ) dhe besoj skajshëm në fjalët e presidenti post – historik , Ekselencës , z. Hashim Thaçi se ky Asociacion do të jetë vetëm një OJQ . Disa miq po më konsiderojnë si të marrë për besimin aq të madh dhe të paluhatshëm që e kam te zotëri Thaçi dhe nuk po u besoj miqve të Kosovës që deklarojnë se Asociacioni do të formohet sipas ligjeve të Kosovës por se do të ketë kompetenca ekzekutive . Disi si ajo – ai fituesja – fituesi e-i Eurovisionit Vurst , femër me mjekërr të burrit por pa e ditur statusin brenda brekësve të saj apo atij . Ne po shqetësohemi pa nevojë dhe po krijojmë panik për do gjëra të vogla dhe të parëndësishme për një shtet . Asociacioni , si një OJQ –ë që është , më së shumti që mund të bëjë është se mund ta marrë veriun e Kosovës dhe ta bëjë pjesë të Serbisë , nuk do të lejojë të formohet ushtria e Kosovës , do ta minojë punën e institucioneve të Kosovës , do të kontribuojë në jostabilitetin e përhershëm të Kosovës , do të inkurajojë serbët e Kosovës që të marrin paga nga Kosova por që rrymën , ujin , mbeturinat dhe shërbimet tjera t’ia paguajnë shtetit të tyre , Serbisë kriminale . Po a nuk e kemi këtë gjendje edhe sot në Kosovë a ?! Ju lutem të më demantoni në njërin nga pohimet në këtë shkrim për të cilin nuk marr përgjegjësi për faktin se publikisht po e pranoj se nuk i shkruaj unë por këtë e bëjnë të tjerët për mua . Unë vetëm bëjë përpjekje t’i fryej koçet ( mbetjet e tyre ) në emër të të tjerëve. Po a nuk e bënë këtë edhe presidenti ynë madhështor ?! Një mik imi më tha se Presidenti yt ( e pranoj se është i imi ) , pas Martin Shkrelit është shqiptari më i urryer në botë : Nuk pajtohem , absolutisht nuk pajtohem i thashë atij që shkruan në emrin tim , jo që nuk e urrej por theksoje me shkronja të mëdha dhe në vend të dukshëm se E DUA SHUUUUUUUMË. Jam njëfarë kalkulanti dhe mashtruesi i vogël , ju lutem më ndjeni për këtë ! Ngecja në shkollim , mosha , gjendja shëndetësore dhe problemet mendore duhet të merren si rrethana lehtësuese në gjykimit tuaj , lexues të nderuar!
Tash për platformat dhe dokumentet përrallore të tredhura
Nuk ka sot person në Kosovë e që nuk është marrë me gjëra të mëdha që janë interes i shtetit dhe popullit. Askush nuk merret me vogëlsira e pse të bëjë përjashtim e të merrem vetëm unë ! Ata që , në të kaluarën , me mish , mendje , shpirt , me dajak dhe me mjete të tjera demokratike kanë punuar kundër Kosovës dhe shqiptarëve , sot ofrojnë receta të gastronomisë politike dhe kombëtare se si duhet të bëhet shteti . Ata që dikur e kanë penguar luftën çlirimtare me të gjitha mjetet , sot duan ta përvetësojnë këtë luftë duke deklaruar paturpësisht se 70 % e luftëtarëve të UÇK-së paskan qenë nga radhët e partisë ( hiç përjashtimeve ) e cila ka bërë çmos që të dështojë lufta dhe të mos ketë luftë por se lirinë do ta fitojnë duke flladitur koçet nën mrizin e Serbisë! Paturpësisht , bashkëpunëtorët e UDB-së dhe KOS-t të Serbisë i bëjnë heronj të Kosovës ( dhe i kanë bërë ) krejt në saje të kontributit të një pjese të krahut të kriminalizuar dhe të korruptuar të luftës , të cilët nuk e lanë pa i bërë të gjitha të zezat , pas përfundimit të luftës. Kjo është temë për një shkrim tjetër.
Platformat që sot po lansohen nga individë , parti , institucione dhe të tjerë për “ çështje madhore të shtetit dhe kombit “ janë flluska sapuni dhe ambalazhim i një dështimi të deritashëm . Këto platforma dhe dokumente për një konsensus politik dhe kombëtar , për “ çështje madhore të shtetit dhe kombit “ , në kohën kur nuk i gjeni dy politiknë në Kosovë që nuk duan t’ia fusin tjetrit prapa shpine , është mashtrim dhe përpjekje për legalizim të gjendjes ekzistuese , pas zhvillimeve – dëmeve jashtëzakonisht dhe mbase të pariparueshme që i kanë bërë Kosovës. Këto janë përpjekje që të fuqizohet dhe përligjet një marrëveshje , sigurisht e arritur midis Vuçiqit dhe Thaçit dhe për të cilën duhet kohë përshtatjeje sikur edhe disiplinim i atyre që e kundërshtojnë , si në Serbi , ashtu edhe në Kosovë. Realisht , Serbia , pasi e humbi Kosovën , tash , falë faktorit ndërkombëtar dhe injorantëve politikë në Kosovë po kthehet fuqishëm si lojtar vendimmarrës për fatin dhe ardhmërinë e Kosovës. Këto platforma , pa përjashtime , i ngjajnë një kondomi me afat të skaduar apo të shqyer , që në vend të sigurojnë mbrojtje nga një shtatëzëni e padëshiruar , vetëm sa e shtojnë numrin e të padëshirueshmëve. Këto platforma , në vend se ta mbrojnë vendin , qytetarin dhe ardhmërinë , si kondomët e shqyer , po e vazhdojnë dëmtimin e vendit përmes fuqizimit të atyre që më së shumti e kanë dëmtuar Kosovën. E keni lexuar se një dëmtuese dhe mashtruese ordinere , që e ka bërë m.t në të gjitha anët , tash po na alarmon duke na treguar se çfarë qëllimesh paska Serbia në Kosovë . Një mashtruese ordinere , pasi ka mbetur askund , po bënë përpjekje të na këshillojë për rreziqet në ndërkohë që nuk ka lënë rrenë apo mashtrim pa përdorur për t’i arsyetuar poshtërsitë që i ka bërë duke zbatuar urdhëra politik ! Këto platforma duan që Hashimin ta bëjnë Faraon të bisedimeve me Serbinë duke ia shtuar në mbështjellës prej të gjitha subjekteve politike dhe shoqërisë civile , për t’ia mbuluar lakuriqësinë e dëmeve që janë shkaktuar deri më tani dhe për ta rehabilituar ate. Natyrisht se në bisedimet me Serbinë e Vuçiqit duhet të jetë ekuivalenti politik nga Kosova e që aktaulisht është personi me emrin Hashim të cilin , e thashë më lartë se e dua shumë dhe se i besoj shumë mirëpo , nuk duhet të lejohet të bëjë ç’të dojë dhe ta llogarisë Kosovën si prostitutë ndaj të cilës do t’i shfryej epshet seksuale dhe të tjera duke përdorur platformat konsensuale , si kondom të shqyer , siç ka vepruar deri më tani. Kosova është dëmtuar shumë deri më tani dhe duhet të ndërpritet kjo gjendje ose , në të kundërtën do ta humb kuptimin jo vetëm si shtet por edhe si shprehje gjeografike. Nuk mund ta vendos Hashimi aktual dhe as hashimët potencialë për fatin tim dhe të fëmijëve të mi sipas taktit se si i çohet ai seni ! Platformat e mirëfillta bëhen ndryshe , nëse e kanë seriozisht . Kështu , nga akterët që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje ( jo të gjithë ) , nuk mund të pritet diçka mobilizuese përveç vazhdimit të stërkeqjes dhe në këtë kontekst nuk duhet të bëhen platforma që i japin kompetenca të pakufijshme presidentit por duhet të hartohen platforma që e kufizojnë apo pamundësojnë arbitraritetin e tij lidhur me fatin e Kosovës gjatë bisedimeve krejtësisht të pabarabarta me Serbinë. Nëse dikush mendon se nën hijen e Hashimit ngjallet , mbijeton apo forcohet politikisht e ka shumë gabim ; 10 minuta nën hijen e Hashimit të djegin më shumë se 20 orë nën diellin në shkretëtirën e Saharahë , pa pasur asnjë mbrojtje nga dielli !
Pa asnjë dyshim Kosova nuk do të ndahet mirë pas përfundimit të bisedimeve me Serbinë . Me vet faktin se keni pranuar të shkoni në bisedime me duar në xhepa dhe duke kruar koçet , të rrethuar me llaskucë dhe hajdutë injorantë dhe se jeni mjaftuar me përqafimet e përzemërta të shovinistit Vuçiq dhe kriminelit Daçiq si dhe me shkëmbimin e puthjeve me bukuroshen , bareshën Eshton , pa pasur asnjë cak apo afat , tregoni se ku jeni prandaj e kemi ate që e kemi merituar . Bisedimet me shtetin me të cilin keni luftuar janë të pashmangshme por atë bëhen vetëm pasi t’i keni sqaruar disa gjëra , pas të cilave krijohen kushtet për normalizim të marëdhënieve e që përfundon me pajtim ! Kështu , me brekë të lëshuara po ankohemi pse po na ngulin kur të duan dhe si të duan e që , përmes lotëve e konsiderojmë si padrejtësi historike !
H+H , Hetemi dhe Hashimi
Hashimin po e njohim të gjithë madje po na shkojnë edhe të vjellat , si Ujëvaret e Mirushës nga kjo njohje. Hetem Ramadanin nuk e kanë njohur shumë përveç një grupi të vogël. Hashim dhe Hetemi janë shokë , miq sikur që Hetemi është mik me Bacën Adem të cilin gati e shëroi duke e dërguar në Parajsë. Për fat të mirë , e ndërpreu shërimin . Edhe unë e njoh Hetën në saje të Bacës dhe Rexhep Dalldurit , babait të Hetemit. Heta ka lexuar shumë , më shumë se 40 % të shqiptarëve nëse i bëni bashkë. Prandaj edhe Hashimi , si erudit që është dhe i lexuar e ka bërë mik të ngushtë Hetemin . Unë , si i hendikepuar intelektualisht , kurrë nuk arrita ta bëjë mik Hetemin sepse , si të tillë nuk më pranon në mesin e vet. Eventualisht mund të më pranojë si pacient nëse vazhdon të më përkeqësohet gjendja e shëndetit mendor. Tash , Heta , si profesor dhe studiues i fizikës kuantike ( për mua kjo shkencë është sikur Samsungu 9 për Napoleon Bonapartën ) më duket se nuk po merret me raste sikur ky i imi. Shpresoj , duke e parë universalitetin e Hetës për shërimin e të gjitha sëmundjeve , më vonë do të merret edhe me rastin tim , pasi t’i ketë shëruar të gjithë të sëmurët . Tash shtrohet pyetja se a mund ta shërojë Hetemi Hashimin në planin politik , duke ia hartuar një platformë ?! Sigurisht se po . Me flokët e gjata dhe një mjekërr po më duket disi si Rasputini i cili e filloi karrierën në oborrin e Carit të Rusisë si shërues për të vazhduar pastaj si parashikues. Nuk e dëshiroj që Heta ta ketë fundin si Rasputini e as Hashimi fatin e Carit të Rusisë. Por asgjë nuk përjashtohet , qoftë edhe si mundësi apo ide ! Kush do të besonte se Barcelona do ta pësonte aq keq nga Roma ?! Vetëm sa fillova të mësohem me këtë katastrofë humanitare , si simpatizues i madh i Barcelonës , më erdhi goditja edhe më e madhe ; në një pyetje bërë Liverpulit , pas fitores brilante me 5 me 2 ndaj Romës se a ka mundësi që Roma ta përmbys rezultatin , përgjigja ishte , si do të thoshte presidenti post-historik , Hashim Thaçi , e joshkëlqyer , pra këta të Liverpulit thanë se kjo nuk mund të ndodhë në asnjë mënyrë sepse Liverpuli nuk është Barcelonë . Duro Behxhet , duro . Duroje Hashimin dhe tash duroje edhe Liverpulin !
Hetem Ramadani është universal , sikur ngjitësi universal , sikur helmi për asgjësimin e minjve dhe sikur Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara. Nëse paska arritur ta pengojë nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë duke thënë se këta ( Thaçi dhe bendi ) kanë qenë të rinj dhe të paditur dhe se pas një darke që ua paska paguar i ka bindur kundër Rambujesë , le ta provojë edhe sot ndonëse e kemi një situatë tjetër ; të mashtruarit e Rambujesë janë bërë mashtrues të përkryer dhe e dërgojnë Hetën në darkë duke e lënë të uritur. Le të provojë Heta me ta në fushën ku është dëshmuar , në fushën e fizikës kuantike por pa hyrë në shifra se këta e lënë fjetur . Mund të angazhohet t’ua ulë sheqerin , t’ua rrisë vëllimin e koçeve dhe t’ua ngushtojë prapanicën kur duhet të marrin vendime konsesuale në interes të shtetit . T’ua rrisë guximin dhe zemrën , t’ua ndriçojë mendjen , t’i fusë në lavatriçen e larjes së mëkateve për ata që kanë mëkate . Nëse këto arrinë t’i bëjë Hetem Ramadani , do ia heq kapelën me nderimet më të mëdha në të kundërtën do t’i bashkangjitem vlerësimit të Jusuf Ulajt që e akuzon për sharlatanizën dhe rrënim të shëndetit të hallexhinjve përmes mashtrimit dhe keqpërdorimit të gjendjes dhe nevojave të tyre.
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA Prishtinë – 27 prill 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura