BEHXHET SHALA BAJGORA: KOORDINATORI WALKER, KRYESUESJA DAKA DHE TRANSFERET ‘PARIMORE’!

Prishtinë, 16 maj 2017: (Të gjithë kundër të gjithëve dhe të gjithë vardisës)- Zgjedhjet e parakohshme u komentuan ashtu si ishte nevoja politike dhe ishte mënyra më e mirë për trashjen e lëkurës apo shpëtimit të saj. Meritat i shkuan në adresë të opozitës mirëpo, më të merituarit për këto zgjedhje ishin grupi rebelues i LDK-së dhe PDK. Opozita, pa këta nuk do të ishte në gjendje as t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme për mocion e lëre më ta rrëzojë qeverinë. U krijua mundësia që Nisma të faktorizohet e sidomos Fatmir Limaj që për mendimin tim nuk është dashur të ndodhë kurrsesi . Po duket se këto janë çmime për një koalicion të mundshëm. Tash, LDK e cila ka shpresuar deri në sekondën e fundit se nuk do të përfundojë kështu si u bë, ngushëllimin e gjenë te “tradhëtia“ e PDK-së kurse injoron faktin se pikërisht deputetët e LDK i shkaktuan Isës më së shumti probleme dhe ishte shumë e pamoralshme nga ana e këtyre deputetëve që e sollën Isën dhe LDK-në në këtë gjendje kur, me fjalë të mëdha e kundërshtuan mocionin për mosbesim ndaj Isës dhe qeverisë në kohën kur Isës nuk i besuan që nga dita e parë e mandatit, si kryeministër ! Me një fjalë , nëse fëmijët tuaj pëshurrën në shtratin ku janë (LDK) atëherë nuk duhet të brengoseni për erën e shurrës nga shtrati i PDK-së. Isa Mustafa dhe ata që ishin me te nga LDK , me të kuptuar se mocionin e kanë nënshkruar katër deputetë të pakicave është dashur ta dinë se këtu nuk bëhet fjalë për nismën e partive opozitare por se lojtari kryesor është PDK dhe , sipas mendimit tim , Isa është dashur të jep dorëheqje me ç’rast do të forcohej politikisht, duke ua lënë këmbët e arushës në duar atyre që e luajtën vallen e mocionit. Gjithashtu, me vet faktin se ndërkombëtarët që bëjnë ç’të duan në Kosovë ngulmuan që Demarkacioni të votohet në Kuvend dhe këtë e kërkuan nga Isa Mustafa ishte porosi e qartë se, nëse nuk veprohet kështu , jo ditët por minutat i ke të numëruar. Isa nuk e kuptoi këtë e as ata rreth tij kurse këtë e kuptoi shumë mirë Kadri Vesesli prandaj edhe ra qeveria për të cilën nuk mendoj se duhet të ngjyroset vetë me ngjyra të zeza shkaku se ka bërë punë të mira , madje më të mira se qeveritë e mëparshme. Ngushëllim për Isën është se këmbët e arushës (Hashimit) sa i përket Demarkacionit, Asociacionit , bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet tjera të dëmshme po ua dorëzonë atyre që vinë pas tij e që do të kenë shumë probleme me to! Ky ishte fundi!

 

Nuk po mësojnë nga pësimet e kaluara
Tash , pasi rebelët e LDK-së dhe PDK ua mundësuan opozitës zgjedhjet e parakohshme , e që ishte dëshira e tyre , po vërehet një mobilizim i jashtëzakonshëm , jo për të zëvendësuar një qeverisje që po e vlerësojnë si të keqe me një qeverisje më të mirë e që do të duhej të ishte qëllimi dhe kuptimi i zgjedhjeve të provokuara para kohe por për t’u bërë bashkë e mira dhe e keqja për ta rrëzuar PDK dhe këtu është gabimi strategjik i opozitës. Opozita duhet të ofrojë zgjidhje për papunësinë , varfërinë , luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përparim në proceset integruese, krijimin e një perspektive për të rinjtë , shëndetësi profesionale , arsim më cilësorë , shërbime më të mira për qyetatarët . Në këtë mënyrë do të lehej në opozitë PDK e jo me këtë mobilizim për koalicione jonormale dhe kundër të gjitha parimeve njerëzore , morale , politike , kombëtare e të tjera. Kombinimet se cili koalicion do ta lë në opozitë PDK katërcipërisht tregon se qëllimi i tyre është lufta për pushtet dhe jo vullneti për një shtet të mirë për të gjithë! Përsëri po bëhen gabime nga e kaluara e afërt kur nuk lexohen si duhet porositë e atyre që vrajnë e kthjellin në Kosovës sikur ajo e ambasadorit Dellavi kur tha se puna e parë që e pretë qeverinë e ardhshme është ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi e këtë sigurisht se nuk do ta bëjë Vetëvendosje , pavarësisht me kend do të bëjë koalicion sepse, tërë folozofinë politike dhe veprimtarinë praktike e ka ndërtuar duke i kundërshtuar këto marrëveshje që i konsideron si shumë të dëmshme për Kosovën . Edhe Hoit Brajan Jii , demarkacionin e ka si prioritet kryesorë pas formimit të qeverisë së ardhshme duke deklaruar se për ta shtyrë këtë dhe marrëveshjet tjera përpara , duhet politikanë të vendosur dhe të guximshëm kurse Vetëvendosje , AAK , Nisma e konsiderojnë guxim pikërisht kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve! Ky është lëmshi që i krijon komoditet PDK e cila nuk e ka aspak problem t’i shtyjë përpara këto marrëveshje . Ata pak zëra kundërshtues brenda PDK , ose do të detyrohen të këndojnë sipas muzikës së partisë ku janë , ose do të kenë problem me pejzat e zërit të tyre dhe nuk do t’dëgjojë më askush . Kalimi në ndonjë subjekt tjetër politik për ta do të ishte hara – kiri sepse , përveç lajmit në media për kalimin e tyre , ata do të margjinalizoheshin krejtësisht sepse , në fund të fundit , sidomos në Kosovë çdo parti i shpërblenë besinkët e partisë pavarësisht kapacitetit politik dhe profilit intelektual. Duhet të pranojmë se zërat kundërshtues brenda PDK –së nuk shquhet fort për kapacitet politik dhe profesional. Kur PDK pranoi ta votojë Gjykatën raciste Speciale atëherë me lehtësi do t’i përpijë edhe malet e Sharrit! Ky mobilizim parazgjedhor i opozitës , pa kritere dhe kundër parimeve të proklamuara nuk i duhet Kosovës. Koaliciont pas zgjedhjeve janë më të shëndetshme e jo koalicionet sipas parimit : “ për inati të resë , më vdektë djali “. Për më keq edhe këta që duan të bëjnë koalicione të tilla duhet t’i marrin parasysh porositë ( urdhërat ) e Shefave të Mëdhenj që deri më tani na i kanë prerë rrobat sipas masave të tyre pavarësisht se nuk na kanë pëlqyer ! Përralla të fushatës janë sondazhet e porositura apo stërmadhimi i forcës reale elektorale të subjekteve që e kanë vështirë ta kalojnë pragun zgjedhorë e lëre më të dalin fitues apo përcaktues për fituesin e zgjedhjeve. Nëse i referohemi këtyre sondazheve të porositura dhe glorifikimit jologjik , atëherë do ta kemi shumë vështirë të qëllojmë se kush do të jetë partia e dytë në këto zgjedhje sepse të gjithë do të jenë fitues apo të parët !
Walkeri , Mesi , Dritoni , Arbana dhe Halili
William Walker mbehet mend për Masakrën e Reçakut. Doli me një qëndrim të drejtë ashtu si duhej të dilte dhe që i takonte sipas mandatit . Asgjë më tepër. Pastaj , u bë hero në Kosovë deri në atë masë sa që edhe një mobileri në Prishtinë e mbanë emrin e tij. Kjo ndodhë vetëm te popujt e varur . Në çdo takim , me atë jaknën që e kishte veshur në kohën e Masakrës së Reçakut ( edhe kur bënte vapë ) e krijoi një pamje ku prania e tij ishte e domosdoshme dhe ku fjala e tij ishte mbi të gjitha ndonëse ishte pensionuar. Kështu sillej edhe urdhërdhënësi për ekzekutimin e Arben Xheladinit dhe Mon Balaj ( sipas pozitës që e kishte ) , Stiven Shuk i cili, pas pensionimit bënte shtat palë qejfe në Kosovë në llogari të AAK –së dhe të tjerëve. E di se përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve është znj. Valdete Daka kurse përgjegjës për ndërtimin e koalicioneve janë kryetarët e partive politike dhe bossët ndërkombëtarë. Tash po del se Walkeri , me shpenzime të qytetarëve të Kosovës ka marrë mbi vete mision dhe përgjegjësi të mëdha sikur që është bashkimi i shqiptarëve dhe ndërtimi i koalicioneve për ta lënë PDK –në në opozitë. E keni parë injorimin që ia bëri Thaçit në Reçak sikur që , me siguri e dini përpjekjet e tij për disiplinimin e Albin Kurtit sa ishte në burgun e UNMIK-ut duke e kushtëzuar lirimin e tij me bindje – nënshtrim ndaj ndërkombëtarëve . Për çudi , ai në mënyrë të rrufeshme e mori lejen për të vizituar Albinin në burg , pa pasur mandat për këtë! Është rregull se të gjithë ndërkombëtarët që kanë shërbyer në Kosovë , pas pensionimit vazhdojnë të mjelin mjete materiale dhe të mira të tjera më shumë se kur ishin në shërbim. Kjo ndodhë vetëm në Banana Reublikë dhe shtetet që janë liruar nga kolonializmi por kanë mbetur të varur nga padronët e djeshëm. Walkeri ka marrë barrë të rëndë mbi vete që nuk ia mundëson as mosha , kondicioni fizik , posti që i mungon por as rrethanat tjera . Ndikimi i Walkerit në proceset globale është i barabartë me zero. Është joserioz dhe i pabesueshëm fakti se Walkeri po përpiqet që , në kuadër të një personaliteti ( Walkerit ) të ngërthejë figurat si Ismajl Qemali , Hasan Prishtina , Ahmet Zogu , Enver Hoxha dhe Sali Berisha të cilët Kushtetuta i ka obliguar ta bëjnë bashkimin kombëtar. E Walkerin kush e obligon ta bëjë diçka që as në teori nuk mund ta bëjë ?! Besoj që përgjigjen e keni të ditur !
E rrahën Arbana Xharrën pasi kaloi në PDK kurse nuk e rrahën Halil Matoshin pasi kaloi në AAK. Në një mjedis tradicionalist , rrahja e femrave është veprim i lig dhe i turpshëm kurse rrahja e burrave llogaritet si burrni për ate që e rrahin por edhe detyrim për ate që e rrah dikend. Jam kundër dhunës ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe me kokë të vet prandaj e konsideroj turp , poshtërsi dhe ligësi që e rrahën Arbanën pas aderimit në PDK sikur që kisha kundërshtuar edhe rrahjen e Halilit për shkak të angazhimit politik në AAK. Standardizimi i dyfishtë i parimeve është kundër demokracisë dhe vlerave njerëzore . Mirëpo edhe tash po vërtetohet se zhurma e shoqërisë civile bëhet pikërisht për t’u vardisur ndonjë subjekti politik , kur është fjala për vendorët apo për të fituar fonde , kur bëhet fjala për ndërkombëtarët. Pastaj , me t’u rehatuar në parti politike në një post të pamerituar palohen si vejushat e Gostivarit dhe bëhen kritikuesit më të mëdhenj të shoqërisë civile ! Shumë prej tyre ,e ruajnë vendin në shoqërinë civile dhe nëse dështojnë në politikë , përsëri kthehen në grazhdin e bekuar !
Kohëve të fundit i kam dy probleme të mëdha që më lënë pa gjymë ; a do ta rinovojë vazhdimin e kontratës Lionel Mesi pasi jam me Barcelonën dhe a do të bëhet edhe formalisht anëtar i LDK –së Driton Selmanaj ?! Këto janë probleme që i tejkalojnë problemet rajonale dhe bëhen probleme të natyrës globale. Sidomos çështja e Dritonit i cili , si përshkrues i situatës ka bërë emër dhe mbiemër ndonëse nuk është marrë me parashikime . Natyrisht , përshkrimin e bëjnë të gjithë ata që shohin , që dinë të shkruajnë dhe të flasin kurse parashikuesit janë diçka krejtësisht tjetër. Skena politike në Kosovë nuk ka nevojë për parashikues por për përshkrues të situatës duke iu përshtatur interesave partiake. Për aq sa e njoh Dritonin ai gjithmonë ka qenë në LDK dhe nuk e paramendoj në një parti tjetër përveç se nëse ndonjë parti tjetër nuk ia ofron kontratën e Mesit. Jo Abdixhiku në LDK , jo Zeka në Nisma , Ariani dhe znj. Vala 1900 e refuzojnë PDK –ë e përralla të tjera e tjera… Një gjë e kam të sigurt se të gjithë këta emra që i përmenda , nuk do t’i sjellin asnjë votë subjekteve ku do ta kalojnë transicionin madje, ka të tillë që do të votojnë për subjektin tjetër politik. Po ndejehem krejtësisht i margjinalizuar , i nëpërkëmbur , jashtë loje të politikave strategjike shkaku se asnjë subjekt nuk më ofroi të bëhem pjesë e saj . U gëzova fort kur një mik nga PDK më ftoi për kafe . Para se të shkoj në takim u thashë gruas dhe fëmijëve se duket do të bëhem i madh kurse gruan e porosita të më gjej katin më të mirë të rrobave , t’i hekurosë e t’i bëjë që vija e hekurosjes të të prej si zhilet gjithnjë duke shpresuar se , më në fund po bëhem deputet , ministër ose , në rastin më të keq zëvendësministër. Fort kam dëshiruar t’u zë vendin vëllaut të Boros , Ramizit , Avni Kastratit apo Nehatit që hyri në luftë me policinë. Kur i keni pritjet e mëdha , zhgënjimi është edhe më i madh ! Prej këtij takimi doli se “ miku “ ( si shqiptar që jam , pasi nuk më mbaroi punën po e fus në thonjëza ) ma pagoi një kafe të lodhtë dhe , pasi u ndava i rashë veti në kokë sa budalla i madh që jam ; është dashur ta porosis një pije më të shtrenjtë , ta marr me vete një ujë dhe një senduiç . Po e shihni se nuk jam për politikë sepse reagoj shumë vonë , pasi të falet Bajrami . Kam fituar ate që është në përputhje me kapacitetin tim dhe meritat. LDK nuk më ka ftuar se nuk ua kam pranuar “ presidentin historik “ . AAK jo se jo sepse kryetari i saj m’u pati kërcënuar publikisht kurse unë , pa rënë në gjak , nga frika pata kërkuar besë . AAK nuk i pranon në radhët e saj frikacakët si puna ime prandaj e pranuan Halilin. Nisma është tokë e ndaluar për mua sepse : “ dy atëllarë , nuk lidhen në një mullarë aq më parë që Nisma nuk fare mullarë .. e kuptoni se atllarë në këtë rast jam unë dhe Zafa “. Vetëvendosje më ka pushkatuar publikisht dhe me ta jam në një raport të vdekjes klinike të dyanshme. Jam i hidhëruar me Kujtimin e Partisë Rome që nuk më ka ftuar ndonëse kam qenë përkrahës i madh i tyre. Boshnjakët nuk e dinin faktin se një kohë kam jetuar në Sarajevë , kam pirë ujë në Bashqarshi sikur edhe në burgjet e Sarajevës , Foçës dhe Mostarit . Po të kisha një ofertë të bëhem pjesë e listës së Dudes , nuk do të më bëhej vonë për asnjë post. Dhe , të jem i sinqert , në këtë gjendje të pa shpresë politike që jam nuk e kisha refuzuar as ftesën e Simiqit dhe Jabllanoviqit , isha bërë shok me Fatmir Shehollin i cili ka gëzuar respektin e të gjithë kryeministrave në Kosovë dhe politikanëve të nivelit të lartë! Patriotët do të më akuzonin për mungesë patriotizmi por unë e kam përgjigjen gati : “ po e bëjë këtë se dua ta marrë kalanë nga brenda …”. Partitë tjera mikroskopike nuk po i përmend se ato tashmë janë parapaguar të bëjnë jetë paraziti te subjektet e mëdha .
Një çështje më ka shqetësuar pa masë dhe më ka bërë ta refuzoj postin e kryeministrit ; trajtimi jonjerëzorë dhe mungesa institucionale e përkujdesjes për kryeministrin e parë të Kosovës , Bajram Rexhepi për të cilin turqit u deshën t’i marrin të gjitha shpenzimet për trajtimin e tij. Raftë turpi i botës mbi stërnipat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe bijtë dhe bijat e Nënës Tereze ! Turp, turp dhe vetëm turp!
Një këshillë për subjektet politike; mos jepni fjalë të mëdha për vija të kuqe për koalicione sepse mund të përfundoni me faqe të zezë . Edhe ashtu koalicionet i bëjnë të huajt e fuqishëm ! Kujtojini çka thanë ambasadori Delavi dhe Hoit Brajan Jii sepse këta nuk janë zëdhënës të partive sikur Gecaj , Pajaziti , Hoti , Nitaj etj. Mos u ngutni sepse po të ishit ju ata që i bëni koalicionet , punët do të shkonin ndryshe ! Mos bëni përpjekje të kota ta imitoni William Walkerin ! Lërini përrallat !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura