GJOKË DABAJ: EDI RAMËS IA KAM MERAKUN, KUR TË SHKOJË NË SËRBI

Durrës, 20. 01. 2014 – Nuk jam kundër shkuarjes së një kryeministri shqiptar në Beograd. Le të shkojë, jo 1 herë në 70 vjet, por 1 herë në 7 vjet apo edhe më shpesh, POR VETËM NËSE ËSHTË NË INTERESIN E SHQIPTARËVET. Prandaj dhe shqetësimi im është ky: Sa e si do të dijë Edi Rama T’I MBROJË SHQIPTARËT dhe, vetëm pas kësaj, jo para kësaj, sa e si, vizita e tij do të kontribojë në mirëkuptimin midis kombevet të gadishullit tonë. Pyetjet që ma trazojnë shpirtin me alarm, janë të shumta. Po rendit këtu vetëm disa.
– Pse e lajmëroi Sërbia e jo Republika e Shqipërisë shkuarjen e Edi Ramës në Beograd?!
– Pse ministri i punëvet të jashtme të Sërbisë e gjeti të duhur që ta bëjë publike këtë vizitë 1 muaj para se kjo të ndodhë?!
– Mos po kërkon diplomacia sërbe të na i përziejë punët në lidhje me mbledhjen që u bë në Prizren kohët e fundit?!
Kanë filluar qysh tash të bëhen krahasime me vizitën e Enverit në Beograd. S’është çudi që dikush tjetër ta krahasojë shkuarjen e E.Ramës me shkuarjen e A.Zogut në Beograd.
– Mos kërkon Sërbia të krijojë pikërisht këtë lloj tollovie në opinionin gjithshqiptar?!
– Si do t’i bëjë ballë Edi Rama kësaj “hollësie” të “vockël” diplomatike?!

Problemi “më se kryesor” që do të ngrejnë sërbët, përveç JOSHJEVET, në fushë të “bashkëpunimit ekonomik”, parashikoj unë, do të jenë “të drejtat” e “pakicavet sërbe” “në Republikën e Shqipërisë”. Ngre e lësho, ky do të duket sikur është “problemi kryesor”, në të gjitha pritjet dhe në të gjitha konferencat e shtypit. (Siç ndodh edhe me Greqinë.)
– A do të dijë Edi Rama t’i përgjigjet këtij shantazhi diplomatiko-pseudohistorik, në shekuj të praktikuar prej fqinjëvet tanë?!
– Sa banorë me kombësi sërbe jetojnë në Republikën e Shqipërisë?!
– A e ka Edi Rama statistikën përkatëse, qoftë edhe të brendshme?!
Sllavishtfolësit me besim mysliman, në Sërbi, nuk konsiderohen sërbë. Psh myslimanët e Sanxhakut nuk janë sërbë, as në statistikat e tyre, as në konceptin nacional të kombit sërb. Rrjedhimisht, Sërbia nuk ka të drejtë për t’i konsideruar sërbë as sllavishtfolësit myslimanë që jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Psh gollobordasit, goranët e Shishtavecit, muhaxhirët e Hoxharasit, muhaxhirët e Libofshës. Sërbia nuk ka të drejtë as të aludojë që ata janë pakicë sërbe, le më t’i përfshijë, qoftë edhe anblok (en bloc), në agjendën e bisedimevet. Nuk ka të drejtë, sepse, gjithkush e di që, po të ishin ndodhur këta gollobordas, goranë të Shishtavecit, muhaxhirë të Goxharasit dhe muhaxhirë të Libofshës, NË SREBRENICË, sot NUK DO TË ISHIN GJALLË, sepse do t’i kishin vrarë sërbët.
Sllavishtfolësit ortodoksë, psh ata të Vrakës, ndonjë fshat i Gollobordës, ata të Linit apo të Pustecit, prapë nuk mund të quhen sërbë, sepse ata, ose lidhen me Republikën e Malit të Zi, ose me Republikën e Maqedonisë. Dhe, fundja, pale çfarë janë, në origjinën e tyre, këta banorë të shtetit shqiptar! A do të dijë Edi Rama t’i “sqarojë” këto punë me bashkëbiseduesit sërbë?!
Kur t’i heqim nga lista e “pakicavet sërbe” sllavishtfolësit myslimanë dhe ata pak sllavishtfolës ortodoksë, që lidhen me Republikën e Malit të Zi ose me Republikën e Maqedonisë, sa do të jetë numri i sërbëvet që jetojnë në Republikën e Shqipërisë?!
Mirëpo, politikanët sërbë, edhe nëse Edi Rama do të dijë t’ua “sqarojë” atyre këto gjëra, prapë do të ngulin këmbë që “qeveria shqiptare duhet t’i njohë të drejtat e pakicavet sërbe në Republikën e Shqipërisë”. I zënë ngushtë, më në fund, Edi Rama do të detyrohet të deklarojë: “Ne i njohim të drejtat e të gjitha pakicave në shtetin tonë.” Kaq do t’u mjaftojë sërbëvet, për të trumbetuar pastaj, që në Shqipëri “ka EDHE pakicë kombëtare sërbe”.
Pas kësaj, sërbët do të kërkojnë HAPJE SHKOLLASH në gjuhën sërbe, regjistrim të saktë, “pa diskriminim” dhe “me transparencë”. A do të dijë Edi Rama t’i kërkojë qeverisë sërbe, mbështetur në parimet e reciprocitetit, që qeveria sërbe të hapë shkolla shqipe për shqiptarët që jetojnë NË BEOGRAD dhe NË NOVI SAD? Sepse, puna e shqiptarëvet të Anamoravës dhe e atyre të Sanxhakut është një punë KREJT TJETËR.
Politikanët sërbë, prapë do të ngulin këmbë që, “të drejtat e pakicavet sërbe”, sado INEKZISTENTE, t’i vënë në të njëjtin “kandar” me të drejtat, sistematikisht të mohuara, të shqiptarëvet të Anamoravës. A do të dijë Edi Rama t’ua sqarojë politikanëvet sërbë DALLIMIN midis 10 apo 100 sëbëvet, që mund të jenë gjendur rastësisht diku nëpër Republikën e Shqipërisë, dhe 100 mijë shqiptarëvet që jetojnë ende në atdheun e vet, në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë e gjetkë?!
As shqiptarët e Peshterit, Pazarit të Ri e Sjenicës nuk mund të vihen në të njëjtin “kandar” me 10 apo 100 sërbë që mund të jenë gjendur rastësisht në Republikën e Shqipërisë. Prandaj, edhe ata, në radhë të parë, duhet të regjistrohen si shqiptarë, pa i frikësuar askush, pa u bërë presion, dhe, pas kësaj, duhet t’u hapen edhe shkolla në gjuhën shqipe, në mënyrë që kultura e tyre të ruhet ashtu siç është për t’u ruajtur. U duhet sqaruar sërbëvet, me këmbëngulje, që krejt kjo punë nuk ka lidhje fare punën e 10 apo 100 sërbëve që mund të jenë ndodhur rastësisht në Republikën e Shqipërisë.
Palës sërbe, duhet t’i kërkohet që të ketë referenca konkrete lidhur me “pakicat” që ajo pretendon se jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Jo: Golloborda, jo: Shishtaveci, jo: Pusteci, jo: Vraka, jo: Libofsha, jo: Gozharasi i Shijakut, jo: Lini, sepse në asnjërin prej këtyre lokaliteteve nuk jeton as edhe 1 sërb, por, nëse ka ndonjë vendbanim tjetër në Republikën e Shqipërisë, me banorë MIRËFILLI SËRBË, le ta thonë dhe le të verifikohet, nëse jo, atëherë duhet të merret vesh njëherë e mirë, botërisht, që në Republikën e Shqipërisë nuk ekzistojnë pakica kombëtare SËRBE, ashtu si nuk ekzistojnë në shtetin tonë as pakica kombëtare HUNGAREZE. A do të dijë ta bëjë këtë paraqitje KONSTRUKTIVE Edi Rama, në mënyrë që politika sërbe të mos na trajtojë gjithë jetën si budallenj?!
Z.Sali Berisha tha, që Edi Rama nuk ka mandat me folë në Beograd për Kosovën. Unë nuk mendoj ashtu. Edi Rama ka të drejtë, më shumë se kushdo, përveç vetë kosovarëvet, të flasë me zë të lartë edhe për Republikën e Kosovës. Por shqetësimi im është tjetër: A do të dijë të flasë Edi Rama për Kosovën? Sërbia i ka kërkuar falje Kroacisë për masakrat e Vukovarit. Por z.I.Daçiq, nuk e quan të nevojshme të shkojë e të bjerë në gjunjë para varrevet të të masakruarvet të Kosovës! A do ta trajtojë Edi Rama këtë problem, me seriozitetin e duhur?
Z.I.Daçiq, z.A.Vulin, z.A.Vuçiq, shkojnë në Graçanicë e në Deçan, por në Prekaz e në Reçak nuk shkojnë asnjëherë! Në konceptin e integrimit të popujvet, ky nuk është problem i vogël. Pala sërbe, tradicionalisht e paintegrueshme, do të mundohet ta anashkalojë këtë kërkesë numër 1 të mirëkuptimit, duke e mbushur boshllëkun me zhurmëra të tjera.
Lidhur me Kosovën, Edi Rama do të mund dhe do të duhej të trajtonte edhe çështjen e harmonisë ose të mungesës së harmonisë ndërfetare. Ne shqiptarët e kemi shndërruar tashmë në traditë shkuarjen mirë midis myslimanëvet dhe të krishterëvet. Myslimanët tanë urojnë për Krishtlindje dhe për Pashkë fqinjët e vet të krishterë, të krishterët tanë urojnë myslimanët për Bajram. Myslimanët tanë shkojnë edhe në kishë për ditë të kremtesh, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Të krishterët tanë, vërtet nuk shkojnë në xhami, jo për gjë, por thjeshtë për shkak të ritit, mirëpo, në bajramet e myslimanëvet shkojnë rregullisht, si dhe në dasma e në morde, sa herë që e sjell rasti.
Krerët e shtetit sërb dhe kryeklerikët pravosllavë sërbë, a i nxisin të krishterët sërbë për të shkuar mirë me fqinjët e tyre shqiptarë, myslimanë e katolikë?! A shkojnë sërbët, në raste festash, në kishën katolike në Prishtinë, apo në Gjakovë, apo në Klinë? A shkojnë sërbët e Graçanicës, të Zubin Potokut, të Zveçanit, të Mitrovicës së Veriut, te bashkështetasit e tyre myslimanë me rastin e Bajramit? A ua urojnë në television klerikët sërbë Bajramet bashkëvendësvet të vet myslimanë shqiptarë?!
Ky do të ishte prapë një problem tepër i rëndësishëm, që Edi Rama do të duhej ta trajtonte me theks të veçantë në bisedimet e tij me palën sërbe. Shkuarja mirë midis banorëvet të besimevet të ndryshëm vërtet nuk bëhet me imponim, por kjo nuk do të thotë që ky problem nuk duhet trajtuar, kur flasim për shkuarje mirë midis shtetesh e popujsh, deri dje çmendurisht të përgjakur.
Një tjetër problem që Edi Rama do të duhej ta bisedonte me qeveritarët e Sërbisë, do të ishte pa tjetër edhe ai i PËRMBAJTJES SË TEKSTEVET shkollorë dhe në përgjithësi të literaturës historike, gjeografike, etnoligjike etj etj. Si e trajton historiografia sërbe njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar në vitin 1913? Çfarë thuhet në librat shkollorë të Sërbisë në lidhje me luftërat në vitet 1877-1878? Çfarë thuhet në tekstet shkollorë e universitarë të Sërbisë, ta zëmë, në lidhje me Frontin e Selanikut? Ose, në lidhje me pushtimet që kanë bërë Nemanjiqtë në viset e Dardanisë Antike dhe më në jug e jugperendim? A mund të bisedohet INSTITUCIONALISHT për t’i harmonizuar pikëpamjet në këto fusha?
Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndërtohej një fqinjësi normale e shqiptarëvet me shtetin e Sërbisë. Vetëm në këtë mënyrë ne shqiptarët NUK do ta ndienim veten INFERIORË DHE TË POSHTËRUAR, pasi te jetë kthyer nga Beogradi kryeministri ynë, Edi Rama.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura