NJË LAMTUMIRË QË FLET…

NJË LAMTUMIRË QË FLET…

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 24 tetor 2021

Ditët e ikura do t’i jepnin fundkohës së një karriere simbolikë të veçantë: të pikëlluar si vjeshta dhe të bukur si shpresa!

Ishin dy momente që kulmuan vezullimshëm e, njëkohësisht, mendueshëm këtë javë tetori të vonë të Zonjës Angjelë!

Njëra, solemne e plot hir. Dhe tjetra, betonim i kulturës së urtë të vazhdimësisë.

1.

Bruksel. Event i lartë salloni. Një Zonjë e madhe lamtumiret me punët e epërme të Shtëpisë komunitare.

“Këshilli i Europës pa Kancelaren Merkel do mbetet si Roma pa Vatikanin”,  thoshte i emocionuar eurodinjitari Charles  Michel.

Kur ndonjëherë ndodhte një frenim, një ngecje e palëve në përplasje interesash, “tak, tak, tak…dhe Zonja bënte derman”,

do shtojë një tjetër zotëri në selinë e Europës.

Dhe, pra, gjente formulën e përkimit që mirëdrejtonte energjitë kombëtare.

Që këtej, ishte  një frymë, një shpirt dhe, poaq, një tempull politik më vete, që bënte shenjë besimi e prehjeje për epokën që, tashmë, po kryhej!

Çastet prekëse mbushnin hapsirën dhe fjalët e nderimit kumbonin si betim.

Natyrisht, jo të gjithë do kenë pasur këtë emocion thellë në intimën e zemrës së tyre.

Gazfshehtë meskinë që hijesojnë pusive të Europës kishte përherë. Ndoshta, pa ngurruar e supozoj, se, fjala vjen, ky gëzim i fshehtë është ndjerë në ndërdijen e Francës së Macronit, apo në rrethet e orbanistëve të Lindjes inferiore. Kushedi, ndoshta, dhe në zyrat e ndonjë despoti provincial të Ballkanit.

Mirëpo ishte vetë Zonja që, në momentin e dytë të saj në Berlin, u kujdes për kotninë e kësaj ndjenje tinzare.

2.

Metropoli gjerman. Një ditë më pas. Intervistë, mbase nga të fundmet e Kryebanores e rrugës së njohur “Willi Brandt 1”, Mitte, Berlin!

“Me Olaf Scholz-in Kancelar, edhepse, natyrshëm, do t’ketë rezon e refleksione të ndryshme politike mes nesh, mund të fle e qetë!”

Dhe kjo qetësi nate, nuk i referohet ndërgjegjës, por shtegndjekjes politike!

Ndaj, strategjitë e saj europianiste do ndiqen dhe hilet e nënujshme për të spostuar Gjermaninë nga balli i kolonës, nuk venë përtej netësh pa gjumë të zotërve të tyre.

Por kjo kulturë vijimësie, merr dhe kuptimin e një kumti, sado i vështirë, për kryepushtetarët poshtë Vjenës.

Është një mesazh demokracie libertare që ata, të mëdhenj a të vegjël, t’mos i kthehen përherë “vitit zero”, posa të fronsohen në kupolën e Fuqisë!

Që, ashtu, të vetëshpallen misionarë t’njëj fryme mistike që ka zbritur të shpëtojë kombin e njerëzinë!

Zonja iku, por, meqë do t’fle e qetë, merkelizmi si një ind substance do jetojë sërish!

Në prirjen tejpamëse të korifenjëve themeltarë të Europës së bashkuar! Të Europës që, përballë kolosëve gjeopolitikë të botës, është alternativa e vetme e vogëlanëve të saj!  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura