Prishtinë, 27 mars 2020: Të izoluar në robëri, edhe më të izoluar në liri
Për aq kohë sa ishim në robëri ( dikush e quante liri ) shqiptarët ishin të izoluar brenda hapësirave ku jetonin mirëpo , nëse kishin para , liriisht mund të lëviznin në të gjitha shtetet e Ev(u)ropës. Tash , kur e kemi këtë liri që e kemi falë sakrificave të mëdha e sidomos pas luftës të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës ( ata që në kohën e okupimit në ish -Jugosllavi robërinë e quanin liri, tash lirinë e quajnë robëri), e kemi një liri të brendshme por e kemi një robëri të vendosur nga shtetet e Bashkimit Ev(u)ropian duke na lënë në rrugë të mbyllur, pa liberalizim të vizave. Jemi i vetmi popull në Ev(u)ropë aktualisht me kufizim të dyfishtë të lirisë së lëvizjes; së pari nga BE –e kurse së dyti nga COVID-19. Kjo e dyta mund të largohet shpejtë kurse Coronavirusi nga Brukseli do të na mbajë të ngujuar edhe për një kohë të gjatë . Shqiptarët bashkohen vetëm kur e kanë ngushtë sikur që e bënë këtë në kohën kur ishim të robëruar nga ish-Jugosllavia dhe Serbia. Atëherë e vlerësojmë edhe pak liri , nëse e kemi kurse , kur kemi më shumë liri si tani, kemi shumë probleme të raporteve me njëri – tjetrin shkaku se nuk i përmbahemi një disipline sociale. Në kohën e robërisë i vlerësojmë heronjtë dhe ata që sakrifikohen në çfarëdo qoftë forme kurse, në kohën e lirisë manipulojmë me heronjtë dhe jemi të prirur të krijojmë “ heronjë “ të cilët vetëm ambalazhimin e kanë të tillë kurse përmbajtjen e kanë të qenit spiun i UDB-së, denoncues, hetues që kanë shkallmuar deri në vdekje shumë patriotë shqiptarë , prokurorë dhe gjyqtarë që na kanë dënuar pse ua kemi prishur vëllazërim – bashkimin , pse deshëm të jemi të barabartë me të tjerët , pse e donim lirinë dhe pse donim të jetonim në të njëjtin shtet ku bukës i thonin bukë e ujit i thonin ujë. Sidomos në kohën e transicionit e që te ne po zgjatë më shumë se në vendet tjera, disi si pubertet apo adoleshencë e përhershme , vlerat e vërteta kombëtare dhe njerëzore vendosen në margjina kurse horrat e kahmotshëm dhe permanent , të ambalazhuar në parti politike, të shoqëruar me siglën-demokratike, e mbipopullojnë hapësirën ku jetojmë duke e kontaminuar pamëshirshëm terrenin. Ata , mbi varret e heronjve , mbi vuajtjet e martirëve , mbi gjakun dhe djersën e ish të burgosurve politikë dhe ushtarëve të UÇK-së , përpiqen ta pastrojnë të kaluarën e pistë , në çdo aspekt , ta jetojnë të tashmen sikur të ishin akredituar nga Hasan Prishtina , Ismail Qemali , Shaban Polluzha , Adem Demaçi , Adem Jashari dhe vlerat të tjera të shumta , njerëzore dhe morale. Po t’i pyesni këta persona se sa shkronja i ka alfabeti i gjuhës shqipe , do t’i zini shumë pisk ! Po t’i pyesni për shkronjat e alfabetit cirilik , do të shkëlqejnë si ari i nuseve të Gostivarit ! Kush sot e përmend Hasan Prishtinën apo Isa Boletinin përveçse kur i duhen votat apo kur duhet të dalë para mediave ?! Kush e përmend më Luigj Gurakuqin të cilin , për herë të fundit, më duket e ka përmendur ish-presidentja Jahjaga kur u përurua shtatorja e Hasan Prishtinës para Rektoratit . Ishte interesant që , në atë kohë ish – presidentja ia vuri një mbiemër artistik Luigjit ,e bëri Luigj Karakuqi ! Shembulli më flagrant i përpjekjes për margjinalizim të vlerave njerëzore dhe kombëtare në Kosovës është rasti i Bacës së Madh – Adem Demaçi të cilit , edhe ndërkombëtarët por edhe vendorët ia pamundësuan marrjen e çdo posti me përgjegjësi publike , shoqërore dhe politike. Nuk mjaftuan as 30 vjet sakrificë , Baca thoshte se po e kryen detyrën në llogoret e ish – Jugosllavisë , që Baca të merrte ate që i ka takuar edhe Cezarit dhe ,tani , a ju kujtohet se kush e përmend ?! E përmend një gjysh apo stërgjysh i babëzitur nga megalomania e të qenit në qendër të vëmendjes nëse merret me Adem Demaçin apo që kohëve të fundit për Bacën po kruhet një zonjë e cila , për shkaqe super-objektive nuk ka ku të kruhet tjetër dhe këtu përfundon tregimi për vlerat morale , njerëzore dhe kombëtare! Kjo është vetëdija jonë , kjo është ndërgjegja jonë dhe ky është morali i ndryshkur yni , i lakuriquar deri në pafytyrësinë e vërtetë !
Dhunimi i votës së 6 tetorit 2019 përmes përmbytjes së bashkërenduar
Në jetën time kam votuar vetëm njëherë në zgjedhjet e para në fillimvitin e të 90-tave. Me insistimin e Bacës Adem kam votuar për Ibrahim Rugovën, në zgjedhjet qendrore dhe për Rifat Blakun , për zgjedhjet lokale. Dhe kurrë më. Edhe Ibrahim Rugova , si dhe Rifat Blaku nuk janë në mesin e të gjallëve ; Rugova u varros në Prishtinë sikur të ishte Faraoni kurse Rifat Blaku , për shkak të Coronavirusit , vetëm në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes përkundër faktit se kishte një kontribut kolosal në planin politik , kombëtar dhe shkencor. Jeta është shumë e çuditshme dhe pikërisht me rastin e vdekjes së Rifat Blakut m’u kujtua një thënie – mallkim kinez : “ Jetofsh në kohëra interesante … “.
Asnjëherë nuk i kam frikën vdekjes , jo se jam shumë trim apo se nuk e dua jetën por se jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo nuk varet nga unë , pronësinë mbi jetën time e ka Krijuesi dhe askush tjetër. Prandaj , pse të brengosem apo të bëjë llogari për jetën kur nuk varet nga unë ! Gënjejnë të gjithë , besimtarë dhe jobesimtarë kur thonë se : “ Çka vjen prej Zoti , mirë se ardhët ,,, . Askush nuk e do vdekjen , është fakt i pamohueshëm ! Edhe ata që në çaste kur përballen me probleme e “ lypin “ vdekjen , është vetëm kërkesë e çastit sepse , po sa të kalojë problemi , i kthehen jetës dhe e duan jetën . Në çaste të krizës me me virusin Elitar të Corones , jo pse kam frikë se : “ mund të iki për lesh .. “ por se të fusin në një arkivol të mbyllur dhe , që është më e keqja privohesh nga priviliegji që fjalën mortore ta mbajë Hashim Thaçi – Shima. Kjo , për mua është më e rëndë se vdekja !!
U deklarova botërisht se vetëm një herë në jetë kam votuar por se kjo nuk nënkupton se nuk i pranoj rezultatet e zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 plotësisht kam përkrahur Albin Kurtin dhe LVV –ë që i kanë fituar zgjedhjet ndonëse kam qenë i sigurt se koalicioni LVV – LDK nuk funksionon , e kam quajtur Koalicion sado – mazokist e që doli të jetë ashtu për çka nuk ndjehem i gëzuar aspak. Ishte një koalicion midis dy liderëve të rryer dhe të ( u )rryer mes vete ; Isa Mustafa dhe Albin Kurti. Isa Mustafa , aktualisht politikani më i fuqishëm në Kosovë pa të cilin nuk mund të merret asnjë vendim , kishte një përvojë të gjatë politike , i rrahur me vaj e uthull. Në zhargonin e boksit ; Isa Mustafa ishte numër një i luftës në ring kurse Albin Kurti ishte numër një i luftës në rrugë – street fighter, ( si opozitar ). Isa Mustafa , me vetëdije të plotë ia ka toleruar Albin Kurtit të gjitha veprimet që i bënte , edhe pa marrëveshje me Isën , që pastaj t’ia faturojë me një kamatë të lartë ndëshkuese – mocioni për mosbesim ndaj qeverisë. Kjo ishte e planifikuar , jo në Bradash e as në Prapashticë por se vendimi u mor në Washington ndërsa ekzekutimi u bë në Prishtinë. Kush e ka lexuar historinë e luftës së dytë botërore nuk mund të mos e kujtojë një arsyetim banal që Italia e Musolinit e përdori për ta sulmuar Greqinë ; vrasjen e një bariu shqiptar , më duket se quhej Daut Hoxha . Edhe tash , Agim Veliu nuk është fare shkaktar dhe nuk ka asnjë përgjegjësi për prishjen e koalicionit e as rrëzimin e qeverisë së Kosovës ; autori dhe urdhërdhënësi kryesor është Richard Grenell ndërsa rol episodik kishin edhe Hashim Thaçi dhe Filip Kosnet . Ekzekutorë ishin Isa Mustafa dhe Albin Kurti kurse pjesëmarrës në ceremoni mortore , që i hapën varrin qeverisë ishin 85 -ë deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përralla janë taksa 100% , reciprociteti , antiamerikanizmi hipotetik i Kurtit apo fleksibiliteti praktik ndaj ndërkombëtarëve i Mustafës dhe hajvanllëqe të ngjashme. Nuk është problemi te forma por është te përmbajtja , nuk është problemi te pikënisja por te pika e destinimit ; te marrëveshja finale me Serbinë e cila , sipas meje ka kohë që është pjekur dhe tani po mbahet në furrë, për t’u servuar në çastin kur Kurti të jetë i gatshëm ta kapërdijë. Dhe Albin Kurti këtë nuk e bënë asnjëherë ! Në kohën kur Albin Kurti dhe LVV e kishin ngushtë dhe kur “ vetëvendosësit “ ( gazetarë , analistë , politikanë , akademikë , qyqyrë , zuzarë etj . ) e sotëm e që në atë kohë bënin garë se kush do t’i sulmonte me fjalët më të rënda dhe më denoncuese , përkrahës të vërtetë ishim ; Adem Demaçi dhe Behxhet Shala . Kur LVV –ë e fitoi mëvetësinë dhe hyri në garë për pushtet , edhe Adem Demaçi por edhe Behxhet Shala jemi larguar apo jemi bërë përkrahës më të butë , duke mos e dëmtuar me asnjë veprim LVV –ën ( ishte kërkesë e Bacës ) për t’iu lëshuar udhë këtyre që dikur ishin në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë e që sot zgërvallen për LVV –në, në me krye Memisofelin milioner , frekuentues dhe fitues i të gjitha grazhdeve , Kjo është temë e historisë dhe për historianë si për shembull për Samiun , i burgosur nga të gjitha regjimet dhe të gjitha sistemet , për ta mbrojtur temën e doktoraturës në fushën e gërmimeve historiko – politike . Albin Kurtin nuk e kam takuar një kohë të gjatë , mbase për herë të fundit më ka përshendetur , an passan para një v iti e gjysëm në Kuvendin e Kosovës . Ai po ecën Rrugës së Madhe , unë rrugicave dhe nuk po takohemi . Me Isa Mustafën kam një komunikim korrekt , të njerëzishëm dhe rrallë , shumë rrallë dëgjohemi. Albin Kurti ka kapacitet intelektual , është i pakorruptuar ( materialisht ) , është kombëtar dhe , sipas bindjes sime asnjëherë nuk do të nënshkruaj diçka që e dëmton Kosovën apo popullin që i takon. Kjo është bindja ime dhe , deri më tani nuk kam asnjë arsye të mendoj ndryshe përkundër faktit që nuk kam asnjë komunikim me te. Te veprimi politik i kam rezervat e mia. Albini duhet te heq dorë nga bindja personale se është Orakulli i Delfit ku Zeusi ( Albini ) duhet të pyetet për çdo gjë dhe të vendosë për çdo gjë , gjithashtu .
Dita dhe nata e 25 marsit 2020 kur u rrëzua Qeveria e Kosovës iu ka konvenuar të gjithëve përjashtuar këtu qytetarët e Kosovës. LDK e merr drejtimin e Qeverisë, riformatizohet si mik ( tepih ) i “ miqve “ ndërkombëtarë, lirohet nga LVV –ë dhe mendon se e rritë elektoratin. LVV –ë ka shfrytëzuar për mrekulli këtë” rrëzim” për të mos e legjitimuar Marrëveshjen biseksuale – politike të Grenellit , të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme ku po presin se do t’i fitojnë së paku 61 deputetë ( hajgarexhinj të mëdhenj janë !!! ) , se do t’i fusin të gjithë nën këmbë dhe dëshira të tjera që mund të plotësohen dhe mund të harrohen. AAK –ë dhe NISMA janë të kënaqur se po kthehen në pushtet , pa qenë fitues por se do të dalin përfitues. PDK –ë është në pikë të hallit ; votoi për rrëzimin e Qeverisë por deklarohet si opozitë e ardhshme. Po ku është këtu kuptimi ; e rrëzoni qeverinë si lidere e opozitës kurse përsëri do të jeni opozitë ! Pak e besueshme aq më parë që edhe PDK –ë e la përfillur një “ rekomandim “ të “ miqve “ për ta rrëzuar qeverinë Kurti ! Edhe këta të LDK-së , sikur edhe LVV –ë ende kanë vija të kuqe ndaj PDK-së. Albini është ende i ri me moshë , shikimin e ka të mirë dhe të qartë dhe lehtësisht i dallon ngjyrat e që nuk mund të thuhet për Isa Mustafën i cili , për shkak të moshës dhe shikimit të dobësuar edhe mund t’i ngatërrojë ngjyrat ku e kuqja lehtësisht bëhet e blertë për PDK-në . Nëse “ miqtë” ndërkombëtarë kërkojnë nga PDK –ë që për shkak të “ miqësisë strategjike “ dhe historike , duhet të bëhen pjesë e qeverisë , atëherë PDK , si një parti shumë e përkushtuar ndaj miqve , përkundër vullnetit të shprehur për të qenë opozitë , do ta pranojë. As unë nuk do t’i rezistoja tundimit ndaj Kim Kardashianit , për shkak të pasionit e që më dallon thelbësisht nga PDK-ë.
Po le të kthehemi te mocioni. Po të isha udhëheqës i një partie opozitare kurrë nuk do ta votoja këtë mocion . Kjo vetëm dëshmon për njohuritë modeste politike që i kam. Seanca ishte shndërruar në një arenë “ gladiatorësh të tredhur “ ku argumentimi zëvendësohej me fyerje apo me një rrugaçëri verbale. Ishe e qartë se shumica e deputetëve lexonin pamflete të shkruara nga të tjerët dhe më heret prandaj kishin probleme të theksuar gjatë leximit ! Përsëri po e theksoj ; në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht nuk do ta votoja këtë mocion . Në krejt këtë maskarallëk moral , njerëzor dhe politik është një rrethanë lehtësuese për opozitën për faktin se ata nuk i hapën varrin qeverisë por se vetëm morën pjesë në varrim duke iu bashkangjitur lutjes me një amin .
Çka më tutje
Nuk do të ketë zgjedhje të reja dhe do të jetë koalicioni LDK – AAK – NISMA + Pakicat . LVV do të mbetet në opozitë. Edhe PDK-ë mund të lejohet të mbetet në opozitë me kusht që të përkrahë Marrëveshjen biseksuale politike të Grenellit . Nëse vepron kështu , PDK –ë do të jetë humbëse shumë e madhe . Në rrethana dyshuese ndërkombëtarët kurrë nuk do të pranonin që LVV dhe PDK , me 54 deputetë shqiptarë të mbetet në opozitë. Në rrethana të kurdisuar edhe mund të lejohet një opozitë e tillë .
Ata që e kanë kurdisur që në mënyrë të pamoralshme , të turpshme dhe kriminale të përmbyset vota e popullit , ata sigurisht se e kanë edhe zgjidhjen e cila mund të jetë krejtësisht antikushtetuese e mbështetur në Kushtetutën e Kosovës . Duhet të jeni krejtësisht i marrë e të besoni se ata që e rrëzuan Qeverinë Kurti do të lejojnë zgjedhje të shpejta të jashtëzakonshme në mënyrë që Albin Kurti të forcohet edhe më shumë. Kjo nuk do të ndodhë. Për Bashkësinë Ndërkombëtare dhe Washingtonin nuk është me rëndësi se a jeni i pastër , i pakorruptuar , i moralshëm , i njerëzishëm , parimorë dhe i drejtë sa që është me rëndësi se a do ta vëni nënshkrimin në vendin e duhur dhe në kohën e duhur si dhe se do të siguroheni se kjo marrëveshje do të zbatohet.
Qytetarët e Kosovës nuk duhet të lejojnë dhe të pranojnë një marrëveshje të dëmshme pavarësisht sakrificave që duhet bërë. Jemi në vendin tonë dhe në të drejtat tona të cilat askush nuk mund t’i mohojë nëse nuk e bëjmë ne vet këtë. Kurrë nuk ka qenë më i nevojshëm se tani aktivizmi qytetar dhe kombëtar. Uroj të mos jem i saktë në parashikim , mirëpo ….do të ketë shumë probleme !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA Prishtinë 26 mars 2020
Postime të Lidhura
ALI MEHMETI: MË NË FUND NJË DEKLARATË E SINQERTË (QYTETARI NUK VENDOS KUSH DO TA QEVERIS VENDIN)
Gjenevë, 13 Maj 2020: Kush do të thoshte se një “politikan i të gjitha sistemeve” me eksperiencë 40…
AVOKAT ILIR MALINDI: PATRIOTIZMI I FAMILJES KAPITI NË PËRBALLJE ME POLITIKËN NË SHQIPËRI
Durrës, 14 mars 2019: Se çfarë është patriotizmi dhe politika i ka përkufizuar mjaft mirë studiusi i politikës,…
AJNISHAHE HALIMI: JA KUSH MË PËRJASHTOI NGA PARTIA!
Skënderaj, 08. 04. 2015 – (“Më të rrezikshmit janë ata njerëz nga të cilët nuk na shkon mendja…
KMDLNJ: KA KALUAR KOHA E DJEGIES SË LIBRAVE DHE DJEGIES SË SHTRIGAVE!
Prishtinë, 16. 07. 2014 – (Reagim i KMDLNj’së) – Sipas informatave të KMDLNj’së e që tash janë bërë…