EJUP AJDINI: RROGA E QENIT

Shkup, 07. 10. 2016: Si rrallë ndonjëherë, në kasaba muaj mars mbajti ngrohtë. Mësuesit dhe poetët këtë muaj e ndjenim më thellë për nga bota e jonë frymëzuese…Si zakonisht në mbrëmje takoheshim te çajtorja “Bahçellëku“, ku pihej ekskluzivisht çaj dhe rrallëherë ndonjë kafe, pasi këto ishin pijet me kosto më të lirë. Shtresë më të ulët se kjo e jona në qytet dukej se nuk kishte, përveç shtresës që s’kishte mundësi të dilte fare, as për të pirë edhe një çaj të vetëm. Siç duket, ne ishim shtresa e parafundit në shoqëri, kurse shtresat е tjera e kalonin kohën e lirë nëpër lokale luksoze. Ata shkonin me makina të shtrnjta nëpër vikende të ndryshme. Dikush shkonte pranë liqenit, dikush te Kodra e Diellit, dikush në Mavrovë, dikush… dhe kësisoj ata ishin të padukshëm për masat e gjëra popullore. Por, mbi të gjitha, ne nuk e ndjenim veten si të parafundit në shoqëri, bile ndonjëherë e ndjenim veten mbi të gjitha kategoritë e tjera, pasi ne jepnim “shkëlqim mendor“, veçmas para klientëve të “Bahçellëkut,” të cilët rrinin afër nesh dhe pinin të njëjtat pije.
Te ‘’Bahçellëku’’ ishte ngritja dhe rënia e “klubit” tonë. Bile-bile bisedat i bënim me zë të lartë, që të na dëgjonin sa më mirë “Bahçelerët.“ Ndonjëri nga “klubi” ynë bërtiste me të madhe që ta dëgjonin se si flet mësuesi më i ditur i kasabasë…Kishte edhe nga ata që pyesnin me qesëndi duke thënë se, pse kaq shumë po bërtisnim gjatë bisedave… Eh, për fatin tonë të mirë, të tjerët ndërhynin duke na arsyetuar, pasi ne kishim problem me veshët, pastaj gjithmonë me lloj-lloj njësish mësimore, me lloj-lloj nxënësish… Me një fjalë, dashamirët e mësuesve dhe të poetëve gjenin mekanizma për të na kursyer. Për ndjenjën e respektit që kishin për ne, një pjesë e klientëve i rezervonin që herët vendet e tyre që të jenë më afër nesh, për t’i përcjellë debatet tona tejet të nxehta në vazhdimësi… E gjithë kjo bëhej pasi ata kishin dëshirë të dëgjonin biseda e debate nga njerëzit e mençur. Ndoshta dikush edhe na urrente sepse ua prishnim qetësinë.

Nga klientët tjerë të “Bahçellëkut”, “klubi “ ynë dallonte vetëm nga ajo se ne kishim bërë nga një lloj shkolle, të cilën qeveria e çmonte me do paga të mjerueshme, që më tepër u ngjanin ndihmave sociale. E gjithë kjo ishte arsyeja pse ne mësuesit dhe poetët e kishim vendin te çajtorja “Bahçellëku“. Nga ana tjetër, shoqëria jonë nuk ishte edhe pak e njohur për kasabanë tonë. Sëpaku ashtu “klubi” ynë e ndjente veten.
Kjo mbrëmje ishte paksa e veçantë. Nëpër gjethet e drunjve dukeshin aty-këtu yjet në qiellin e kaltër dhe ky takim i sontëm filloi zakonshëm, por, biseda shpjet e ndërroi kahen, në krahasim me netët tjera, kur flisnim më shumë për temat historike, patriotike, fetare, politike dhe poezinë në përgjithësi. Sonte bisedën e filluam vetëm me politikën, ku e tjerrmë mirë fenomenin e zgjedhjeve të fundit. Enigma kryesore e kësaj bisede mbeti ajo se si e ka ditur populli tre muaj më herët që Strugën do ta fitonte partia e “kryeneçëve” dhe se kasabanë tonë do ta fitonte “ partia e të “lumturve”. Ishte një debat jo edhe pa siklet, pasi, si zakonisht, në këto debate me automatizëm krijohen dy forca kundërshtare, sepse interesat i kishim gjithandej.
Nën tingujt e lugëve me gotat e çajit, ku e tërë çajtorja kishte krijuar refrenin e vet përmes përplasjes së tyre, papritmas, një njeri i pispillosur mirë, rrinte në këmbë dhe vëzhgonte mbi tavolinën e “klubit” tonë dhe sytë i ngjiti pingul për të vëzhguar habitshëm mësuesin Xhinxhafil dhe priste që edhe ai ta vëzhgonte. Hëpërhë, Xhinxhafili, me të parë njeriun që e shikonte pingul në sy, hovshëm u ngrit në këmbë dhe me një habi dhe ofshamë të thellë shpirtërore e përqafoi njeriun e papritur e të panjohur për ne të tjerët, duke i thënë: – Shoçi i jem, shoç, a paske ardhë!-dhe mbeti krejt i habitur!
Ky njeri i beftë, në pamje të parë dukej tejet i pispillosur edhe pse dukej ca naiv, pasi buzëqeshte me vetveten, duke dashur të bëjë me dije se, ja kush ka ardhur, ves ky, që, disi u ngjante naivëve të kafenesë sonë të “preferuar”. Nga të tjerët dallonte se nuk dukej njeri sekret, gjë që krijonte përshtypjen e një njeriu me naivitet të këndshëm për rrethin.
Pasi që ishim njoftuar me mysafirin e tavolinës sonë, por pa e ditur në detaje mikun e kësaj mbrëmjeje, kush dhe çfarë është, ne, bisedat i frenuam dhe ishim më të kujdesshëm në bisedime, përveç mësuesit Xhenxhafil, i cili me çdo kusht insistonte që të inkuadrohemi edhe ne në bisedë, duke dashur të thotë që të flisnim lirshëm dhe pa merak, se ky është njeriu im i besueshëm. Dhe ashtu ndodhi. Dalëngadalë intensiteti i bisedës u rrit, por kahja kishte marrë tatëpjetën, krejt në një anë tjetër. Tanimë po bisedonim për standardet jetësore në Zvicër dhe bënim krahasimin me standardin jetësor të këtushëm në kasaba. Patjetër që biseda lidhej edhe me Zvicrën, pasi mysafiri ynë jetonte dhe vepronte atje dhe kësisoj anoi biseda.
Papritmas, njëri nga mësuesit e pyeti mysafirin:
– Sa e ka rrogën mësuesi në Zvicër?
Pa një, pa dy, mysafiri ia priti : – Mbi gjashtë mijë franga.
-Uaaaa! – U befasuam të gjithë. Menjëherë njëri e bëri llogarinë përmes një aparati të vogël që e mbante në dorë dhe duke marrë thellë frymë tha: – Një rrogë e mësuesit zviceran, rrafsh baraspeshon me pesëmbëdhjetë rrogat tona!
-Uhuuu! – Ofshau tjetri mësues duke shtuar:
-A është e mundur kjo rrogë që po thua ti mysafir i nderuar?!
-Po de, bile kjo është rroga bazë, por kanë edhe bonuse të tjera, shpërblime të shumta, para për udhëtime,”urllap gelt”, apo siç i thoni ju – pare pushimi, pastaj një rrogë plus për vitin e ri etj.
-Obobo, çka flet ky miku i ynë?! Po vetëm rroga shtesë e vitit të ri baraspeshuaka me pesëmbëdhjetë rrogat tona – ia priti tjetri…
-Po mirë de, pse habiteni?!… Sa e merrni ju rrogën e mësuesit këtu në kasaba? – pyeti mysafiri qetësisht dhe çuditshëm për habinë tonë.
-Çka të të tregojmë, katërqind franga me paratë e Zvicrës, – iu përgjigj mësuesi Xhinxhafil, si më i afërmi i mysafirit.
-Si?! 400 franga?!- U habit edhe mysafiri për këto paga të vogla.
-Olala! Tani e kuptova pse ju habiteni me rrogat e Zvicrës…Po atje qeni e ka rogën 400 franga – ndërhyri kurbetçiu.
-Si more, pse edhe qentë kanë rroga atje?! -Ndërhyri njëri nga poetët.
-Kuptohet se këto janë subvencione, – ndërhyri njëri nga mësuesit…
-Unë nuk e di si i thonë, por, komshiu im zviceran, atje ku banoj unë, muaj për muaji i ngre rrogën e qenit në të njëjtin bankomat, ku e ngre edhe rrogën e vete. Atje e marr edhe unë rrogën time, tani ju si të doni thojani emnin – e ndërpreu qetas fjalën mysafiri nga Zvicra.
-Sa kohë paguhet për qenin kësisoj? – pyeti mësuesi tjetër.
-Derisa sa është gjallë qeni dhe pronari që kujdeset për të – ia ktheu bisedën kurbetçiu.
-O Zot, o Zot…, vërtet çudi, kjo qenka ma tepër se rrogë – filluan të belbëzojnë mësuesit dhe poetët e ngratë midis tyre…
Kjo natë kaloi duke u marrë me rrogën e qenit. Të gjithë, mësues e poetë, u ndjemë të këputur moralisht, disi edhe të ofenduar. Edhe pse pa fajin e tonë, zhgënjimi ndjehej në fytyrat tona… Më tepër ndjeheshim të ofenduar për kohën që kishim kaluar me debate të kota dhe pa asnjë peshë për jetën tonë… Pastaj na kujtohej megalomania e jonë cinike dhe në ndërdijen tonë filluam të prekemi me thjeshtësinë, megalomaninë dhe mjerimin tonë në kasaba… Veçmas filloi të na mundojë filozofia e kotësisë, pasi me vite e dekada të tëra, secili nga ne ishte munduar që sa më shumë të shiste mend e dije në çajtoren e kasabasë, pastaj cili do të tregohej më kombëtar, cili është më afër Zotit dhe mbi të gjitha vlonte patriotizmi, ferri e parajsa… Eh, sa e sa njerëz kishim përmendur, i kishim përgojuar, ngritur dhe përplasur në emër të kombëtares, fesë, politikës dhe botës tjetër, pa na e varur veshin njeri, përveç atyre të çajtores që dëgjonin rreth nesh.
Vërtetë çajtorja gjendej në vendin më të bukur të qytetit, mu aty pranë lumit Artat, por në këto momente u përzije e bukura me të shëmtuarën dhe e ulëtа me të madhërishmen.. Ishin momente kur dukej qartë filozofia e kotësisë sonë. Dukej qartë se aty ku nuk ka paqe, аty nuk ka edhe fe, aty ku nuk ka drejtësi nuk vepron edhe Zoti, aty ku nuk ka mirëqenie nuk ka edhe kombëtarizim…Tani na u kujtua ajo thënia e moçme se barku i unët lehtë e ndërron edhe mendimin. Të gjitha këto mendime silleshin vërdallë në kokat tona… Tani mbretëroi në qetësi absolute dhe për një moment, mësues Dini, duke parë zhgënjimin e kolegëve të vet, recitoi dy-tri vargje nga poezia popullore japoneze:
Njeriu me pallto të vjetër
dhe pa lek në xhep,
Ai do jetë mësues
ose poet…

Qetas dhe papritmas Dini u ngrit në këmbë duke thënë: -Hajde shokë, shkojmë. Për sonte ishte mjaft. Shëndosh të jemi. Ja, para njëmijë viteve ky problem ka qenë edhe te japonezët, ku, sot mësuesi dhe poeti janë njerëzit më të nderuar. Ndoshta edhe ne do ta tejkalojmë këtë gjendje pas një shekulli!… Kësisoj mbretëroi një heshtje ashtu si vetë thellësia e errësirës së kësaj nate…
Kurbetçiu kërkoi ndjesë para këtij “klubi” për shqetësimin eventual dhe me të shpejt nisi të eci drejt nga banaku i çajtores. Iu afrua kamerierit dhe i pagoi të gjitha çajet e kësaj mbrëmje që kishim pirë ne mësuesit dhe poetët.
Tanimë në “Bahçellëk” kishin ngelur fare pak klientë, të cilët më tepër meditonin se sa që vepronin apo bisedon diç. Të mjerët nuk dihej pse kaq vonë rinin në çajtore! Me shtëllungat e tymit të duhanit po treteshin edhe mendimet e tyre. Kush e di se si do i kishin punët në shtëpitë e tyre? Edhe ata sonte nuk mbetën të kënaqur me bisedat tona, pasi kësaj radhe nuk dëgjuan nga ne biseda të nxehta. Nëpër rrudhat e tyre dukej se me veten e tyre thoshin “mallkuar qoftë kjo rroga e qenit, se kësaj mbrëmje na la pa muhabet”.
Mësuesit dhe poetët u ngritëm në këmbë sikur të ishim shumë të lodhur dhe dalëngadalë dolëm nga lokali jo me koka të nxehta si netët tjera. Sonte nuk kishte kush të lavdërohej për fitore të debatit. U shpërndamë qetas duke u përshëndetur me gjysmë zëri dhe nisëm të ecim drejtë shtëpive tona, drejtë rrugicave të ngushta të kasabasë.
Duke ecur nëpër rrugicat e kasabasë, mbi kokat tona ndriçonte hëna e plotë e me yje shumë, ku dëgjoheshin vetëm trak-truket e këpucëve dhe fëshfëritja e gjetheve. Me valëvitjen e gjetheve nëpër drunjtë e rrugicave gjysmerrësirë, valëviteshin edhe mendimet tona të thella si kurë më parë…Nuk ishim në gjendje të mendojmë për asgjë tjetër. Sonte ishin topitur frymëzimet tona poetike. Eh, po, sonte na ishin tretur frymëzimet. Ndjenjat na ishin shpërndarë si pikat e shiut mbi qelq. Nuk ishim si herët tjera që nuk rrinim asnjë natë pa i vëzhguar yjet nga disa herë për frymëzimin dhe kënaqësinë tonë shpirtërore. Sonte rroga e qenit ishte ngulitur në ndërdijet tona dhe nuk na lejonte t’i ngrinim kokat lartë …

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura