REXHEP KASUMAJ: DJERSITJE…

Berlin, 22 maj 2017: (Një përskajim i ri) – Asnjë ré në horizontin e Prishtinës. Dielli thuase ishte afruar më shumë për të ngrohur ëndrrat e dhéut tim. Shiu duhej të priste. Akoma s’vinte ora e tij trishte…
Tashmë kisha zbritur në aeroport. Tërhiqja valixhen e lehtë, gjysmë të zbraztë që pastaj, në kthim, ta mbushja mall e kujtime. Rrëmujë. Taksistë që silleshin rretherrotull. Britma. Oferta të veçanta për muajin e shenjtë Ramazan, thoshin, si dedikim ndaj të Madhnueshmit që lexon zemrat tona.
Ndërsa flisja me njërin prej tyre, ndjeva t’më prekte dikush në krah. Në Kosovë kjo s’është e rrallë. As e papritshme. Se, ndryshe, në mërgim, nga anonimiteti dhe ftohtësia sociale, nuk ndodh kurrë. Ishte Jahiri, një mik i vjetër. Kishim punuar bashkë dhe, një kohë, do jetonim në po t’njëjtin qytet në mërgim. Mirëpo ai s’do vononte të kthehej për të rihedhur rrënjë në Atdhe.
Pati vend në veturë e më mori me vete. Gjatë rrugës këmbyem fjalë për gjendjen, për liritë, përbetimet serbe që s’prajnë, për kulturën e qeverisjes. Ishte bërë i pasur. Njeri biznesi i mirëqenë. Ia them këtë me besë e admirim: ti me djersë ke fituar. Por ajo që do dëgjoja, ndërkaq, ishte e papritur. Një përskajim elokuent e i panjohur për mënyrën e ngjitjes në piramidën e fuqisë pasunore. Mësova se djersa s’qenkësh e mjaftë për ta përligjur të drejtën dhe moralin e saj. Ndaj dhe përgjigja e tij ishte e habitshme: mos më thuaj ashtu, të lutem, sepse edhe hajnat djersiten. Madje shumë. Jo vetëm në aktin e pështirë, por dhe në kohët e mëpasme të ankthit…Më saktë thuaj, vijoi ai preras: ke fituar me nder!
Teksa i afroheshim qytetit ku spikatnin selitë qeveritare, mendoja për oligarkët e kamur. Si në përrallë. Dhe, natyrisht, sesi do t’jenë djersitur shumë, si thoshte miku im. Por nderi ishte virtyti i munguar që helmonte vezullinë përndritëse. Po kush pyeste për të? Shpërfillja arrogante stoliset nga heshtja përulëse e fateve të vogla. Ato fishken në apatinë mbytëse, kurse kupola e Katedralës që posa e anashkalonim ishte tepër e ulët për të përçuar ofshâmën e tyre atje përtej, në qendrën imagjinare të shpresës…

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura