BEHXHET SHALA BAJGORA: MOS MERRNI VENDIME TË SHPEJTA SE EDHE MË SHPEJT DO TA THYENI QAFEN!

Prishtinë, 8 Qershor 2020: Kush ngutet për…jargohet: Nuk ka popull si ne shqiptarët që , me merita të tjetrit i këndojmë vetes . Ose , përkthyer në shqip: “bëhemi dhëndërr me rekuizite të tjetrit ..”. Kur në mesverë të vitit 1990 , burgun e vogël në llogorin e Stara Gradishkës e zëvendësova me burgun e madh të quajtur Kosovë , në mungesë të informacioneve por edhe një zbrazëtie në fushën e muzikës pata humbur ndjesinë se kush ishin heronjt shqiptarë , ata që bënë vepra heroike që nga viti 1974 e deri në vitin 1989 , në kohën e “ kryengritjes së madhe “ të udhëhequr nga atdhetari i madh , që nga koha e Josip Broz Titos e deri kur Slloba e futi në birucë ( ende nuk e kam të qartë pse ?! ) , Azem Vllasin dhe të ngjashëm me te që me mish e me shpirt i shërbyen Jugosllavisë së Titos dhe asaj të Zhablakut por , thuaja të gjithë këta e sidomos pasardhësitë e tyre biologjikë , fiziologjikë dhe patologjikë , rehatinë dhe shtatë palë qejfe i shijuan gjatë sundimit të Hashim Thaçit dhe të tjerë , që dikur trimërisht , pikërisht kur ishte nevoja luftuan deri në sakrificë kurse , tani kur nuk ishte fare nevoja u bënë përrallë dhe gazi i botës ! Pas demonstratave të vitit 1981 kur isha student në Sarajevë dhe kur shqiptarët që ishin një komunitet i fuqishëm njerëzorë , kombëtar , politik , artistik , sportiv dhe i biznesit filluan të organizohen , për t’i disiplinuar erdhi në Sarajevë një gjysh i një këshilltari të Albin Kurtit i cili , pasi u takua me udbashët boshnjak dhe me vëllezërit Pozderac erdhën në përfundim se : “ treba da se kazne primerno iredentisti i valikoalbanski nacionalisti da se da primer drugima koji su protiv Jugoslavije i bratstva i jedinstva .. “ , në shqip : “ duhet të dënohen në mënyrë shembullore iredentistët dhe nacionalistët shqiptaromëdhenj për t’u dhënë shembull ( mësim ) atyre që janë kundër Jugosllavisë dhe vëllazërim – bashkimit …”. Dhe koka turku por me përmbajtje puro kombëtare ishim : unë , një studente nga Peja , Hidajete Krasniqi dhe një shqiptar nga Kumanova që punonte si punëtor krahu. Me dhjetra e qindra studentë shqiptarë dhe punëtorë u morën në pyetje nga Shërbimi i Sigurimit të Jugosllavisë në mesin e të cilëve kishte të tillë që edhe pranuan të dëshmojnë ose u bënë vegla të këtij sigurimi . Realisht politikanët e Kosovës të asaj kohe që flisnin shqip ndërsa mendonin dhe vepronin serbisht e që erdhën në Sarajevë me propozime konkrete se kush duhet të arrestohej , na futën në burg kurse boshnjakët vetëm e ekzekutuan një vendim politik . Shihni bijtë dhe bijat e këtyre udbashëve shqiptarë , nipat dhe mbesat si jetojnë sot , mos janë vallë të papunë , janë raste sociale apo nuk janë mjaftueshëm të respektuar nga udhëheqësit e institucioneve apo nga vet institucionet. Nuk ka të ngjarë të jetë kështu , jetojnë si veshka në dhjamë dhe janë të respektuar nga të gjithë ; Hashimi , Fatmiri , Bekimi , Rama dhe të tjerë hiç këtu disa përjashtime të vogla , të papërfillshme fare. Shihni fëmijët tanë ku janë , të papunë , të nëpërkëmbur por me dinjitet të ruajtur për dallim nga të padinjitetshmit që dikur i kemi llogaritur si shokë , bashkëvuajtës dhe bashkveprimtarë !
Gjatë kohës së vlimeve të mëdha në Kosovë e që i përcillnim nga Llogori i Stara Gradishkës , autoritetet kriminale jugosllave , serbe dhe udbashët e Kosovës që na futën në burg në Sarajevë , ushtronin dhunë dhe terror mbi të rinjtë dhe të rejat shqiptare në Kosovë dhe të gjithë atyre që e donin lirinë , pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Madje , dhuna që e ushtronin këta shqipfolës ishte shumë më e madhe se që e përdornin inspektorët apo hetuesit nga Serbia apo Kosova e që ishin serbë. Mirëpo edhe këta udbashë dhe kriminelë që flisnin shqip , pas përfundimit të luftës u sistemuan më mirë se në kohën e Millosheviqit. Sidomos fëmijët e tyre që me asnjë veprim nuk u distancuan nga krimet që i kishin bërë baballarët dhe majkat e tyre . Një hetues kriminel i quajtur Gazmend Maliqi , nga fisi i shquar në shërbim jugosllav dhe serb , thuaja një vit e ka torturuar çnjerëzisht në burgun e Mitrovicës dhe të Prishtinës Fexhrie Bilalli , tash Shala, studente dhe aktiviste politike dhe kombëtare dhe për këtë askujt nuk i ka dhënë llogari. Shihni fëmijët e këtij krimineli ku janë , si janë sistemuar dhe shihni fëmijët e mij apo të atyre që tërë jetën ia kushtuan luftës për liri dhe çlirim , frytet e të cilës po i gëzojnë përndjekësit tanë dhe fëmijët e tyre .
Pasi dola nga burgu i parë ( në vitin 1983 ), gjatë shërbimit të dhunshëm ushtarak në armatën jugosllave ( në Ilirska Bistrië të Sllovenisë ) , më dënuan 12 vite burg. Dëshmitarët kryesorë në këtë proces të montuar politikë ishin një bashkpunëtor i Shërbimit Jugosllav nga fshati Llugë i Besianës dhe një nga Malisheva e Gjilanit. Ai nga Lluga e Besianës , pasi kreu detyrën me sukses “ iku “ në Gjermani ku organizonte demonstrata të mërgatës shqiptare duke u vënë në ballë të tyre , me flamurin kombëtar në duar dhe ate jugosllav në zemër. Kur një shok imi që jeton në Gjermani m’i tregoi fotot nga demonstratat e shqiptarëve në Gjermani duke e lavdëruar këtë patriotin e udbës , pasi i thashë se kush është ai , mbeti pa fjalë dhe ende ishte si në ëndërr , nëse ishin të vërteta fjalët e mia apo “ patriotizmi “ i fëlliqësirës njerëzore dhe kombëtare nga Lluga e Besianës. Ndërkaq , një palaço i pafytyrë nga Malisheva i Gjilanit , me dëshminë e rrejshme por që e bënte me loçkë të zemrës kontribuoi që të dënohen ushtarët shqiptarë : Hysen Shurdhani , 12 vite , Zenel Baçaj , 9 vite , Shefki Barileva 7 vite , Brahim Mazrekaj , 6 vite , Hysen Zymberi , 6 vite , Isa Jashari , 6 vite, Fatmir Ahmeti , 4 vite , Behxhet Shala , 12 vite dhe Rrahim Rama , 1 vit. Po i njëjti , jo që nuk kërkoi falje për këtë por arriti të bëhet njëri ndër aktivistët e devotshëm të PDK-së në atë pjesë të Kosovës. Udhëheqësit e kësaj partie kanë qenë të njoftuar për këtë por … gjendja nuk ka ndryshuar. Një mik më tregoi se në protestat kundër votimit të Avdullah Hotit për kryeminister , po i njëjti , tash nga pozita e aktivistit të LVV paska qenë shumë aktiv duke kërkuar t’i vihet zjarri Kuvendit të Kosovës ,si çerdhe e kriminelëve sepse u dashka të luftohen tradhëtarët e kombit dhe të korruptuarit duke bërë përpjekje të largohet nga e kaluara e tij krejtësisht e poshtër , kriminale dhe tradhtare. Një oficer i Shërbimit Kundërzbulues të Ushtrisë jugosllave që ka kurdisur procese politike kundër ushtarëve shqiptarë, pas përfundimit të luftës ishte rehatuar në institucione të Kosovës ku gëzonte respekt të plotë dhe reputacion prej një atdhetari të devotshëm. Këto janë vetëm tri raste që janë fërkuar për mua dhe familjen time , që jetojnë si është më së miri dhe janë më të respektuar se shumica prej nesh që e kemi paguar me shpinë dhe kokë lirinë që ne e gëzojmë vetëm pjesërisht kurse ata e keqpërdorin krejtësisht . Në radhë të parë të përkrahur maksimalisht nga ata që e kanë pasur për detyrë të mos e lejojnë përsëritjen e dhunës ndaj nesh dhe popullit por se edhe vet hynë në vallen e tyre ! Turp iu qoftë nëse ende e njohin turpin, qoftë edhe si kategori gjuhësore !
Shpejtësia e pabesueshme e marrjes së vendimeve në kohë të pandemisë
Albin Kurtin e rrëzuan shpejt dhe lehtë, jo pse këta ishin të fortë por shkaku se Albini e rrëzoi veten duke i rrënuar të gjitha urat e bashkëpunimit, duke i harruar aktivistët dhe përkrahësit e vërtetë , duke bërë armiq të imagjinuar dhe miq të rrejshëm, duke vënë në pozita gjene të udbashëve, duke kërkuar nënshtrim në vend të bashkëpunimit dhe duke vënë në poste të larta shtetërore të tillë që as për të qenë operativistë të UDB-së nuk i plotësonin kriteret. Majat e larta të Kilimanxharos kosovare e përplasen përtoke Albinin sikur edhe lufta e Don Kishotit me “ armiqtë” e sajuar. Po del se më i zoti për mbajtje të pushtetit ishte princ Vidi në Shqipëri , se Albini në Kosovë. Albini , mençurinë , shkathtësinë , bashkimin kombëtar , patriotizmin dhe doktrinën politike e ambalazhoi në atë mënyrë që e shndërroi si një mall 0.99 cent , ku ka shumë blerës të cilët me ta mësuar cilësinë e mallit të propozuar e që është në shpërputhje me ate që e blenë , më nuk do të ngarendin pas këtij malli! Nënvlerësimi dhe nënçmimi i kundërshtarit, në jo pak raste ta hanë kokën politike dhe , në disa raste jo vetëm politike. Albini deshi të bëhej gjeneral i gjeneralëve dhe jo gjeneral i ushtarëve prandaj edhe i ra flamuri në lojën e shpejt të shahut politik ! Është e vërtetë se të gjithë u bënë kundër Albinit por shtrohet pyetja pse u bënë dhe pse lejoi të bëhen ! Jam i sigurt se po të bënte një politikë tjetër , pa sakicë në krah , Albin Kurti do të ishte kryeminister së paku dy mandate ! Albini i preu të gjitha bordet ( dardhat ) për t’i mbjellë bordet ( dardhat ) e veta ! Në poste shumë të rëndësishme vendosi persona krejtësisht të parëndësishëm por që i bindeshin krejtësisht . Nuk ka asgjë më keq se kur injorantin dhe injorancën e veshni me pushtet sepse e fuqizoni dhe e bëni të rrezikshëm , së pari për kundërshtarin e pastaj për vet liderin , në rastin konkret Albinin. Albin Kurti nuk është dashur të rrëzohej , së paku jo më heret se 1-2 vjet . Për mua është shumë e pamoralshme koha kur është rrëzuar Albini e sidomos motivi për çka është rrëzuar . Nuk mbeti rregëzinë e pozitës apo edhe e opozitës pa e cilësuar Albinin si antiamerikanë , kundër Trampit , kundër Grenellit , kundër Monika Llevinskit dhe kundër Igor Stravinskit ! Në një mjedis me demokraci qoftë edhe në gjurmë askush nuk mund të penalizohet nëse nuk e donë Trampin apo Grenellin e lëre më të rrëzohet nga pushteti. Albin Kurti deshi të luaj koçe me Hashim Thaçin – Shimën kurse pikërisht Shima e la Albinin pa koçe të kryeministrit ! Mjerim , më së buti thënë !
Tash , në skenë e kemi Dullën kryeminister . Avdullah Hotin. Një burokrat dhe teknokrat par exellance. Nuk është njeri i keq . Në proceset që e presin Kosovën Dulla mund ta vendosë mbi tavolinë të bisedimeve një projekt të shkruar nga të tjerët ama, pos projektit tavolinën duheta ta rrahësh edhe me koçe , Këtë Dulla nuk e bënë dot . Është intelektual dhe i butë ! Po e shihni me sa shpejtësi po i largon të gjitha pengesat ndaj Serbisë , pa e bërë asnjë frenim. Pa fituar asgjë,si kundërvlerë. Qoftë as edhe si premtim ! Politikanët e Kosovës , në mungesë të guximit apo dijes politike për vendimarrje, reciprocitetin , si masë normale që e përdorë çdo vend normal përballë një vendi që nuk ka sjellje normale, e ka bërë si karikaturë politike ; ne po e heqim reciprocitetin , si një instrument i ligjshëm dhe i pranuar ndërkombëtarisht për rregullim të marëdhënieve midis shteteve kurse Serbia duhet ta ndërpresë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës , e sajuar nga Serbia si diçka që praktika ndërkombëtare nuk e njeh dhe as nuk e pranon. Realen po e zëvendësoni me të paqenën kurse të vërtetën , me të pavërtetën . Ose , ta banalizoj krejtësisht ; kjo i bjen sikur kur bëni tregëti kur kundërshtari ua ofron lëkurën e qenit të zhgjebosur kurse ju ia ofroni lëkurën e tigrit bengalez ! Kjo shpejtësi e pabesueshme e marrjes së vendimeve 100% lehtësuese për Serbinë të cilën e përshëndesin Trampi , Grenelli , Lajçaku dhe Borrelli , të gjithë ambasadorët dhe konsujt real dhe të nderit , Ivica Daçiqi dhe Marko Gjuriqi , Aca Vuçiqi dhe Vuk Drashkoviqi si dhe diaspora politike në Kosovë ( Hasha , Kadria , Fatmiri dhe Isa ) sikur edhe krejt kabineti qeveritar , më bënë shumë dyshues. Nuk dua t’ia trazoj ëndërrat e një nate vere të Dullës të cilit dukshëm i janë rritur rruazat e kuqe të gjakut që po vërehen në lëkurën e fytyrës që i është bërë kuq si gjaku si i një molle të Kovrragës së Istogut apo një adoleshenti të dashuruar rishtas por , shumë po më brengos kjo nguti dhe ky entusiasëm i çastit që po përkthehet edhe si triumf ndaj Albinit! As Dulla dhe askush nuk mund të merr ndonjë vendim të rëndësishëm për Kosovën duke pasur 60 deputetë shqiptarë në opozitë ( nëse PDK vërtet do të sillej si opozitë ). Nuk janë miqtë ata që do të duhej të marrin vendime për ne , pa na pyetur fare por vërtet janë miq nëse na përkrahin kur marrim vendime në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj pavarësisht përkatësisë etnike . Vendime që janë në dobi të Kosovës por që nuk e dëmtojnë askend ! Nuk mund të vendosin për Kosovën dhe kundër Kosovës ata që asgjë nuk kanë bërë dhe dhënë për këtë vend por se vetëm kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin , si në bahçe të babës nga ky vend !
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 8 qershor 2010

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura