BEHXHET SHALA BAJGORA: NËNSHKRIMI I NJË MARRËVESHJEJE TË PARALAJMËRUAR!

Prishtinë, 4 shtator 2020: Para një viti presidenti i Kosovës , Hashim Thaçi pati deklaruar se pikërisht në këtë kohë do të nënshkruhet marrëveshja finale me Serbinë për normalizim të marëdhënieve dhe njohje të detyrueshme reciproke në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në Washington , në Kopshtin e Trëndafilave e cila do të noterizohej nga kryenoteri i botës, presidenti i SHBA -ve , Donald Trump. Akterët apo nënshkruesit e kësaj Marrëveshjeje do të ishin Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq. Realisht kjo Marrëveshje ishte vdekje e paralajmëruar politike për të dy presidentët. Hashim Thaçi u linçua publikisht nga opozita në Kosovë dhe nga e ashtuquajtura shoqëri civile si dhe nga mediet të varura dhe shumë të varura në emër të mbrojtjes së pavarësisë që nuk ekzistonte as si formë e lëre më si përmbajtje. Aleksandar Vuçiq sulmohej nga opozita ndonëse ishte në flirtim pasionant me Kishën Ortodokse Serbe që ishte dhe është faktor përcaktues për të gjitha zhvillimet në Serbi. Aleksandar Vuçiq dhe Otac Teodosije kishin dhe kanë përparësi krahasuar me më parë Thaçin e tash Hotin për faktin se po bisedojnë dhe do të nënshkruajnë Marrëveshje e cila në çdo aspekt ka të bëjë me Kosovën e jo me Serbinë. Aleksandar Vuçiq, një kriminel lufte i viktimizuar po e luan rolin si një serb tipik i llojit të Nikolla Pashiqit, gënjeshtrën si përmbajtje e ka ambalazhuar me një cipë të të rivendosur të virgjinitetit të pafajësisë e që bota po e pranon si të tillë , jo se nuk ka të dhëna se çka ka bërë Serbia në Kosovë por se oportunizmi politik dhe interesi po e kërkojnë këtë.
Po Kosova, ku është në këtë mes : Realisht ekipi kosovar, që nga fillimi nuk e ka përcaktuar qëllimin e as vijat e kuqe ndaj Serbisë sikur që ka dëshmuar një ” fleksibilitet ” deri në përulje dhe dorëzim ndonëse i kanë pasur dhe i kanë të gjitha faktet për qëndrim ndryshe. Kanë dëshmuar mungesë të dinjitetit, kompetencës dhe përgjegjësisë sikur të bisedonin për shkretëtiren e Saharasë dhe jo tokën e Kosovës. Pa asnjë nevojë u hap çështja e shkëmbimit të territoreve dhe çështje të tjera të cilat, jo që e thelluan inferioritetin e pozitës negociuese të Kosovës por i thelluan edhe çarjet brendashqiptare. Hashim Thaçi, me një vendim politik të Gjykatës Speciale u eliminua nga roli që e kishte në bisedime , u harrua brenda një dite nga Grenelli dhe Borrelli prandaj Avdullah Hoti tash do ta nënshkruaj Marrëveshjen e ditur një vit e më parë në Kopshtin me Trëndafila në Shtëpinë e Bardhë. Bisedimet dje dhe sot në Washington u mbuluan me një velo të misteriozitetit dhe dramacitetit ndonëse ka kohë që ishte draftuar dhe se askush nuk e ka pyetur dhe as që e pyet delegacionin e Kosovës kurse Serbinë e dëgjojnë me më shumë kujdes. Realisht, praninë e presidentit Donald Trump e bënë alfa dhe omega të këtij takimi duke luajtur me ndjenjat e qytetarëve. Para një viti është ditur se Donald Trump do të jetë i pranishëm, disa minuta deri sa të nënshkruhet kjo Marrëveshje . Prania e Presidentit Donald Trump më shumë duhet të konsiderohet si presion ndaj palëve se si përkrahje dhe si pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Është shumë më e rëndësishme përmbajta e Marrëveshjes se sa a do të jetë Donald Trump i pranishëm gjatë nënshkrimit a jo. Dikush më tha se për një besimtar islam arritja më e madhe është pelegrinazhi në Mekë, për një të krishter është pekegrinazhi në Vatikan kurse për një politikan kosovar është Shtëpia e Bardhë në Washington. Varësisht në çfarë cilësie ju thërrasin, mendoj unë. Sot është shumë atraktive ta vizitoni Alkatrazin si vizitor por nuk ka qenë aspak atraktive nëse keni qenë i burgosur aty. Nëse po arrihet një Marrëveshje në Washington, pse u dashka pas 2-3 ditëve të takohen në Bruksel , Aca dhe Dulla ? Përralla janë pohimet e Dullës se me Serbinë do të bisedohet vetëm për njohje reciproke, do të bisedohet edhe për arat e Dullës në Ratkoc. Me vet faktin se jeni ulur në tavolinën e bisedimeve nënkupton se keni hequr dorë nga mbrojtja e pozicioneve të forta. Serbia në çdo aspekt do të ndahet më mirë se Kosova, qoftë për shkak të oportunizmit të bashkësisë ndërkombëtare, ndoshta edhe më shumë për shkak të injorancës sonë. E kuptoj opozitën kosovare që nuk ka pranuar të jetë pjesë e Ekipit të Kosovës por nuk e kuptoj pse nuk ka pranuar të marrë pjesë në takime konsultative para se të shkohet në Bruksel dhe Washington. Në Ekipin e Kosovës që është në pritje të përjetimit të orgazmës për shkak të pranisë së presidentit Donald Trump gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes ka të tillë që nuk e kanë shkrepur as edhe një pordhë të vetme për lirinë dhe shtetin e Kosovës kurse tani duan të na bindin se i kanë prapanicat me mbushje bërthamore! Kurse, deklarimi i një partie opozitare se nuk mund të nënshkruhet asnjë marrëveshje pa partinë fituese të zgjedhjeve të fundit i ngjanë tregimit kur ujku e hanë gomatin e ai thotë ishalla jam ëndërr. Proceset ecin dhe nëse nuk jeni pjesë e tyre, janë dhe bëhen të papërsëritshme! Tash, vetëm na ka mbetur të mësojmë për pasojat dhe të bëjmë përpjekje t’i menaxhojmë me sa më pak dëme ! Politika krijon injorantë kurse historia nuk i falë ata ! Uroj ta kem gabim!

Behxhet Sh. SHALA- BAJGORA, 4 shtator 2020 Prishtinë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura