Prishtinë, 30 gusht 2020: Xhevahir i bukurisë apo perlë e injorancës
Në kohën e diktaturave të mëdhe në këtë pjesë të Ballkanit, të Josip Broz Titos në Jugosllavi që llogaritej si burg i shqiptarëve që e donin lirinë dhe Shqipërisë së Enver Hoxhës që llogaritej si burg i atyre që e donin Shqipërinë, jashtë komunizmit dhe jashtë Jugosllavisë, kishim shumë pak informata për Shqipërinë dhe jetën që bëhej atje. Sipas lajmeve të trukuara të Radio Tiranës, Shqipëria ishte Parajsa vet andaj, me këtë frymë jetonim edhe ne, organizoheshim për çlirim dhe luftë sikur që shumë më lehtë përballonim torturat në burgjet jugosllave dhe serbe. Ne e donim Shqipërinë dhe nuk na interesonte kush është atje në pushtet; po të ishte edhe dreqi i zi e dukej se vërtet ishte , përsëri do ta donim Shqipërinë. Nuk ka Nënë të keqe e as Shqipëri të keqe. Jugosllavia dhe jugosllavët që flisnin shqip e që sot janë sistemuar jashtëzakonisht mirë në të gjitha institucionet kosovare përkundër të një të kaluare kundër popullit gjuhën e të cilit e flasin edhe sot, flisnin zi e terr për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën. Ishte krijuar një situatë; o je me Titon dhe Jugosllavinë, o je me Enver Hoxhën dhe Jugosllavinë, nuk kishte zgjidhje të tretë! Edhe kur na kanë dënuar për vepra politike gjithmonë ka qenë kjo lidhshmëri; e kanë lavdëruar Shqipërinë dhe Enver Hoxhën prandaj janë nacionalistë, separatistë dhe irredentistë shqiptarë! Në anën tjetër na kanë cilësuar si armiq të Titos, Jugosllavisë, vëllazërim-bashkimit dhe bashkëjeteses së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë e që përkthyer me sot interpretohet sikur të jeni kundër Kosovës multietnike përkatësisht se e mohoni rolin dominues të serbëve, atëherë dhe sot. Për qytetet e Shqipërisë mësonim vetëm nga ndonjë reportazh i gazetarëve të huaj që e vizitonin Shqipërinë por se kjo nuk na pengonte që emërtimi i fëmijëve të posalindur në Kosovë ishte faktikisht harta gjeografike e Shqipërisë me emra të qyteteve, maleve, lumenjve, vendeve historike si dhe ngjarjeve historike për ta ngulitur dhe përjetësuar mbamendjen historike dhe përcaktimin kombëtar. Ndonëse isha në izolim në Burgun e Mostarit (19981-1983) bashkë me Rexhep Malën, Skender Kastratin dhe Agim Sylejmanin, përsëri gjenim mënyrë për t’u informuar për dhe rreth Shqipërisë e të gjitha informatat i përpunonim dhe i sistemonim në kokën tonë ashtu si ne dëshironim të ishte e jo në përputhje me realitetin. Po në atë kohë e lexova një shkrim për Sarandën, si perlë e bregdetit Jon, me ditë me diell sa edhe Nica në Francë që e kishte vendin e parë në Evropë, e si mos të ndjehesha i magjepsur me këtë?!
Saranda, Saranda, Saranda …
Për aq kohë sa isha në burgjet e ish-Jugsllavisë, afërsisht 5 vjet e 6 muaj i kam kaluar nën hetime, në vetmi dhe izolim që nënkupton se kam qenë krejtësisht i vetmuar. Ndonëse kisha rezerva për lajmet e Radio Tiranës e që ua thosha edhe shokëve gjatë komunikimit të lajmeve në mëngjes (brifingu i mëngjesit) pas dëgjimit ilegal të lajmeve nga një transistor i kontrabanduar apo të sajuar në një kuti sapuni nga një inxhinier kroat, edhe ai i dënuar politikisht. Shumica e të burgosurve politikë shqiptarë ishin anëtarë të LPK-së apo të afërt me ta por skajshmërisht të vendosur të japin çdo gjë për çlirim të Kosovës, liri dhe bashkim kombëtar. Ata e nisën luftën dhe pa LPK-në nuk do të bëhej kurrë lufta. Baca Adem, ndonëse kohën më të madhe e ka kaluar me anëtarë të LPK-së, në shpirt ka qenë një nacionalist – humanist e që nuk ka pasur asgjë të përbashkët me marksizëm – leninizmin, madje në jo pak raste bënte shaka me ta. Baca Adem kërkonte nga të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë ta mësojnë, në radhë të parë historinë e popullit shqiptar dhe të mësojnë të lexojnë, shkruajnë, mendojnë dhe flasin shqip. Që nga burgu një mbeses time, pa e kuptuar krejtësisht emrin Saranda, ia lashë emrin Sarandë. Sot nuk do t’i lëja këtë emër! Një muaj pasi Baca Adem ishte në Shqipëri dhe që pas zhgënjimit me ate që e pa e që e tha botërisht se: “se më i lumtur do të isha të kisha vdekur pa e vizituar fare Shqipërinë dhe të shkoja nga kjo botë me bindjen që e kisha për Shqipërinë….”, në fundvitet e të 90-tave, me një pasaportë të shtetit kroat e vizitova edhe unë Shqipërinë. Isha në Tiranë, Durrës, Elbasan, Krujë dhe Librazhd, së bashku me një shok të shkollës, Hajrullah Ukën i cili kishte qenë disa herë në Shqipëri dhe më udhëzoi të pregatitem psiqikisht me ate që do ta shoh e që ishte thuaja në kundërshtim të plotë me fotografitë e krijuara. Zhgënjimi im nuk ishta aq i madh sepse as pritjet nuk ishin fort të mëdha mirëpo, as në imagjinatën më të shëmtuar nuk do të doja ta shoh një shtet apo popull qoftë edhe nëse nuk i doja e lëre më Shqipërinë që ishte alfa dhe omega e qëndresës, mbijeteses dhe tejkalimit të çdo problemi apo vuajtjeje që e kishim në rrugë drejt çlirimit dha beshkimit kombëtar. Atëherë në Shqipëri nuk kishte asgjë, as rrugë, as ujë, as ushqime, as shtëpi e as institucione sepse ishte një gjendje kaosi. Burrat pinin një raki që kundërmonte larg kurse gratë binin copë duke punuar punët më të rënda. Kur i pyesnim burrat pse nuk po punojnë, përgjigja e tyre ishe se ka radhur demokracia dhe se ata kanë vuajtur shumë prandaj nuk kanë pse të punojnë me arsyetimin se demokracia ua zgjidhë çdo problem duke marrë shembuj në demokracitë perëndimore. Duhet ta theksoj se kriza ishte aq e thellë në atë kohë në Shqipëri, nga ajo moralja që kushtëzohej nga materialja sa që, me 50 dollarë amerikan mund të takoheshe me çdo ministër në ndërkohë që shteti ishte aq i devalvuar sa një pasaportë të rregullt shqiptare e blije me 50 – 100 dollarë amerikan. Pjesa më e madhe e vizitorëve që e vizituan Shqipërinë në valën e parë ishin dërguar nga UDB e Jugosllavisë, kishin detyra të caktuara, kishin shumë para dhe me ato para e dëmtuan rëndë nderin dhe moralin e femrës shqiptare .
Në Sarandë shkova për herë të parë në verën e vitit 2000 për ta jetësuar ëndrrën time nga burgu për perlën e Detit Jon , me më së shumti ditë me diell, pas Nices së Francës. Pas kësaj nuk ka kaluar asnjë vit që nuk kam shkuar në Sarandë, qoftë për pushime apo edhe për vizita. Me një fjalë ndjehem sarandiot 100%. Në verën e vitit 2000, pasi e kaluan rrugën e Golgotës Vërrmicë-Kukës, në hyrje të Fierit dola nga rruga, me fajin tim sepse nga lodhja më kishte zënë gjumi. Pasojat , për fat të mirë ishin materiale dhe u detyrova ta lë makinën për riparim në Fier për të vazhduar me një taksi rrugës së bregdetit që i ngjante një lufte kundër demave. Ishte vërtet tmerr. U vendosëm në embrionin e një hoteli që me shumë mund dhe sakrifica por jashtëzakonisht ndershmërisht e ndërtuan Arben dhe Mira Hito që lanë punën në Greqi për të rinisur jetën në Shqipëri, Arbeni nga Skrapari dhe Mira, sarandiote nga Gjirokastra. Në atë kohë Saranda ishte qytet tipik bregdetar me shumë gjelbërime, banane, limonë, portikalle dhe mandarina dhe me shumë pak betone. Ishte Hotel Butrinti që atëherë, si çdo hotel tjetër në Shqipëri quhej Hotel Turizmi sikur që ishin shporetat elektrikë elektrikë që, gjithashtu në tërë Shqipërinë quhej Soba sepse vinin nga Bashkimi sovjetik dhe shkruheshin me alfabetin cirilik. Saranda frymonte greqisht, dëgjohej vetëm muzikë greke dhe shërbimet ishin nën çdo nivel, në mungesë të përvojës, profesionalizmit dhe edukatës së të bërit biznes. Përveç Butrintit ishin edhe Hotel Grandi, Sejko, Delfini dhe ishin në themele Hotel Maestrali i Sandrit dhe Hotel Iliria i Beni Hitos.
Baca Adem Demaçi dhe Saranda
Baca Adem nuk ka dashur të kufizohet vetëm në një hapësirë shqiptare dhe , në fakt ai nuk ka qenë fort i kënaqur me Prishtinën . Shpesh thoshte se një shqiptar i vërtetë duhet të lind dhe një kohë të jetojë në Gjakovë dhe Korçë, të shkollohet në Tiranë dhe Prishtinë dhe të vdesë në Prizren. Sarandën kurrë nuk e ka përmendur si vend ku do të jetonte. Pastaj, thoshte se duhet që verën ta kalojë në ndonjë qytet në Shqipëri kurse dimrin, për shkak të borës, në Prishtinë. U bë si u bë dhe më duket se Heta ia bleu një banesë në Sarandë ku filloi të jetojë. Paraprakisht jetonte me qira në Sarandë dhe çdo ditë bënte, së paku 90 minuta nga banesa , në periferi të Sarandës , me këmbë deri në qendër të Sarandës. Në Sarandë Baca Adem bënte një jetë shumë modeste (sikur që e ka bërë tërë jetën), vet e mbante pastërtinë e banesës dhe vet e përgatiste peshkun apo ndonjë ushqim tjetër. Qytetarët e Sarandës, sidomos çamët e mirëpriten Bacën e Nuredin Çami ishte mik i ngushtë i Bacës. Baca nuk pranonte që t’i gjenim një person që do të kujdesej për mirëmbajtjen e banesës me përjashtim që çdo vit kur shkonim në pushim , bashkëshortja ime Fexha, së bashku me fieraket Erin dhe Bonen , puna e parë që e kishin ishte pastrimi gjeneral i banesës në kohën kur Baca Adem, së bashku me fëmijët tanë, Shkëmbin dhe Blinin e që i quante ushtarët e mijë bënin plane për rikthimin e lavdisë dhe krenarisë shqiptare si dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Shkëmbi dhe Blini e quanin Bacën gjeneral dhe ishte krijuar një situatë përkundër të gjitha rregullave ushtarake; një gjenearl kishte një ushtri me vetëm dy ushtarë! Në çdo mbrëmje në Hotelin Iliria të Arben Hitos mblidheshim me Bacën, ku vishin edhe pushues tjerë nga Kosova si dhe viset tjera shqiptare duke u marrë me punët e krejt botës, sikur dikur Klubi i Bukureshtit, Manastirit etj.
Qytetarët e Sarandës u mësuan me Bacën, e respektonin ate dhe, pas një kohe e propozuan për Qytetar Nderi të Sarandës e që për shkak të injorancës politike u vonua për një kohë. Për ta ilustruar këtë, mjafton të theksohet se një ditë para se Baca Adem të shpallej Qytetar Nderi i Sarandës u nisëm nga Prishtina dhe të nesërmen, së paku 1 orë kemi pritur në korridorin e Bashkisë së Sarandës deri sa na kanë futur brenda. Baca Adem ndjehej sarandiot dhe e donte Sarandën por, me kalimin e kohës dhe për shkak të lodhjes nga rruga e gjatë ishte i interesuar të zhvendosej në Shëngjin apo Velipojë.
Saranda ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e turizmit dhe ngadalë , me kushte dhe me shërbime po bëhet pjesë konkurruese e turizmit botërorë . Ka furnizim pa ndërprerje me energji elektrike , furnizimi me ujë është dukshëm më i mirë dhe që meriton shumë lavdata , me shumë sukses po menaxhohen plehrat prandaj nuk e kemi më erën kundërmuese që ishte disa vjet më heret. Po vazhdon projekti Lungo Mare dhe Saranda nga ky projekt do ta përfitojë një shetitore buzë detit në një gjatësi prej 4 kilometrave. Është paraparë të ndërtohet edhe Aeroporti i Sarandës sikur edhe autoudha që e lidhë me Korçën. Po punohet intensivisht në Rrugën Sarandë – Gjirokastër për të eliminuar Qafën e Muzinës që është e rëndë dhe e rrezikshme për ata që ngasin makina por edhe për udhëtarët. Tani autoudha e re e lidhë Sarandën me Gjirokastrën (kur të përfundojë) do të dali afër Gjirokastrës apo te Ura e Kardhiqit që rrugëtimin Sarandë – Gjirokastër e bënë shumë më të shpejtë, më të këndshëm dhe më të shkurtër.
Isha në Sarandë para 10 ditëve pikërisht në Hotel Ilira, te Beni dhe Mira që e kemi familje të dytë në Sarandë. Më habiti se kishte shumë vetura me regjistrim të Serbisë, shumë familje në Hotel dhe se trajtimi i tyre ishte thuaja më i mirë se që iu bëhej shqiptarëve nga Kosova. Më parë kur Greqia i mbylli kufijtë për Maqedoninë e Veriut, shumë pushues maqedonas, në pamundësi të shkuarjes tjetërkund për pushime, e pushtuan Sarandën dhe Ksamilin. Shtetasit e Shqipërisë që merren me turizëm në Shqipëri disi si lehtë i kalojnë vuajtjet që Kosovës dhe shqiptarëve iu kanë shkaktuar Serbia dhe klasa politike e Serbisë që aktualisht e udhëheq Serbinë. Investimi strategjik i turizmit të Shqipërisë në pushues të zorit (nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut) në planin afatgjatë do të dali i dështuar. Nëse nesër Mali i Zi do i hapë kufijtë për pushuesit nga Serbia dhe Greqia do të ofrojë kushte të volitshme për pushuesit nga Maqedonia e Veriut, pjesa dërrmuese e këtyre pushuesve nga këto shtete do ta braktisin Shqipërinë e që shqiptarët nga Kosova dhe viset tjera shqiptare nuk do e bëjnë. Prandaj duhet të jenë shumë më të kujdesshëm me turistët nga Kosova aq më parë që Serbia edhe më tutje, me të gjitha mjetet po përpiqet ta shkatërrojë Kosovën. Një numër i pushuesve nga Serbia në Shqipëri ende jetojnë dhe sillen sikur në të kaluaren. Më bëri shumë përshtypje që në Hotelin ku isha, një çift i moshuar nga Kosova, kur flsinin me pushues nga Serbia, mbase nga rikthimi i nostalgjisë jugosllave vetëm sa nuk përjetuan orgazëm të pleqërisë. E pështirë dhe e paskrupullt aq më parë që serbët as që ua varnin fare! m’u kujtua një thënie: “po e pranove robërinë, si rob do të përfundosh…”. Madje, në një restoran që udhëhiqej nga një kosovar, menyja ushqimore në gjuhën shqipe e kishte… peqenje që është 100% në gjuhën serbe!
Arben Hito më tregoi një libër që Baca Adem ia kishte dhuruar në vitin 2007, duke e nënshkruar . Gjithashtu, Beni më tregoi se një grup qytetarësh sarandiotë kanë propozuar që në Sarandë të ngrihen përmendoret e Bacës Adem Demaçi dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari por se injoranca e politikës është treguar e shurdhër dhe mospërfillëse. Mirëpo sot lexova se pikërisht kjo injorancë politike, materialisht dhe mendërsiht e korruptuar e paska vendosur në Sarandë bustin e Behgjet Pacollit njeriu që mbase as që e di saktësisht ku është Saranda. I vetmi kontribut i Behgjet Pacollit për Sarandën është se kohë më parë, duke qëndruar në Plazhin Mbretëror në Milloqer të Malit të Zi, duke u pëshurrur në ujët e Detit Adriatik ka kontribuar që uji në Sarandë ,në Detin Jon të mos kontaminohet. Politika shqiptare, si në Kosovë e veçanërisht në Shqipëri kanë dëshmuar se është politikë leshko që afirmon ata që kanë punuar jo për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarinë por kanë punuar kundër intereseve shtetërore e kombëtare e që gjatë rrugëtimit të tyre kanë bërë edhe krime duke vrarë apo ndihmuar në eliminimin e figurave të shquara kombëtare. Sipas këtij parimi Baca Adem Demaçi u pamundësua të bëhej president i Kosovës apo të ketë ndonjë post të rëndësishëm politik pikërisht nga ata që është dashur ta përkrahin, pa kushte dhe pa asnjë rezervë e që nuk e bënë për ta zëvendësur me të kundërtën e Bacës Adem në çdo pikëpamje; njerëzore, kombëtare, politike, morale dhe gatishmërinë për sakrificë, deri në vetëmohim dhe vetflijim, e zëvendësuan me Behgjet Pacollin që, përveç se i korruptoi politikanët e atëhershëm të Kosovës, nuk e ka asnjë meritë, qoftë në planin politik, si përKosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Të flasësh për kontributin kombëtar të Gjat Macollit, paraqet vepër të rëndë penale dhe moralisht është e pashlyeshme. Tash, injorantët, grykësit dhe llaskucët kronikë të një pjese të politikës shqiptare në Shqipëri, për së gjalli , pa bërë asnjë vepër për kombin dhe shtetin ia ngrejnë një bust në Sarandë. Duket se në Sarandë po rikthehet mendësia e vlerësimit të personaliteteve në bazë të asaj se sa kanë punuar kundër intereseve të kombit dhe të shtetit. Rasti i këtij busti në Sarandë na kthen në kohën kur në Sarandë ishte mbizotëruese mendësia dhe disponimi progrek. Tani e kemi një mendësi dhe disponim proserb prandaj ky bust fort mirë mirë i përshtatet këtyre rrethanave. Në Sarandë nuk ka vend për Bacën Adem Demaçi dhe Komandantin Legjendar Adem Jashari. As edhe për një bust të vogël. Sikur që nuk ka vend as në Prishtinë. Marre dhe krim!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA Prishtinë 30 gusht 2020
Postime të Lidhura
JUSUF THACI: VETËMASHRIMET RRËNUESE TË SHQIPTARËVE (2)
Prishtinë, 7 qershor 2018: 2. Vetëmashtrimi për trimërinë e guximin tonë Pasi në pjesën e parë të këtij…
BEHIDE HASANAJ: ‘DËSHIROJ SHUMË QË, TË GJITHË, TA DUAM DHE TA RESPEKTOJMË NJËRI-TJETRIN’
Tiranë, 26 prill 2017: (Bisedë me atdhetaren dhe veprimtaren e njohur për të drejtat e njeriut, Behide Hasanaj.…
ARIF EJUPI: DUKE MOHUAR VETVETEN NUK FITOJMË SIMPATINË TEK TË TJERËT
Zhenevë, 09. 10. 2015: Javën që shkoi gazeta “Express” e Prishtinës ka publikuar një videokasetë me pamje nga…
Albin dhe Vjosa, kujdes! Mbani premtimet!
Albin dhe Vjosa, kujdes! Mbani premtimet! Nga Skënder Kapiti, Durrës – 13 Korrik 2021 Albin dhe Vjosa, së…