REXHEM KASUMAJ: KËNGA E MUNGUAR DHE ORË QË S’I MUNGOI VUAJTJA!

Berlin, 30 tetor 2018:
“Kosovë,
as e vajtuar
as e kënduar…”
Kështu vjershëronte poeti serb (M. B.) dhe i qante zemra që s’arriti t’a këndonte kurrë tokën e huaj.
Historia e pushtimeve dhe miteve të shpifura, s’do të prodhonte dot përhershmërinë e ëndërruar…Kur shteti i tij kishte sundimin, i mungonte populli, ndërkohë që së fundmi, i zbritur nga qielli ku mërgoi sipër krahësh pa flatra, do mbetej pa asnjë prej tyre.

Po shqiptarët?
Njëqind vjet s’patën lirinë, por kishin Dhéun amnor dhe njeriun që banonte aty bashkë me zotat e lashtë. Ndërkaq tani, në ag mijëvjeçari, ndryshe nga serbi, në dorën e vet hekurash të lodhur, ka të dyja bashkë: edhe të bekuarën, pavarësinë edhe provën e gjallë etnike për autoktoninë…
Por si do të vargnojë poeti shqiptar?
A do të këndojë, apo ndoshta ende do trishtet e ankojë:
Kosovë, edhepse e jona
njëj vule të praruar
nga bijtë e tu shkelur
ende e pa-gëzuar..!

Dhe ashtu, mot pas moti, ata presin këngën e munguar.
Veçse pritja e tillë, e gjatë dhe përulëse, është mëkatare…Si vetë ftyra e robnísë!
__________________
Berlin, fundtetor 2018
Orë që s’i mungoi vuajtja…

Ndërsa një mbrëmje të rubintë fundvere sodisja n’vetmi sheshin e Prishtinës, mendoja: ja, i miri, qyteti im. Jam sërish n’prehnajën e tij…Kafenetë, stolat, rruginat anësore, gjethurinë e parë vjeshte mbi to, kalldrëmi që dikur e kishin shkallmuar tanket, e tani gazmojnë fëmijë fluturakë, njatjetimet, buzëqeshjet e takimeve të befta, blirët dëshmitarë..
Ç’mrekulli, thashë. Të jetosh stinët e tyre. Kujtesën e gurnajës. Aromën e natyrës kur vdes…Aty. Përherë. Pa ndërhyrjen e degdisjes që, mbase, vetëm Mendje e epërme mund të ketë shpjegim…
Dhe çasti, më i shkurtër se fshâmja, formën e revoltës të merrte desh. Por, jo. Sa shpesh ngjizet thellë dhe, posa jep shenjat e shpërthimit të bukur, të zjarrtë, shuhet sakaq në votrën e errtë. Në hínin e saj pa prush. Pa fjollë tymi që pjalmin e jetës fton…
Sepse, ashtu si kthimi nga vdekja, kjo është e pamundur. Është një prerje e thellë kohësh që ka thinjat në mes…A nuk thoshte dhe Nabokov, se ata që kanë humbur njëherë atdheun, s’mund ta gjejnë kurrë më atë?..Në gjurmë të tij, si për t’i prehur bashkëvuajtësit e arratiakut hebre, Zarathustra flet: “O zemër e lashtë, po t’ndodh një fatkeqësi. Pranoje si fatin tënd dhe kënaqu me të.”
Mirëpo e shumta, vetëm ca vargje mbeten si flamur i shkrumuar betejash mes dy brigjesh të largëta.
***
Kafené “grill Nani”
viti 90-të,
“grill Nani” sërish
tani mot i 10-të
milenium i ri.
Dhe midis tyre
dashuria që ikën
e dhimbja që kthehet
si zonjë e thinjur
n’shtëpi.
*
**
Ndaj dhe, çasti nuk kje aspak ligështi. Pulsim i prorshëm malli. Kurth i tij mashtrues. Është pesha e pelintë e një tëhuajsimi të dyfishtë: i huaj, atje ku as ajri s’t’kupton përtej malesh të Bohemisë e, poaq, i huaj në Dhélindje ku zë në thua dhe në pragun e shtëpisë.
R. K.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura