PËRPARIM DEMI: SI DHE PSE NDODH ABUZIMI ZGJEDHOR?!

Bukuresht, 12 Maj 2017: Flasim, kritikojmë, përflasim, sugjerojmë, shpallim dhe deklarojmë, nga njëherë dhe shfryjmë, fyejmë, ofendojmë ata që nuk bien dakord me ne, ose që nuk i përkasin grupit të interesave që ne mbrojmë. Jemi të influencuar dhe në të njëjtën kohë kërkojmë të influencojmë të tjerët – me ç’të drejtë?
Interneti, facebooku, portalet, media elektronike, kanë krijuar kushte për një komunikim pa kufij, për një pjesmarrje virtuale në problemet shoqërore. Secili ka të drejtën e mendimit dhe të opinionit, por ajo që shpesh shfaqet si fenomen është imponimi i tyre, insistimi mbi të “vërtetën” e diskutueshme, ku subjektivizmi shpesh bëhet agresiv. Kufiri midis lirisë së shprehjes së opinionit dhe “agresionit” verbal ndaj oponentit është shpesh i pa përcaktuar dhe i diskutueshëm. Ligjet janë evazive në këtë drejtim. Opinioni sigurisht që është i mbarsur me subjektivizëm dhe këtë duhet ta ketë parasysh kushdo që merr pjesë në një diskutim publik, pavarësisht nga fusha për të cilën bëhet fjalë.
Opinioni kur është original dhe jo i huazuar, formohet normalisht në mënyrë graduale, gjatë edukimit të njeriut, në familje apo shoqëri nëpërmjet kontakteve, gjatë formimit kulturor, nga literatura e konsumuar apo medja e ndjekur (televizive dhe e shkruar) për një kohë të gjatë.
Mbi këtë bazë njeriu i edukuar formon bindjet e tij të cilat dhe e orientojnë atë në aktivitetin e tij të përditëshëm. Opinioni nuk është diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë, por meqë ka të bëjë me mendimin, gjykimin e njeriut që ushqehet nga informacioni i gjërë i disponueshëm sot ngado, shpesh dhe kontradiktor, ai evolon, ndryshon, nganjëherë dhe në kahje të kundërt. Kush ka një opinion personal, bindje të qëndrueshme, origjinale, të pa influencuara, të pa ndikuara nga mjedisi, bëhet një votues i lirë dhe mund të kotribojë pozitivisht në një shoqëri të hapur demokratike, pasi ka motiv të marrë një vendim të drejt dhe korrekt sipas tij.

Konstatojmë në jetën e përditëshme se ka shumë njerëz, të cilët për arsye të ndryshme nuk arrijnë të formojnë një opinion personal, atëhere preferojnë të mos marrin pjesë në diskutim (bëhen shoqërisht indiferentë), ose huazojnë, adoptojnë opinionin e bashkëbiseduesit tek i cili kanë besim, ose të cilin e vlerësojnë dhe e respektojnë apriori pa e gjykuar dhe pa verifikuar saktësinë dhe drejtësinë e mendimit që ai i transmeton. Këta, ndodh të bëhen aktivë në shoqëri dhe nganjëherë ndikojnë me tifozllëk të pa justifikuar, duke shpërndarë idetë e të tjerëve. Në këto raste gabojnë pa vetdije, në mënyrë të pa qëllimshme dhe pa dashur të përfitojnë ndonjëgjë. Megjithatë ata do jenë përherë vulnerabil dhe mund të përdoren nga forca të ndryshme politike gjatë fushatave të zgjedhjes.
Variantin më negativ e gjejmë tek ata që s’kanë kurfarë opinioni apo bindje personale dhe bile as që duan të formojnë një diçka të tillë, nuk u intereson fare kjo. Ata kanë interesa dhe objektiva pragmatike, prandaj orientohen nga slloganet e grupit të interesave apo partive ku bëjnë pjesë, marrin përsipër të bëhen agjitatorë vullnetarë apo me pagesë, për të influencuar rezultatin e zgjedhjeve në favorin e tyre, duke pretenduar më vonë përfitime të ndryshme sociale, apo ekonomike. Duke qënë se të tillë partizanë partish i gjejmë në të gjitha formacionet politike pjesmarrëse në zgjedhje, mes tyre zhvillohet një polemikë pa principe, e mbarsur me shantazhe verbale…etj. Për ta nocioni i zgjedhjeve të lira është i huaj, i pa kuptueshëm, i parëndësishëm, bile në raste të veçanta i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Ata nuk do i pranojnë kurrë rezultatet e zgjedhjeve, nëse nuk janë në favorin e tyre, do bëjnë gjithçka për ti influencuar dhe për ti ndryshuar. Nuk pranojnë humbjen sado e thellë qoftë kjo dhe janë gati të ushtrojnë dhunë të formave të ndryshme për ti përmbysur rezultatet. Nuk do të ndaleshin as para një destabilizimi total me pasoja të rënda për vëndin, për të cilin “përgjërohen” publikisht.
Fatkeqësisht kjo kategori tepër aktive njerëzish është imponuese në këtë periudhë. Ajo krijon një klimë dhune dhe agresiviteti për të demoralizuar dhe frikësuar oponentët e tyre. Shkelin ligjet pa asnjë problem dhe pa iu vrarë ndërgjegjia fare (po të kenë diçka të tillë). Përdorin çdo mjet që mund tu sigurojë suksesin dhe siç kemi parë dhe dëgjuar në zgjedhjet e mëparëshme, blejnë dhe vjedhin votat sa të mundin. Këta janë rreziku kryesor për demokracinë, janë regresi dhe bllokuesi i progresit, janë e kaluara jonë e hidhur, e rikthyer me fytyrë (maskë) të re.
Përballë kësaj të keqe s’ka force tjetër përveç popullit liridashës, pjesës progresiste të tij, që ka mbetur akoma në vend. Mobilizimi mbarë popullor kërkon angazhim të njerëzve të lirë me bindje të shëndosha, patriotëve, të cilët vullnetarisht do sakrifikojnë për një qëllim të lartë, përtej interesit të tyre personal.
Bukuresht, 12 Maj 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura