BEHXHET SHALA BAJGORA: VETËVENDOSJE, PARTIA FITUESE E ZGJEDHJEVE TË 11 QERSHORIT!

Pashtriku.org, 14 qershor 2017: (A ka dallim midis “ fitores “ së Pirros dhe asaj morale) – Zgjedhjet e parakohshme përfunduan si është më së miri nëse i referohemi mbarëvajtjes së tyre. Rezultatet ishin befasuese për dikend por të pritshme për ata të politikës reale . U formuan koalicione parazgjedhore midis LDK , AKR dhe Alternativës e që e imponoi , si masë mbrojtëse Koalicionin PAN ndonëse këto subjekte kishin një marrëveshje paraprake për koalicion paszgjedhor . Populli thotë se ; “ kush ngutet p….tet “ gjë që u vërtetua në këto zgjedhje. Vetëvendosje nuk pranoi koalicion parazgjedhor dhe fitoi më së shumti vota duke u bërë partia fituese. Para zgjedhjeve , në një intervistë me Epokën e Re kam thënë se PAN i fiton zgjedhjet por se do ta ketë vështirë të formojë qeverinë. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Blerim Reka po në të njëjtën gazetë. Nuk kam paraparë rënie të madhe të LDK-së ndërsa kam menduar se Vetëvendosje mund të fitojë 21% të votave e që ka dalë se nuk kam qenë i saktë sa duhet . Kam thënë se koalicionin për formimin e qeverisë , në mungesë të konsensusit vendorë , do ta formojnë ndërkombëtarët sipas nevojave për shtyrjen e projekteve të tyre politike. Tash, pas bërjes publike të rezultateve preliminare të KQZ –së dhe pas rezultateve preliminare të DnV , të cilës i besoj se kanë profesionalizëm që të mos i huqin rezultatet e zgjedhjeve dhe që doli të jetë ashtu, jam edhe më i bindur se ndërkombëtarët do të jenë ndrikulla e lindjes së qeverisë së re të Kosovës dhe se nuk do të lejojnë bllokime dhe vonesa të mëdha në procesin e krijimit të institucioneve paszgjedhore . Nuk do të përsëritet rasti i Maqedonisë sepse Kosova nuk e ka Zaevin të cilin e promovuan , e përkrahën dhe e bënë kryeministër pikërisht ndërkombëtarët . Pas betejës ( zgjedhjeve ) të gjithë bëhen gjeneralë dhe parashikues dhe askush nuk i pranon dështimet. Të gjithë bëjnë komente se kush humbi dhe kush fitoi duke u mbështetur në intereset e çastit. Po , vërtetë , kush humbi dhe kush fitoi në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 ?
1. Koalicioni PAN , po të bënte koalicion pas zgjedhjeve do t’i kishte 50 -53 mandate. PDK humbi për faktin se kryetari Veseli hoqi dorë , në rrethana të paqarta postin e kryeministrit të cilin ia dorëzoi Ramushit, sigurisht për ta ruajtur koalicionin . Bëri edhe shumë sakrifica tjera duke larguar shumë anëtarë të PDK që ishin hambarë i votave. Bëri veprime që i kushtojnë partisë tash por që i ndihmojnë në të ardhmën. Fushatën e kishte të balancuar dhe në asnjë rast nuk përdori gjuhë të urrejtjes apo kërcënim , si mjet për qëllime politike dhe elektorale. Tash e ka provën e radhës, a do të punojë për të ardhmën a do të bëje përpjekje që me çdo kusht ta formojë qeverinë e që do të ishte gabim i madh. Po të isha në vend të z. Veseli , manjëherë pasi do ta fitoja të drejtën për formimin e qeverisë e që do ta bëjë Ramushi , vullnetarisht do t’ia lëshoja rrugën partisë së dytë , Vetëvendosjes apo koalicionit të dytë për ta formuar qeverinë. Në kjëtë mënyrë do të kishte kohë ta kthjellë partinë dhe do të kursehej nga marrja e vendimave të mëdha siç janë Demarkacioni , Asociacioni , bisedimet me Serbinë , Gjykata Speciale dhe të tjera të cilat do t’i mbesnin opozitës e cila dëshiron të bëhet pozitë! Në planin afatgjatë dalja në opozitë e PDK do t’i ndihmonte shumë si parti kurse përpjekja që ta bëjë një qeveri me deputetë të blerë , të kontrabanduar dhe me pakica armiqësisht të disponuara ndaj Kosovë vetëm sa do ta degradojë këtë parti . Është në duar dhe vullnetin e z. Veseli dhe organeve drejtuese të partisë të marrin vendimin e duhur , me rëndësi strategjike .
2. Vetëvendosje është forcuar shumë me vota në kohën më të vështirë dhe më të rëndë për këtë parti . Në shtetet normale , me një demokraci të përparuar , elektorat që voton në bazë të programeve e jo në bazë të inercionit , inatit , përjashtimit , fitorja e Vetëvendosjes do të ishte monumentale dhe e vlerësuar si interes strategjik për vendin . Në rrethanat aktuale kur Vetëvendosje tërë aktivitetin opozitar dhe politik e ka ndërtuar në kundërshtim të Pakos kriminale të Ahtisarit , kundër Demarkacionit dhe Asociacionit ( Zajednicës ) së komunave serbe , kundër formatit të tillë të bisedimeve me Serbinë , që kërkon rishqyrtimin e marrëveshjeve të Brukselit , kundër Gjykatës Speciale atëherë , edhe nëse e merr qeverisjen e vendit sigurisht se mandatin do ta ketë jo të plotë sepse , të gjitha këto procese llogariten si investim kapital dhe strategjik i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe rajon e cila , në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që ato të rrezikohen pavarësisht sa do ta dëmtojnë Kosovën. Demarkacioni me Malin e Zi nuk do të ndryshojë sikur që as Asociacioni që do të formohet në bazë të marrëveshjeve në Bruksel . Bisedimet me Serbinë nuk do të ndalen sikur që nuk mund të pengohet puna e Gjykatës Speciale . Këto nuk janë “ merita “ të Vetëvendosjes dhe pse kjo parti duhet ta paguaj faturën e të tjerëve ?! Fitorja e Vetvendosjes është investim në të ardhmën dhe jo diçka e çastit . Nëse bënë koalicion me LAA , Vetëvendosje do të hasë në bllokadë qeveritare sepse LDK , AKR dhe Alternativa i përkrahin këto procese që fuqishëm kundërshtohen nga Vetëvendosje . Nëse Vetëvendosje i nënshtrohet presioneve apo pajtohet me ndryshime kozmetike të këtyre proceseve , do ta pësonte keq në zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme , kurdo që do të mbahen ato. Ndërkombëtarët janë shumë të qartë për këtë. Ju kujtohet deklarata e ambasadorit Delavi menjëherë pasi u votua për rrëzimin e qeverisë Mustafa, se SHBA përkrahin vendimin e Kuvendit të Kosovës por se duhet ta kenë të qartë se detyra e parë pas formimit të qeverisë së Kosovës do të jetë ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi. Kjo është mina e parë që Vetëvendosjen e vë në sprovë të madhe , mbase të papërballueshme ! Vetëvendosje është në situatë sikur kur dikush i ka 100 milionë euro në bankë të bllokuara e që nuk mund t’i përdorë shkaku se nuk mund ta formojë qeverinë sipas programit por se , nëse dëshiron të qeverisë do të detyrohet të pranojë kushtëzime , edhe nga vendorët sikur më shumë nga ndërkkombëtarët kurse kushtëzimet më të mëdha do t’ ketë nga Lista Serbe . E vetme nuk mund ta formojë qeverinë ndërsa në grup ( koalicion ) duhet t’i nënshtrohet rregullave të grupit ! Ose ka diçka tjetër që unë nuk e kuptoj ose nuk kam informata të mjaftueshme. Do të ishte mirë të provohemi edhe me qeverisjen e Vetëvendosjes . Nëse në këto rrethana dhe në këto kushte kur nuk flitet për përmirësimin e jetës së qytetarit të Kosovës por për realizimin e projekteve politike me të cilat na kushtëzon bashkësia ndërkombëtare , Vetëvendosje do të qeverisë vendin në rrethana të kushtëzimit të madh ,atëherë kjo parti do të humbte më së shumti. Jam i sigurt se presidenti Hashim Thaçi , nëse PAN nuk do t’i bënte numrat për formimin e qeverisë së Kosovës , pa sanjë hezitim do t’ia kalonte shtafetën për formimin e qeverisë atyre që i kanë numrat , Vetëvendosjes me partnerë të saj !
3. Duket paradoksale por LDK –në , nëse llogaritet interesi momental është fituese e cila ka fituar më së shumti prej partive shqiptare. Nuk ka humbur shumë vota përkundër fraksionit të fuqishëm të së paku 10 deputetëve të LDK që , në fakt ishin fajtorët kryesorë të rrëzimit të qeverisë Mustafa. Opozita dhe PDK nuk e rrëzuan Isa Mustafën por vetëm e ekzekutuan aktgjykimin e 10 a më shumë deputetëve të LDK të cilët që nga fiilimi i mandatit qeverisës i futën spica në rrotët e makinës qeverisëse të Isa Mustafës. LDK nuk ka humbur shumë vota dhe është bërë faktor përcaktues për formim in e një qeverie që do të kishte kredibilitet kombëtarë sepse qeveria me deputetë të kontrabanduar dhe pakica ësht e paqëndrueshme moralisht dhe politikisht , e lëndueshme 24 orë dhe skajshmërisht shantazhuese . Kështu , as PAN e as Vetëvendosje nuk mund të qeverisin pa LDK-në. Po të jetë këmbëngulëse LDK , lahtësisht do ta fitonte përsëri postin e kryeministrit. Prandaj po them se Kosova është bërë vend i shantazheve ku antivlerat shndërrohen në vlera pasi përdoren si mjet për ruajtje apo marrje të pushtetit !
4. Fituesi më i madh është Lista Serbe e cila është arsye për brengosje të madhe . Nuk është rastësi që Serbia investoi aq shumë në fitoren e një mekanizmi pengues siç është kjo listë shoviniste që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe haptas deklarohet kundër Kosovës. U ndërmorrën të gjitha masat e shtetit serb të eliminohen serbët lojalë ndaj Kosovës sikur u sollën shumë serbë të dyshimtë ta votojnë Listen Serbe . Tash , kjo listë është pengesa më e madhe dhe përcaktuese për proceset e rëndësishme për Kosovën dhe e ka shumëfishuar kapacitetin shantazhues që përmbajtësisht do ta dëmtojë Kosovën duke e legalizuar praninë e Serbisë në Kosovë. Nuk paraqet rrezik për Kosovën Vetëvendosje , LAA dhe PAN sikur edhe pakicat tjera por rrezik i madh mbetet ky satelit i Serbisë në Kosovë!
Për fund , nuk më pengon asnjëri që qeverisë në Kosovë nëse punon për vendin dhe qytetarët e saj , qoftë ai Ramushi , Albini , Dulla apo Gjeti por më pengon se është krijuar një rrethanë shantazhuese ku secili kujdeset për veten dhe se Kosovën e konsideron të madhe për aq sa e ka perimetrin e prapanicës! Nëse udhëheq Albini nuk bëhet kijameti sikur që nuk do të bëhet kijameti nëse udhëheq edhe Ramushi. Është e pamoralshme të thuhet se nuk duhet të udhëheqin këta të luftës në kohën kur Fadil Hoxha ka qenë 50 vjet në pushtet , ka bërë krime ndaj shqiptarëve kurse sot po respektohet duke i ngritur përmendore nga një aventuriere politike në kohën kur mungon Legjendari Adem Jashari në Prishtinë. Vetëvendosje mund ta bëjë kalimin e kthesës nëse hynë me kujdes por nëse hynë me shpejtësi aq të madhe sikur deri më tani , daljen nga rruga e ka të sigurt ! Jam i sigurt se menjëherë pasi të bëhet certifikimi i rezultateve , qeverinë do ta formojnë pronarët e vërtetë të proceseve në Kosovë , në përputhje me intereset që i kanë prandaj mos u ngutni të deklaroheni se do ta merrni një post që e gjakoni , vetëm në saje të dëshirës apo votave që i keni. Nuk është hera e parë që keni fituar votat por e keni humbur luftën me Arbërinë! Aty certifikohen rezultatet , aty formohen koalicionet , aty formohet qeveria dhe aty mund ta thyeni qafën politike dhe partiake. Nëse nuk është ashtu , kërkoj shumë falje sepse nuk jam i pagabueshëm por kam komoditet të flasë i liruar nga çdo synim për t’ë fituar ndonjë post . Të presim dhe të mos ngutemi nëse nuk duam që vazhdimisht të p….temi!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, 14 qershor 2017 Prishtinë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura