KMDLNj: A DO TË NDODHË  SHTEGTIMI I MADH“ PAS 1 JANARIT 2024?

KMDLNj: A DO TË NDODHË  SHTEGTIMI I MADH“ PAS 1 JANARIT 2024?

Qytetarët e Kosovës një kohë të gjatë kanë pritur liberalizimin e vizave në mënyrë që të kenë të drejtë të lëvizin lirisht në vendet ku vlenë regjimi i vizave. Në ndërkohë, për të siguruar një vizë janë gjetur si kanë mundur, madje edhe duke paguar para për caktimin e parakohshëm të terminit për intervistim e jo në pak raste kanë paguar para të majme për të siguruar një vizë hyrëse. Qytetarët e Kosovës ishin dhe janë të vetmit në Europë që, për shkak të kushtëzimeve politike të mosnormalizimit të marëdhënieve me Serbinë, deri më 1 janar 2024 do të mbahen në “arrest shtëpiak“, pa të drejtë lëvizjeje. Megjithatë, përkundër të gjitha këtyre pengesave, asnjëherë nuk ka qenë më i madh numri i qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën sikur që po ndodhë tani. Më herët arsye për largim nga Kosova ishte gjendja e rënduar ekonomike ndërsa tani Kosovën po e lënë edhe ata me gjendje të mirë materiale. Gjendja ekonomike aspak nuk është përmirësuar në Kosovë madje, krahasuar me rritjen e inflacionit e që është mbi 4.2%, mund të thuhet se kemi përkeqësim për faktin se Kosova është vendi i vetëm në rajon ku pensionet nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Në vendet e rajonit, brenda 36 muajve kemi rritje të pensioneve së paku në 6-8 herë kurse në Kosovë brenda këtij afati shteti ka intervenuar dy herë duke i dhënë nga 100 euro shtesë. Madje, shteti jo që nuk e trajton Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës si partner social por nuk e përfillë asnjë kërkesë që e bënë shoqata. Përfituesit e skemave sociale nuk janë aspak në gjendje më të mirë, madje nuk i mbulojnë as nevojat elementare. Sakrifikuesit më të mëdhenj që kontribuan për çlirim dhe liri sikur veteranët e UÇK-së, invalidët e luftës dhe të burgosurit politikë janë komunitetet më të margjinalizuara dhe më të shpërfilluar e që nuk mund të thuhet për përndjekësit e tyre. Nuk ka kategori sot në Kosovë, përveç politikanëve dhe përkrahësve të tyre që sigurojnë të ardhura me të cilën mund t’i përmbushin nevojat personale dhe familjare. Nuk mund të gjeni vend në rajon ku nuk ka pasur lëvizje apo intervenim të shtetit për të përballur këtë gjendje të rënduar ekonomike sikur që po ndodhë në Kosovë. Edhe para kohës kur do të liberalizohen vizat po ndjehet një mungesë e punëtorëve sidomos e një profili të kualifikuar të cilët kanë shkuar të punojnë në shtetet perëndimore. Këto shtete në kohën kur po përballen me mungesën e punëtorëve kanë krijuar rrethana lehtësuese për këto profile duke krijuar mungesë të punëtorëve në shtete nga rekrutojnë punëtorë. Në Kosovë, pas 1 janarit 2024 do të ketë mungesë të madhe të punëtorëve vendin e të cilëve po e zënë punëtorë të importuar nga shtetet aziatike apo të Afrikës por të cilët Kosovën e shfrytëzojnë vetëm si një mundësi për t’u larguar në shtetet evropiane.  Nëse e krahasoni çmimin e një shporte familjare me të ardhurat që realizohen atëherë lehtësisht e vëreni se proceset zhvillimore janë të parealizueshme dhe bëhet fjalë vetëm për procese të mbijetesës për ata që mbesin në Kosovë dhe si të largohen nga Kosova për të cilën seriozisht po mendon pjesa më vitale e shoqërisë në Kosovë, rinia e saj. Si po duket qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë plan parandalues për largimin e qytetarëve të saj e që inkurajon ata që janë të luhatshëm nëse të largohen nga Kosova apo jo. Qytetarët e Kosovës, përkundër shpenzimeve të mëdha që po i japin për të siguruar një vizë hyrëse, ata po i ekspozohen edhe rrezikut për jetë nga kontrabandistët me qenie njerëzore që po ua plaçkisin paratë duke i lënë në vende të panjohuar apo dhe po i vrasin sikur që ndodhi me rastin e fundit me një të ri nga Podujeva. Të drejtat e njeriut nuk nënkuptojnë vetëm mosushtrimi i dhunës fizike nga insstitucionet shtetërore por sigurimi i kushteve për shkollim dhe aftësim profesional si parakusht për një vend pune që i garanton çdo të punësuari një jetë që do t’i përmbushë nevojat me punën që e bënë. Kjo në Kosovë nuk ndodhë dhe shteti po ua shkelë në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të drejtat si shkollimi, sigurimi i një vendi të punës, mbrojtja shëndetësore dhe sigurimi shëndetësor, në veçanti. Shifrat që po plasohen në opinion aspak nuk bindin, në të kundërtën pse qytetarët po largohen në numër aq të madh ndërsa pas 1 janarit 2024 paralajmërohet një largim masiv, kryesisht i të rinjve dhe i atyre që janë të kualifikuar. Qytetarët e Kosovës, pambarimisht po bombardohen me lajme dhe informata për rrezik nga lufta duke ikur nga përgjegjësia për gjendjen e krijuar. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një mirëqenie ekonomike dhe sigurim të një ardhmërie e që për momentin nuk e kanë, as të parën e as të dytën. Prandaj ka rrezik që Kosova të zbrazet.

16 tetor 2024 Prishtinë                                  Shërbimi për Informim

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura