BEHXHET Sh.SHALA BAJGORA: PROTESTONI KUNDËR MIGRIMIT, KUNDËR VARFËRISË, KUNDËR PLAÇKITJES DHE KUNDËR MJERIMIT!

Prishtinë, 03. 02. 2015 – (Faktorizimi i hiçit) – Një puro shovinist, deri dje një hiç në skenën politike, Aleksandar Jabllanoviq, arriti t’i mobilizojë shqiptarët në kontekstin negativ deri në atë masë sa ata, jo vetëm u kacafytën njëri me tjetrin pas një fyerje dhe denigrimi që këmbenin politikanët e pozitës dhe opozitës por thuaja përfunduan me një përleshje të përgjakshme midis protestuesve që kërkonin shkarkimin e tij dhe Policisë së Kosovës e cila mbronte institucionet, me Jabllanoviqin brenda! Në një shtet normal apo edhe gjysëmnormal, puna e Jabllanoviqit do të përfundonte, së bashku me anëtarët e kabinetit qeveritar të L.S. që në çastin kur morën pjesë në mbledhjen e qeverisë së Serbisë dhe bënë selfije së bashku me Marko Gjuriqin dhe zyrtarët tjerë serbë! Qeveritë e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës përkundër marëdhënieve vëllazërore dhe miqësore kanë nevojë disa muaj ta përgatisin një mbledhje të përbashkët të qeverive ndërsa Serbia me një qëndrim skajshmërisht armiqësor dhe mohues ndaj Kosovës, kur të dojë i thërret ministrat serbë të Kosovës në mbledhjet e qeverisë së Serbisë dhe haptasi deklaron se ministrat serbë në qeverinë Thaçi 3 dhe Mustafa 1 mund t’i shkarkojë vetëm Beogradi dhe jo edhe Prishtina! Kësi rasti nuk ka në botë! Ministrin Jabllanoviq nuk është dashur ta lejojnë as që të hyjë në zyrë e lëre më të merr pjesë në mbledhjet e qeverisë së Kosovës! Përpjekja për ta marrë në mbrojtje institucionale pas kërkimfaljes se nuk paska pasur informata se në Gjakovë paskan pësuar aq shumë nënat gjakovare për shkak të bombardimeve të NATO-së ishte përsëritje e krimit. Jabllanoviq tërë kohën ka luajtë me ndjenjat tona ndërsa ne, pa menduar fare kemi rënë në kurthin e tij! Disa ambasadorë të huaj si ndër dhëmbë, butësisht e dënonin deklaratën e këtij shovinisti të paemancipuar në ndërkohë që thonin se pa Lista Srbska nuk mbahet qeveria dhe se: ”bëni ç’të bëni por mos i shqetësoni serbët …”. Me kalimin e kohës Jabllanoviq faktorizohej përmes procesit të paprekshmërisë që e imunizonte sikur edhe serbët e tjerë që në Kosovë kanë bërë ç’kanë dashur por që kanë qenë, për shkak të oportunitetit politik mbi ligjin dhe vet ligji! Fyerja e Jabllanoviqit nga opozita por edhe nga disa raste individuale të pozitës është keqpërdorur për përfitime politike, rritjen e adrenalinës folklorike kombëtare, përpjekje për pastrim apo mëshehje të së kaluarës korruptive dhe kriminale sikur që është përdorur edhe si kërcënim për përdorim të brendshëm dhe vardisje për “miqtë ndërkombëtarë“ se pa ne nuk bënë dhe vetëm ne mund ta mbajmë situatën nën kontrollë“! Realisht, fyerja që u është bërë nënave gjakovare dhe nënave të tjera përmes gjuhës prej nepërke të këtij mistreci është pakrahasimisht më e vogël se këta që për vite të tëra e kanë vjedhur Kosovën duke ua marrë perspektiven fëmijëve të këtyre nënave që janë gjallë dhe ua kanë fyer kujtimet për fëmijët e këtyre nënave që janë martirizuar për Kosovën! Jabllanoviqi me gjuhën e tij raciste nuk po i mbushë autobusët për Hungari dhe shtetet e tjera të perëndimit as nuk ka ndikuar në varfërimin dhe papunësinë e të rinjve që po largohen me një shpejtësi të pabesueshme! Jabllanoviqi duhet të largohet dhe do të largohet por a do të kemi përmirësim të situatës së përgjithshme dhe individuale. Absolutisht se jo. Është, por ndoshta edhe nuk duhet të na habisë fakti se në Kuvendin e Kosovës me të gjithë ata patriotë të luftës, së rezistencës paqësore dhe atyre të paqes së pasluftës ku bëjnë pjesë “të zgjedhurit e popullit“, nuk u siguruan as 40 nënshkrime me të cilat do të kërkohej mocion për shkarkimin e Aleksandrit të vogël që bëri sherr të Madh! Prej LDK-së vetëm një deputete e nënshkroi këtë kërkesë për mocion! Nuk po ia përmend emrin por nuk është ajo që dikur ishte shumë e zhurmshme! Ndërkaq, nga radhët e opozitës kishte të tillë që kërkonin shkarkimin e Jabllanoviqit mirëpo, për shkak të partisë nuk e nënshkruan që do të thotë se interesin e partisë e kanë mbi interesin kombëtar dhe shtetëror! Merreni me mend. Kurse, disa që kanë kërkuar shkarkimin e Jabllanoviqit këto ditë më mirë mos ta kishin bërë fare këtë sepse vetëm sa e kanë kompromituar kërkesën e dhjetra mijave protetuesve. Deri dje ishin dora – dorës me Jabllanoviqin duke e lutur të matohej me ta në koalicion kurse sot i dërgojnë ultimatume qeverisë dhe Isa Mustafës për shkarkimin e tij !!

Shumë të paturpshëm që janë sepse mendojnë se mbamendja jonë është sikur e peshkut dhe zgjatë 4-5 minuta dhe mbase nisen nga shembulli personal! Jabllanoviqin e përdorin si bombë emocionale ndërsa Trepçën si bombë materiale! Po e keqpërdorin skajshmërisht masën e krijuar kritike për shkak të gjendjes katastrofale ekonomike – sociale për të përfituar apo për t’u rikthyer në skenën politike. E pandershme është kjo sepse opoziat duhet të bashkëpunojë me pozitën kur është në interes të kombit dhe atdheut sikur që pozita duhet t’i përfillë kërkesat e opozitës kur janë në interes të kombit dhe shtetit! Edhe të parët edhe të dytët i kanë shkërdhyer këto interese duke i shndërruar në interese personale dhe partiake! VV gjithmonë ka protestuar duke shfaqur pakënaqësi për proceset por çka kërkojnë në këtë mes AAK dhe NISMA për Gjakovën, më falni Kosovën?! VV ka të drejtën e pronësisë morale mbi protestat dhe asgjë më tepër! Po a arsyeton kjo ashpërsinë e dhunshme të protestave ku kanë pësuar aq shumë protestues dhe policë të Kosovës që, nesër nëse dikush nga VV do të bëhej udhëheqës do të mbroheshin pikërisht këta policë! Ka qenë një përleshje e dhunshme krejtësisht e panevojshme! Që nga vitet 1989 politika në Kosovë është bërë me improvizime dhe manipulime! Ata që më së paku kanë kontribuar për lirinë e Kosovës janë ngritur nga horrat përfitues të çastit, në piedestalin e të merituarve kombëtarë! Edhe gjatë luftës është përsëritur e njëjta krrokamë, sabotuesit janë konsideruar si çlirimtarë ndërsa çlirimtarët si kriminelë! Pas përfundimit të luftës jemi përballur me një ndryshk të vlerave njerëzore, kombëtare dhe morale. Të paaftit dhe llaskucët kishin zënë vende kompetente ndërsa plaçka ndahej sikur në kohën e gurit. Të fortit i takonte pjesa më e madhe e plaçkës, në para, ari, tenderë dhe mish të gjallë! Në këtë mënyrë e shndërruan Kosovën në një varrezë masive ku ishin varrosur shpresa dhe idealet!
Diçka për Isën
Isa Mustafa deshi të bëhej kryeministër dhe u bë! Nuk e la Ramushin dhe me këtë shpëtoi Ramushi por edhe Hashimi! Realisht, Isa Mustafa nuk e ka një ditë të hajrit si kryeministër sepse, që nga dita e parë i futën spicat në rrotët e qeverisë që po e drejton dhe nuk po e drejton. Më herët e akuzonin për 3% e Fondit ndërsa tani sindikatat po e akuzojnë, pa të drejtë për 25% e Hashimit të fushatës parazgjedhore! Sindikatat e arsimit, pa të drejtë që në ditën e parë të mandatit të Isës si kryeministër nisën grevat ndonëse i kanë rrogat më të larta në rajon. Pastaj edhe ata të shëndetësisë hynë në grevë sikur që kanë paralajmëruar edhe këta të administratës civile dhe një Zot e di se ku do të përfundojë. Edhe Jabllanoviqi erdhi si pika në i dhe Isaja nuk po ka kohë as të frymojë si duhet. E ka problem, mos ta them të pamundur të punjojë sepse e kanë futur në kënd duke e goditur nga të gjitha drejtimet madje edhe me goditje të ulëta nën brez që seriozisht ia rrezikojnë rekuizitet mashkullore. Isa Mustafa u tregua i pavendosur në veprime dhe i pasigurt në marrje të vendimeve. Ndryshe nuk do të lejonte që Donika Kadaj, si “mbrojtëse” e dinjitetit, së bashku me personazhin e rapsodeve të njohura të Gjakovës, tash në cilësinë e “mbrojtësit“ të Trepçës të zbarkonin në zgefellën dhe të manipulonin me minatorët por do të shkonte menjëherë te minatorët dhe do të bisedonte me ta. Me një procedurë të shpejtësisë së dritës do ta shkarkonin Jabllanoviqin dhe do t’i merrte opozitës adutin për organizimin e protestave. Ligjin për Trepçën do ta miratonte ashti siç e kishte paralajmëruar edhe me rrezikun që Lista Srbska të përfundonte atje ku ka lindur, në Beograd! Me opozitën nuk do të komunikonte përmes fejsbukut por në kuvend dhe aty ku do të kërkonte opozita! Do të duhej të dilte para protestuesve, t’u drejtohej atyre e jo ta shndërronte policinë në mish për top e vet të mrizojë nën hije të premtimeve të tjerëve! Lideri duhet të marr përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e tija dhe Isaja nuk e bëri këtë! Në shumë shtete, sidomos të shteteve të transicionit dhe të banana shteteve, qeveritë nuk mbahen se kanë numra por se u duhen të huajve për realizimin e projekteve politike. Për këtë arsye do të mbahet edhe kjo qeveri. Isa Mustafa, si kryeministër nuk mjafton t’u dërgojë porosi atyre që çdo mbrëmje po ikin nga Kosova se: ”kini qëndruar edhe në kohë më të vështira…” por duhet të shkojë te ata në stacion të autobusve, të bisedojë me ata dhe t’u ofrojë jo vetëm shpresë por edhe ardhmëri të sigurt. Kjo qeveri, për aq kohë as pati mundësi, përmes ministrit të financave Avdullah Hoti bëri disa ndërhyrje në buxhet duke përjashtuar shpenzimet për vetura dhe luks tjetër të shfrenuar e të panevojshëm dhe i duhet pak kohë të konsolidohet. Për të demonstruar gjithmonë ka kohë ndërsa në Kosovë janë së paku 1 milionë arsye pse duhet të protestohet por këto protesta nuk duhet të organizohen nga dhunuesit e djeshëm të buxhetit të Kosovës! Pse nuk po organizohen protesta kundër migrimit, plaçkitjes legale që po ua bënë KEDS qytetarëve të Kosovës, varfërisë së skajshme, papunësisë galopante dhe ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës?! Pse duhet të bisedohet me Serbinë pa kushte dhe pa afatizim të bisedimeve?! Pse nuk protestohet kundër mungesës së transparencës në këto bisedime?! Pse nuk protestohet kundër plaçkitjes përmes procesit të privatizimit?! Për pensionet dhe kursimet e plaçkitura nga Serbia?! Dhe për shumë gjëra të tjera ! Si u tjetërsuan dhe u zhdukën mbi 44 hektarë pronë shoqërore në Sofali dhe si u privatizuan tokat shtetërore mbi Veternik, Arbëri dhe pjesët e tjera të Prishtinës dhe qytetet tjera?! Kush janë këta pronarë të rinjë? Këto e kanë shkatërruar Kosovën dhe jo fyerja raciste e Jabllanoviqit! Në fund të fundit, të gjithë kemi informata të bollshme se çka kanë bërë regjimet Serbe në Kosovë dhe trojet shqiptare, që nga themelimi i shtetit serb, deri te Jabllanoviqi. Nuk e kam problemin me Jabllanoviqin e Serbisë por çka t’ju bëjmë jabllanoviqëve tanë që flasin shqip! Me Kushtetutën e Ahtisarit dhe të Kosovës, deputetët e Lista Srbskas nuk mund t’i largojmë nga Kuvendi sepse e kanë forcën e votës por nuk jemi të detyruar t’i bëjmë ministra apo zëvendëskryeministër. Absolutisht jo. Nuk e them se ndaj pakicës duhet t’i tregojmë muskujt por në të njëjtën kohë nënkupton se nuk duhet të lejojmë që Kosovën ta shndërrojmë në Shumadi, Mitrovicën në Kragujevc apo Prishtinën në Beograd. Secili të jetë zot shtëpie në shtëpinë e vet! As më shumë e as më pak!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

GJEOPOLITIKË…

Berlin, qershor 2022 GJEOPOLITIKË… (Mbim dhunën e vizave) Nga Rexhep Kasumaj Kisha lexuar herët mbi gjeopolitikën e Polonisë…