BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: TË PËRMUAJSHMET E OPOZITËS DHE KLIMAKSI POLITIK

Prishtinë, 26. 01. 2016: (Do të rrëzohet qeveria kur t’ju sjellë dada gurabija) – Opozita e bashkuar është e vendosur të shkojë deri në stacionin e fundit por nuk e kanë të qartë se ku është ky stacion për rrëzimin e qeverisë edhe ashtu të rënë për toke. Dikush po kërkon qeveri teknike (mbase për t’u kapur pas një ashti), tjetri zgjedhje të parakohshme me lista të përbashkëta (edhe në këtë rast mbase për një asht të amshuar), njëri kërkon dorëheqje të qeverisë, tjetri anulim të marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë që konsiderohen të dëmshme (unë do të shtoja se janë shumë të dëmshme) dhe kërkesa tjera . Me këto veprime opozita e bashkuar (rreth interesit për pushtet të përbashkuar) po e krijon një situatë që mund t’i hakmerret nëse vjen në pushtet e hiç nuk po besoj se do të ndodhë kjo. Ta zëmë se nesër opozita bëhet pozitë dhe pozita bëhet opozitë. Opozita ( PDK dhe LDK ) nuk do të pajtoheshin me të qenit opozitë prandaj do të rebeloheshin kundër pozitës ( WAN + Lista Srpska + pakicat ) dhe lehtësisht do ta gjenin një arsyetim për ta filluar luftën kundër pozitës duke përdorur skenarët e njëjtë që sot po i përdorë opozita. Opozita (PDK dhe LDK) do të kishin shumë më tepër mundësi ta pengonin pozitën duke bllokuar të gjitha institucionet. Do të kërkonin rrëzimin e qeverisë,

zgjedhje të parakohshme, shpërndarjen e Kuvendit etj. A do të ishte kjo zgjidhje ? Natyrisht se jo. Kosova edhe ashtu ka aq shumë vështirësi dhe bllokimi i institucioneve vetëm sa e ngulfatë më shumë . Bashkësia ndërkombëtare nuk është fare e interesuar të ndërhyjë se po të donte, do të ishte harruar kjo punë. Kjo situatë është dhuratë e artë për Serbinë ndërkaq edhe pozita nuk është se ndahet keq. Humbësi më i madh në këtë mish – mash të shërbimeve të huaja informative është opozita në përgjithësi kurse Lëvizja Vetvendosje në veçanti . Çdo gjë që po ndodhë e ka adresën e përgjegjësisë e kjo është opozita. Jo se po e them unë por kështu po interpretohet . Opozita nuk i ka kërkesat e artikuluara mirë dhe ajo po sillet sikur elefanti në shitoren e qelqurinave. Një pjesë e medieve që kinse po e përkrahë opozitën shquhet për mercenarizmin antologjik sepse i ka ndërruar padronët në baza të interesit. Mos të flasë për shoqërinë civile të servilosur që u shërben të gjithëve , pa përjashtim të përkatësisë politike, etnike , ideologjike apo statusit në shoqëri nëse i gjenë interesat e saja aty. Subjektet politike manipulojnë jashtëzakonisht shumë me analistët kujdestarë të cilët aq shumë angazhohen për “ një qeveri teknike deri në zgjedhje me shpresë se do të gjejnë një vend aty “ por zakonisht mbesin me gishtërinj në gojë dhe një hu të ngulitur në fundshpinë. Opozita e bashkuar nuk është opozitë që ka vizion por ka inate personale dhe grykësi për pushtet . Sikur që edhe pozita e ka të njëjtin qëllim ; të mbetet në pushtet pa menduar se sa shumë e dëmton vendin . Titistë ka edhe në pozitë, edhe në opozitë. Por, orteku i titistëve të heshtur po e pret përfundimin e betejës pozitë – opozitë për ta marrë pushtetin në pjatë, me meny të Serbisë dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Shpresoj të mos ndodhë ky skenar sepse , në atë rast lufta qytetare do të ishte e pashmangshme . Duke i mohuar të tri këto formacione politike dhe parapolitike , për Kosovën do të ishte më i miri variant i katërt , opcioni qytetar që lufton për drejtësi sociale , ekonomike dhe juridike.

Duket se për këtë duhet edhe ca kohë . Kosovës i duhet urgjentisht Ligji për Lustracion i cili do ta bënte spastrimin e politikës kosovare . Ndërkombëtarët po e kundërshtojnë këtë sepse i kanë parasysh rezultatet . Sidomos janë kundër këtij Ligji “ ata që e kanë mizën pas veshi “. Aktualisht Kosova është shtet jofunksional i cili , as nuk është krejtësisht i pavarur kurse sovranitetin mund ta shohë vetëm në ëndërr. Kosova e ndanë pavarësinë me Serbinë sikur edhe sovranitetin . Për fat të keq Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare janë përcaktues së shkallës dhe përqindjes së sovranitetit në Kosovë . Ndërsa , ne ia nxjerrim sytë njëri – tjetrit për hiçgjë e që quhet pushtet të cilin nuk e kemi. Kosova sot funksionon në stilin e familjeve mafioze ku mafia vendore dhe ndërkombëtare bashkëjetojnë për mrekulli. Në këtë udhë qorre që na kanë vënë pozita dhe opozita e sidomos vendimi i Gjykatës Kushtetuese që është shkruar në njërën nga ambasadat dhe dalja po kërkohet në ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Po flitet për një dhunues dhe masakrues të Kushtetutës së Kosovës që quhet Marti Ahtisari dhe të cilin çdo shtet normal as që do ta lejonte të hyjë në vendin ku ka bërë krime të panumërta kushtetuese e lëre më t’i lejonte ta përligjte krimin e bërë. Apo të një proserbi të certifikuar siç është Bildti dhe i cili më me ngulm do t’i mbronte intereset e Serbisë në Kosovë se vet vojvoda Nikoliq , kryetar i Serbisë ! Tereqllëkun dhe mujsharinë e politikanëve, që në jetën e tyre nuk e kanë lexuar një libër të vetme , lehtësisht e zgjidhë dragoi i Dragodanit , nëse vlerëson se nuk ka mbetur rrugë tjetër. Kjo është tragjedia shqiptare në disa akte ( Shqipëri , FYROM , Luginë , Mal të Zi dhe Kosovë ) ku, kur nuk merren vesh në gjuhën shqipe , detyrohen të merren vesh në gjuhën të cilën nuk e kuptojnë as 90 % e politikanëve të ngatërruar fyt a fyt . Pozita nuk po demonstron fleksibilitet përveç zëvendësministrit të Koresë Veriore , z. Barjam Gecaj dhe mashtrueses ordinere znj. Zezditë Fjollë Tahriri . Te ne rëndom përcaktues të vetëdijes dhe ndërgjegjes janë individë të deklasuar moralisht , kombëtarisht , politikisht dhe këtu njerëzorja nuk ka vend. Opozita e bashkuar nuk mund ta rrëzojë qeverinë duke organizuar protesta çdo muaj , pasi t’i kenë marrë pagat e pamerituara . Opozita e bashkuar po mjaftohet të merret me numrin e protestuesve , sjelljen e policisë, reagimin e opinionit sikur edhe po kënaqen duke dalë para medieve elektronike dhe të shkruara . Kjo zgjatë 2-3 ditë dhe pastaj , përsëri nga e para. Opozita po zgjedhë festa kur festohet e jo kur protestohet sepse nuk ka siguri në mobilizimin e masave përkrahëse. Çdo protestë e opozitës ka përfunduar në mënyrë të dhunshme dhe nëse dikush ka kontribuar të mbahet në pushtet kjo pozitë impotente ( e tredhur ) atëherë ky është kontributi kapital i opozitës. Te ne , në një mullar nuk mund të lidhen as dy atllarë e lëre më tre ( Kurti, Haradinaj dhe Limaj dhe një që do të bëhet atllari i katërt , Visar Imeri ) ! Kjo nuk funksionon . Opozita mund të faktorizohet vetëm nëse arrinë që çdo ditë t’i mbledhë 10 – 15,000 protestues dhe ky numër të rritet për çdo ditë. Disi sikur mashtruesi dhe antishqiptari Zaev . Kështu, duke organizuar protesta çdo muaj , kjo qeveri do të jetë me shëndet të plotë një kohë të gjatë !
Problemet anësore që e dëmtojnë opozitën
Opozita po e shpenzon kohën duke e luftuar që Thaçi të mos zgjidhet president ndonëse e ka të qartë se ata nuk mund ta pengojnë zgjidhjen e Thaçit për postin e presidentit . Vetëm ndërkombëtarët mund ta bëjnë këtë e duket se nuk kanë vullnet shkaku se Thaçi është lojtar i duhur për ta . Së paku deri të shkohet në finale të bisedimeve me shtetin çetnik të Serbisë ! Kush i zgjodhi presidentët e Kosovës deri më tani , Sejdiun , Pacollin dhe Jahjagën ?! Ndërkombëtarët . A ishin këta faktorë uniteti ?! Jo që nuk ishin por as nuk e kishin fuqinë e votës . Moralisht , zgjidhja e tyre ishte atentat mbi vullnetin politik dhe votën. Opozita është kapur pas këtyre marrëveshjeve ndërsa lehtësisht ka hequr dorë nga Gjykata Speciale të cilën as që e përmend më . Sikur që , nëse vijnë në pushtet as këto marrëveshje nuk do t’i përmendin . Përjashtuar krahun kombëtar të Lëvizjes Vetëvendosje ! Të rinjtë i besojnë Albinit kurse nuk iu besojnë Ramushit dhe Fatmirit . Fatmiri duhet t’i patrojë llogaritë me drejtësinë nëse donë ta rikthejë besimin. Kështu e ka kotë dhe po shpenzon energji në vend se ta përgatisë mbrojtjen për dëshmimin e pafajësisë . Jakupi duhet ta udhëheqë Nismën deri në epilogun gjyqësorë kundër Fatmirit ! Për Ramushin nuk po kam guxim të shkruaj sepse ; frika është njerëzore . Opozita po e sulmon një të hendikepuar juridik i quajtur Gjykata Kushtetuese . Përjashtuar ndërkombëtarët , të gjithë vendorët , së bashku , nuk e kanë edhe as një ditë të vetme përvojë prej gjyqtari. Në vendet normale , Gjykata Kushtetuese përbëhet prej gjykatësve të cilët i kanë kaluar të gjitha shkallët e gjykatave , kanë përvojë , respekt dhe reputacion . E këta tanët ?! Katastrofë elementare ! Përjashtuar raste që kanp pregatitje teorike por deficit praktik.Gjykatës partiakë, gjykatës jokompetentë prandaj ua shkruajnë vendimet ndërkombëtarët. Merreni me mend, një sekretar i tretë apo mirëmbajtës i kualifikuar , është më kompetent në interpretimin e Kushtetutës së Kosovës se një gjyqtar i GJK ! Sepse, ta bëshë një interpretim të kushtetushmërisë për Bashkësinë e Komunave Serbe , ashtu siç është bërë , ose duhet të jeni injorant i llojit të vet , ose duhet të jeni shumë i ligë ose nuk e doni , as Kosovën e as Serbinë . Dykuptimësia e interpretimit i ka dhënë zjarrë luftës pozitë – opozitë duke i armatosur me fakte idioteske . E tillë është sot Kosova ! Po cili shtet normal në botë do të lejonte që një entitet politik dhe etnik ( serb ) të bëhet kategori kushtetuese duke dëmtuar pakicat tjera e mos të flasim për shumicën , ndërsa ky entitet kushtetues e shpërfillë turpshëm këtë Kushtetutë ? ! Deri këtu kemi mbërri ! Cili shtet në botë do ta lejonte arrogancën e gjyqtarëve ndërkombëtarë që të ndajnë drejtësi në mënyrë selektive dhe kur një i dënuar për krime lufte ( Oliver Ivanoviq i dënuar me nëntë ( 9 ) vite burg ) ta “vuaj” dënimin në shtëpi kurse një Sami Lushtaku të dënohet me 12 vjet burg për vrasjen e N.N., pa varr e pa nishan e ta vuaj burgun duke ia mohuar edhe të drejtën për shërbime shëndetësore . Arrogancë dhe paturpësi e gjyqtarëve mujsharë ndërkombëtarë të cilët nuk e dënojnë krimin por e amnistojnë ate. Rasti se si është dënuar Sami Lushtaku nuk ka edhe një të njëjtë në botë! Rasti se si po trajtohet Oliver Ivanoviq duke vuajtur dënimin prej 9 viteve në shtëpi është rast i paprecedan në botë . Një hajn ordiner , nëse dënohet me më shumë se 5 vite burg , dërgohet në vuajtje të dënimit. Kështu , po del se njëjtë trajtohen me masën e arrestit shtëpiak Pal Lekaj që paska gjuajtur gazin lotsjellës sikur edhe Oliver Ivanoviq që është përgjegjës për vrasjen e 49 shqiptarëve !
Notat e presidentes dhe diplomat e universiteteve
Nga frika se mund të riciklohet si kandidate për presidente , post të cilin nuk e ka merituar dhe nuk e meriton me asgjë, kundër Atifete Jahjagës ka filluar një fushatë diskriminuese. Pas grafitit , Hikmet help me ( më mirë e kupton zonja presidente ) , tash i kanë bërë publike notat e zonjës Jahjaga gjatë shkollimit të mesëm në gjimnazin “ Sami Frashëri “ duke e injoruar se më shumë peshë dhe vlerë intelektuale ka pasur 1 –shi në atë kohë në Sami Frashëri se sot një diplomë universiteti i politikanëve analfabetë !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura