BEHXHET SH.SHALA: LIGJI PËR AMNISTI – FALJE E IMPONUAR APO DISKRIMINIM I POLITIZUAR!?

 Prishtinë, 11. 07. 2013 – (Sot) Më 11 korrik 2013) në Kuvendin e Kosovës për herë të dytë do të bëhen përpjekje të miratohet Projektligji për Amnisti i cili në përpjekjen e parë dështoi të miratohej pasi prej 91 deputetëve që votuan u siguruan vetëm 70 vota për miratim e që nuk mjaftuan sepse duheshin 80 vota.  Republika e Kosovës ka qenë i vetmi shtet në rajon që nuk e ka pasur Ligjin për Amnisti dhe ka qenë kërkesë e vazhdueshme e personave të privuar nga liria si dhe organizatave për të drejtat e njeriut që ky ligj të miratohet. Më 23 shtator 2003 gjatë trazirave në burgun e Dubravës njëra ndër kërkesat kryesore ka qenë pikërisht miratimi i Ligjit për Amnisti. Trazirat janë shtypur dhunshëm dhe për pasojë janë mbytur 5 të dënuar ndërsa lehtë e rëndë kanë pësuar afërsisht 100 të burgosur. Atëherë burgu i Dubravës është udhëhequr nga UNMIK. Me kërkesë të burgosurve ndërmjetësues kanë qenë KMDLNj dhe Institucioni i Avokatit të Popullit. Ndërkombëtarët nuk i përfillën rekomandimet dhe për pasojë kishin krimin kundër personave të privuar nga liria. Pas hetimeve të “pavarura” që i bëri UNMIK-u askush nuk u dënua! Kërkesa e të burgosurve për Ligjin për Amnisti, si kategori kushtetuese vazhduan edhe në kohën kur ministre ishte e ndjera Nekibe Kelmendi. Edhe në këtë rast ndërmjetësues ishte KMDLNj. Edhe në kohën e ish ministrave Jonuz Salihaj dhe Haki Demolli miratimi i Ligjit për Amnisti mbeti kërkesa kryesore e të burgosurve. KMDLNj ishte i pranishëm në të gjitha zhvillimet duke përkrahur kërkesat e të burgosurve dhe duke kontribuar që ata ta ndërpresin grevën.

 

Për hir të informimit objektiv të opinionin duhet të theksohet se kundërshtarët kryesorë e që realisht ishin vendimmarrës për mosmiratimin e Ligjit për Amnisti ishin ndërkombëtarët. Ministrat e mëparshëm premtonin shumë por vendosnin pak! Në vitin 2011 ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuqi në prani të KMDLNj-së në burgun e Dubravës premtoi se Ligji për Amnisti do të bëhet kategori kushtetuese gjatë mandatit të tij pa listuar nenet apo veprat që do të përfitojnë nga ky ligj. Edhe gjatë këtij mandati të burgosurit në burgun e Dubravës por edhe në burgjet tjera kërkuan miratimin e këtij ligji duke bërë disa herë grevë urie. Gjatë tërë kohës KMDLNj ka qenë në rolin e ndërmjetësuesit dhe lehtësuesit duke kontribuar në ndërprerjen e grevës së urisë. Në radhë të parë për të ruajtur shëndetin e të burgosurve ndërsa edhe për shkakun se ka ditur se ligji nuk miratohet si rezultat i presionit që e bënin të burgosurit përmes grevës. Kërkesat e të burgosurve ishin të drejta, të arsyeshme dhe të ligjshme! Ndërsa refuzimi i miratimit të Ligjit për Amnisti ishin të natyrës politike prapa së cilës edhe tash qëndronin ndërkombëtarët! Gjithashtu , duhet të theksohet se nga të gjitha faljet që kanë bërë presidentët e Kosovës (5 falje) kanë përfituar 200 të dënuar e që nënkupton se ky numër është i papërfillshëm nëse kemi parasysh faktin se në Kosovë nuk ka pasur amnisti të përgjithshme për dallim nga shtetet e rajonit.
Amnistia është e drejtë e të dënuarve atyre që janë nën hetime apo objekt i hetimeve. Është e drejtë njerëzore e mohuar deri sot në Kosovë.
Kosova ka nevojë që të ketë një amnisti të përgjithshme për të gjithë të dënuarit , pa dallim dhe pa përjashtim. As në baza etnike e as politike. Projektligji për Amnisti i cili nuk kaloi ishte jashtëzakonisht i keq, i dëmshëm dhe vrasës i shtetit të së drejtës, funksionimit të ligjit dhe demokracisë. Ishte 100% politik. Ishte projektligj kriminal. Për të ardhmen e Kosovës. Ndërkombëtarët e përkrahën fuqishëm si të tillë. Që, kur nuk do ta bënin në vendin e tyre!
Ky projektligj ishte politik sepse ishte derivat i një marrëveshjeje politike në Bruksel midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Është projektligj që i amniston të gjitha krimet nga viti 1999 deri më 20 qershor 2013 për realizimin e një projekti politik.
Nëse ky ligj bëhet për integrimin e Veriut të Kosovës që administrohet nga Serbia dhe se me këtë ligj do të mundësohet integrimi i serbëve të rebeluar atëherë do të duhej të zbatohej vetëm në komunat Mitrovicë, Leposaviq , Zveqan dhe Zubin Potok dhe jo në tërë territorin e Kosovës. Atëherë do të kishte një kuptim se një ligj politik po përdoret për qëllime politike! Edhe Projektligji për Amnisti i “përmirësuar” është variant i sofistikuar i të parit. Ndryshon vetëm nga pamja por jo nga përmbajtja! As nga qëllimi!
Pse Serbia insiston që ky ligj të miratohet pa ndryshime?!
Sepse, në këtë mënyrë lirohet nga përgjegjësia për sponsorizimin e të gjitha krimeve në Veri të Kosovës dhe në pjesët e tjera të Kosovës. E mbyll dosjen e krimit në Kosovë. Të paraluftës, atyre gjatë luftës dhe pasluftës! Dhe e ruan një strukturë paralele të saj tash të legalizuar në Kosovë e cila edhe ashtu nuk do t’i bindet Prishtinës. Në këtë mënyrë i ruan dhe mbron informatorët e saj në Kosovë të gjitha etnive! Serbia definitivisht fiton së bashku me serbët e veriut! Sepse, po falen nga të gjitha krimet!
Pse po fiton bashkësia ndërkombëtare?
Po fiton sepse po e legalizon pranin e Serbisë në Kosovë duke e bërë bashkëpronare e cila vendos për çështjet e brendshme të Kosovës. Po fiton sepse po i mbulon të gjitha allëshverishet që i ka bërë me Serbinë që nga vitin 1999 e deri më sot! Po fiton sepse po i mbyll me shumë sukses të gjitha keqpërdorimet materiale dhe politike që i ka bërë në Kosovë nga viti 1999 deri më sot! Po i mbron hajnitë kolosale gjatë procesit të privatizimit kriminal në Kosovë dhe të fondeve për Kosovën! Po i ruan dhe imunizon të gjithë politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar në Kosovë dhe Serbi që nga viti 1999 deri sot!
Kusht fiton tjetër nga Ligji për Amnisti?!
Fitojnë të gjithë horrat që kanë vrarë pas luftës, që kanë zhvatur buxhetin e Kosovës, që kanë vënë haraç bizneseve dhe qytetarëve dhe që i kanë bërë njëqind të zeza të tjera! Fitojnë biznesmenët kontrabandistë që nuk kanë paguar tatimet e taksat doganore miliona euro e që kanë shkaktuar evazion fiskal. Fitojnë bashkëpunëtorët e Serbisë që janë instaluar në pozita të larta institucionale. Fiton një pjesë e kriminalizuar e shoqërisë civile që ka zhvatur donacione milionëshe duke i keqpërdorur ato të cilët pastaj, ose janë bërë pjesë e politikës ose bashkëjeton me të.
Fitojnë politikanët e kriminalizuar, të pandërgjegjshëm, të papërgjegjshëm dhe ata servilë! Të cilët aksidentalisht mbajnë poste politike dhe qeveritare!
Fitojnë familjet e fuqishme mafioze që kontrollojnë çdo gjë në Kosovë; nga tenderët për asgjësimin e qenve endacakë deri te dhënia e licencave për ofrimin e shërbimeve të shërbyeseve publike nga Moldavia! Prandaj janë jetësisht të interesuar që të miratohet ky ligj!
Pse është ky projektligj i keq dhe i dëmshëm?!
Sepse për këtë po insiston Serbia së bashku me bashkësinë ndërkombëtare pa u pyetur qytetarët e Kosovës.
Sepse është bërë në mënyrë jotransparente, pa debat publik dhe sepse po bëhen përpjekje të miratohet me procedurë super të përshpejtuar!
Sepse e fuqizon dhe e përligj krimin duke e bërë kategori kushtetuese!
Sepse e bënë faljen në mënyrë selektive, prandaj është diskriminues!
Sepse i bënë të pavlefshme prokuroritë dhe gjykatat duke ua shkërdhyer edhe atë punë të vogël që e kanë bërë! Sepse është embrion i një lufte të mundshme qytetare në të ardhmen.
Sepse e forcon ndjenjën e pandëshkueshmërisë e që është mohim i drejtësisë. Dhe varr i demokracisë!
Si do të duhej të bëhej Ligji për Amnisti?
Do të duhej të merreshin shembujt pozitiv nga shtetet e rajonit dhe të botës e që kanë ndikuar në stabilizimin e situatës. Jo vetëm të asaj politike. Të konsultohen akterët e brendshëm dhe të jashtëm që mund të ofrojnë ekspertizë në këtë fushë. Të organizohet debat publik. Të mos bëhet presion te deputetët gjatë votimit për miratimin e tij siç po veprohet tash.
Kush duhet të përfitojë nga Ligji për amnisti?
Meqë Projektligji për Amnisti fal një gamë veprash që nuk i fal asnjë shtet normal dhe madje disa shtete që po bëjnë presion të fuqishëm për miratimin e këtij ligji në shtetet e tyre për disa vepra që janë pjesë e këtij ligji parashohin dënim me burg të përjetshëm apo dënim me vdekje mendoj se as Kosova nuk duhet të bëjë përjashtime!
Prandaj, si dalje nga ky kaos propozoj që nga Ligji për Amnisti të përfitojnë të gjithë të dënuarit me vendim të plotfuqishëm pavarësisht natyrës dhe peshës së veprës me një falje prej 15% të dënimit në mënyrë lineare. Këtu do të përfshiheshin edhe ata që janë dënuar për krime lufte. Këtë e mbrojë me faktin se Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte në Hagë, si autoritet suprem ndërkombëtarë për krime lufte ua fal dënimin edhe të dënuarve për krime shumë të rënda të krimeve kundër njerëzimit! Thuaja asnjë i dënuar për krime lufte në Hagë nuk e vuan dënimin deri në fund. Prandaj, ndërkombëtarët e BE-së nuk duhen të skandalizohen me kërkesën e ministrit Kuçi për faljen e kësaj kategorie të dënuarish sepse Haga është shumë më afër se Prishtina! Ata duhet të skandalizohen me presionet qe po i bëjnë për miratimin e një ligji skajshmërish diskriminues dhe kriminal.
Pastaj, edhe të dënuarit për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore dhe vrasje nuk duhet të përjashtohen nga falja sepse gjykata e shqipton dënimin në bazë të fakteve ndërsa shteti është i detyruar t’i fal ata nëse kanë kaluar programin e risocializimit me sukses. Ndryshe, nëse këto kategori përjashtohen nga falja atyre në ditën kur t’u shqiptohet dënimi duhet t’iu thuhet se nuk kanë të drejtë për falje! Pavarësisht sjelljeve të tyre gjatë vuajtjes së dënimit. Ç’kuptim ka atëherë risocializimi i të dënuarve?! Përfundimisht ky projektligj është i keq dhe skajshmërish i dëmshëm dhe si i tillë nuk duhet të miratohet. Me ndryshime përmbajtësore ky ligj është sa i dobishëm aq është edhe i domosdoshëm!
Mirëpo, me këta deputetë që unë i njoh një numër i tyre aksidentalisht dhe gabimisht kanë hyrë në Kuvend duke menduar se po hyjnë në një bastore apo shtëpi publike, ky projektligj lehtësisht do të bëhet ligj! Aq më parë që kanë kërcënime dhe ultimatum nga “miqtë ndërkombëtarë” dhe Serbia! Pastaj, një numër i tyre thjeshtë lufton dhe voton për të shpëtuar prapanicën e tij! Gjithashtu, me disa deputetë që vetë janë pjesë e krimeve sidomos ekonomike vështirë do të votohet drejtë! Është vështirë t’u besohet deputetëve që në Kuvend apo restorante, në darka, dreka, në të pame, në dasma, në taksi apo te berberi të shurdhojnë duke folur kundër krimit ndërsa në Kuvend palohen si vejushat e Gostivarit! Dhe votojnë për ligjin! Në miratimin e këtij ligji përveç atyre që i përmenda më lartë si humbës do të ketë edhe humbës që do të përballen shumë shpejtë me probleme. Ata do të jenë Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Si të veprohet pas miratimit të ligjit?
Disa janë optimistë se ky ligj nuk do të miratohet. Unë jam optimist se ky ligj do të miratohet. Madje, jam i sigurt. Është një propozim që pas miratimit të ligjit të kërkohet nga presidentja Jahjaga të mos e nënshkruaj këtë ligj. Përpjekje shumë e kotë sepse jam i sigurt se presidentja Jahjaga e ka nënshkruar këtë ligj edhe para se të miratohet ai! Si stacion i fundit dhe shpresë e vetme e ankimit mbetet Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ka probleme në këtë drejtim sepse kam dëgjuar se kryetari i saj, z. Enver Baba-Hasani i ka ndërruar dhëmbët e që nënkupton se nuk e ka forcën e kafshimit si më parë! Qofsha i gabuar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura