BEJTULLAH KRASNIQI: SUICIDI POLITIK I BALI KATRAVELLËS ME SHPATË PREJ SHAVARI!

Prizren, 16. 06. 2014 – Sivjet mbushen 25 vjet nga themelimi i LDK-së. Është e ditur se këtë parti me shumicë e kanë votuar gjeneratat më të moshuara. Tani, shumë prej tyre nuk jetojnë më. Listat zgjedhore në Kosovë çdo vit përtërihen me 40 mijë votues të rinj. Pra, për çdo katër vjet kemi 160 mijë votues të rinj, dhe shumica dërmuese e tyre nuk e votojnë LDK-në. A e ka menduar ndonjëherë këtë fakt Bali Katravella.
Që nga viti 2000 e këtej, në Kosovë janë mbajtur shumë palë zgjedhje. Të gjitha kanë qenë të përfolura si të mangëta e me të meta të konsiderueshme, madje edhe të kontestueshme. Mezi ia dolëm që, ndonëse të parakohshme, zgjedhjet të organizohen aq mirë sa dikush i quajti edhe të përkryera. Se ç’dreq fle në gjirin tonë e që aktivizohet kur më së paku na duhet? Nuk e di. Por e di se prej kur ekzistojnë garat, të çfarëdo natyre qofshin ato, ka kremtuar vetëm fituesi. Edhe në garat e gurapeshës ka festuar fituesi, edhe në garat e qitjes në shenjë, fituesi ka kremtuar, madje edhe në lojën e kapuçave, fituesi e ka kënduar palën humbëse, etj. etj.
Kanë ndryshuar kohërat dhe tash së fundi gjithçka është përmbysur. Tash edhe humbësit shndërrohen në fitues pa pikë turpi, vetëm për ta shpëtuar bythën e tyre të paaftë. Paradokset e absurdet nuk e lënë këtë vend të mjerë t’i shërojë plagët shekullore. Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, që të tre së bashku do të mund të shkriheshin në figurën e Bali Katravellës.

Për ata lexues që kanë më pak njohuri për eposin e kreshnikëve të themi se Bali Katravella është një personazh nga eposi i kreshnikëve, antipod i Gjeto Basho Mujit, nga i cili me gjasë do të ketë dalë edhe Don Kishoti i Servantesit. Gjoku i Bali Katravellës ka qenë veshmadhi të cilin e ka mbath me patkojë prej kungulli e me thumba prej murrizi, shpata e tij ka qenë prej shavari ndërsa mzdragi prej pacërke e çallmën e ka pasur prej suxhuku… Kështu i përgatitur Bali Katravella kishte vendos me dalë në fushë të mejdanit kundër kreshnikëve. Epilogun e atij dyluftimi mund ta merrni me mend.
Po cili humbës në arenën politike ndërkombëtare formoi qeveri o Bali Katravella? Po cili është kuptimi i zgjedhjeve, nëse fituesi nuk mund ta formojë qeverinë? Kush nuk është i gatshëm ta pranojë humbjen, nuk duhet t’i hyjë garës. A nuk po e shihni se, sa herë po mateni, çdo herë e më lehtë po peshoni, prandaj kujdes në matjet (zgjedhjet) e ardhshme.
Grushtshteti i Isa Mustafës
Me çfarë morali politik kërkon Isa Mustafa ta sundojë vendin kur e ka humb kryeqytetin që e ka sunduar pesëmbëdhjetë vjet me radhë. A nuk tha ky Isa Mustafa gjatë fushatës se po nuk i fitoi zgjedhjet do të jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së? Kush mund t’i besojë këtij njeriu? Është në natyrën e Isa Mustafës që me puçe të zaptojë pozita udhëheqëse. Me puç ai erdhi edhe në krye të partisë. Tani me puç kërkon pushtetin qendror. Frikohem se, mos ky puç është kafshatë tepër e madhe për atë kokë të vogël.
Dëshira dhe mundësia janë dy gjëra të ndryshme. Anëtarësia e LDK-së duhet të kërkojë llogari prej të gjithë atyre që e kanë katandisur partinë në këtë gjendje duke kërkuar qiqra në hell. Nuk bëhet litari prej rëre o të mjerë. Sa më përket mua LDK-ja mund edhe të shuhet fare, por ata që e duan, duhet t’i hapin sytë e të shohin se nga po i çon kjo garniturë e pleqve të koroduar. Pa një analizë të thuktë nuk gjenden shkaqet e rënies së kësaj partie dhe rrjedhimisht as rigjenerimi i saj nuk mund të pritet. Dua me këtë rast ta përmend vetëm një arsye pse po bien vazhdimisht votuesit e LDK-së.
Sivjet mbushen 25 vjet nga themelimi i LDK-së. Është e ditur se këtë parti me shumicë e kanë votuar gjeneratat më të moshuara. Tani, shumë prej tyre nuk jetojnë më. Listat zgjedhore në Kosovë çdo vit përtërihen me 40 mijë votues të rinj. Pra, për çdo katër vjet kemi 160 mijë votues të rinj, dhe shumica dërmuese e tyre nuk e votojnë LDK-në. A e ka menduar ndonjëherë këtë fakt Bali Katravella.
Të rinjtë nuk e votojnë këtë parti sepse e konsiderojnë inerte, amorfe, pa invencë, jo kreative dhe të pandryshueshme. Prandaj pretendimi i kësaj partie për ta marr pushtetin është veprim akrepi dhe apetit suicidal. Koalicioni i tri partive opozitare për ta rrëmbyer pushtetin, është koalicion joparimor, me politikë dhe programe diametralisht të kundërta dhe si i tillë i destinuar për dështim. Merita më e madhe për këtë i shkon Albin Kurtit i cili ua hodhi karremin dhe u tërhoq në mënyrë që të mos komprometohet para opinionit.
Posti i Kryeministrit dhe samuni i Shkodrës
Të pakët janë ata shqiptar të cilët nuk kanë dëshirë të bëhem Kryeministra. Mbase e kemi në gjene bajraktarizmin. Madje edhe vogëlsia ime nuk mund ta fsheh këtë dëshirë. Shpeshherë e kam shprehur para miqve të mi kur në çajtore pimë çaj mbasdarkave. Këtë problem e kishte edhe mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu kur postin e Kryeministrit e mbajti për vete.

Nuk më habit as dëshira që Ramush Haradinaj ushqen për këtë pozitë. Por ç’ti bësh kur pretendentët janë të shumtë e kushtet që duhet plotësuar janë të rënda. Me nëntë përqind të votave Z. Haradinaj nuk do të duhej të ngarendte pas këtij posti. Edhe në qoftë se dëshira dhe emërimi mund të jenë legale, ato nuk do të ishin legjitime.
Një malësori nga malësia e Shkodrës iu kishte dhënë rasti për herë të parë të shkonte në Shkodër. Mezi priste që të ngopej me samun meqë kaherë e kishte ëndërruar këtë ditë. Mirëpo, meqë kishte pak para, gjatë gjithë rrugës e mundonte çmimi dhe madhësia e samunit, athua do t’i mjaftonte një, apo do t’i duhej t’i blente dy samuna për tu ngop. Në rrugë e sipër e takoi një malësor që po kthehej nga Shkodra dhe e pyeti për madhësinë e samunit. Ai, me një shkop ia vizatoi një rreth në tokë për t’i treguar se sa është i madh samuni. Malësorit, që ishte i uritur, iu duk i vogël samuni dhe i tha:
– Lshoe pak ma t’madh he burrë, a po të dhimet dora a!? Kurse tjetri ia ktheu:
– More unë ta lëshoj sa njai shkamb atje, po s’ta lëshon furraxhia n’Shkodër.
Pra masën e samunit e cakton furraxhia, po edhe kushtet për të formuar Qeveri i cakton një furrxhi!
Analistët e (pa) varur dhe leximi i gazetave
Gjithmonë, para e pas zgjedhjeve, televizionet tona na bombardojnë me imponimin e mendimeve, komenteve, opinioneve e analizave gjithfarëshe të njerëzve të cilët çfarëdo tjetër mund të jenë po jo analistë e opinionistë e aq më pak të pavarur.
Të gjitha këto janë bërë bajate si bora e parvjetshme. Kjo sepse, njerëzit e tillë janë tejet të ngarkuar politikisht dhe shumë të paaftë. A nuk ishte Bardhyl Meta deri dje “analist i pavarur”? Ai sot vjell xixa e flakë për ta mbrojtur LDK-në. Ky pasion për LDK-në nuk u ngjizë brenda nate. Po duket çartë se ai kaherë ka ngrënë nga çanaku i LDK-së. Mandej “analistët” Avni Zogiani, Ilir Deda e të tjerë. “Analistë” të tillë janë të aftë vetëm të na i lexojnë gazetat e djeshme, të cilën gjë e bëjmë edhe vetë, madje më mirë se ata.
Fushata sterile e opozitës
Shkaqet e humbjes së zgjedhjeve opozita duhet t’i kërkojë nga gabimet e veta gjatë fushatës. Nuk është e imja të kujdesem për gabimet e tyre. Por si njeri qëllimmirë që jam dua t’ua them dy-tri fjalë.
LDK-ja të mos vazhdojë në të ardhmen të kërkojë kokrra me fotografi dhe me emër të Ibrahim Rugovës, lëreni njeriun ta kalojë testin i qetë në purgatorium.
Po të fitoheshin votat me njerëz të vdekur, Sali Berisha e Edi Rama do ta merrnin fotografinë e Skënderbeut e të Ismail Qemalit.
Pastaj billbordet e pllakatet me fotografi pa shije të ndonjë fotografi amator e mjete të tjera propaganduese jo kreative.
Sloganet e fushatës duhet të zgjidhen nga profesionistët e publicitetit, ato janë me shumë rëndësi, sepse nëse nuk janë të qëlluara jo vetëm që nuk shtojnë vota, po mund të largojnë vota.
Koalicionet parazgjedhore janë tejet të ndjeshme. Një gabim të tillë e ka bërë lideri i Bashkimit Demokratik Zafir Berisha, i cili në zgjedhjet e fundit lokale ka pasur më shumë vota i vetëm se sa tash në koalicion me Nismën.
Koalicioni i AAK-së me një parti që tashmë nuk ekziston, LDD-në, gjithashtu nuk i ka dhënë frytet e pritura.
Të gjitha këto gabime do të ndodhin edhe në të ardhmen, gjithnjë derisa liderët e opozitës të fillojnë të mendojnë për të mirën e vendit dhe jo për apetitet personale siç ka ndodh deri më sot. Deri atëherë ju sugjeroj që ta mësoni jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës dhe të veproni si ai.
– Autori është mësimdhënës, poet dhe publicist. Kontakti: [email protected].

***
BEJTULLAH KRASNIQI: KOSOVA, PARADOKSI YNË QË NUK FALET!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2241

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura