Suedi, 8 dhjetor 2020: Duhet të kalojnë disa vjet për të vlerësuar punën fisnike të mjekut, sidomos të gjinekologut. Një rast i tillë ka qenë qëndrimi etik i gjinekologut shqiptar, Dr. Ramiz Krasniqi në Prizren, i cili me shërbimin e tij mjekësor mbulonte mbarë rrethin e Prizrenit, duke përfshirë edhe Therandën. Ato vite në shtëpinë e shëndetit në Therandë gjinekologu vinte një herë në javë (të martën – ditën e tregut), bënte vizitën mjekësore të grave shtatzëna. Me të drejtë doktor Ramizin banorët e quanin baba të gjinekologjisë, pasi që kujdesi ndaj grave shtatzëna ishte si ndaj motrave të tij. Vlen të përmendet se doktor Ramizi ishte bashkëkohës me gjinekologen heroine, Sadete Mekulin, që punonte në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, e cila heroikisht i ka përkrahur kërkesat e demonstruesve për Kosovën Republikë. Pa dyshim që profesioni i gjinekologut shqiptar në ish-Jugosllavi ka qenë gjemb në sytë e shovinizmit serbosllav. Shkurt dinastia serbe në Jugosllavinë Socialiste, pengonte lindjen e fëmijëve shqiptarë me synim të zbrazjes së Kosovës.
Përkundrazi, sot disa arsimtarë nuk arrijnë t’i përmbahen etikës kombëtare, dhe rregullave pedagogjike të institucioneve arsimore, pastaj inspektori i policisë dhe zyrtari social me gjithë avokatin nuk arrijnë t’i përmbahen normave juridike në vendet e tyre të punës, si dhe gjinekologu që t’i përmbahet betimit të Hipokratit. Kështu viti 2019 nisi dhe mbaroi me keqtrajtimin seksual të rinoshes 16-vjeçare prej tre arsimtarëve, një hetuesi policor, një zyrtari social, një avokati deri te gjinekologu. Ky i fundit nuk ishte dhunues seksual, mirëpo në dëm të shëndetit të rinoshes kryen abortimin, duke ia zhdukur gjurmët e foshnjës sipas ADN-së, që ishin në dëm të mbrojtjes së integritetit të familjes dhe etikës mjekësore. Pastaj polici që të miturën e dërgoi në gjinekologji, nuk ishte prind i ligjshëm i saj, pasi që për abortimin e së miturës përgjegjës janë prindërit. Ai nuk kishte të drejtë që me bijën e huaj nën moshën 18-vjeçare të veprojë si të dojë, veprimi i policit quhet kidnapim dhe keqtrajtim i së miturës, me anën e së cilës ka shkelur etikën familjare të saj. Kur Diogjeni në Greqinë antike e takoi djaloshin që ishte pispillosur, i tha “Nëse je stolisur për të parë njerëzit, je njeri i varfër, nëse je bërë për të parë gratë, je njeri shumë i ulët”. Për fat të keq, viti i dhunës seksuale nuk shpëtoi pa iu bashkëngjitur edhe një arsimtar nga Peja, i cili në kabinetin e shkollës ngacmon nxënësen e mitur. Zor të besohet që “dashnorët” e nxënëseve të jenë të varfër.
Sido që të jetë, veprimi i dashnorëve i ngjan karremit që ndjell peshkun për ta zënë në grackë, që për fat të keq, viktimë e mashtrimit ishte 16-vjeçarja drenase, ndërkohë që psikopatët tjerë mbesin të turpëruar. Si ilustrim të ngjarjes po e paraqes një baladë popullore. Siç dihet mbarë populli shqiptar është rritur dhe shkolluar me përrallat edukative të vëllezërve Grim, dhe baladave të bukura shqiptare. Dhe një ndër to është balada “Jusufi e Zelihaja”, në të cilin edhe pse bashkëshortja e pronarit, Zelihaja, zhvishet para djaloshit, ai me vetëmohim i përmbahet etikës, dhe si djalosh fisnik nuk pranon ta fyejë pronarin. Kurse punëtorët zyrtarë të Kosovës në vend se ta mbronin 16-vjeçaren, kanë vepruar edhe më keq, e dhunuan. Duket qartë që abuzuesit duke bërë keqpërdorim seksual, njëherit kanë keqpërdorur edhe detyrën zyrtare, të cilën ua ka besuar shteti. Prandaj dallimi në mes Jusufit të virtytshëm dhe dashnorëve të sotshëm është se Jusufi ishte beqar, të cilin pa fajin e tij e dashuronte Zelihaja e martuar, përkundrazi dhunuesit e nxënëses, jo vetëm që janë burra, por edhe të martuar dhe kanë fëmijë të moshës së shkollares viktimë, të cilën e pallonin sipas marrëveshjes. Edhe një gjë, dhunuesit e nxënëses nuk ishin rrogëtarë sikur Jusufi, por njerëz të martuar dhe me rrogë të shtetit. Mbase maskarenjtë rezistencën e Jusufit ndaj Zelihasë e marrin për legjendë, mirëpo këtë rast e argumenton edhe rezistenca e burrit të martuar amerikan, i cili për shkak se nuk pranoi të kalonte me shefen e ndërmarrjes, e largoi prej detyrës. Prandaj veprimin fisnik që tregoi amerikani ndaj bashkëshortes së tij, nuk mund ta bënin “dashnorët” ndaj grave të tyre.
Gjinekologët me kamerë të fshehtë
Fjala e urtë se nuk ka mal pa pas një thi, dhe fis pa pas një pis, megjithatë nuk e ka vendin në zhargonin e mjekësisë. Për shkak se të gjithë mjekët duhet t’i përmbahen betimit të Hipokratit. Për fat të keq, jo vetëm që mjekët nuk i përmbahen etikës mjekësore, por edhe faqe botës e shkelin me dy këmbë. Ditët e fundit një gjinekolog ukrainas, mu në Odesën e bukur bregdetare, është marrë me punë të pista. Sipas shtypit, gjinekologu i pafytyrë gjatë vizitës mjekësore pacientet femra i ka filmuar me anën e kamerës së fshehtë. Duket qartë që ky veprim është poshtërim ndaj etikës mjekësore. Mirëpo më keq se fotografimi i pacienteve të zhveshura, është se gjinekologu fotografitë i ka shfaqur në rrjetin e pornografisë. Që të jetë ngjarja më e tmerrshme, gjinekologu filmat me përmbajtje pornografike i ka shpërndarë në rrjetin e internetit të nëntokës kriminale. Prandaj organet policore të Ukrainës koleksionistin e tërbuar e arrestuan në vend. E vetmja alibi e gjinekologut ishte se mund ta ketë bërë ndonjë koleg i punës gjatë instalimit të kamerave të fshehta. Mirëpo regjistrimet kompjuterike treguan se qysh para instalimit të kamerave, janë filmuar pacientet. Mbase i pafytyri nuk do të qëndrojë gjatë në burg, dhe pas një kohe do të lirohet, mirëpo kurrë nuk do të mund të shërbejë as mjek, jo më gjinekolog.
Gjinekologu ukrainas nuk është jetim, për fat të keq ka edhe të tjerë, që në zhargonin e pistë bien porsi miza në mjaltë. Para gjashtë vitesh ngjashëm kishte vepruar edhe një gjinekolog gjerman, në ordinancën e tij fshehurazi kishte fotografuar me mijëra gra të zhveshura vite me radhë. Koleksionin e turpshëm, gjinekologu e kishte shpërndarë edhe me anën e videos. Kurse tani kërkon që t’i kthehet certifikata e tij mjekësore dhe të vazhdojë të ushtrojë profesionin e njëjtë. Prandaj, me të drejtë gjermanët e quajnë “mjek i çoroditur”. Zbulimin e gjinekologut të pasionuar pas fotografimit të barkut të grave, e kishte bërë sekretari i tij, i cili menjëherë i lajmëroi organet policore. Ndryshe me kërkesën këmbëngulëse të kuadrit për vazhdimin e punës në gjinekologji, gjykata ia kishte ndaluar shërbimin në gjinekologji. Në dallim me gjinekologun ukrainas, që me anën e videos në internet ka shpërndarë foto të turpshme, gjinekologu gjerman fotot e tilla i ka mbajtur në sirtar. Sido që të jetë, si njëri, si tjetri janë mjekë të korruptuar. Prandaj do të kthehen të vazhdojnë të punojnë, jo në gjinekologji, por në laborator, në mënyrë që të mos bien në kontakt me paciente të gjinisë femërore. Vlen të theksohet se këta gjinekologë dy herë e kanë gabuar profesionin: e para që kanë zgjedhur mjekësinë, ndërsa e dyta që kanë zgjedhur gjinekologjinë, për të cilën detyrohen të ruajnë fshehtësinë. Duhet pasur parasysh se ishin mjekët anglezë që për herë të parë themeluan gjinekologjinë për kontrollimin e grave shtatzëna. Prandaj mendimin e tyre duhet vlerësuar. Për fat të keq, koleksionistët e kamerave të fshehtë as mjek nuk do të mund të punojnë, jo më gjinekolog, sepse nën mantelin e tyre të bardhë fshihet dora e pistë.
Studimet pastaj martesa
Dita më e emocionuese për fëmijët e moshës shtatëvjeçare është kur për herë të parë bëhen me abetare, e cila është një dritare drejt ardhmërisë dhe përparimit shoqëror. Ndryshe me përjetimin emocionues të fëmijëve në klasën e parë të shkollës fillore, nxënësit në shkollën e mesme shkojnë me synime të qarta për arsimimin e tyre për punësim dhe për vazhdimin e studimeve në universitet. Në qendrat e njohura universitare në botë studentët e dy gjinive nuk nguten të martohen para se të përfundojnë studimet dhe para se të sigurojnë punë e banesë. Mirëpo disa nxënës gjatë shkollimit në gjimnaz harrojnë synimet e tyre shkollore. Nëse nxënësit nuk merren me aventurë, patjetër që rezultati i mësimit dhe i edukimit shkollor do të jetë cilësor. Prandaj po t’i përkushtohen nxënësit mësimit, nuk do të vinin deri te zënkat dhe vrasjet e tyre për dashuriçka, siç janë djem dhe vajza, prej nga shkaktohet xhelozia. Për fat të keq, sipas shtypit krahas ndërprerjes së mësimit edhe mosha e varësisë së drogës në Kosovë shkon duke lëvizur prej moshës 22 në 16-vjeçare. Domethënë rinia nuk pret moshën e pjekurisë 18-vjeçare, edhe pse më së mirë është që substancës narkotike të mos i dihet emri fare. Ngjashëm po ndodh edhe me disa djem e vajza, ata/ato nuk presin që së pari të kryejnë gjimnazin dhe universitetin, fill pastaj mund të dashurohen dhe të martohen. Vlen të përmendet se në Kinë, studentëve u ndalohet martesa para se të kryejnë studimet në universitet. Prandaj së pari të kryejnë studimet, pastaj vjen koha e martesës.
Sa i përket 22-vjeçarëve, njëri në Durrës, tjetri në Fier, që kryejnë marrëdhënie seksuale me vajza 12-vjeçare vlen të përmendet ngjarja e një filmi triler, kur një vajzë 17-vjeçare kërkon të ndajë shtratin me protagonistin, ky i fundit nuk pranon, i thotë që është e mitur, dhe mund të dënohet sipas ligjit. Prandaj ku po mbeten bandillët shqiptarë, të cilët lehtësisht i rrëmbejnë vajzat e mitura jo prej gjimnazit, por prej bankave të shkollës fillore. Më mirë të themi prej prehrit të mëmës. Alibia e dhunuesve 22-vjeçarë, kinse 12-vjeçaret e kanë bërë me dëshirë, nuk vjen në shprehje. Në anën tjetër, 12-vjeçaret në orët e mbrëmjes vendin e kanë në shtëpi te prindërit dhe atë duke lexuar librat e letërsisë për fëmijë, ose duke shikuar filmat e vizatuar në televizor, jo natën ta kalojnë në shtrat me burra të pjekur. Që vajzat e vogla kurrsesi nuk guxojnë të largohen prej shtëpisë së prindërve, prej çerdhes dhe prej shkollës fillore, e argumenton edhe shpallja e pllakatit në kuzhinën e qendrës tregtare në Suedi, në të cilën shkruan “Të gjithë fëmijët deri në moshën 13 vjeç i gostitim falas me akullore”. Ndërkohë që një grua bijës 12-vjeçare i ndihmonte të argëtohet në rekuizitën e parkut, 22-vjeçari moshataren e saj po e dhunonte në hotel. Prandaj pedofilët duhet të tregojnë se ku e kanë vendin çupat 12-vjeçare, në parkun e lojërave për fëmijë, apo në shtratin e burrave mjekërzi?! Sipas ligjit, mashkulli që ka mbushur 18 vjet gëzon të drejtën e shërbimit ushtarak, ka të drejtë për patentë shoferi, ka të drejtë të kërkojë punë, ka të drejtë të blej duhan dhe alkool, ka të drejtë të shkojë në klubin e natës, gjithashtu mund të dënohet për dhunimin seksual të fëmijëve nën moshën 18-vjeçare, ndërkohë që vogëlushet në prani të prindërve vendin e kanë në botën e fëmijëve dhe kudo që të jenë.