Suedi, 8 mars 2020: Sipas anekdotës tregohet se kur një fshatar shkoi për ta pyetur kadiun se a duhet dëgjuar gruaja, kadiu i tha që kjo punë dihet edhe pa qitap, që nuk duhet dëgjuar gruaja. Atëherë fshatari për të vënë në provë kadiun, i tha se ka dy javë që gruaja e këshillon që kadiut t’i çojë një qyp mjaltë dhe nji qyp tlyen. Mirëpo kur kadiu dëgjoi për mjaltin dhe tëlyenin, fshatarit i thotë se do të shikojë qitapin, atëherë fshatari ia ktheu se qitapin duhej ta shikonte në fillim, jo tani pasi dëgjoi për qypin e mjaltës dhe të tëlyenit. Kështu kadiu turk me anën e lakmisë shkeli etikën e gjykatësit.
Si rrjedhojë e anekdotës simbolike është edhe një ngjarje që ka ndodhur në Therandë. Një burrë vazhdimisht rrezitej në strehë të shtëpisë, ndaj bashkëshortja e qortonte të mos qëndronte në strehë, sepse mund t’i binte ndonjë rrasë prej çatisë, dhe ta mbyste. Burri mbahej ishte i pabindur dhe mbahej më superior, nuk donte të merrte parasysh këshillën e gruas. Prandaj një ditë ndodhi fatkeqësia, ashtu siç ia kishte parandie gruaja, një rrasë rrëshqiti prej çatisë dhe burrit ia shkurtoi këmbën. Kështu burri mbeti invalid me një këmbë dhe ecte me paterica. Pas një kohe në Mbretërinë Jugosllave e thërrasin në shërbim ushtarak, mirëpo meqë ishte invalid – pa një këmbë, lirohet, kurse moshatarët e tij që kishin shkuar, disa prej tyre ishin vrarë në luftë. Ndryshe me këshillën e kadiut ndaj fshatarit për mjaltin dhe tëlyenin, i cili këshillonte se nuk duhet dëgjuar gruan, përkundrazi fshatarit topall i doli se ndonjëherë duhet dëgjuar gruan, prandaj shpëtoi pa u vrarë në luftë.
Një fatkeqësi e ngjashme ka ndodhur edhe me një grua, e cila bashkëshortin e vet e ka mallkuar për shkak se vazhdimisht tymoste duhan, i ka thënë: “T´u bëftë kanceri…”. Siç dihet në kohën e sotme askush nuk mallkon “të vraftë rrufeja”, por “t’u bëftë kanceri”. Duket qartë që mallkimi i fundit është bërë aktual. Sido që të jetë, gruaja e ka thënë padashur. Ajo e kishte për të mirën e bashkëshortit dhe fëmijëve. Jo vetëm që burri tymoste, por edhe bishtat e cigareve i hidhte në dysheme. Disa herë është kollitur, dhe mjeku e kishte këshilluar që në të të mirë të shëndetit ta braktisë duhanin. Me të drejt populli thotë: këshilla e mjekut është nëna e shëndetit dhe e mirësisë. Mirëpo në vend të kancerit në mushkëri, tregtarit i është djegur shitorja me artikuj ushqimor, dhe tani ka mbetur shkretë. Gjithashtu edhe komisioni komunal pas ekzaminimit ka konstatuar se shkak i djegies së shitores me gjithë depon është cigarja, që për fat të keq edhe vetë tregtari pajtohej. Gruaja shpresonte që për skaj djegies së shitores bashkëshorti të braktis duhanin, ndonëse i varfër, mirëpo shëndetin do ta ketë të fortë. Për fat të mirë, dita e gëzimit i erdhi, bashkëshorti e braktisi duhanin. Ndonëse kanë mbetur të varfër, mirëpo jetojnë të lumtur. Një gjë dihet, shitoren nuk e dogji mallkimi i gruas, larg qoftë, por cigarja e burrit të pabindur.
Dhe krejt në fund, po kaloj te mbrojtja e integritetit të gruas, e cila është shumë e kujdesshme si në rrethin familjar, ashtu edhe në rrethin shoqëror. Nëse burri pi alkool dhe tymos duhan, padyshim që gruaja me fëmijët bien viktimë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe shëndetësor, sepse ajo i mban pasojat dhe mundimet prej bashkëshortit. Sipas lirikave të fëmijëve për duhanin thuhet që nuk bën të ndizet, sepse është karbon i hidhur. Kështu bashkëshorti duke tymosur duhan i pengon bashkëshortes, prandaj e këshillon që më mirë të merret me ndonjë veprimtari në natyrë, se tërë ditën të tymosë duhan në shtëpi. Fill pas qortimit të gruas, burri i inatosur merr kazmën dhe shkon në pyll, dhe sapo e ngul kazmën në tokë, papritmas i dalin tre kilogramë ari, që kushtonin rreth 80.000 euro. Tani bashkëshorti përfundimisht e ka braktisur duhanin, dhe së bashku me gruan janë bërë më të shëndoshë, ndërkohë që për mostymosjen me duhan familja kursen rreth 20 euro në ditë, që për një vit bëjnë rreth 2500 euro, me anën së cilës familja me pastërtinë e shtëpisë, mbron shëndetin e tyre.
Prandaj, jo ndonjëherë, por shumë herë duhet dëgjuar gruan dhe duhet marrë parasysh edhe këshillat e saj, sepse është në të mirën e shëndetit të ndërsjellë, pastaj është në të mirën e rrethit dhe mjedisit shoqëror. Dhe krejt në fund, 2500 euro nuk janë pak, sepse për dhjetë vjet kursim mund të blihet një banesë dydhomëshe kudo në vendlindje.
Partneri në bashkëshortësi në dëm të integritetit familjar
Kohët e fundit jeta e partnerëve po bëhet e zakonshme: bashkëshorti kalon me partneren – dashnoren ose bashkëshortja me partnerin – dashnorin. Kjo dukuri ka prekur të gjitha shtresat shoqërore, sidomos faktorët zyrtarë. Jo vetëm kaq, sepse ashtu siç mburren njerëzit për etikën bashkëshortore, po mburren edhe partnerët dhe partneret për jetën e tyre të dyfishtë me dashnor e dashnore. Një komentues në faqen e shtypit elektronik kishte propozuar që prindërit bijat e tyre t’i veshin me rroba të bukura, t’i pajisin me mobiltelefon dhe të ngjashme, sepse mund të mashtrohen prej dashuriçkave të djemve. Megjithatë komentuesi tjetër kishte ndërhyrë, se pikërisht ajo kishte qenë nxënëse e varfër në shkollë, mirëpo kurrë nuk është mashtruar nga lajkat e dashnorëve, përkundrazi janë mashtruar shoqet me standard të mirë dhe që prindërit ishin të punësuar. Pastaj në dallim me shoqet që kishin standard më të mirë, studentja e varfër kishte mbaruar mjekësinë. Mashtrimin e femrës më së miri e ka paraqitur shkrimtari suedez, August Strindberg, në dramën e tij “Zonjusha Julia”, e cila ditën e gjatë të mesverës mashtrohet pas aventurës së shërbëtorit matrapaz, ndonëse ajo ishte bijë e familjes aristokrate, dhe në fund të dramës bën vetëvrasje.
Në grupin e madh të partneritetit hyjnë edhe martesat e përziera, të cilët pas shkurorëzimit martohen për së dyti apo për së treti. Prandaj fëmijët mbesin në dy taborë: në taborin e babait dhe të mamasë. Shpeshherë fëmijët e bashkëshortes shoqërohen me burrin e dytë të mamasë, siç quhet njerku apo anasjelltas. Prandaj këto martesa të përsëritura shkaktojnë probleme në familjen e partnerit. Ka raste kur njerku e dhunon bijën e bashkëshortes ose kur vajza e nënës dashurohet në njerkun, gjëra që tregohen edhe me anën e filmave, prej nga në familjen e partnerit shkaktohen problemet psikologjike. Kur është fjala te këto martesat, viktimë bien fëmijët, të cilët duke harruar babain e tyre biologjik, pëlqehen me njerkun, përndryshe partnerin e mamasë ose e kundërta: fëmijët e babait duke harruar nënën e tyre biologjike, pëlqehen me njerkën. Pikërisht një mësuese suedeze tregonte se si bijës ia ndalonte të zhvishet para babait të saj, aq më tepër para njerkut.
Siç duket, kohëve të fundit, borgjezi po e përpin aristokratin me gjithë pushtetin autokratik. Mirëpo aristokracinë e sotme demokratike nuk e përpin dot populli. Nëse punëtori nuk paguhet, atëherë ai nuk është më punëtor, skllav është. Ndërsa ndërmarrja që nuk i paguan punëtorët është organizatë shfrytëzuese për torturimin dhe plaçkitjen e punëtorëve. Ngjashëm është edhe te martesa, nëse burri ka dy gra, atëherë njëra prej tyre është skllave. Një grua në video youtube deklaroi që burri i saj i ka pasur 50 bashkëshorte, i cili i rrihte dhe në rrugë i nxirrte lakuriq; veprim që të kujton poligaminë në kohën e vjetër. Duhet të jetë ndonjë lajthitje e gruas fatkeqe, kur ajo tregon që burri i saj ka pasur 50 bashkëshorte. Mbase e ka thënë me ironi. Prandaj burri i saj nuk i ka pasur 50 bashkëshorte, por vetëm një bashkëshorte dhe 49 dashnore ose shërbëtore, mund të jenë edhe skllave. Konkretisht ka disa burra që martohen me dy e më shumë gra, mirëpo vetëm njëra prej tyre është bashkëshorte juridike, të tjerat janë skllave, apo siç shprehet populli – rrogëtare. Sipas ligjit, burri që dëshiron të lidhë kurorën me një grua tjetër, në fillim detyrohet të shkurorëzohet prej gruas së parë. Prandaj duhet të thuhet që burri ka një bashkëshorte, ngjashëm siç e ka një partner mbreti i zogjve në qiell – shqiponja.
Betimi dhe përkujtimi në vendin e gabuar
Duket qartë që turkesha, Seval Kelebik, ka mbrojtur nderin e kombit, dhe jo nderin e fesë. Pa dyshim që e fejuara turke me konfeksion mysliman e ka dashur të fejuarin grek, Mihailis Kutsakiozis, të konfeksionit ortodoks, për të cilin kishin investuar dashuri pesëmuajshe. Mirëpo kur në pyetje vjen identiteti kombëtar, atëherë gjërat ndryshojnë. Sipas fjalës së urtë shqipe se në ditën e dasmës nuk duhet të përmenden borxhet dhe plagët, dhëndri grek e bëri të kundërtën. Për një çast dhëndri harroi të dashurën e tij dhe betimin që do të kalonte jetën me të, u rikthye me qirinj në duar për të përkujtuar babanë e tij që ishte vrarë nga turqit para luftës, ndaj kërkoi që dasmorët të mbajnë një minutë heshtje.
Padyshim që dhëndri, ditën e dasmës, u tregua shpirtlig po aq edhe i dobët, në të cilën dasmorët janë habitur me kërkesën emocionuese të paarsyeshme të dhëndrit. Ai u bë shkaktar i prishjes së dasmës dhe kurorëzimit. Prandaj herën tjetër beqari grek duhet të martohet me një greke dhe le ta përkujtojë babanë e tij që ia kanë vrarë turqit gjatë luftës. Mirëpo dhëndri grek nuk ndalet me kaq, ai u korit kur kërkoi që t’i kthehen paratë e shpenzimit të ceremonisë për shkak të shkurorëzimit. Folur burrërisht dhe sipas rendit juridik, me të drejtë etike dhëndrit nuk i takon dëmshpërblimi, sepse vetë ai u bë shkaktar i prishjes së kurorëzimit. Në anën tjetër, nëse dhëndri paska qenë atdhetar i zëshëm grek, atëherë me kohë nuk duhej të dashurohej në vajzën e re turke, por duhej të martohej me një vajzë greke, sipas kombit dhe fesë së tij. Dhe krejt në fund, mos do të thotë se grekët janë popull ideal. Jo aspak edhe grekët kanë bërë krime ndaj shqiptarëve në Janinën e kolonizuar nga forcat greke.
Postime të Lidhura
RRJETI BIZNESOR I ISA MUSTAFËS (NË KOHËN KUR ISHTE KRYETAR I KOMUNËS SË PRISHTINËS)
Pashtriku.org, 18. 10. 2015: Kreu i Prishtinës dhe i LDK-së, Isa Mustafa ka qenë i lidhur ngushtë me…
SHEMSI REÇICA: PËRBALLJET BRENDASHQIPTARE GJATË LUFTËS NË KOSOVË (II)
Pashtriku.org, 7 korrik 2018: KRYEMINISTRIT BUKOSHI S’I BËHEJ VONË, KRERËVE TË LPK-SË U NGUTEJ Bukoshi, mund të ketë…
XHEMIL ZEQIRI: SI U FESTUA 25 VJETORI I THEMELIMIT TË RADIOS ‘ZËRI I KOSOVËS’ NË KOPENHAGË?!
Kopenhagë, 07. 12. 2014 – Më 30. 11. 2014 në Balerup (në Periferi të Kopenhagës) u mbajt një…
GJEKË GJONAJ: TË JETOSH ME AFTËSI TË KUFIZUAR NË ULQIN ËSHTË SFIDË!
Ulqin, 27 tetor 2018: Kur erdha të jetoj në Ulqin para 22 vitesh, duke ecur me shumë kujdes…