DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT! – EPILOGU – (13 – FUND)

Pashtriku, 11 mars 2019:
EPILOGU
Rallë e tek, fatit i pëlqen të bëjë ca ironira. Një ndërmarrje diplomatike e nisur keq dhe e dënuar që më parë me disfatë, ndodh që çuditërishtë kthehet e mbaron mirë nga një rrethanë e papritur prej faktorësh të favorshëm. Prandaj dhe Faik Konica, duke i ditur këto lodra të fatit, ka thënë: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.” Dhe kjo u vërtetua edhe në Rambuje, ku Kosovën desh e vdiqën politikanët e saj, por e shpëtoi RASTËSIA, që do të thotë fati. Cila rastësi? Ajo që Millosheviçi urdhëroi delegacionin e vet në Rambuje, që të mos e nënshkruante atë Marrëveshje edhe nëse e nënshkruanin shqiptarët.

Sytë e gjithë shqiptarëve atë ditë të 18 Marsit 1999 ishin drejtuar në Rambuje.
Të gjithë ata shqiptarë që besonin në shpjegimet e Demaçit për pasojat e pranimit nga pala shqiptare në Rambuje të asaj Marrëveshjeje, lusnin Zotin që pala shqiptare të mos e nënshkruante atë Marrëveshje.
Shqiptarët entusiastë mbështetës të Drejtorisë Politike me në krye Thaçin, si dhe ata të Rugovës, uronin nënshkrimin e marrëveshjes nga të dy palët kundërshtare!
E gjithë përfaqësia kosovare në Rambuje, ngaqë ishte mikluar me Qeverinë e Përkohëshme, as që i shkonte ndër mend të kërkonte: Le ta nënshkruajnë serbët të parët.
Momentet pas nënshkrimit të marrëveshjes prej shqiptarëve dhe deri në largimin e delegatëve serbë nga Kështjella e Rambujesë, ishin momente ankthi për ata që u besonin argumentave të Demaçit. Pse? Sepse, nëse në ato momente delegatët e Serbisë nënshkruanin marrëveshjen e Rambujesë, Kosova, me pëlqimin e vetë përfaqësisë kosovare mbetej pjesë integrale e Serbisë.
Dhe ku qëndron fati i rastësishëm për Kosovën? Tek urdhëri i Milloshit që delegacioni serb në Rambuje të mos nënshkruante atë document ku nënshkruan shqiptarët e Kosovës. Mosnënshkrimi i marrëveshjes prej delegacionit serb donte të thoshte: edhe pse ju shqiptarët doni që Kosova të jetë Serbi, nuk duam ne serbët që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. Është ky mosnënshkrim i asaj marrëveshjeje nga Serbia që e bën të paqëndrueshme Rezolutën 1244 të OKB, edhe pse në atë rezolutë Kosova rezulton pjesë e Serbisë. Dhe këtë mosnënshkrim të Marrëveshjes së Rambujesë nga Serbia e shfrytëzuan SHBA për të marrë nismën për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Ishte ky moment, kur delegatët serbë u larguan nga Kështjella, që partizanët e Demaçit thirrën me zë të lartë: Urra! Shpëtoi Kosova!

Mosnënshkrimi i marrëveshjes nga serbët, mund të themi pa druajtje se ishte një veprim absurd i tyre, gjë që shkaktoi reagimin antiserb edhe të Francës, e cili as që mund ta parashikonte një veprim të tillë prej tyre. Ai mosnënshkrim duhet të ketë qenë një qorrollisje e vet Millosheviçit, nga etja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, sikundër e shpjegonte në letrën e saj edhe Kisha Ortodokse Serbe dorëzuar zonjës Ollbrajt dhe që e bën të qartë As.Pr. Batakoviç.
Mosnënshkrimi i marrëveshjes nga Serbia, “bëri që kjo të ndikoi në kuptimin e mprehjes së zhgënjimit të Francës. Dështimi i një negociate të kërkuar me aq vendosmëri nga Parisi, jep ndihmesën e vet për të shpjeguar vendosmërinë me të cilën francezët morën pjesë në operacionet ushtarake”1) – na e përforcon mendimin ish-kryeministri Italian i asaj kohe, Massimo D’Alema. Ai reagim jonormal për Francën nga vetë Franca, tregoi prapaskenën pse u thirr me aq urgjencë Konferenca e Rambujesë. Megjithatë Franca, edhe pse e zemëruar nga ai qëndrim i Serbisë në Rambuje, përsëri i qëndroi besnike Serbisë, duke menduar se mund të laheshin hesapet më UÇK-në edhe me ndërhyrjen e NATO-s, prandaj shpesh here aviacioni frances “gabonte” në shënjestrimin e objektivave në Kosovë, duke goditur formacionet e UÇK-së. Por besnikërinë më të madhe Franca e tregoi kur urdhëroi forcat e saj të vendoseshin me urgjencë tek Ura e Ibrit, duke e përcaktuar atë si pikën ndarëse kufitare midis Serbisë dhe Kosovës. Apo nuk është kështu?
Reagimin nervoz të Francës na e tregon me pak fjalë edhe zonja Medlin Ollbrajt, ish-sekretarja e SHBA, e cila ishte prezente në ato momente: “Qëndrimi Francës nuk na ndihmoi; pa dhënë asnjë shpjegim, ata nuk pranuan t’i lejonin oficerët e NATO-s të hynin në kështjellë për t’iu shpjeguar shqiptarëve hollësitë e planit tonë ushtarak. Në vend të tyre, këto shpjegime i dha një avokat i Grupit të Kontaktit, i shoqëruar nga një kolonel i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, i cili kishte mundur ta fuste vjedhurazi uniformën e tij brenda kështjllës”2)..
Jo më kot thonë se nga ferra e vogël del lepuri i madh. Natyrshëm lind pyetja: Koloneli anonim amerikan pse duhej të ishte në atë konferencë si diplomat dhe pse duhej të fuste vjedhurazi edhe uniformën e tij brenda në Kështjellë? Pse e bënë këtë gjë amerikanët? Kjo të bind se, amerikanët e prisnin një reagim të tillë nervoz nga francezët, ndaj dhe zonja Ollbrajt vjen në Rambuje një javë më vonë, në 14 Shkurt, e shoqëruar me një Kolonel të maskuar si diplomat. Gjë që vërtetohen fjalët e ambasadorit Hill, se amerikanët nuk ishin për atë Konferencë urgjente, pa u mbledhur më parë Asamblea Qytetare në Kosovë, por, sikundër e qartësuam më lartë, amerikanët nuk mund t’i kundërshtonin haptas europianët. Ai qëndrim serb u krijoi amerikanëve kushtet për t’i qëndruar besnik Doktrinës Monro 3), ngaqë përpjekja e Serbisë për shpopullimin e Kosovës ishte një akt agresioni që kërkonte ndërhyrjen e SHBA.
Nëse serbët do të kishin nënshkruar marrëveshjen menjëherë pasi e kishin nënshkruar shqiptarët, Kosova sot zor se do të ishte shpallur e pavarur, ajo do të ishte pjesë e Serbisë. Do të përsëritej Kuvendi i Prizrenit i vitit 1945, por tashti edhe shumë më keq, pasi pranohej përpara gjithë Fuqive të Mëdha Botërore se: Kosova është Serbi, gjë që objektivi i popullit shqiptar në Kosovë për të fituar të drejtën për vetëvendosje me çdo çmim e me çdo sakrificë do të ishte shumë më i vështirë për t’u realizuar. Nëse ajo marrëveshje do qe nënshkruar edhe nga serbët, tjetër këngë do këndonte sot Rusia, por edhe Kina e India, miqtë tradicionalë të Serbisë. Është ai nënshkrim i delegacionit kosovar në Rambuje që pesë shtete të BE-së vijojnë ende të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.
E vetmja anë pozitive e Konferncës së Rambujesë ishte se e bëri legjitime ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë: “Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit mbi luftën në Kosovë, i udhëhequr nga juristi jugafrikan Richard Goldstone, ngriti kritikat më të ashpra kudo, në vigjilie të bombardimeve të NATO-s mbi Serbi, në 1999 dhe konkludoi se ajo ishte luftë “ilegale por legjitime”: Ajo ishte ilegale për arsye se nuk morën aprovimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, por ishte legjitime sepse të gjitha përpjekjet diplomatike u konsumuan dhe nuk mbeti asnjë rrugë tjetër për të ndaluar vrasjet dhe masakrat në Kosovë”.4)
Ndërsa z.Ramë Buja na thotë të kundërtën: “Konfrenca e Rambujesë dështoi.”, i cili ka mbrojtur edhe doktoraturën me këtë temë, tre vjet pasi zonja Ollbrajt pohon se “Ajo (marrëveshja) do të çarmatoste UÇK-në, do ta mbante Kosovën brenda Jugosllavisë dhe do t’i jepte mundësi ushtrisë së saj të vazhdonte të patrullonte kufirin” 5). Natyrshëm na lind e drejta të shtrojmë pyetjen për z. Ramë Buja: Pse ai ka bindjen se Konferenca e Rambujesë dështoi, kur dihet se nënshkrimi vetëm nga një palë nuk përbën marrëveshje? Dhe ai përgjigjet: “Dështoi sepse nuk u nënshkrua nga të dyja palët pjemarrëse në Rambuje.”6) (!!!). Por, sikundër e shpjeguam më lartë, nëse do ta nënshkruante edhe pala serbe, Kosova do të mbetej ashtu sikundër na e thotë zonja Ollbrajt. Nënshkrimi i marrëveshjes vetëm nga pala kosovare u interesonte vetëm nismëtarëve ndërkombëtarë të Rambujesë, pasi një prej qëllimeve kryesore të tyre ishte që UÇK-ja të mos ekzistonte.
Ja ku dolëm përsëri tek argumenti që e shtruam qysh në fillim të këtij libri, se: e vërteta, edhe pse është një e vetme, ajo ka tri e ndoshta edhe më shumë pamje e përmasa. Po të bëjmë avokatin e nismëtarëve të asaj Konference, Francës, Anglisë, Italisë, Rusisë dhe Serbisë, detyrimisht që do të dalim në përfundimin: “Konferenca e Rambujesë dështoi”. Dështoi për ata diplomatë, sepse nuk u realizua qëllimi i tyre, që Kosova të qëndronte pjesë integrale e Serbisë, por nuk dështoi për SHBA dhe Kosovën.
E, megjithatë, nismëtarët e Rambujesë nuk dolën plotësishtë të humbur, pasi u realizua një nga dy objektivat e tyre: UÇK-ja eleminohej. Kjo vdekje e UÇK-së i kënaqi deri diku nismëtarët e Konferencës së Rambujesë, ndaj dhe pranuan bombardimet e NATO-s, sikundër shprehet edhe Massimo D’Alema. Bazuar në këtë fakt, dikush edhe mund të na thotë se Evropa ndihmoi në çlirimin e Kosovës. Po, na ndihmoi, por, ama, e imponuar nga SHBA. Por duhet ta kemi të qartë se, atë “ndihmë” Evropa nuk na e dha badiava. Shpërblimin e asaj “ndihme”, Evropa po e merr me atë që po ndodh në Mitrovicën e Veriut; në kantonizimin e Kosovës dhe me dërgimin e pjestarëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës, ndërsa këtë vit vendosi të rrisi interesin e kredisë për “huan” që na dha, duke hapur Tribunalin e posaçëm kundër UÇK-së.
Përfundimisht mund të themi: Të gjithë ne, që mbështetëm apriori vendimin e Drejtorisë Politike të UÇK-së për shkuarjen në Rambuje me ato kushte të panegociueshme, ndoshta gabuam, ngaqë i konsideronim antarët delegatë të saj, kandidatë idealë për udhëheqjen e luftës. Por, për fat të keq, gabimin e kuptuam shumë më vonë, atëherë kur ata i dhanë popullit një liri që s’e ka plotësishtë të vetën, duke i ndëruar atij edhe simbolet kombëtare dhe po mundohen t’i ndërojnë edhe gjuhën edhe kombësinë, duke i quajtur komb kosovar e gjuhë kosovare. Por zoti Adem Demaçi thotë: “Këta, edhe pse janë të vetëdijshëm, unë nuk u them tradhëtarë. Këta janë fëmijë të vegjël. Nuk u them tradhëtarë, sepse fjala vret njësoj sikur plumbi” 7). Por, ngaqë ata besojnë se kanë vepruar drejtë; ngaqë asnjëri prej tyre nuk ka pandehur se mund të jetë e padrejtë nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë edhe me ato cënime të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, ndaj dhe e ndjejnë veten të panjollosur.
* * *
Marrja pjesë në konferenca ndërkombëtare të rëndësishme, në lidhje me çështjen kombëtare, si kryetarë e sekretarë, apo antarë të thjeshtë delegacioni, sikundër ishte edhe rasti i delegatëve tanë në Konferencën e Rambujesë, janë një lloj shkallësh që çojnë drejt lavdisë. Ky fenomen moral i shkëlqyer përbëhet nga shumë ngjarje të paparashikuara, që ndryshojnë me një shpejtësi aq të madhe, sa nuk ka shembull që të tregojë se dikush e ka arritur lavdinë dhe e ka gëzuar tërë jetën me këtë lloj rruge. Kjo lloj lavdie, të cilën e dëshirojnë të gjithë ata që nuk sakrifikojnë, është një lloj lavdie prej ambiciozi, që i ngjan një fodullëku të pështyrë, të cilët kanë prirjen që gjithçka të mirë t’ia veshin vetes, duke e ndjerë rrugën të sheshtë, ndaj dhe i ngjajnë Luigjit të XIV, duke thenë: “UÇK-ja jam unë!”, “Lirinë ua solla unë!”
Tiranë, 4 Shtator 2014
SHTOJCË

Që gjykatësi lexues të jetë i qartë për atë vendim të Drejtorisë Politike të UÇK-së, për pranimin e asaj Marrëveshjeje të Rambujesë, po japim pjesë të asaj Marrëveshje, që e sanksiononin Kosovën pjesë integrale të Serbisë dhe që i kundërshtoi vetëm Adem Demaçi:
Marrëveshja Ndërkombëtare e Rambujesë

“Kapitullit 1, Neni 1, Pikat 3, 4, 6:
1. ……..
2. ……
3. Republika Federale e Jugosllavisë është përgjegjëse në Kosovë për këto fusha vijuese, përveç nëse është përcaktuar ndryshe në këtë marrëveshje: a) integriteti territorial, b) ruajtja e tregut të përbashkët brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, pushteti i të cilës do të ushtrohet në mënyrë të tillë që të mos bëjë diskriminimin ndaj Kosovës, c) politika monetare, ç) mbrojtja, d) politika e jashtme, dh) shërbimet doganore, e) tatimet federale, ë) zgjedhjet federale dhe f) fushat e tjera të përcaktuara në këtë marrëveshje.
4. Republika e Serbisë do të ketë pushtet në Kosovë, ashtu si është përcaktuar në këtë marrëveshje, duke përfshitë edhe çështjen e zgjedhjeve republikane.
5……
6. Sa i përket Kosovës:
a) Nuk do të ketë ndryshime të kufijve të Kosovës;
b) Vendosja dhe përdorimi i policisë dhe i forcave të sigurisë do të qeveriset sipas kapitujve 2 dhe 7 të kësaj marrëveshjeje; dhe
c) Kosova do të ket pushtet të realizojë marrëdhënie me jashtë në kuadër të pushtetit të saj të barazvlefshme me pushtetin e paraparë për republikat sipas Nenit 7 të Kushtetutës të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Kapitulli 2, Neni 2, Pika 2. Numri dhe përbërja e policisë komunale
Numri i gjithmbarshëm i policisë komunale të themeluar me këtë marrëveshje, që vepron në Kosovë nuk do të tejkalojë 3.000 policë aktivë për zbatimin e ligjit.
Pika 6. c) Çdo komunë mund të mbajë, në kryeqëndrat komunale apo stacionet komunale, jo më shumë se 4 (katër) armë me tytë të gjatë, tyta e së cilës nuk guxon të jetë kalibër më i madh se 7.62mm, për çdo 15 oficerë policorë të caktuar për komunë.
Neni 6: Sigurimi i kufijve ndërkombëtarë.
1. Qeveria e RFJ-së do të mbajë pikat kalimtare zyrtare në kufirin e saj ndërkombëtar (me Shqipërinë dhe FYROM-in).
2. (a). I) Policia kufitare do të vazhdojë të ushtrojë autoritetin e vet në kufirin ndërkombëtar të Kosovës dhe në lidhje me zbatimin e ligjeve të RFJ-së për imigracion. Numri i përgjithshëm i policëve kufitarë do të zvogëlohet në 75.
3. Kapitulli 4A, Neni I, Pika 4. Republika Federale e Jugosllavisë do të jetë përgjegjëse për grumbullimin e të gjitha mjeteve nga doganat në kufijtë ndërkombëtarë të Kosovës.
4. Kapitulli 7, Neni 1, Pika 2.a. Të arrihet ndërprerja e qëndrueshme e armiqësive. Përveç forcave të parapara në këtë kapitull, asnjë forcë tjetër ushtarake, në asnjë rrethanë, nuk do të hyjë, apo të mbesë në territorin e Kosovës pa pëlqimin paraprak të Komandantit të KFOR-it.
5. Neni 4, Pika 2. Forcat e AJ-së roje të kufirit. A) Forcat e AJ-së roje të kufirit të lejohen të kufizuara në numrin prej 1.500 antarësh, si para muajit Shkurt të vitit 1998, të Batalionit të Rojes së Kufirit, në objektet e lokalizuara në Gjakovë, në Prizëren dhe në Ferizaj dhe në ndërtesat plotësuese brenda zonës kufitare…. Një numër shtesë i personelit të Armatës Jugosllave (AJ), që nuk mund të kalojë numërin e gjithëmbarshëm 1.000 dhe forcat e logjistikës do të lejohen të mbeteten në objektet e kazermave.
b) Elementët e AJ-së në Kosovë do të kenë kufizime në armë prej 82 mm e mëposhtë.
Neni 5: Forcat e tjera, Pika 3. Deri më datën K+5 ditë, forcat e tjera duhet të heqin dorë dhe t’i mbyllin pozicionet luftarake, strehimoret dhe postblloqet.
Pika 5. E) Deri në datën K-120 ditë çmilitarizimi i të gjitha forcave të tjera do të jetë i përfunduar” 8). (Kapitulli 7, Neni 1 dhe Neni 5 janë për UÇK-në. D.G.)

_______________

1) Massimo D’Alema: “Kosova, Italianët dhe lufta”, f. 19
2) Madeleine Albright “Zonja Sekretare”, f. 469
3) Doktrina Monro është përcaktuese në politikën e jashte të SHBA, e paraqitur më 2 Dhjetor 1823 nga presidenti Xhejms Monro, është një nga parimet më të vjetra që do të thirret në të nga shumë presidentë amerikanë, përfshi edhe Bill Klinton.
4) Noam Chomsky “Failed States”, Pinguin Books, London, England, 2006, f. 95
5) Madelein Albright, “Zonja Sekretare”, f. 464
6) Ramë Buja: “Konferenca e Rambujesë”, Prishtinë, 2006, f. 139
7) Shkëlzen Gashi: “Marrëveshja për paqe të përkohëshme”, f. 29
8) Mr.sc. Ramë Buja: “Konferenca e Rambujesë”, Prishtinë, 2006, f. 173-271.
___________________

BIBLIOGRAFIA

1. Adem Demaçi “Liria dhe joliria”, Prishtinë, Tetor, 2002
2. Ramë Buja “Konferenca e Rambujesë”, Prishtinë, 2006
3. Shkëlzën Gashi “Adem Demaçi”, biografi, Prishtinë 2010
4. Shkëlzen Gashi “Marrëveshja për paqe të përkohëshme”, Prishtinë, 2004
5. Jakup Krasniqi “Kthesa e madhe”, Prishtinë 2006
6. Ukshin Hoti”Filozofia politike e çështjes shqiptare”, Prishtinë, 1997
7. Henri Kissinger “Diplomacia”, Tiranë, 1999
8. Henry Kissinger “”A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme?”, Tiranë, 2004
9. Madelein Albright “Zonja Sekretare”, Dudaj, 2003
10. Marc Weller “The Ramboulliet Conference in Kosovo”, 2000
11. Massimo D’Alema “Kosova, Italianët dhe lufta”, Tiranë, 2004
12. Paskal Milo “Ditari i një ministri të jashtëm”, Tiranë, 2009
13. Bernard Kushner “Luftëtarët e paqes”, Mësonjëtroria”, 2004
14. Ylli Polovina “Ditari i Romës” , Mësonjëtorja, 2000
15. Noam Chomsky “Failed States”, Pinguin Books, London, England, 2006
16. Bill Klinton “Ne luftën, ju paqen”, Tiranë, 2000
17. Wesli K. Clark: “Të bësh luftë moderne”, Prishtinë, 2003
18. Pr.Dr.John G. Stoessinger “Përse kombet shkojnë në luftë”, Tiranë 2009
19. James Petiffer & Miranda Vickers: “Çështja shqiptare”, Tiranë-New York, 2007
20. Henry H.Perritt Jr. “Rrëfim prej brenda për një kryengritje”, Koha, Prishtinë, 2008
21. George Friedman “America’s Secret Wars”, USA, 2007
22. Lidëll Hart “Strategjia”, SHBU, Tiranë 1997
23. Dushan T.Batakoviç “Qeveria serbe dhe Esat Pashë Toptani”, IDK Tiranë
24. Dushan T.Batakoviç “The Serbs in Kosovo-Metohia”
25. Muhamet Kelmendi “Pse nuk u ndërtua Fronti për çlirimin e Kosovës”, Tiranë, 1999
26. Shukri Klinaku “Vendimi fatal”, Çlirimi, Prishtinë 2000
27. Blerim Shala “Vitet e Kosovës 1998-1999”, Prishtinë, 2000
28. Blerim Shala “Lufta diplomatike për Kosovën”, Zëri, Prishtinë 2003
29. Ismail Kadare “Ra ky mort e u pamë”, Onufri, 1999, f.29
30. Ismail Kadare “Shqiptarët në kërkim të një fati të ri”, Onufri, Tiranë, 2001
31. Mehmet Kraja “Mirupafshim në një luftë tjetër”, Pristine, 2003
32. Xhemail Mustafa “Një lutje për Prishtinën”, Prishtinë, 2000
33. Bedri Islami “I vërteti”, Tetovë, 2011
34. Bedri Islami “Lëvizja-lindje e përgjakur”, Tetovë, 2012
35. Bardh Hamzaj “Rrëfimi për luftën dhe lirinë”, Prishtinë, 1999
36. Naim Maloku “Dëshmi për rrugën e lirisë”, Prishtinë, 2000
37. Edward Luttwak “Coup d’Etat”,USA, N.Y., October 1969
38. Arkivi i Radio Kosova e Lirë, v.1, Prishtinë, 2004
39. Ahmet Qeriqi “Ikanakët gjatë luftës, matrapaqzë e profiterë pas lufte” www.radiokosovaelire.com, 23.10.2013
40. Behxhet Shala: www.pashtriku.org
41. Gazeta “Express”, 05 Shkurt 2014
42. Gazeta “Rilindja”, botimi në Tiranë, 1998-1999
43. Dokumentet Britanike për Çështjen Shqiptare 1912-1913, Tiranë, 2012
44. “Global Conversation’, e transmetuar në Euronews
45. “Dr. Rugova në Hagë”, Prizëren, 2002
46. Zekeria Cana “Ditari i Robërisë”, vëll. 2, Prishtinë, 2000
47. Historia e SHBA, Tiranë, 2010
48. Fehmi Baftiu “Kosova krizë ndërkombëtare. Ditar”, Prishtinë, 2004
49. Dilaver Goxhaj “Rruga që më çoi në radhët e UÇK”, Tiranë, 2000
50. Dilaver Goxhaj “UÇK-ja dhe Kadareja”, Prishtinë, 2004
51. Dilaver Goxhaj “Romantika e luftës së UÇK”, Tiranë-Prishtinë,2012
52. Naim Balidemaj “Tragjedia kosovare”, Prishtinë, 2001
53. Safet Zejnullahu “Lufta për Kosovën”, Prishtinë, 2000
54. Fazlli Veliu “LPK dhe UÇK, një emblem një qëllim”, Tiranë, 2000
55. TV “Vizion Plus”, Tiranë, emisioni “Zonë e ndaluar”, 10 Tetor 2011
56. Revista “Diaspora shqiptare”, nr.1, Shtator, 1998
57. “Global Conversation’, 14 Shkurt 2014
58. Rexhep Qosja “Ditari”, vëll.1, Tiranë, 2014
59. Servet Tartari “Labëria në kuvende”, Tiranë, 2014
60. Franc Fanoni “Të mallkuarit e botës”, Prishtinë, 1984
61. Stephen Schwatz “Prejardhja e një lufte-Kosova”, Prishtinë, 2005
62. Hajrudin S. Muja “Lufta e Kosovës në shtypin amerikan”, Prishtinë, 2012
63. Veton Surroi “Këmbët e gjarpërit”, Prishtinë, Qershor 2014
***
Pasqyra e Lëndës
1. Prolog ……………………………………………
2. Hyrje………………………………………………
3. Kundërshtitë dhe pranimi i Konferencës së Rambujesë
4. Epilogu………………………………………………
5. Shtojcë………………………………………………
6. Bibliografia…………………………………………

( F U N D )
=====================
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (PSE U ORGANIZUA ME URGJENCË RAMBUJEJA? PËR TA SABOTUAR ASAMBLENË KOMBËTARE TË KOSOVËS!) (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8500
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (DEMAÇI, RUGOVA DHE QEVERIA BUKOSHI!(6)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8501
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (ADEM DEMÇI – UÇK-ja NUK DO TË KAPITULLOI!) (7)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8502
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (EMËRIMI I SYLEJMAN SELIMIT – KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I UÒªK’së DHE AKUZAT NDAJ DEMAÒªIT PËR PUÒª E TRADHËTI!) (8)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8527
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (HALITI ‘NUK MUND TA FITOJMË LUFTËN’! DEMAÒªI-‘LUFTËN E KEMI NISUR PËR TA FITUAR’!) (9)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8538
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (HARADINAJ – ‘LUFTA NË KOSOVË ËSHTË BËRË NGA KOMANDANTËT E ZONAVE, JO NGA DREJTORITË POLITIKE’. KRASNIQI – ‘LUFTA GUERILE U TREGUE E DËMSHME’) (10)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8541
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUSH E SHTYRI ADEM DEMAÇIN TË JAP DORËHEQJE NGA POZITA E PËRFAQSUESIT POLITIK TË UÒªK-së, MË 1 MARS 1999?!) (11)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8548
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“A KA GABUAR DEMAÒªI…?”) (12)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8553

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura