BERAT LUZHA: ODA E MYSAFIRËVE – MONUMENT ETNOGRAFIK DHE INSTITUCION I TRASHËGIMISË KULTURORE

Begracë (Kaçanik), 24. 11. 2014 – Oda shqiptare, e quajtur si oda e mysafirëve, oda e miqve apo oda e burrave, paraqet një objekt, një monument etnografik dhe një institucion të rëndësishëm shoqëror të trashëgimisë sonë të traditave dhe vlerave kulturore. Ky institucion është produkt i rrethanave shoqërore, politike, historike e ekonomike, i diktuar nga organizimi patriarkal i shoqërisë. Si objekt arkitektonik dhe etnokulturor, oda reflekton gjendjen ekonomike e shoqërore të familjes dhe të mjedisit.
Roli dhe karakteri i odave
Roli i odave në jetën shoqërore dhe në kulturën kombëtare është jashtëzakonisht i madh, shumëdimensional dhe shumëfunksional, nëse merren parasysh kushtet dhe rrethanat e kohës. Në oda janë mbajtur kuvende, janë marrë vendime, janë organizuar mblesëri, fejesa e martesa, janë pajtuar gjaqe e ngatërresa, janë kryer ritet fetare, ato të vdekjes etj. Mungesën e institucioneve shoqërore, arsimore, kulturore e sportive, në të kaluarën, deri diku e ka zëvendësuar oda jonë e traditës popullore.
Përmes odës janë identifikuar dhe janë përcjellë vlerat materiale dhe shpirtërore të familjes, të vëllazërisë, të fisit dhe të kombit, si vlera njerëzore, si vlera morale, si vlera të besës, si vlera atdhetare, por edhe për virtytet e doket e familjes dhe të mjedisit. Përmes odave janë përcjellë, nga brezi në brez, vlerat tona etnokulturore, si: doket, zakonet, besimet, bestytnitë, por edhe vlerat e mirëfillta të atdhedashurisë dhe të traditës pozitive liridashëse. Në oda është kultivuar, ruajtur e zhvilluar folklori burimor autokton shqiptar, eposi i kreshnikëve, lojërat tradicionale popullore, historia kombëtare dhe shumë vlera tona kulturore.

ODA E LUZHËS pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Pamje e brendshme e një ode shqiptare

(Oda e Luzhës, në fshatin Begracë të Komunës së Kaçanikut)

Adem Demaçi dhe Ahmet Haxhiu mysafirë të Odës së Luzhës

(Begracë, dhjetor 1990)

Mikpritja për shqiptarët ishte e ngritur në kult. Oda thuhej se është e Zotit dhe e mikut. Miku apo mysafiri pritej njësoj, edhe kur njihej, edhe kur nuk njihej. Shpesh ndodhte që mysafirët të trokisnin në derë (kapixhik), duke qenë udhëtarë, kur i kishte zënë nata apo kur ishin shumë të lodhur nga udhëtimi i gjatë. Mysafiri pritej me respekt e bujari, me “bukë e kripë e zemër”.
Kur mysafiri thërriste te dera e oborrit
– “A doni mysafirë, o i zoti i sh’pisë”,
përgjigjja kthehej:
– “Mirë se të ka pru’ Zoti”,
kurse kur hynte në odë, shprehej:
– “Qoftë mirë”
dhe merrte miratimin me shprehjen:
– “Mirë se na erdhe”.
Pas pritjes dhe përshëndetjeve të rastit, mikpritësi shkonte dhe i njoftonte gratë për rëndësinë e mysafirit, nga varej se çka duhej të përgatitej për drekë apo për darkë.
Në kohët e shkuara, kur shqiptarët nuk i kishin shkollat e tyre, odat deri diku shërbenin edhe për veprimtari edukative dhe arsimore. Gjatë bisedave tregoheshin e mësoheshin ngjarje e personalitete të rëndësishme historike. Nga mysafirët kishte burra të njohur të kohës, oratorë të mirë, pleqnarë (fise – ata që pajtonin gjaqe), intelektualë të ndryshëm, mësues, teologë e personalitete tjera të shquara, të cilët në odë sillnin dijen dhe përvojën e tyre jetësore, sillnin tregime të ndryshme, fjalë të urta, kash e lasha, aforizma, anekdota etj. Ata, gjatë bisedave, shquheshin veçanërisht për mendimin e tyre popullor filozofik, për shpjegimet e normave juridike të kanunit, për shpjegimet e normave fetare, morale etj.
Ngjarje me rëndësi të posaçme në odë konsideroheshin ato që ishin të organizuara si, për pajtim të gjaqeve e ngatërresave, për dasma e fejesa, për mblesëri, por edhe për ritet vdekjes.
Kush mund të qëndronte në odë?
Qëndrimi në odë ishte i rregulluar me rregulla të veçanta të shoqërisë patriarkale. Pjesëmarrësit në odë detyroheshin të kishin sjellje të mirë dhe t’u përmbaheshin rregullave të pashkruara të këtij institucioni popullor. Veçanërisht, ishte e rregulluar renditja për uljen e mysafirëve dhe mikpritësve. Pranë oxhakut, nga ana e djathtë e tij, ishte vendi i nderit apo “kryet e vendit”, ku mund të uleshin, sipas rëndësisë që kishin për rrethanat e kohës, më plaku, kleriku, mysafiri i largët (jabanxhiu), intelektuali etj. Pas tij, nga ana e djathtë, uleshin mysafirët tjerë, sipas rëndësisë së tyre, që e përcaktonin vetë ata. Kurse në anën tjetër të odës, përballë mysafirëve, uleshin nikoqirët; i zoti i shtëpisë, vëllezërit, djemtë e tij etj.
Kur vinin mysafirët, veçanërisht ata që konsideroheshin si mysafirë të rëndë apo të largët – jabanxhinj, mblidheshin në odë të gjithë burrat e shtëpisë, djemtë, por edhe fëmijët mbi moshën 12-vjeçare. Atëherë i zoti i shtëpisë i urdhëronte djemtë t’i thërrisnin në ndejë të pas darkës edhe kushërinjtë dhe fqinjët. Kështu, pasdarkeve, pos muhabetit me biseda të gjata e interesante, zhvilloheshin edhe veprimtari kulturore; këndoheshin këngë, kryesisht këngë trimërie, këngë atdhedashurie apo, sipas moshës së mysafirëve, edhe këngë dashurie apo, si quheshin rëndom, “kangë të gryta”. Këngët përcilleshin me çifteli, me lahutë, me fyell a kavall, por shpesh këndohej edhe pa instrumente. Pos këngëve luheshin lojëra të ndryshme, si: loja me kapuça, loja me filxhanë, loja cic-mic apo degerxhik (me kokrra groshe), loja bizzz etj., kurse nga vitet 60-ta kishin hyrë në odë edhe loja me letra dhe loja e shahut. Pas lojërave me filxhanë dhe me kapuça, fituesi u këndonte kundërshtarëve të lojës këngë satirike me karakter tallës e fyes.
Kur fliste dikush në odë, të tjerët detyroheshin ta dëgjonin atë deri në fund. Atij që fliste nuk i merrej e as nuk i kthehej fjala, pra, “nuk i bëhej fjala dy”. Përkundrazi, për ta nderuar apo për të mos e ngushtuar, mysafirit i miratohej fjala edhe në rastet kur të pranishmit nuk pajtoheshin me të. Rrallë ndodhte të polemizohej mes të pranishmëve, veçanërisht kur biseda hapej për çështje apo probleme të ndjeshme jetësore të kohës.
Burrat në odë, gratë dhe fëmijët në kuzhinë, – ishte njëra nga rregullat kryesore të pashkruara që karakterizonte shoqërinë patriarkale shqiptare në të kaluarën. Qëndrimi në oda ka qenë i mbizotëruar nga burrat, pos në raste të veçanta, kur kanë hyrë në të edhe gratë. Gratë kanë hyrë në odë në raste të rralla, kur prej tyre është kërkuar ndihmë për zgjidhjen e ndonjë problemi që nuk kanë mundur ta zgjidhin burrat. Gjithashtu, në odë kanë mundur të qëndrojnë edhe bijat e vjetra, por vetëm në rastet kur ka pas mysafirë familjarë, si dhëndurë, nipa, dajë etj. Fëmijët, kryesisht djem, kanë qëndruar në odë, por duke iu nënshtruar rregullave të veçanta. Kështu, ata kanë mundur të dëgjojnë e të shikojnë se çka flitej e çka bëhej në odë, por pa e pasur të drejtën e fjalës dhe duke qëndruar të ulur afër derës apo në të ashtuquajturin trapazan. Gjithashtu, në raste të shpeshta, kur në odë nuk ka pasur djem të rritur për të shërbyer, shërbimet i kanë kryer edhe fëmijët.
Kur në odë ishte i pranishëm edhe ndonjë klerik fetar mysliman, atëherë patjetër që zhvilloheshin edhe ritet fetare si, thirrja e ezanit, falja e namazit dhe bërja e lutjes – aminit në mbarim të drekës apo të darkës. Kur në odë zhvilloheshin veprimtari për faljen e gjaqeve apo të ngatërresave, pleqnarët apo fiset, të zgjedhur nga të dyja palët në konflikt, gjykonin paanshëm dhe binin vendime, të cilat, pa marrë parasysh nëse ishin të drejta apo jo, duhej të pranoheshin nga të dyja palët. Atëherë kur merrej vendimi për pajtim, ngriheshin të gjithë të pranishmit dhe përqafoheshin apo i zgjatnin dorën njëri-tjetrit me urimin:
– “E paçi faqen e bardhë”,
– “Zoti ju nderoftë”,
– “Qofshi gjithmonë të nderuar” etj.
Odat – të shkatërruara dhe të dala jashtë funksionimit
Duhet thënë se jo çdo shtëpi, madje as çdo lagje kishte mundësi të kishte odë. Odat ishin të rralla në një fshat apo qytet. Ato mund t’i kishin vetëm familjet e mëdha e të kamura, të cilat mund t’u përballonin shpenzimeve të konsiderueshme të saj.
Objekti i odës ndodhej i veçuar nga shtëpia e banimit familjar, pos kur gjendej në kuadër të shtëpive të banimit apo të kullave. Odat ndërtoheshin kryesisht afër rrugës – sokakut. Me rrugën lidhej me anë të një dere – kapixhiku, që shërbente vetëm për hyrje – daljen në odë. Kurse, kur oda ndodhej në përbërjen e shtëpisë apo të kullës familjare, ajo duhej të kishte një hyrje të veçantë nga hyrja familjare.
Odat dalloheshin nga objektet e banimit familjarë për brendësinë e saj karakteristike. Shtretërit në të dy anët ishin të shtruar me qilima. Odat, të shumtën, kishin tavanet e sheshta karakteristike, shumë dollapë të hapur e të mbyllur, dollapin për jorganë (yklykun), oxhakun, trapazanin, sobenë e zjarrit, sofrën etj. Nga jashtë e kishin hajatin, nevojtoren dhe kapixhikun.
Këto objekte – institucione, me modernizimin e gjithanshëm të jetesës, tashmë kanë dalë apo po dalin gjithnjë e më shumë nga funksioni që e kanë kryer në të kaluarën. Pjesa më e madhe e tyre janë shkatërruar, qoftë nga lufta, qoftë për shkak të vjetërsisë dhe jo funksionalitetit të tyre apo ngase janë zëvendësuar me oda të reja të arkitekturës më moderne.
Tash mund të themi se edhe mysafirët kanë ndryshuar:
– Nuk ka më mysafirë udhëtarë, as mblesës (mësitë), as fise – pleqnarë të pajtimit të gjaqeve… Nëpër oda nuk ka më fejesa e dasma, as të pame (kryeshëndosh), si më parë. Tash edhe mysafirët janë modernizuar; ata janë kryesisht familjarë, qëndrojnë në mjediset familjare për pak kohë dhe në prani të tërë familjes, pa dallime të pjesëmarrjes gjinore e moshore.

……………………………………..

– Peisazh i fshatit Begracë – Shpia dhe Oda e Luzhës –

SOT – ODA E LUZHËS, 10.11.2014

………………………………..

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura