Prishtinë, 6 Korrik 2019: Vetëm 10 orë shkëputje nga rrjetet-sociale dhe gjithë ky panik!? Çfarë na nxori në pah ky problem?
***
Gjatë viteve 2009-2013 tema kryesore për ekspertët e rrjeteve-sociale dhe për psikologë të njohur në botë ishte “Varësia nga interneti” të cilët vazhdimisht deklaronin se kjo dukuri do të jetë më e theksuar pas vitit 2020, kjo gjë atëherë perceptohej si një rrezik jo fort serioz pasi që kishte shumë nga ata që pretendonin se kjo platformë është nën kontrollin e njerëzve pra nën kontrollin e vet përdoruesve.
Por ja fakti që dje kishte një shkëputje 10 orësh në 3 platforma kryesore të rrjetit-social, gjë që shkaktoi një panik global e cila mjaftoj për shfaqjen e sindromëve të ankthit tek miliona njerëz anembanë globit. Këtë më së miri e tregojnë postimet e përdoruesve që bënin gjatë kësaj kohe nëpër platforma të tjera të cilët nuk ishin ndikuar nga ky bllokim.
Pyetja që kishte pushtuar çdo shtëpi, çdo kafe, çdo mahall ishte:
A u ndreq facebooki?
A po shihen foto në Instagram?
A ka problem në whatsapp.
Madje këto pyetje kishin rrethuar edhe familjarët të mi, e gjithë shtëpia të shqetësuar nga problemi kërkonin alternativa për të shpenzuar kohën.
Por ja që ky rast ishte një problem teknik dhe u zgjidh. Por çfarë nëse do kishte vazhduar disa ditë?
Duke pas parasysh se çfarë efekte kishte tek njerëzit, lind pyetja; çfarë nëse në të ardhmen kjo do të keqpërdoret për përfitime të ndryshme nga vet pronarët e këtyre rrjeteve-sociale?
Të gjithë e dimë se aplikacionet kryesore si Facebook, Instagram, Whatsapp janë në pronësinë e një personi. Çfarë nëse këto kompani me seli në ShBA nesër do të sanksionohen nga Uashingtoni për qasje nga një shtet të caktuar ose nga një rajon të kufizuar dhe kjo vetëm për qëllime politike? Çfarë do të shkaktoj kjo popullatës së atij vendi?
T’ju them unë…
Kjo do të ketë ndikimin e një ‘bombe-atomike’ madje dy deri në tre bomba në të njëjtën kohë.
Por si?
Për një person i cili është një përdorues mbi-mesatare me 4 deri 6 orë në ditë, mosqasja në këto rrjete për disa ditë do të kishte pasoja katastrofike. Mos qasja në këto tri rrjete-sociale kryesore do të shkaktonte sindroma të shumta tek përdoruesit. Ata do ishin kthyer në persona depresivë, të palumtur, pamundësia e kontrollimit dhe menaxhimit të kohës së tepruar nga përdorimi i rrjeteve-sociale do t’i bënte ata nervozë dhe të parehatshëm në aspektin psikologjik, gjë që do të ndikoj në shfaqjen e rezultateve negative në fusha të tjera të jetës. Kështu duke ndikuar edhe marrëdhëniet me të tjerët. Kjo do të përhapet si një sëmundje dhe për një kohë shumë të shkurtër do të krijoj një kaos sociologjik, e cila do ti ulë mekanizmat mbrojtëse të perceptimit tek njerëzit në atë vend dhe kështu duke krijuar një teren të gatshëm për kolonizimin e ndër-dijeve. Këtu mund të cekim një thënie nga Julian Assange, “Frika më e madhe e njerëzve në të kaluarën ishte pushtimi i tokave të tyre, kurse tani frika më e madhe e njerëzve është pushtimi i mendjeve të tyre”.
Mund të përmendim rezultatet e studimeve nga Asociacioni Amerikan i Psikologjisë! Ata tregojnë se të gjithë ata që janë përdorues kompulsivë të internetit, e kanë të pamundur të flasin qartë mbi ndjenjat dhe mendimet e tyre, e në këtë mënyrë, as nuk i zhdukë dot “parehatitë individuale”, sepse çdo qëndrim i zgjatur jashtë përdorimit të internetit, shton përjetimin e emocioneve negative.
Në anën tjetër vlen të ceket se numri i të rinjve që i drejtohen qendrave të rehabilitimit është rritur dukshëm, dhe kjo si pasoj e përdorimit të tepruar të rrjeteve sociale dhe smartphonëve deri në 7 orë në ditë. Abuzimi me këtë përdorim prek rreth 50% të të rinjve amerikanë, kurse kjo përqindje në botë është 43. Të rinjtë që janë intervistuar kanë theksuar se nuk arrinin të shkëputeshin nga teknologjia, dhe vuanin nga ankthi dhe stresi, që duket se janë pasojat kryesore të abuzimit në përdorimin e rrjeteve sociale.
Por çfarë duhet të bëjmë?
Mendoj se gjithçka varet nga një edukim i mirëfilltë, e cila fillon nga prindërit ku ata janë rol-modelet e para të fëmijëve te tyre. Për ta parandaluar ose të paktën ngadalësuar sëmundjen e varësisë ndaj internetit, prindërit duhet ta kenë të qartë që vetë ata nuk duhet të përfshihen totalisht në komunikimet virtuale gjatë gjithë kohës, sepse do t’u jepnin në këtë rast modelin e gabuar fëmijëve të tyre. Së dyti, prindërit duhet të kenë vëmendjen e vazhdueshme, nuk është nevoja të kesh kontrollin pedant ndaj kohës që harxhojnë fëmijët e tyre, por vëmendjen e mjaftueshme ndaj kohës që të rinjtë dhe fëmijët shpenzojnë për përfshirjen në komunikimet virtuale. Marrim gjithmonë parasysh sa më shumë virtualisht të përfshihet një individ, aq më pak e jeton realitetin.
Për shmangien e varësisë ndaj internetit në fillim duhet ta bëjmë një përpjekje për t’ia sqaruar vetes arsyet e çdo elementi që çon në varësi ndaj rrjeteve sociale. Sepse vet përpjekja për t’i njohur ato, është hap shumë i rëndësishëm për të filluar tërheqjen graduale. Pastaj edhe përpjekja për t’u lidhur me njerëz që nuk janë vazhdimisht online (e të cilët, në dukje të parë, nuk pëlqehen edhe shumë nga përdoruesit kompulsivë). Të tillët kanë shumë ç’të ofrojnë në jetën reale e cila rezulton të jetë më e këndshme sesa ajo virutale. Sot instagrami ka prodhuar shumë modele ose të them ma hapur “pretendues/e e të qenurit modele apo manekine”. Ky grup është grupi më i rrezikuar, sepse një ditë kur më nuk do të jetë instagrami këta do të njoftohen me realitetin e hidhur, i cili mund t’i bëjë ata me pasoja psikologjike.
Për fat te keq bota virtuale në këtë mënyrë edhe i lidh njerëzit, po edhe i izolon ata nga njëri-tjetri.