BEHXHET Sh.SHALA BAJGORA: KUKLLAT E DODONËS…, PËR KOLLOSEUMIN E ROMËS!

Prishtinë, 29. 07. 2016: (Shqiponjat, mizat e kalit dhe vezët e qyqes) – Në Turqi, sipas një automatizmi, pati përpjekje për rivendosje të demokracisë që nënkupton zëvendësimin e një sistemi autoritar të Erdoganit me mekanizmat “demokratikë“ të ushtrisë dhe policisë turke. Nuk duhet inteligjencë e vecantë të kuptosh se ushtria dhe policia nuk janë mekanizma që e mbrojnë apo mirëmbajnë demokracinë për ta zbuluar tash se qëllimi i puçit ushtarak ka qenë pikërisht demokratik! Ushtria turke, sipas një kurdisjeje kohore ka zëvendësuar politikanët duke e bërë këtë në emër të intereseve të popullit turk dhe shtetit turk. Tash, ka shumë spekulime dhe paqartësi pse ndodhi përpjekja për grushtshtet pikërisht në këtë kohë dhe pikërisht në këtë mënyrë?! Ka spekulime se kjo është pasojë e përafrimit të Turqisë me Rusinë apo shkaku se Evropa ia ktheu shpinën Turqisë duke e kushtëzuar liberalizimin e vizave me njëqindmijë kërkesa dhe kushte që nuk do t’i pranonte astenjë shtet normal përjashtuar Kosovën e lëre më Turqinë që ishte shndërruar në një superfuqi ekonomike në hapësirën e caktuar të orientit dhe oksidentit! Fillimisht Erdogani kishte merita për forcimin e Turqisë, deri në çastin kur deshi të shndërrohej në sulltan të një perandorie që më herët sundohej nga paraardhësit e dhunshëm që neve shqiptarëve na dëmtuan shumë duke na mbajtur të pushtuar 500 vjet nën një dhunë të shfrenuar! Edhe kur Perandoria otomane, pas goditjeve dhe humbjeve që i pësonte me radhë, u detyrua t’ua njohë pavarësinë Greqisë, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe shteteve tjera , shpenzonte kohë dhe forca të mëdha ushtarake për t’i shtypur kryengritjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, duke ushtruar krime të pashembullta.

Sikur që Turqia të kishte sens politik dhe strategjik, shtetit të parë që do t’i njihte pavarësinë do të ishte Shqipëria e përbërë nga katër vilajetet, me shumicë absolute shqiptare. Po të ndodhte kështu, harta politike e Ballkanit do të dukej ndryshe dhe nuk do të përmendeshin kurrë Çamëria apo Molla e Kuqe dhe nuk do të luftonim për çdo centimetër territor apo të katandisemi në një hapësirë ku mungon edhe ajri për të mbijetuar si popull. Edhe pas përfundimit të luftrave botërore, të parës dhe të dytës, Turqia i ka dëmtuar skajshmërisht shqiptarët duke u falur toka shteteve fqinje sikur edhe duke bërë marrëveshje me mbretërinë serbo – kroato-sllovene dhe Jugosllavinë komuniste për shpopullzimin e territoreve shqiptare në shtetin artificial të Jugosllavisë dhe popullzimin e shkretëtirave të Anadollit, përmes asimilimit absolut të shqiptarëve që brenda natës u shndërruan në turq! Në aspektin kombëtar, shtetëror, historik dhe strategjik, kombi shqiptar dhe shteti shqiptar më së shumti është dëmtuar pikërisht nga paraardhësit e Erdoganit të cilët, politikanët e korruptuar dhe të papërgjegjshëm në të dy anët e kufirit shqiptaro – shqiptar e quajnë populli vëlla turk! Në Shqipëri, në kohën e diktaturës komuniste dhe enveriste ishte një përkufuzim për popullin vëlla serb dhe miqt kosovarë ! Kështu po ndodhë edhe sot! Turqia është rikthyer fuqishëm në Kosovë duke i blerë me para të imta të gjitha asetet ekonomike të Kosovës falë ndërkombëtarëve që e kanë lejuar rikthimin e perandorisë në territoret që i ka sunduar më parë dhe politikanëve kosovarë të korruptuar dhe të zhveshur nga çdo vlerë kombëtare dhe morale! Të gjitha asetet ekonomike të Kosovës janë në pronësi të korporatave turke prapa të cilave janë shtete e fuqishme botërore. Ju kujtohet një mashtrues dhe diplomat tejet abuzues dhe arrogant siç ishte Delli që e luante lojën e zyrës së prokurimit duke ua ndarë tenderët me qindra dhe miliarda euro firmave turke aksionar i të cilave ishte edhe ai, shpërdoruesi arrogant! Gabimi strategjik zhvillimor i Kosovës ka qenë orientimi kah Turqia dhe jo kah perëndimi! Kështu, ndodhi që pastaj Turqia zyrtarisht kërkoi rishikimin e teksteve shkollore duke e mohuar okupimin klasik të dhunshëm 500 vjeçar dhe zëvendësimin e tij me një idilë romantike të bashkëjetesës 500 vjeçare ku ka pasur moskuptime të vogla si në çdo bashkëjetesë, mohimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut si figurë dhe vlerë kombëtare dhe historike për shqiptarët, deri te kërkesa jonormale për arrestimin e një gazetari dhe caktimin e kohëzgjatjes së dënimit për Berat Buzhalën. Nëse Berati do ta shpenzonte tërë pasurinë që e ka për të fituar popullaritet , nuk do të kishte sukses sa një kërkesë e vetme e shtetit turk dhe ambasadores së këtij shteti në Kosovë! Për mua nuk kishte astenjë kuptim përkrahja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë që ia bënë Erdoganit, në kohën kur shtypen në çdo aspekt nga regjimet e Vuçiqit dhe Gruevskit! “Analistët“ kosovarë, me prejardhje komuniste dhe jugosllave gjithmonë reagojnë të parët dhe nuk ka zhvillim botëror që nuk deklarohen, duke ndarë sygjerime për shtetin ku ndodhin këto zhvillime. Edhe në zhvillimet në Turqi u deklaruan haptas kundër Erdoganit dhe përkrahën puçistët duke menduar se punët kryhen shpejt dhe e pati puna e Erdoganit. Deshën të rreshtohen në anën e fituesve, Gylenit apo atyre që qëndrojnë realisht prapa këtyre forcave që bënë përpjekje për grushtshtet! Sikur që Kosova të na ishte një shtet pa astenjë problem dhe se do të ishte përcaktuese e politikave globale dhe strategjike botërore! Në Turqi ndodhën gjëra të këqija nga të dyja palët! Puqistët e dhunshëm, së paku deri më tani, nuk ia arritën qëllimit kurse Erdogani, me një fjalor të dhunshëm vetëm sa kontribuoi për sforcimin e dhunës. Me këtë Turqia hyri në një destabilizim strategjik dhe lirisht mund të thuhet se ka filluar perëndimi i kohës së Erdoganit dhe sa më shumë që të kaloi koha, Erdogani do të detyrohet të përdor më shumë dhunë dhe fund i tij do të jetë më i shpejtë dhe më i rëndë për të! Projektuesit strategjik e shkatërruan Libinë, Sirinë, Irakun, Afganistanin, Pakistanin, Egjiptin, tash Turqinë dhe u ka mbetur vetëm edhe Irani, për ta përmbyllur qarkun destabilizues që do të zgjasë së paku edhe 100 vjet! Erdogani, po të kishte ndjeshmëri politike, në çastin e kthesës kur ai shpëtoi lëkurën e vet, është dashur të përdor një fjalor përafrues dhe jo fjalor të dhunës dhe urrejtjes! Në këtë mënyrë do të pengoheshin shumë krime dhe poshtërime që ndodhën pastaj! Kur ju armiqësoheni me së paku 30-40% të popullit që e sundoni, perspektiva e ka vlerën zero, si për ata që sundohen e në veçanti për ata që sundojnë! Krijuesi e ka bërë renditjen që kurrë nuk do të ndryshojë; na ka bërë së pari njerëz, pastaj jemi bërë kombe kurse feja është e treta në këtë ndarje. Kush mendon që fenë ta qesë para njerëzores dhe kombëtares , është në lajthitje të madhe, i pa shpresë dhe i përcaktuar të dështojë! Dhe kushdo që bënë përpjekje ta forcojë fenë sipas disa kritereve të përçudnuara, realisht punon kundër kombit dhe shtetit. Sidomos në vendet ku bashkëjetojnë disa besime të ndryshme. E tillë është Kosova! Ta lëmë Turqinë t’i zgjedh problemet si iu duket atyre më mirë sepse neve, edhe ashtu nuk na pyet askush për asgjë dhe punët i kemi llugë në vendin tonë për t’u marrë edhe me Turqinë dhe problemet tjera të botës !
Dylyftimi te OK Korali apo te Kuvendi i Kosovës
Patëm lexuar shumë dhe ishin edhe disa filma për dylyftimin midis Sherifit Uajat Erp me vëllezër dhe një stomatologu bredhës Dok Holidej kundër vëllezërve Dallton dhe banditëve që i përkrahnin. Vendi dhe koha e dylyftimit ishte caktuar më parë, te OK Korali në ora 12.00. Dylyftimi ishte midis të mirës dhe të ligës, ligjit dhe anarkisë , drejtësisë dhe dhunës, rregullit dhe krimit sikur edhe midis jetës dhe vdekjes ! Ishte koha e vështirë në Perëndimin e Egër të Amerikës dhe , sikur në çdo përrallë , e mira e mund të keqen kështu që ligji i personifikuar në Sherifin Uajat Erp mposhti banditët e personifikuar te vëllezërit Dallton! Pastaj, ishte koha e Buç Kesidit dhe Sinsinati Kejt, Xhon Dilingjerit dhe Al Kapones mirëpo gjithmonë ligji ishte më i fuqishëm se banditi dhe krimineli më i fuqishëm. Kështu ishte dhe është në Amerikë , nuk e respekton ligjin , të pret biruca, deri te karrika elektrike apo “infuzioni“ i gjykatës për ekzekutimin e dënimit me vdekje! Në Kosovë e kemi një situatë paksa të ngatërruar; disa banditë e bëjnë ligjin që është i detyrueshëm për qytetarët kurse ka karakter fakultativ ( jo detyrues për ta ) prandaj edhe jemi ku jemi ! Kjo ndarje, sikur në kohën e Sherifit Uajat Erp , në të mirë dhe të këqinj është e theksuar edhe tani me mundësi se çdo palë e interpreton si të dojë dhe si i përshtatet. Sidomos kjo ndarje është theksuar për Demarkacionin dhe Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Të gjithë ata që janë për Demarkacionin dhe Asociacionin portretizohen si tradhëtarë kurse kundërshtarët janë patriotë. Pavarësisht një të kaluare servile dhe kundër intereseve të popullit dhe pavarësisht një të kaluare dhe të tashme kriminale dhe korruptive, me ca përjashtime, kuptohet! Për këtë arsye është caktuar një dylyftim në Kuvendin e Kosovës, sikur në kohën e Sherifit Uajat Erp, ku nuk lejohet përdorimi i armëve kurse ndonjë grusht edhe mund të lejohet kurse fjalët e rënda , fyese dhe kërcënimet do të jenë pjesë e menysë ditore për aq sa zgjatë dylyftimi në Kuvendin e Kosovës ! Është një situatë jonormale sepse po organizohet dylyftimi pasi është “ falur Bajrami “ dhe se rezultatet e këtij nuk do të ndikojnë fare në marrëveshjen politike me Malin e Zi për demarkacion. Ndërkombëtarët që i kanë kryer këto procese në Kumanovë në bisedimet me Serbinë ku Kosova nuk është pyetur as edhe : sa kushton pazari i qenve .. “po e llogarisin këtë si çështje të kryer dhe të pakthyeshme dhe vetëm po caktojnë afate kohore kur ajo duhet të ratifikohet në Kuvend . Edhe këta që kanë bërë marrëveshje në terrin e natës nuk kanë kthim prapa prandaj po kërkojnë që kjo marrëveshje të votohet si e tillë dhe pa astenjë ndryshim në Kuvendin e Kosovës kurse opozita nuk është e vendosur ta sakrifikojë edhe astenjë makiato e mos të flasim për diçka tjetër . Edhe këtu ka përjashtime! Opozita po e kundërshton, duke kërcënuar me destabilizim të situatës ndërsa Mali i Zi po mendon sikur edhe pozita e Kosovës dhe ndërkombëtarët. Ka ide idioteske se, së pari duhet të votohet për Demarkacion kurse pas kësaj të bisedohet për vijën kufitare! Kjo i bjen sikur dikush të propozojë që të vdekurin ta varrosim dhe pas kësaj ta zhvarrosim dhe të konstatojmë nëse vërtet paska vdekur ! Sot në Kosovë çmenduritë shiten si ide të mira e pse edhe kjo të mos jetë e tillë! Mendoj se asgjë nuk do të dali nga ky debat, përveç përtypjes së ushqimit të njëjtë! Vonë u ka dalë gjumi dhe përgjegjësia e deputetëve, edhe të opozitës është se e kanë veshur ekipin negociues të Kosovës me të gjitha komptetencat për bisedime, pa e detyruar të japë informata dhe llogari për këto bisedime! Tash është një situatë edhe më e pafavorshme sepse kanë dalur probleme shumë më të mëdha për Kosovën se Demarkacioni dhe Asociacioni sikur është puna e Turqisë , Sudanit Jugor , Sirisë dhe vatrave potenciale të krizave në Amerikën e Jugut, Azi dhe shtetet e tjera të Afrikës! Ne nuk jemi lojtarë të vegjël dhe të parëndësishëm për t’u marrë me punë të vogëla apo politika lokale dhe rajonale! Ne jemi për punë të mëdha sidomos nëse të tjerët sakrifikohen për punët tona !
Abortimet e parakohshme politike
Disa deputetë të pozitës po sillen sikur çmimi i karburanteve në bursat botërore , sa ngriten , pas një kohe shtrihen për tokë ! Edhe këta , dje ishin për demarkacionin , para dite kanë dyshime , pas dite janë kundër kurse nesër përsëri janë për demarkacionin ! Çfarë vendosmërie dhe çfarë morali i palëkundur , jemi sui generis edhe në këtë aspekt ! Dikush po thotë se PDK po e përdor këtë taktikë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme ndërsa unë mendoj , shihe ti , unë mendojë (!) , PDK është subjekti i fundit që është i interesuar për zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhjet eventuale të parakohshme do të prodhonin një situatë ku PDK do të ndahej si subjekti që do të humbasë më së shumti !
Parshikues i vogël i një vendi të madh
Pasi jam edhe unë pjesëtar i një populli që merret kryesisht me politika të larta dhe analiza të përqëndruara globale, nuk më intereson nëse Ramadan Muja do ta përfundojë mandatin si kryetar i Prizrenit apo nëse Lutfi Hazirit , kryetarit të Gjilanit i çohet ai seni por do të parashikoj rezultatin për kryetar të ardhshëm të Amerikës e ai , nuk do të jetë ajo apo Hillari Klinton por do të fitojë ai, Donald Tramp ! Bindjet e mia personale nuk janë fare përcaktuese për këtë parashikim !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura