BESI BEKTESHI: NGA ÇIRIAKO I ANKONËS, TE GRABITJA E MUZEUT TË BUSHATLLINJËVE NË SHKODËR DHE DERI TE MATRAPAZËT E SOTËM TË TRASHËGIMISË KOMBËTARE!

Pashtriku.org, 06. 09. 2014: Në shfletimin e revistave dikur, por të lidhura me kujdes në Muzeun Historik të Shkodrës, me shumë fat lexova një shkrim të studiuesit Hasan Ulqini që në vitin 1979. Ishte një moment i rëndësishëm për sot dhe shkrimi i Ulqinit kishte për titull “Objekte të Arkeologjisë Shqiptare nëpër Muzeumet e Huaja”. Moralisht dhe objektivisht, isha shumë i interesuar për një fakt të njohur, por jo të vlersuar dhe në qytetin më të madh, por tradicional dhe të pasur me trashëgimi që është Shkodra. Në fakt, zoti Ulqini në parathënie kishte vendosur dy grabitje të rëndësishme që i kanë bërë të huajt vëndit tonë dhe këto dy grabitje njëra është në Vlorë, dhe tjetra në Shkodër.
Muzeu Arkeologjik i Vlorës, i ndërtuar nga misioni francez i mrekullueshëm me Leon Rej për 15-të vite rradhazi, është marrë i gjithi në vitin 1939-të dhe fashistët e konsideruan një thesar të tyrin. Por kryesorja për mua ishte dhe fakti i raprezaljes në vitin 1913-të në kalanë Rozafat të Shkodrës, e pikërisht të muzeut të pasur të Bushatllinjve, në banesën e tyre në oborrin e kapitenerisë së sotme. Një muze i pasur, tepër interesant, i cili në këtë vit duhej kërkuar së paku si histori me që ishte rasti i 100 vjetorit të pikërisht betejës së madhe dhe rrethimit që mbajti Shqipërinë jo të shpërndarë me gjithshka dhe në të mirë dhe të keq, formoi këto 28.000 km katror që kemi sot. Malazezët vodhën dhe grabitën muzeun si vjedhja më e madhe e kohës, por dhe e shekullit 20’të në teritore shqiptare, dhe për më tepër, një muze të mirë rregulluar dhe me mbi 1000 artefakte të ruajtura dhe pronë e familjes së madhe shkodrane, si sunduese e qytetit për gati një shekull. Nuk është bërë asnjë lëvizje normale në kohët e sotme, por dhe më përpara në këtë drejtim dhe dihet qartë se diku mburren me artefaktet e Bushatllinjve dhe të kalasë së Shkodrës.

Hasan Ulqini “Objekte të Arkeologjisë Shqiptare nëpër Muzeumet e Huaja” – 1979.

Megjithatë, nga zoti Ulqini është gjithashtu e qartë dhe historia e marrësit të veprave dhe njeriut të parë si arkeolog të trevave shqiptare në trashëgimi. Është pikërisht historia e Ciriako de Picikoli në shekullin e XV’të, i cili ka bërë dy udhëtime si njeri i letrave dhe padyshim dhe arkeolog që zbulohet nga i madhi Ugolini. Ai konsiderohet Ciriako i Ankonës, sepse prej andej ishte dhe Ugolini thotë se ai zbuloi Butrintin, por problemi është se normalisht ishte dhe njeriu i parë që artefakte të kësaj toke, i mori për në vëndin e tij.
Mbase duhet falenderuar se i lartësoi, mbase duhet përmëndur si njeriu i parë që largoi nga kjo tokë, por mbase historia kështu është, dhe ai është pikërisht njeriu i parë i aventurës me artefakte dhe arkeologji nga ky vënd. Si Ugolini, dhe pikërisht Ciriako i Ankonës, janë bërë si vjedhës të monumenteve në kohën e socializmit, përgjithësisht historianografia e tillë biografinë e tyre e trajton në dy plane dhe ai kryesori është arkeologjia dhe kërkimi i tillë. Akuzohen por nuk është krejt e vërtetë kjo. Në vitin 1999’të Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, botoi librin e Ugolinit “Butrinti” ku në faqen 108 jepet një reliev me portretin e Ciriak-ut, por në profil. Tashmë arkeologu i parë i monumenteve të Shqipërisë, apo misionari i Papës dhe Gjenovës, si dhe këshilltari i Mehmet pushtuesit, nuk mund të jetë më i panjohur për publikun. Dhe këtu meritën e ka përsëri Luixhi Ugolini, të cilit nuk do ti njohim vetëm meritën e zbulimit të Butrintit, por edhe “zbulimin” e Çiriako de Piçikolit të Ankonës. Po, dhe punës së madhe si zbulues i arkeologjisë në këtë vënd.

Gjithsesi në këtë kohë, shumë artefakte kaluan në perëndim, dhe në fakt ato ishin në momente kritike nën sundimin e osmanëve, por dhe pa asnjë kontroll të kësaj natyre në trevat shqiptare. Por ky është momenti i parë arkeologjik i vërtetë me Ciriak’un e Ankonës. Ai i lidhur me Osmanllinjtë, kishte mandatin e Padishahut të lëviste lirshëm dhe sëpaku kjo duhet të lejonte pastaj dhe kërkimet dhe kishte tepër rëndësi puna e tij dhe për të mbajtur lidhjet midis dërguesve të tij nga Italia, dhe Portës së Lartë. Ai ishte një arkeolog, dhe padyshim tregtar dhe zbulues, dhe për këtë sot duhet nderuar.
Por çfarë veprash të mëdha janë jashtë dhe për këto zoti Ulqini që në fillim bën jehonën e viteve të fundit të diktaturës. Ai përmënd “Sarkofagun e Durrësit” që ndohet në muzeun arkeologjik në Stamboll. Ai është zbuluar në vitin 1909-të dhe i përket shekullit të dytë të kohës së re. E famshmja “Dama Antike” e gjetur në Gur të Zi në Shkodër e cila ndodhet në Luvër dhe është një nga artefaktet më të rëndësishëm tonat jashtë normalisht, të tjetërsura dhe marra nga kjo tokë. Tipizimi i saj, veshja, është një nga trashëgimitë më të qarta tonat në perëndim. Një figurë bronzi që ndodhet në muzeun Britanik. Është zbuluar në Kosovë dhe është çuar nga arkeologu Artur Evans, i cili ka eksploruar të gjithë veriun shqiptar. Pastaj Stela e Parmenikrit e cila ndodhet në Vienë, në muzeun e historik të artit. Është zbuluar dha marrë në Apoloni. Është jashtë dhe “Kokë gruaje në mermer” edhe kjo në Vienë, dhe është zbuluar dhe marrë në Durrës. Në fund janë “dy relieve gladiatorësh” që ndodhen në muzeun arkeologjik të Beogradit, dhe kanë qënë të vendosura nga pushtesit turq në portën e madhe të kalasë së Durrësit. U grabitën nga serbët në vitin 1913’të.
Duhet ndarë problemi i dikurshëm me problemin e madh të sotëm. Për kohën e Ciriako’s së Ankonës, nuk kishte një shtet dhe një model qeverisës shqiptar. Nuk kemi të bëjmë me grabitje të vërtetë, dhe është një gjë e mirë zbulimet e tij dhe normalisht dhe artefakte që ai mund të ketë çuar në vëndin e tij, sepse shikohej qartë se osmanllinjtë nuk kishin ndonjë interes të madh për arkeologjinë dhe trashëgiminë e tokave që vinin nën sundim. Por mbas viteve 1912’të, dhe sidomos nga viti 1913’të, ka filluar me forcë “vjedhja dhe marrja me dhunë e artefakte shqiptare”. Vitet 1913-1919’të janë të mbushura me akte grabitjesh së thesarit kombëtar të trashëgimisë tonë. Ishte kohë e vështirë dhe mbase historianografia socialiste e ka trajtuar në mënyrë bajate dhe jo të nderhme, por një pjesë e artefakteve u vodhën nga oficerë austriakë, por dhe italianë dhe një pjesë u mor nga studiues dhe kërkues të pikërisht kësaj natyre studimore dhe dorëzuan shumë prej tyre (për fat) në muzetët botës, e kryesisht Itali, Francë dhe shumë në Austri, por dhe Londër.
Vazhdimi i grabitjes është dhe gjatë shtatë viteve të para të qeverisjeve mbas 1920’tës. Në atë kohë, mendohet se janë larguar nga ky vënd mbi 12.000 artefakte, dhe shumica e varreve të rëndësishëm të dyshuar dhe të vjetër, u kërkuan për të marrë dhe repertet. Po ashtu kapitele, orendi, pllaka me mbishkrime, dhe shumë e shumë të tjera si qeramikë, monedha dhe medalje të shumta. Mbas vitit 1927-të, janë dënuar për matrapaz, shkatërrues dhe vjedhës varresh dhe vëndesh historike, rreth 100 persona në Shqipëri.
***
Në kohë të Mbretërisë u ndal vrulli, por italianët bënë punën e tyre kudo si për mirë dhe për keq. Gjithsesi kontrolli sërish ishte i dobët për të kapur vandalët dhe matrapazët. Mendohet se fill mbas vitit 1945’së, jugosllavët morën në Shkodër jo vetëm mall dhe varfëruan tregtarët, por dhe artefakte, piktura dhe kapitele, por dhe veshje të vjetra, armë dhe stoli, e shumë e shumë të tjera që kalojnë mbi 1000 njësi të tilla kudo që patën akses. Rusët ishin më të kujdeshëm, por dhe ato bënë “punën e tyre në këtë drejtim” dhe ekspeditat e tyre dhe pse nganjëherë me shqiptarë, në shumë raste kërkimet bëheshin vetëm nga rusët dhe përfitimet po ashtu.
Mbas tyre arkeologjia u vendos në baza ruajtje dhe sidomos vitet 1960’të, janë rilevimi i madh hartografik dhe me fotografi të historinografisë dhe arkeologjisë tonë kombëtare. Në këtë kohë filloi vërtetë dhe krijimi i sit-eve tona, dhe tepër të elaburuara pastaj në kohë dhe filloi dhe prodhimi i arkeologëve dhe njerzve të lartë tonët në këtë drejtim dhe sidomos të trashëgimisë sonë kulturore.
***
Vitet 1990’të dhe më pas, janë fatkeqësia e madhe e jona në këtë drejtim. Nuk mbeti grykë pusi, pikturë dhe qilim, rafte të vjetër, kapitele të vogla dhe sende të vjetra pa shkuar në fillim në Greqi dhe pastaj dhe Itali. Nuk u trajtua aspak rëndësia e kësaj teme dhe unë nuk kam pse përsëris gjatë ato gjëra, që i kam shkruar disa dhjetra herë.
Problemin po e kthej edhe një herë te Muzeu i Bushatllinjve në kalanë e Shkodrës, si një veçori e madhe muzeale e jona e kohës, duke qënë se nuk kishte me sa di unë një të barabartë si tipizim, jo vetëm në qytetet e mëdha tonat, po as në Mal të Zi, dhe po ashtu në Janinë dhe Shkup. Ka qënë muzeu i armëve dhe historisë së dinastinë së madhe shkodrane, i mirë përgatitur dhe mbushur plot me reperte. Ai është tashmë si trashëgimi kulturore në vëndin fqinj, dhe pikërisht me sa dihet dhe thuhet në Cetinjë, dhe vënde të tjetra të vëndit të vogël, pikërisht komshi me ne. Sot vazhdojnë matrapazët e artefakteve dhe reperteve që gjinden në tokën shqiptare. Në fakt, janë për tu dënuar, dhe sot bredhin lirshëm me terrakota dhe stoli apo dhe të tjera artefakte të rëndësishëm dhe është fat i madh kur takojnë ndonjë individ të mirë ditur, por dhe të kujdeshëm për trashëgiminë. Por në të shumtën e rasteve “malli” shkon te trafikanët dhe historia këtu mbyllet në dëm të trashëgimisë tonë. Kësaj katastrofe historike dhe në trashëgimi shumë shpejt i duhet dhënë fund. Tashmë pritshmëria është modeli i ri i mentalitetit në qeverisjen e re. (BesiBekteshi.info)

Besi Bekteshi – emisioni “Rozafa TV History”, me 2 mars 2013


———————————–

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
OBJEKTE TË GRABITURA NË SHQIPËRI

Në vijim lexoni një fragment nga libri “Grabitës të Monumenteve – 1980” të studiuesit Hasan Ulqini. Listë e objekteve kryesore të grabitura të përmendura në libër e të shpërndara sipas muzeumeve!
***
MUZEU I LUVRIT

1. Tors i Bakut fëmijë, mermer, Apoloni. Është një kryevepër, dalë nga dora e skulptorit të madh të lashtësisë, Prakistelit. Është hequr nga muret e manastirit të Pojanit, në vitin 1859 dhe është dërguar në Luvër nga M. Goltier de Klabri. Qëndron në sallën Tibre, nr. 665. “Mission…”, f. 395; “Das Sand. Berat…”, f. 154; Leon Rey, “Albania”, 1, f. 11, shënim 9.
2. Fragment i një statuje të Vitories, mermer, Apoloni.
Kjo është dërguar në Luvër disa kohë më parë se Torsi i Prakistelit nga A. Grase, konsulli i Francës në Korfuz. “Mission…”, f. 395; Leon Rey. “Albania…”. 1. f. 11, shënim 9.
3. Mbishkrim i ujësjellësit të Durrësit, mermer.
Mbishkrimi tregon për riparimin e ujësjellësit të Durrësit në kohën e Aleksandër Severit së bashku me rrugën në një gjatësi prej katër mijë hapash, që ishte dëmtuar nga përrejnjtë. Ujësjellësi ishte ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Adrian. “Mission..”, f. 387, nr. 172; “Rev. Arche”. VI, 1862, f. 318; “Alb Stud.”, f. 119, etj.
Ndodhet në fondet e muzeumit të Luvrit.
4. Dy figura në altoreliev të Demetrës dhe Kores., gur. Durrës.
“Mission…”, f. 378, 460, tab. 27, fig. 2; f. 377, 460; tab. 27; fig. 3. Leon Rey, “Albania…”, 4, f. 102. Në inventarin e muzeut figurojnë me numrat 2291 dhe 2292. Për mbishkrimin shih dhe “Rev. Arch.” VI, 1862, f. 321.
5. Kokë kau me kurorë dhe lule, fragment frizi, Durrës.
Hëzej e mori pranë xhamisë te Porta e Madhe e qytetit. “Mission…”, f. 382, 383, tab. 27, fig. 4; “Cat. Somm”. Nr. 1427, f. 82; Po aty, botim i vitit 1918, nr. 1427, f. 88; Leon Rey. “Albania…”, 4, f. 103.
6. Kokë e Demetrës, mermer, Apoloni, madhësi natyrore.
Dallohet për linjat e holla, ëmbëlsinë dhe psikologjinë. Pjesa e sipërme e kokës pak e thyer. “Mission…”, f. 460, tab. 32.
7. Anfifeks, kërcimtare me palmete, Apoloni.
“Mission…”, f. 460.
8. Stelë e kalorësit, Apoloni.
“Mission…”, f. 400. 460. Kalorësi është veshur me klamys dhe në të djathtë të tij ka një shtizë të gjatë. Ndodhet në sallën greke, nr. 837, “Das San. Berat…”, f. 174.
9. Kapitel i vogël jonik, mermer, Apoloni.
“Mission…”, f. 388, 460.
10. Kapitel i vogël dorik, gur, Apoloni.
“Mission…”, f. 398-460.
11. Maskë luani, mermer, Apoloni.
“Mission…”, f. 398; “Das San. Berat…”, f. 190; Leon Rey, “Albania…” 1, f. 24, shënim 54.
12. Kokë gruaje, mermer, Apoloni, madhësi natyrore.
“Mission…”, f. 395-396.
13. Friz me figura të vogla që paraqesin luftë amazonash, Apoloni.
“Mission…”, f.398.
14. Figurinë gruaje, bronz, Apoloni, dimensione të vogla.
Gjetur në janar të vitit 1881, ndodhet në sallën e bronzit, nr. 2855. Leon Rey, “Albania…”, 3, f. 35. Rey boton fotografinë e saj.
15. Dama antike shqiptare, Gur i Zi, bronz.
Lartësia 0,28, koka 0,038 m. Shekulli VI-V p.e.s. Leon Rey, “Albania…”, 3, f. 56. Ai tregon se kjo skulpturë arkaike është botuar nga Dymond në “Rev. Arch. Nouvelle”, XXIV, 1872 me tre vizatime nga M. Chaplain, idem planshe XV. Këtë artikull me disa modifikime dhe shënime Dymond e botoi në “Melanges d’Arch”., më preçedencë; “Repertoire…”, II, nr. 7, f. 422-423, 552, në dy kataloge të bronzeve me dy ilustrime dhe një fotografi nga Ugolini, “Albania Antica”, 1, f. 15, fig. 14, etj.

– MUZEU, SAN ZHERMEN – PARIS
1. Objekte nga varreza e Kalasë së Dalmaces:
14 rrathë të mëdhenj qafe, bronz, 400 rruaza, 8 byzylykë, 38 vathë e rrathë vathësh, argjend dhe bronz, 6 zbukurime vathësh, argjend, 27 zbukurime, bronz, 10 unaza, bronz, një unazë, argjend, 17 fibula, bronz, një broshe e rrumbullakët, 2 sopata hekuri, një shpatë hekuri, 16 thika, maja heshtash, fibula, unaza, hekur.
“Souvenirs.,”, f. 262; Sollomon Reinach, “Une necropole…” në “L’Antropologie..”, 1901, f. 662-670., thotë se në muzeun Sen Zhermen ndodhen gjithsej 89 objektesh me numër inventari 53842-53930, kurse në të vërtetë lista që e paraqet vetë Dërgani është shumë më e madhe. Leon Rey, “Albania…” 3, f. 52. Ndërsa në Muzeumin Antropologjik të Parisit ndodhen dhe dy kafka nga kjo varrezë.
MUZEU ARKEOLOGJIK I BERLINIT
1. Dy fibula, bronz, një aplike, bronz, një byzylyk, bronz, dy rrathë dore, bronz, një fragment spiraleje, bronz, një fibul hekuri, një latushe hekuri, 23 rruaza qelqi të tipeve të ndryshme, një qafore, bronz, me varëse në trajtë trapezi të ngushtuar dhe në pjesën e poshtme në trajtë ylli, një paftë e veçuar e këtij tipi vathi, një thikë hekuri. Të gjitha objekte nga varreza e Kalasë së Dalmacies.
Traeger, “Mitteilungen…” f. 43-51, “Begrabniss…”, f. 43-47.
MUZEU HISTORIK I ARTIT NË VJENË

1. Stela e Parmeniskut.
Në reliev paraqitet një skenë me një betejë amazonash. Ajo ka edhe shenja të tjera të veçanta që e bëjnë të dallohet menjëherë si e artit apolonian. Ashtu si edhe tek stela e Falakres dallojmë pëllumbat duke pirë ujë, një enë të madhe, dy luanë që shqyejnë një dre. Steleja ka formën e një ndërtese, në mes të kolonave dallohet një kurorë lisi, dy trëndafilë; elemente të tjera të saj janë sirenat me krahë, grifonët.
“B.Y.SH.T.” 4, 1958, f. 213, 243.
2. Portret gruaje, mermer, nga Durrësi.
Skulptori ka ditur të evidentojë me mjeshtëri buzët e holla, ballin e tendosur, vetullat e harkuara, hundën e drejtë, që i japin portretit një shprehje të bukur. Gruaja ëshët e menduar. Ky portret është marrë në vitet e Luftës së Parë Botërore nga arkeologët Prashniker dhe Shober.
“Ylli”, 8, 1977, f. 35.

MUZEU NACIONAL I BEOGRADIT
1. Kokë djaloshi, mermer i bardhë, Durrës.
Lartësia 0,24 m, sipër në krye i mungon një tufë flokësh. Qepallat, hunda e goja janë të dëmtuara. Koka është përkulur disi nga e djathta. Fytyra është punuar mjaft hollë. Me anën e cepit të buzës së rënë si dhe vetullave të fryra dhe të syve të vendosur pjerrët jepet një shprehje habie. “Archeologische forschungen…”, f. 43, fig. 52, a, b. Balduin Sara, “Jareschefte…”, f. 240-246 njofton se në vitin 1926 kjo kokë është zhdukur për fat të keq. Leon Rey. “Albania…”, 4, f. 100.
2. Maskë komike prej guri të verdhë, Durrës.
Lartësia 0,40 m, gjerësia 0,30. Në të shihen shenja llaçi. Pranë gojës dhe në faqe dallohen gjurma ngjyrash të kuqe dhe të verdhë. Tipi i hundës së gjerë dhe t ë zgjatur me një gojë të zgjeruar të bën të mendosh se i përkiste komedisë nautike. Katër të përdredhura të mjekrës të stilizuara janë kthyer në të njëjtën mënyrë në relievin e komedisë së Napolit në maskën e Meneandrit në relievin berlinez nga Akuilea. “Archeologische forschungen…” f. 43, fig. 53.
3. Dy relieve gladiatorësh ose luftëtarësh dalmatë.
“Mission…”, f. 383, tabela 30; “Souvenirs…” f. 180, foto po në f. 180; “Archeologische forschungen…”, f. 44, fig. 54-55, etj.
Gladiatori i parë: 1.28 lartësia, 0,62 gjerësia, 0,25 trashësia . Gladiatori i dytë: 1.07 lartësia, 0,59 gjerësia, 0,24 trashësia.
4. Stele me mbishkrim, gur gëlqeror, Durrës.
Lartësia 0,78, gjerësia 0,43, trashësia 0,14. Steleja ka formën e një porte me dy doreza në formë rrethi. Mbishkrimi ndodhet sipër. një stelë e ngjashme me të është zbuluar përsëri kohët e fundit në qytetin e Durrësit.
“Archeologische forschungen…”, f. 44-45, figurë 56.
5. Fragment nga sarkofagu me mbishkrim dhe anije, gur, Durrës.
Kjo stele ka rëndësi sepse jep pamjen e një anije të lashtë të ankoruar në port me vel dhe njëkohësisht dhe rrema. Veli ka formën e një tabele shahu. Meqë fragmenti është i thyer duket vetëm pjesa e përparme e anijes.
“Archeologische forschungen…”, f. 45, fig. 57, 57a (vizatim).
6. Altar me mbishkrim, mermer, Durrës.
Lartësia 1.34, gjerësia 0.64, trashësia 0.60. Fusha e mbishkrimit është e rrethuar me dekoracione, ornamente dhe ndërmjet tyre ka të gdhendura gjethe akanthi. Mbishkrimin e këtij altari e kopjon për herë të parë Kiriaku i Ankonës. “C.I.L.” III, 616, i cili jep vendodhjen: Durrës, porta lindore e kalasë, nga Balduin Sara, “Antiken…” f. 240-246, viz. 39, Hequard, “Historie…”, f. 265, etj.
7. Pllakë mermeri e bardhë me mbishkrim, Durrës.
Balduin Sara, “Antiken…” , f. 240-246, viz. 41.
8. Reliev i Panit me tri nimfat, gur gëlqeror, Durrës.
Lartësia 0,47, gjerësia 0,42, trashësia 0,14. Relievi është i dëmtuar në anën e djathtë. Gjithashtu edhe pjesa e sipërme është mjaft e ngrënë. Në reliev duken gjurmë gëlqereje. Nga e majta është dëmtuar gjithashtu gjysma e poshtme e figurës së Panit. Gëzofit i tij i ka mbetur vet një pjesë. Për tek ai me hap vallëzimi vijnë dy nimfa të kapura dorë për dorë. Midis Panit dhe nimfës së parë ndodhet e gdhendur një enë, ndërsa midis dy këmbëve të nimfës një send i pacaktuar. Koka e nimfës së parë mungon, ndërsa të dytës i është dëmtuar rëndë, por ajo duhet të ketë pasur një zbukurim koke. Sipas lëvizjes së dorës së nimfës së dytë dhe përfytyrimeve analoge (Pani me tri nimfat, kult i përhapur gjerësisht në Durrës) duhet të ketë qenë dhe një nimfë e tretë.
Balduin Sara, “Antiken…”, f. 240-246, fig. 40, Leon Rey, “Albania…”, 4, f. 102

MUZEU BRITANIK
1. Shpatë bronzi nga Shkodra.
Gjatësia 48 cm.
“Walters, Catalogue…” numri 2754; Ugolini, “Albania Antica”, 1, f. 15, fig. 14; Leon Rei, “Albania…”, 3, f. 48.
2. Figurinë bronzi nga Shqipëria Veriore.
Është botuar në një kartolinë të nxjerrë nga Muzeu Britanik. Prapa ka të shkruar: Spartania ose vajza që vrapon, fondi nga Shqipëria nr. 208, viti 1976.
3. Diana, bronzinë nga Shqipëria. “Drini”, nr. 4., 1 prill 1942, f. 19.

MUZEU ARKEOLOGJIK I STAMBOLLIT
1. Kokë femre nga Apolonia.
G. Mendel. “Catalogue..”, II, nr. 330, f. 88. Leon Rei, “Albania…”, 1, f. 24, shënim 55.
2. Sarkofagu i Dyrrahut.
G. Mendel, “Catalogue…”, II, nr. 4, faqe 5-12; Mac Ridi Bey, “Jarbuh…”, f. 143, nr. 1; “Drini”, nr. 4: prill 1942, f. 9.
3. Fragment sarkofagu, Durrës.
G. Mendel, “Catalogue…”, I, f. 12-14, Leon Rei, “Albania…”, 4, f. 104.
MUZEU I TERMAVE NË ROMË
1. Koka e Deas së Butrintit, mermer.
Luixhi Ugolini, duke u nisur nga vlerat e saj të mëdha artistike, si një kryevepër e artit antik, e krijuar nga dora e Prakistelit, bëri çmos dhe e grabiti.
Ugolini, “Albania Antica”, III, f. 87.

 (…)

Hasan Ulqini, “Grabitës të Monumenteve – 1980”.

* * *
(Përgatiti www.pashtriku.org, Sh.Berisha)
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura