BESIM CENGU: DIMENSIONI INTELEKTUAL I PJETËR BOGDANIT

Tiranë, 24. 07. 2014 – Në rrafshin europian, për periudhën e vet, Pjetër Bogdani, është personaliteti i nivelit të krijuesve më të mëdhenj italian dhe europian në përgjithësi. Ky përcaktim e ky realitet, dëshmon se të udhëhequr prej kultit të dijes, dritës e diturisë, Bogdani, ashtu sikurse Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi etj., nuk janë fenomen i mbyllur, i zhvilluar vetëm brenda botës së letrave shqipe, por padyshim kontribut jo i vogël në gjithë Rilindjen europiane. Humanistët tanë qenë profesorë me peshë në universitetet italiane e vende tjera të kontinentit europian.
Unë mendoj, se duke vënë në vendin që u takon realisht figurat e letrave të kësaj periudhe, njëherit përcaktojmë jo vetëm rëndësinë e rolin tonë si popull, por edhe kontributin e rëndësishëm, pikërisht atëherë kur kërkoheshin titanët e mendimit e veprimit. Veçmas, Pjetër Bogdani, qe një titan shqiptar.
Vepra e tij “Çeta e profetëve” (1635) edhe sot e gjithë ditën të entuziazmon e të befason në shumë rrafshe. Kjo vepër, padyshim është një prej gurëve themeltar për shumë përcaktime e silogjizma, në zhvillimin e shkrimit e krijimeve të shumanshme shqipe të mëvonshme, sidomos atyre poetike.

Lasgush Poradeci, i rrëmbyer nga bukuria e vargjeve të shkruara në “Çetën e profetëve” shprehet: “…kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe forcës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrave përgjithësisht. Kozmogonia e të madhit shqiptar, i bën ballë me cilësitë e veta kozmogonisë asiriane (babilonase)…Dhe dihet se poezia kozmogonike asiriane ka qenë e përsosur në llojin e vet, ashtu sikurse është i përsosur Venusi i Milosit, apo Orakulli i Delfit”.
Duke shtjelluar krijimtarinë e përpjekjet për një “republikë letrash” shqiptare vemë re këto dukuri:
Kahje perëndimore e prodhimtarisë letrare.
Asnjë shenjë të poezisë orjentale, nuk gjendjet në krijimtarinë e lartpërmendur.
Së pari, kjo ndodh se formimi dhe kultura e figurave tona të asaj kohe qe perëndimore, ashtu siç përcakton edhe vendosja jonë gjeografike natyrale.
Së dyti, i tillë është orjentimi ynë kombëtar.
Këta personalitete të mëdha, të cilët patën fatin e detyrimin e madh të vendosin themelet e letërsisë dhe gjuhës shqipe, kanë treguar qartë se në asnjë rast të vetëm nuk kanë qenë urë kalimi kulturash, apo përcjellës nga një traditë letrare në tjetrën, por kanë vepruar e krijuar mbi bazën e traditës tonë kulturore origjinale që ka rëndësinë e peshën e vet, veçoritë e veta sociale, psikologjike, gjuhësore, artistike etj.
Përdorimi i figurave letrare e i fjalëve drondalif, zymbyl, hanë etj, në krijimtarinë letrare është fund e majë shqiptare. Në periudhën e mëpastajme, në kohën e lavdërueshme të Rilindjes Kombëtare edhe Naimi i përdor këto figura. Disa studiues e përcaktojnë përdorimin e tyre si ndikim orjental. Sipas të gjitha gjasave por edhe fakteve, nuk duhet të jetë kështu, por përkundrazi. Si shembull, tek Naimi prania e këtyre mjeteve artistike në krijimtarinë e tij është ndikim prej autorëve tanë të shekujve 15-të, 16-të, 17-të.
Edhe pse ky poet i madh dhe mësues moral i shqiptarëve, kishte formim e arsim orjental, në krijimtarinë e tij më së shumti përmendet Homeri, Virgjili, Seneka, Shekspiri, Danteja e deri te Viktor Hygoi e të tjerë personalitete letrare evropiane bashkëkohore.
Intelektualiteti i Bogdanit
Mbi të gjitha, Pjetër Bogdani, qe intelektual me kulturë të gjërë. Pikësëpari këtë e tregon ndërtimi klasik i veprës së vet, kompozimi i përsosur edhe i poezive të krijuara nga ai vetë, por edhe i poezive të përkthyera.
Vetë fakti që ai e quan veprën e vet “qiri i ndezur në dorë”, tregon nivelin emancipues dhe iluminist të të gjithë brezit të krijuesve në atë kohë, që ne rëndom i quajmë shkrimtarët tanë të vjetër, apo opusin krijues të tyre “letërsi e vjetër shqipe”.
Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare, me punën e gjatë këmbëngulëse mëse tridhjetëvjeçare, Bogdani i dha letërsisë shqiptare dhe popullit shqiptar një vepër madhore, që kurorëzoi traditën e mëparshme letrare e kulturore dhe që paralajmëroi një periudhe të re të zgjimit gjithkombëtar.
Bogdani është një njeri erudit.
Nga leximi i veprës së tij, mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italishten, latinishten, kroatishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten dhe sirishten.
Por më tepër se doktorata që mori edhe gjuhët që dinte, për vlerat e shquara të Bogdanit flet vepra e tij.
“Çeta e profeteve„ është shkruar me një kulturë të gjerë.
Në të ka informacion të pasur nga historia e popullit tonë, nga filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij nuk është përkthim. Legjendat biblike që janë në themel të saj, ai i ka përpunuar në mënyrë të lirë dhe herë pas here fut ide, arsyetime dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik, shkencor-natyror etj, që s’kanë të bëjnë fare me legjendat biblike dhe që i japin asaj karakter origjinal.
Vepra e Bogdanit, nuk është thjesht një tekst për shërbesat fetare, as për mësimin e fesë, siç ishin veprat e Buzukut e Budit. Ajo është një vepër teologjike-filozofike, me elemente të shumta enciklopedike, që përshkrohet fund e krye nga dashuria e madhe për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe, nga dëshira për të ndihmuar zhvillimin dhe përparimin e kulturës shqiptare.
Vepra përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë, trajtohen probleme teologjike e filozofike të doktrinës së krishtere, kurse në pjesën e dytë jetëshkrimi i Krishtit. Po autori del jashtë këtyre caqeve. Në pjesën e parë, trajtohen edhe shumë probleme të shkencave natyrore, si të gjeografisë, astronomisë, fizikës, matematikës etj, por edhe të shkencave shoqërore si të teorisë së letërsisë etj.
Duke goditur besimet e kota, ai në veprën e tij shpjegon, psh, si formohet shiu, vesa, breshëri, bora, vetëtima etj, ç’janë tërmetet, eklipset e diellit e të hënës, baticat e zbaticat, flet për njohjen e botës nëpërmjet shqisave etj. Meritë e tij është se gjithçka e trajton në nivelin e mendimit më të përparuar të kohës, kur jetoi.
Në pjesën e dytë, duke përshkruar jetën e Krishtit etj, ai solli në letërsinë tonë llojin e jetëshkrimit, realizmin në përshkrimin edhe vizatimin e figurave biblike, duke përdorur me mjeshtëri rrëfimin artistik në njerëz të ndryshëm.
Ndihmesa e tij është e rëndësishme sidomos në formimin e prozës shkencore shqiptare.
Realisht, për mua kjo ka qenë koha moderne e krijimit, pasi kjo periudhë pa dyshim që nuk ka qenë kohë e fillesës së letërsisë, pikënisja e prodhimit të vlerave artistike shqiptare, por vendosje e bazamentit modern nga kjo plejadë që kishte lindur nga një përvojë e pasur me substrat kombëtar dhe evropian.
Vepra e Bogdanit, tregon shkoqur për një traditë të konsoliduar krijuese përpara tij. Poezia e tij, thënë figurativisht, duhet të jetë kati i dhjetë i një ndërtese letrare shqiptare dhe nuk është e mundur dhe logjike që ky kat të mos kish poshtë kate tjerë me një bazament të fortë e të konsoliduar. Gjurmët letrare në periudhat e zymta të mëparshme, në mos sot, deomos nesër do të dalin e do të nxjerrim në dok autorë e krijues deri sot anonim, që sigurisht do të jenë tradita jonë intelektuale e krijuese.
Bogdanit dhe bashkëkohësve të vet, këto vepra, u kanë sherbyer si shembull, si material ndërtimi për strukturimin e veprave.
Vemë në dukje, se vepra e Bogdanit “Çeta e Profetëve”, është vepra e parë origjinale në shqip deri tash. Poezitë e tij e veçmas dhjetë sibilat helenike, janë edhe sot ndër krijimet më të bukura të letërsisë shqipe. Me përpjekje këmbëngulëse, duke mbledhur me kujdes fjalë të lashta e të rralla nga visari i gjuhës popullore, e duke i përdorur ato me kuptim të drejtpërdrejtë ose të figurshëm, ai e ngriti gjuhën shqipe në nivele të reja, tregoi aftësitë e saj për të fituar mundësi të larta shprehjeje e stili. Ai është i vetëdijshëm, se në këtë punë mund të ketë edhe të meta e mangësi, prandaj ne fjalët e fundit të parathënies së veprës, ai i drejtohet lexuesit: “Të lutemi pra, litari em i urtë, të më ndijeçë në gjeç fjalëzë, që të trazon veshëtë. Përse as dielli pa hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë…”
“Çeta e profetëve„ përmban edhe disa vjersha, shkruar nga vetë autori ose nga të tjerë. Nga këto, me interes të veçantë si për formën, ashtu edhe për idetë e saj, është një vjershë e Lukë Bogdanit. Ajo na sjell të gjallë deri në ditët tona kujtimin për Skënderbeun dhe mbresat e autorit për bukurinë dhe madhështinë e vendlindjes së poetit dhe veçanërisht të viseve ku ka jetuar e kryer aktivitetin intelektual e patriotik poeti e humanisti i madh.

Nga ana tjetër Bogdani është edhe përkthyes i parë i poetëve të mëdhenj si Homeri, Virgjili, Juvenali etj. Ky aktivitet është veprim prej intelektuali e eruditi të madh, sepse ai gjeti mjetet e mundësitë shprehëse në gjuhën tonë për t’i përkthyer ato denjësisht.
Kjo punë e mirëfilltë iluministe e Bogdanit, është kontribut i shquar në formësimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe. Këtë Bogdani e dëshmon edhe në fund të veprës së vet, ku friket se mos nuk po i kuptojnë gjuhën dhe justifikohet se kjo edhe mund të ndodhë pasi ka qëndruar shumë jashtë atdheut. Erudicioni i gjërë i Bogdanit, del në pah edhe në referimin e emrave më të dëgjuar të poezisë e filozofisë botërore si Homeri, Platoni, Sokrati, Aristoteli, Horaci, Seneka etj.
Është shumë e besueshme, se këto figura i njihnin edhe shqiptarët e thjeshtë, përndryshe Bogdani nuk do t’i shënonte në veprën e vet.
***
Në fund themi se nuk është vetëm Bogdani. Ai është një prej pinjollëve të një familje intelektuale. Bashkë me Pjetër Bogdanin, krijuan edhe ungjërit e tij, Andrea dhe Lukë Bogdani. Madje Luka i kushton edhe një vjershë me 20 strofë mjaft të organizuara Pjetër Bogdanit, ndërsa Andrea, klerik i lartë (kryepeshkop i Shkupit), ishte marrë me lëvrimin e gjuhës sonë, kishte hartuar në gjuhën shqipe edhe një gramatikë të latinishtes, madje kishte mbajtur në Kosovë edhe një shkollë, ku mësohej gjuha shqipe.
Të gjitha këto nuk na bën të hamendësohemi, por të jemi të bindur se tradita intelektuale ka qenë shumë e pranishme te shqiptarët që në atë kohë.
Tradita poetike hasjane
Jam me mendimin e studiuesve të mirënjohur e skrupuloz të kësaj periudhe si Dhimitër Shuteriqi, Injaz Zamputi dhe Ibrahim Rugova, se kemi të bëjmë me një traditë poetike hasjane. Kjo është vënë në theks më së shumti prej Ibrahim Rugovës, njërit prej studiuesve të tij më të thelluar. Pal Hasi, Pjetër Mazreku, Andrea, Lukë e Pjetër Bogdani, shtojmë këtu edhe Pjetër Budin, si ndërlidhës i kësaj tradite kulturore e cila padyshim kishte filluar, kur e kur më parë dhe që pati tepër ndikim më vonë deri te Gjon Nikollë Kazazi e më pas.
Pjetër Bogdani, qe përfaqësuesi më tipik dhe më i shkëlqyer i kësaj tradite poetike. Sipas disa të dhënave historike, është bërë edhe përpjekja për krijimin e një abetareje, ndërmarrje shumë serioze në konsolidimin e gjuhës shqipe.
Poezia e Bogdanit, ka një sërë veçorish.
Së pari, ajo është mjaft e rregullt në kuptimin artistik e përputhur plotësisht me poezinë e kohës në Evropë e në kontekst të Torkuato Tasos në Itali. Strofat janë tetëshe e me rrimë alternative abababcc, por herë herë praktikohet edhe strofa gjashtërrokëshe. “Me krijimin poetik të Bogdanit, kemi të bëjmë me një praktikë të zhvilluar poetike”, siç shprehet Ibrahim Rugova te monografia e tij “Vepra e Bogdanit”. Secila prej vjershave përbëjnë tërësi në vetvete, si në aspektin artistik, ashtu edhe në atë tematik. Çdonjëra prej krijimeve artistike, paraqet një çast nga jeta e personazhit. Poezitë janë plot figuracion e metafora të mrekullueshme që duhet t’ia ketë zili edhe poezia e sotme:
Me diell veshun e mbathunë me hanë
Me yj kryetë reth ngjeshunë Kunorë
Vajza ri e bukura ma fort se Zanë
Djalinë Jezu kërthi mbaj ngrykë ngorë.

Padyshim kjo vjershë, është ndër më të bukurat e antologjisë poetike shqipe. Por jo vetëm kaq. Ky krijim artistik, mund të jetë nga më të bukurit që janë krijuar në atë kohë përgjithësisht në Evropë. Poezia e Bogdanit, nga ana tjetër, tregon edhe për një gjuhë shumë të formësuar e të konsoliduar me mundësi shprehëse të mëdha, me aftësi e hapësira të konsiderueshme figurartive. Se ishte njohës i mrekullueshëm i poezisë e strukturave të saj, regon më së miri edhe vjersha kushtuar Andrea Zmaeviçit, e cila është krejt ndryshe nga krijimet tjera. Ajo është krijuar me strofa katërshe, sipas rimës abab me varg terërrokësh, dmth, varg i traditës popullore shqiptare. Edhe kjo vjershë ka mjaft vlera artistike.
Në përmbyllje
Për krijimtarinë e Pjetër Bogdanit, duhet të flitet shumë e shumë. Meqenëse kemi të bëjmë me një autor të madh e bazamental të letërsisë dhe intelektualitetit tonë kombëtar, edhe impenjimi i studiusve s’do mend se duhet të jetë i madh. Deri tani, Bogdani është studiuar në planin historik dhe për qëllimet e kësaj disipline shkencore, ashtu siç është studiuar edhe Budi, Barleti, Buzuku, Beçikemi etj. Në fakt Bogdani, është një thesar kombëtar edhe në planin artistik, që na jep shumë sa herë që të merremi në planin studimor. Ashtu siç u entuziazmua Lasgush Poradeci, kur lexoi poezinë kozmogonike të tij, ashtu entuziazmohemi edhe ne me këtë autor të madh të letrave shqipe.
Studimet serioze në të veçantat e tij, njëherit do të zbulojnë plotësisht figurën monumentale të këtij iluministi.

……………………………………………….

Shqipe Kastrati: Këngë për Pjetër Bogdanin

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura