BESIM CENGU: MUSINE KOKALARI – ZË KUMBUES I KULTURËS SHQIPTARE

Tiranë, 08. 02. 2017: (Në 100 vjetorin e lindjes, 10 shkurt 1917 – 10 shkurt 2017)
KOHA, SFONDI, PRIRJET
Pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 2012 u hap sipari i një historie të re shqiptare. Kjo epokë e ndritshme doemos kërkonte erë të re e mentalitet të ri që t’i përgjigjej aspiratave të reja kombëtare. Elita e viteve 30’ e përfaqësuar prej emrave të mëdhenj e vizionar vinte e edukuar kryesisht prej katër drejtimeve apo shkollave kulturore.
Së pari, një pjesë ishte kontribuese që në Rilindjen Kombëtare, por me kulturë perëndimore. Këta intelektualë të shquar sollën edhe në shekullin e XX idetë europiane e perëndimore që sintetizonin ndryshimin e mentalitetit të popullit, me synim shkëputjen përfundimtare prej ndikimeve të pushtuesit, por edhe ndërtimin e konstitucionit shpirtëror dhe identitetit kombëtar. Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Fan Noli, Ndre Mjeda etj., duke u udhëhequr nga deviza naimiane, e diellit që lind nga Perëndimi, ata jo vetëm ëndërruan, por edhe vepruan me gjithë energjitë e tyre intelektuale e fizike për çlirimin e popullit nga vargojtë e robërisë dhe renditjen e tij njësh me kombet e tjerë në Ballkan e Evropë.
Së dyti, rol të madh në këtë etapë të rëndësishme historike dhe kulturore të vendit tonë, luajtën bartësit e dojçkulturës përfaqësuar prej Branko Merxhanit, Vanxhel Koçës, Ismet Totos, Nebil Çikës, Eqrem Çabejt, Safet Butkës, Lasgush Poradecit, Krist Malokit etj., që ishin shkolluar në këtë mjedis kulturor. Këta intelektualë, artistë, publicistë e studiues të gjuhës shqipe, u përpoqën me të gjitha forcat për të përcjellë në koshiencën e popullit konceptimet gjermanike të kulturës, e mënyrës së ndërtimit të jetës, organizimit të arsimit e drejtimit shtetëror nën shembullin e Gjermanisë. Ky grupim intelektual, luajti rolin më të madh në frymëzimin dhe drejtimin e lëvizjes së mendimit të ri që në ato vite u quajt Neoshqiptarizma, lëvizje e cila kishte synimin që përmes depërtimit kulturor në psikologjinë e popullit, të ndryshojë kahjen e tij drejt qytetërimit perëndimor, e në veçanti atij gjerman, si më i suksesshmi e më prefekti sipas tyre në Evropë. Në këtë lëvizje u përfshijnë më pastaj edhe intelektualë të tjerë të shkolluar edhe në vende të tjera.
Së treti, një rol të madh në këtë periudhë luajtën intelektualët e edukuar në mjedisin kulturor e filozofik italian. Duke qenë popull i afërt me këtë vend të civilizuar e me kulturë të lashtë Gjergj Fishta, Vincens Prenushi, Beniamin Palaj, P.Anton Harapi, Zef Valentini, Ernest Koliqi etj., mendonin se përvetësimi i kulturës italiane dhe ecja në rrugën e zhvillimit roman, është zgjidhja më e mirë për popullin shqiptar. Kontributi i Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit apo edhe të tjerëve, që sollën në shqip poetët më të mëdhenj të Italisë, janë shembulli më i mirë i përpjekjes për të patur rolin në ndryshimin e koncepteve nga orientale dhe otomane në përftimin e ngulitjen e koncepteve të përparuara oksidentale.
Së katërti, praktikisht me shumë ndikim qe edhe mendimi intelektual që erdhi nga lindja, veçanarisht nga Rusia, përfaqësuar prej Ali Kelmendit, Tajar Zavalanit, Sejfulla Malëshovës, por edhe atyre që nuk kishin kulturë lindore si Enver Hoxha, Zef Mala etj., të cilët të frymëzuar prej vlerave të revolucioneve me ndikim që ndodhën në Rusi dhe Evropë në gjysmën e shekullit të XIX dhe në fillimin e shekullit të XX, veçanarisht nga revolucioni rus i Tetorit, por edhe të ndikuar nga letërsia e madhe e këtyre vendeve, e shikonin daljen nga gjendja ku ndodhej populli shqiptar duke u udhëhequr prej lëvizjeve patetike, të natyrës të revolucionit të tetorit dhe mësimeve të udhëheqësve popullor si, Lenini, Plehanovi, Gorki etj. Ky ndikim, ishte aq i ndjeshëm, sa edhe revolucioni i vitit 1924, nga disa studiues konsiderohet me të drejtë si influence ruse, influence e ndikim deri te patriotë të tillë si Bajram Curri e Avni Rustemi, që ishin shpirti dhe ora e këtij revolucioni. Nisma për të përkthyer vepra kreative ruse në gjuhën shqipe, siç është shembulli i romanit “Nëna” të Maksim Gorkit nga Tajar Zavalani apo “Zgalemi” nga Sejfulla Malëshova është domethënëse.
MUSINE KOKALARI DHE MJEDISI SOCIALKULTUROR
Në këtë situatë sociale, filozofike dhe letrare u rrit edhe Musine Kokalari. Për hir të së vërtetës deri më sot ne e kemi ngushtuar shumëdimensionalitetin që ajo ka në panteonin e personaliteteve shqiptare të shekullit të XX. Se ajo është një prej individëve më të persekutuar prej diktaturës, kjo dihet. Edhe se si është lënë krejt në hije për shkak të vrazhdësisë së pashoqe të këtij rregjimi represiv, edhe kjo dihet. Por ngushtimi i përmasave të saj ndikuese intelektuale, sipas mendimit tim ka ardhur sepse ajo në shumicën e rasteve është trajtuar si viktimë e komunizmit shqiptar. Musine Kokalarin me veprën e saj të larmishme nuk mund ta nxejë një thes i vogël. Ky lloj këndvështrimi ka anashkaluar atë çka është më e rëndësishme për këtë figurë: vlera dhe rëndësia e veprimtarisë letrare, studimore e shkencore, nuk është trajtuar shumë kontributi i saj i jashtzakonshëm si emancipuese e shpirtit kolektiv shqiptar që doli thellësisht i plagosur prej pushtimit shumëshekullor otoman, nuk është analizuar me dinjitet veprimi i saj politik, socialdemokrat në këtë rast.

Në fakt, Musine Kokalari përfaqëson përpjekjen titanike për mbijetesë e femrës shqiptare përballë vrazhdësisë orjentale dhe mentalitetit kiçperandorak në cep të saj si Gadishulli Ballkanik. Kjo përpjekje e ky kontribut, pasa së gjithash, është kontribut i grumbullimit të energjive mendore kombëtare për shekuj me rradhë, energji humane, të cilave u ka ardhur koha e shpërthimit. Në skicën “Zjarri…” Musineja e ndjen “afshin e ngrohtë dhe e sheh me sytë e zemrës e mendjes një “zjarr të padukur” që thellë dëgjohet…
Ajo pati shansin e madh të jetë sintezë e mendimit dhe psikologjisë dhe problemeve feministe ndaj për këtë ishte edhe Elena Gjikë, edhe Urani Rumbo, edhe Norë Kelmendi, edhe Bubulinë a Motrat Qiriazi, duke u shndërruar kështu jo vetëm një përfaqësuese dinjitoze e intelektualitetit të asaj kohe, por edhe një emancipuese e gjithë shoqërisë…ndaj ajo është shumë e madhe për t’u mbyllur në qelinë të pengimit të lirisë e për tu bërë “prone” e dikujt.
Ëndërrimtare sa s’ka më, emancipuese deri në kulm, shembull sjelljeje civilizuese e bukurie tipike shqiptare. Të jesh një simbol apo emblemë e kësaj natyre në një shoqëri pothuajse orjentale e maskiliste, jo vetëm do intelektualitet të kompletuar, por edhe guxim të pashoq. Një prej mendimtarëve të Neoshqiptarizmës, Ismet Toto, në artikullin “Filozofia që na duhet sot” botuar në vitin 1934, perifrazon një thënie të poetit të madh gjerman Gothe i cili thoshte: Në krye qe veprimi. Më shumë se kujtdo, aso kohe veprimi i duhej Shqipërisë, njeriut të saj për të arritur tek të tjerët. Mithat Frashëri, Anton Harapi, Vangjel Koça etj., kërkonin që të lodheshin duke shëruar “sëmundjet” e popullit që la pushtimi.
Musineja qe njeri i veprimit në të njëjtën linjë e nivel, sepse e ndjeu se i duhej kohës. Por edhe si bashkohësit e vet letrarë: Migjeni, Nonda Bulka, Petro Marko, ajo përdori tekstin e shkurtër, sepse kështu përcjellja e mendimit ishte më telegrafike. Skicat e saj janë krijime që depërtojnë lehtë në mendjet e njerëzve të cilëve u drejtohet. Përfaqësuese tipike e ideve të kohës: bie ndesh me idetë e vjetra të trashëguara prej pushtimit otoman. Prandaj popullin shqiptar ajo e konsideron me një psikologji të deformuar. E konsideron ferexhenë “një burg të dytë” duke e ndjerë veten të pafuqishme për të dalë nga “turkja” si koncept e formim botëkuptimor. (Ferexheja).
E ashtuquajtura dukuri e “mohimit të babait” që u manifestua te intelektualët, letrarët dhe mendimtarët e viteve 30, preket si imperativ substancial i shoqërisë, si kundërshti e mosndryshimit ose vështirësisë për të ndryshuar, si akt mental reflektiv kundër mendimeve të mykura jozhvilluese që pengonin aspiratën dhe qëllimin për të ecur përpara e për t’u barazuar me të tjerët. Mohimi i babait si koncept filozofik e sociologjik, ishte synim i shkëputjes prej psikozës otomane dhe obskurantiste, i vrazhdësisë penguese, largim prej shpirtit të plagosur shqiptar deri në kufijtë e humbjes së identitetit, tentative për të mbjellë idenë e re që sjell ndryshimin pozitiv. Te skica “Koha” Musineja shprehet jo me urrjetje, por me revoltë kundrejt prindërve me shpirtin e plagosur: “Ne jemi, ne dimë, – thërrisnin. S’lejonin të rinjtë që të vazhdonin shkollën.”, – thotë ajo e pezmatuar.
Po kështu edhe përpjekjet e vijueshme të gjithë atij brezi për emencipimin e femrës, Musineja e thekson fort në gjithë veprën e saj këtë, jo si një mode, por si një detyrë imediate e shoqërisë. Ajo mbylljen apo ndrydhjen e femrës brenda mureve e konsideron si burgosje shpirti, si privim lirie, si një vend ku nëpërkëmbej personalitet femëror e shkelmoheshin pa mëshirë ndjenjat njerëzore. Te skica “Ferexhea” buzëplasur shprehet “Brenda në shtëpi…e mbrujtur me udhëzimet e verbëta të prindërve…zvarritesha prej zakoneve të mykura. Ja një shpirt i shtypur dhe i ndaluar së gjalli…” Në shumë krijime të saj ndjehet drejtpërdrejt pezmatimi për gjendjen në të cilën ndodhet gruaja shqiptare dhe njëlloj si edhe Migjeni te “Studenti në shtëpi” e krijime të tjera të këtij poeti brilant, njëlloj si Haki Stërmilli me romanin “Sikur të isha djalë” apo Sterio Spasse me romanin “Pse” , Nonda Bulka (Chri-Chri) me skicat e tij të njohura etj, trajtohen probleme të mprehta sociale, diskutohen ide filozofike, analizohen drama jetësore që merrnin nëpër këmbë personalitetin e dinjitetin e femrës. Arrihet deri aty sa penda autoritare e Branko Merxhanit të lëshojë kushtrimin kuptimplotë te artikulli: “Mobilizim për pushtime morale.” E përforcojnë këtë fakt artikujt thellësisht dinjitoz edhe të, Mithat Frashërit, Zef Malës, Nebil Çikës, Anton Arapit, Safet Butkës, Tajar Zavalanit etj, ku kërkohet deomos pozicionimi i vërtetë i femrës në jetën sociale.
VETËDIJA KRIJUESE DHE PARIMET DEMOKRATIKE
Pas shpalljes së pavarësisë, në aspektin e veprimtarisë mendore dhe letrare, s’u ndoq më trajtimi i problemeve që kishin të bënin drejtpёrdrejt me idenë kombëtare në format e vjetra. Struktura psikosociale, politike, por edhe kulturore e popullit shqiptar u gjend praktikisht shumë e infektuar, prandaj situata qe aq kaotike. Rilindja Kombëtare dhe ideologët e saj vërtet kishin shtruar shinat e një gjuhe kombëtare të njësuar, kishin vendosur shtyllat e intelektualitetit dhe të një letërsie, por ende nuk kishte arritur të krijojë një vetëdije kolektive kombëtare e cila do të ishte ngrehina jonë. Në një farë mënyre, ndryshimi i raporteve sociale, por edhe politike e letrare në Shqipëri, në këtë situatë të re, kërkon të tjera praktika se edhe tematika dhe problematika tani ishte trajtimi i ideve shoqërore, ku në qendër u vendos njeriu shqiptar me të gjithë problemet e tij pas këputjes së vargojve të robërisë.
Karakteristika kryesore e filozofisë, por edhe koncepteve artistike dhe letrare të viteve 30’ të shekullit të XX, janë përhapja dhe konsolidimi i vlerave dhe ideve të reja si dhe hapja e shtigjeve filozofike, sociologjike, letrare dhe kritike, që orjentonin vëmendjen e popullin shqiptar nga perëndimi, dhe, në planin artistik, edukonin me shije e parime estetike, që binin ndesh me mentalitetin e vjetër e gjurmët e thella që kish lënë pushtuesi turk për qindra vjet në ndërgjegjen e popullit shqiptar.
Udhëhequr prej këtyre principeve, Musineja në një shkrimin me titull “Letërsia dhe shkrimtari” thekson: “Shkrimtari është ai mjeshtër që ushtron letërsinë në dobi të njerëzimit.” Jo vetëm kaq, por ajo e qartë dhe e vetëdishme për misionin e saj kontribuoi zëshëm në mbledhjen e trajtimin e perlave të folklorit shqiptar si studimi për dasmën gjirokastrite (…Sa u tunt jeta) apo përrallat (Rreth vatrës 1944), në hulumtimin e praktikës jetësore shpirtërore të popullit deri te punimet e saj artistike në lëmin e qëndistarisë (rreth 100 punë artistike të dorës së saj) ku derdhej energjia krijuese dhe imagjinative e të “burgosurave” brenda katër mureve të shtëpisë. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi në këto vite lindi lëvizja neoshqiptare dhe detyrë për realizimin e këtij misioni të madh historik iu la “djalërisë shqiptare”, e cila mishëronte përparimtaren në të gjitha lëmitë, guximin për të vepruar dhe mençurinë për t’i bërë ballë zgjidhjes së morisë së problemeve, që shqiptarët kishin bartur nga kjo e kaluar e errët. Nga ana tjetër, misioni i kësaj djalërie, pikësëpari, ishte paisja vetë me kulturë perëndimore, që pastaj të ishin të aftë për ta përcjellë këtë kulturë dhe idetë e saj tek “bota kaotike e vogël” siç e përcaktonin vetë themeluesit e kësaj rryme shoqërinë shqiptare të tre dekadave të para të paspavarësisë.
MANIFESTUESJA E PRINCIPEVE MODERNE
Musineja ishte një fenomen specifik shoqëror, filozofik, kulturor dhe politik. Për nga formimi, qe një sintezë e gërshetimeve kulturore, edhe lindore edhe perëndimore. E lindur në Turqi, rritur e formuar në Shqipëri, pikërisht në kohën kur po ringjallej në Shqipëri një arsim me kahje të re dhe e shkolluar në Itali, ajo përbën kështu një produkt të këtyre kulturave, duke u konsoliduar tek ajo një formim intelektual dhe botëkuptimor të plotë.
Musineja me shumë dinjitet u ngrit mbi çdo pengesë dhe u shndërrua në avangardë e civilizimit femëror, por edhe social në përgjithësi që interesohej për çdo gjë, por edhe merrej me çdo gjë si një liluministe e vërtetë, që ka të bëjë me evolimin social e kulturor të kompleksitetit njerëzor. E para femër emancipuese e shkelmuese e mentalitetit pengues, e para femër shkrimtare, e para femër që përqafoi socialdemokracinë europeiste bazamentale “e cila ka pasur një impakt në historinë (politike BC) të Shqipërisë” sipas Alina Wagner te libri i saj “Musine Kokalari dhe Social-Demokracia në Shqipëri.” Ajo udhëhiqej prej principeve më të përparuara të kohës, përqafoi letërsinë më moderne të kohës se luftone dhe aspironte vërtet një Botë të Re. Lexonte letërsi elitare franceze, gjermanë, italiane, përkthente Luixhi Pirandelon dhe Xhani Rodarin. Dëgjonte e luante bashkë me Afërdita Osmanin, “Sonatën e hënës” të Bethovenit dhe vepra të gjigandëve të muzikës klasike evropiane si Wagner, Moxart, Verdi, Leonkavalo etj. Do kjo ishte shumë domethënëse në aspektin e orjentimit kulturor. Musineja bënte dritë në mesin e njerëzve të kohës së vet sepse ajo solli në mesin e shoqërisë fanatike vlerat më të mira që ndikojnë në përparimin e shoqësisë.
Unë e kam konsoliduar mendimin tim se Ermira Velo e romanit “Para Agimit” të Shefqet Musarait është ajo vetë, Musineja. Ajo ishte frymëzim siç është sot. Dje për brezin të cilit i përkiste, sot për ne. Duke u nisur prej thënies se “armiku më i madh i njeriut është harresa” ajo në fakt me veprën e vet ka siguruar përjetësinë, duke u renditur në panteonin shqiptar si figurë e shquara në lëvizjen për përparim dhe emancipim që nga fillimi deri në fund.
Përballë rrezikut komunist që po shfaqej në horizont shoqëria jonë ishte jo e orjentuar sa e si duhet. Dhe kur je i paorjentuar sigurisht që ideologjitë në përgjithësi gjejnë terrenin e përshtatshëm për të zënë vend më lehtësisht në psikologjinë kolektive të një populli. Aq më tepër kur ideologjitë janë imponuese siç ishte ajo komuniste. Edhe pse si moto e kohës së asaj periudhe ishte “politikë jo, vetëm kulturë”, u ndje domosdoshmëria e angazhimit politik si kundërpeshë e vërshimit të ideologjisë komuniste edhe në vendet ballkanike. Me mendimin se krijimi i Partisë Socialdemokrate do të shërbente “si një rrugë e mesme” që “do të tërhiqte forcat e pavendosura”, Musineja bashkë me Isuf Luzajn, Skënder Muçon dhe Selman Rizën, u bashkuan nën idenë e lirisë sociale. Në vitin 1944 në programin e PSD kërkon liri politike që do të siguronte lirinë e shprehjes, të shtypit dhe të votës. Shprehja se “arsyeja kryesore e kufizimit të lirisë politike është (mungesa e) drejtësisë sociale…”, mbetet e gjithvlefshme universalisht.
SIMBOLI I FUSTANIT TË BARDHË
Të gjitha këto i sollën kalvarin e mëpastajmë. Në sallën e gjyqit ajo shprehet para gjyqtarëve se “atë që po e bëni ndaj meje ju sot do ta pësoni vetë nesër.” Dhe në fakt kështu ndodhi Musineja sot jeton realisht madhështore me Jetën e Madhe, sepse siç qe shprehur vetë “njeriu mund të jetë i lirë edhe pse është i burgosur” ashtu sikurse “… mund të jetë i burgosur edhe pse është i lirë”. Në fundin e jetës kërkoi t’i sillnin një fustan (se nuk i dihej), një fustan të bukur e të bardhë. Asaj i rrinte mirë fustani, shumë mirë.
Tash kur ajo është në amshim po e marrim vesh se e kishte kërkuar për të nisur jetën e re, të lirë…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura