BESIM CENGU: SHKRIMTARËT MË TË RËNDËSISHËM SE SA GJUHËTARËT NË DEBATIN PËR GJUHËN LETRARE STANDARTE

Tiranë, 30. 05. 2014 – “Gjuha letrare mbiquhet kombëtare, sepse është mbidialektore. Kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme dhe universale, që edhe afirmon, po edhe mohon. Ose do ta pranojmë këtë të vërtetë, ose ajo nuk do të na pranojë vetë ne… Gjuha e njësuar kombëtare nuk është më vetëm një realitet de facto, po edhe një realitet de jure… Gjuha letrare shqipe ka qënë dhe është më shumë se kurrë një modus vivendi për të mos qenë kurrë një modus moriendi… Dialektet janë alternativa gjuhësore, po brenda një sistemi dhe jo dy a më shumë sisteme më vehte, madje të papajtueshme… Gjuhët letrare standarde nuk janë supërtruktura politike, gjuhët nuk përcaktohen nga sistemet politike, janë mjete të patjetërsueshme komunikimi mbarë kombëtar, përtej politikave doktrinore, madje edhe epokave historike…”, – kështu ka deklaruar shkrimtari dhe arkeologu Dr.Moikom Zeqo, në një intervistë dhënë Besim Cengut, për portalin pashtriku.org.
B.CENGU: I nderuar Moikom, debati për gjuhën letrare standarde ka një riciklim përsëri, shpesh edhe me tone të ashpra. Ky debat është bërë i lodhshëm dhe shpesh është edhe konfuz. Çfarë mendoni ju?
M.ZEQO
: Duke qenë aktiv në këtë debat, kam mbrojtur gjuhën letrare standarde, përtej çdo mistifikimi vulgar, apo ikonoklastie provinciale dhe diletante. Gjuha letrare mbiquhet kombëtare, sepse është mbidialektore. Kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme dhe universale, që edhe afirmon, po edhe mohon. Ose do ta pranojmë këtë të vërtetë, ose ajo nuk do të na pranojë vetë ne.
Nuk ka asnjë zgjidhje ekuivoke. Rregulli eklektik “edhe ashtu” “edhe kështu” nuk ka asnjë vlerë.
Zgjidhja historike tashmë është bërë.

Dr.Moikom Zeqo: “Integriteti i gjuhës është integriteti i kombit”.

Qe një proces jashtëzakonisht interesant dhe i gjatë, i cili dilemat hamletiane të gjuhëtarëve dhe dualizmin e tyre i ka përcaktuar me një rezultat të gjallë të një rëndësie epokale.
Gjuha e njësuar kombëtare nuk është më vetëm një realitet de facto, po edhe një realitet de jure.
Kombi shqiptar duke qënë prej kohësh një realitet de fakto ende një nuk është një realitet de jure. Kjo është një kontradiktë tragjike.
Në kuptimin e realizimit të vetvetes gjuha që është simboli e thelbi më i pazëvendësueshëm i kombit paraqitet si një e ardhme strategjike, madje si kushti më i parë dhe më substancial i njësimit politik të kombit.
Fitorja e gjuhës është e jashtëzakonshme nga të gjitha pikëpamjet e perspektivës së rrëzimit të “murit të Berlinit” midis pjesëve të kombit kaq tragjikisht i ndarë e bile midis dialektikëve kaq shumë të diskutuar.
Gjuha letrare standarde ka paraprirë si marathonomaku nolian në të tëra tryezat e gjelbra diplomatike të shekullit XX, e pakundërshtueshme, tepër serioze dhe e denjë në mesazhin e unitetin e saj.
A thua do ta shkatërrojmë me duart tona këtë kryeargument ekzistencial?
A thua do të teorizojmë edhe për gjuhën “kohën zero”?
Nuk di a ka për kombe të tjerë të kontinentit evropian ose të botës “teori” të destruktimit siç ka për shqiptarët.
Shqiptarofobia është kthyer në mit politik, madje në gjenocid (miloshevizmi i dhunës në Kosovë).
Akademikë të ndryshëm të huaj, publicistë, politikanë etj., janë rrekur të formulojnë dhe të shpallin teorikisht mosekzistencën reale të kombit shqiptar, primitivitetin e tij të kultizuar. Në këtë hulli argumentet e kobshme dhe alibike, që e shpjegojnë gjuhën origjinale shqipe si një grumbull kaotik të gjuhëve të tjera, ose fataliteti gati frojdian i ndarjes së dialekteve, kanë vendin e tyre në “teorinë” e destruktimit.
Nga ana e mirëfilltë shkencore këto teza groteske nuk vlen të merren seriozisht. Nga ana politike ato kanë shkaktuar paragjykime jashtëzakonisht të dëmshme që vijojnë të birësojnë jehona e edicione të sofistikuara.
Gjuha letrare shqipe ka qënë dhe është më shumë se kurrë një modus vivendi për të mos qenë kurrë një modus moriendi.
Mendimi metodologjik i Herman Pault se “nuk ka gjuhësi pa historicizëm” na ndihmon që ta kuptojmë procesin, të diskutojmë, madje edhe të kritikojmë gabimet, por jo ta mohojmë atë. Kjo është e pamundur.
Kthimi në policentrizmin dialektor sot është një paradoks, ashtu si kthimi mbrapsht në kohë e një të rrituri në gjendjen e një fetusi e bile më skajshëm në formën e hormoneve të prindërit që para konceptimit të fëmijës.
Dialektet janë alternativa gjuhësore, po brenda një sistemi dhe jo dy a më shumë sisteme më vehte, madje të papajtueshme. Pikat e bashkimit janë kryesore në raport me pikat e ndarjes, pra vetë dialektet kanë që në gjenezë lëndën e unikes, të të vetmes, të normës.
B.CENGU: Por të mos harrojmë se ka ende teza për një ringjallje të gegërishtes standarte, dmth letrare, se duhet prishur standardi i arritur si një lloj komunistizimi të gjuhës nga diktatura, flityet edhe për dekomunistizim të standartit…
M.ZEQO:
Gjuhët letrarer standarde nuk janë supërtruktura politike, gjuhët nuk përcaktohen nga sistemet politike, janë mjete të patjetërsueshme komunikimi mbarë kombëtar, përtej politikave doktrinore, madje edhe epokave historike. Rënia e komunizmit në Germaninë Lindore, në Poloni, Hungari etj., nuk ngriti problemin absurd të gjuhëve të tyre letrare standarde-dekomunstizimi i një shoqërie nuk është edhe dekomunistizim i gjuhëve. Në rastin shqiptar procesi i ngjizjes dhe konvergimit të dialekteve është zhvillim i brendshëm i gjuhës shqipe. Kjo nuk duhet harruar asnjëherë. Faik Konica e quan dallimin midis toskërishtes dhe gegërishtes jo të rëndësishëm, e citon një autoritet të shquar të filologjisë indo-gjermane dr.Holger Pedersen, profesor në universitetin e Kopenhagës, i cili ka shkruar se “gjuha shqipe është një gjuhë e vetme nëse nuk i marrim në konsideratë disa dallime të vogla të dialekteve”. (shih Faik Konica “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” Shtëpia botuese “Gjon Buzuku” Prishtinë, 1991, f. 139).
Mua më çudit se si sot trajtohet në shtyp nga disa çështja e dallimit midis toskërishtes dhe gegërishtes, duke ulëritur për një gjenocid gjuhësor të toskërishtes mbi gegërishten etj. etj.
Integriteti i gjuhës është integriteti i kombit, nuk mund të kemi dy integritete të një gjuhe ashtu siç nuk mund të kemi dy kombe shqiptare brenda një kombi.
Nuk ka patur dhe nuk ka në gjuhën shqipe një kodifikim oruellian si instrument totalitar politik.
Sado të ndikojë (ose ka ndikuar politika) gjuha është diçka krejt tjetër, një entitet tepër i fuqishëm që i tejkalon tërë politikat, mbijetues, sfidues deri në fund.
B.CENGU: Po ka gjuhëtarë që propozojnë ndryshime disa herë substanciale në standartin e gjuhës letrare, madje edhe në ortografinë e saj, për rregulla të reja normative, pra për një ristandardizim të standardit. Si mendoni për këtë aspekt?
M.ZEQO:
Ne flasim për rregullat normative si për një kushtetutë gjuhësore të qytetërimit shqiptar. Kjo është arritur tashmë në substancë. Nuk duhet shmangur historiciteti i procesit gjuhësor, që ka ligjësitë e veta. Kjo gjë ka ndodhur në tërë gjuhët letrare standarde të botës, pra edhe në Shqipëri. “Zhvillimi i gjuhëve, – ka shkruar prof. Çabej, – karakterizohet nga një proces i dyfishtë: me një anë thjeshtimi i sistemit gramatikor, thjeshtim progresiv, me anë tjetër pasurimi i elementëve të leksikut… pasuria gramatikore, nuk është shenjë kulture. Pasuria gramatikore pasuria e formave të gramatikës është shenjë e gjendjeve primitive të gjuhëve”.

Ky është thelbi i thelbeve-kaq qartë e ka thënë Çabej i madh-gjuhëtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave.
Kjo është një e vërtetë aksiomatike për të gjitha gjuhët, pra edhe për shqipen.
Kontradikta me ortodoksimin dialektor është pra një kontradiktë konceptuale dhe kryqëzata kundër arritjes historike të gjuhës unike letrare mund të udhëhiqet vetëm nga tipa të trillit të pavdekshëm të Servantesit “caballero de la tristisima figura” (“Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur”, sipas shqipërimit hokatar të Nolit).
Diskutohet kaq shumë për paskajoren, infinitivin. Të jetë apo të mos jetë? Nuk e vendosin gjuhëtarët, e vendos vetë gjuha.
Pyes: sikur të jetë, ose në të kundërtën të mos jetë mos vallë me këtë gjë humb apo fiton ndonjë gjë të madhe gjuha e mbartësit të saj? Shumë gjuhë të botës e kanë humbur infinitivin, po mos vallë për këtë arsye janë më pak të pasura se sa shqipja?
Nëse Lasgush Poradeci nuk e përdor infinitivin mos do të thuhet se gjuha e tij është e varfër, ose se talenti ju zvogëlua? Përse dreqin ta humbim kohën me silogjizma të kotë, me hamendje?
Të vjen keq që në debatin të mos marrin pjesë shkrimtarët tanë më të shquar.
Të paktën duhej të qenë Ismail Kadareja, Rexhep Qosja dhe Dritëro Agolli, që janë edhe firmues të aktit të madh të para shumë viteve. Përveç këtyre emrave të ndritur kujtoj edhe emrat e Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Petro Marko, Jakov Xoxes, Dhimitër Shuteriqit, që kanë shkruar vepra të veçanta të formatit europian në gjuhën e njësuar letrare.
Pothuaj të gjithë shkrimtarët aktualë etnikë kudo që janë, me ndonjë përjashtim, shkruajnë me këtë gjuhë normative. Pra, është krijuar një korpus fundamental me kryevepra i gjuhës letrare.
A mund të mohohet kjo gjë? A mund të bëhemi sizifianë duke dialektilizuar shkrimet e botuara? Mos vallë duhet të kthehemi në abetaren toske dhe abetaren gege, duke i instrumentalizuar në një absurd të dyfishtë dhe mjetet e mas medias?
Që në 1555 Gjon Buzuku, ky patriark i letërsisë sonë synon një koine të gjuhës, një njësim normativ. Vepra e Lukë Matrëngës po edhe ajo e Jul Varibobës shtjellojnë një toskërishte por në një fuksion të prespektivës së koinesë. Edhe varianti letrar i arbërishtes të De Radës, Serembes, Gavril Darës së Ri, madje edhe Skiroit e kanë fermentin e toskërishtes letrare, përherë në proces zhvillimi dhe distilimi drejt normativizimit bredapërbrenda gjuhësor. Po ata që ndikuan më shumë janë padyshim Faik Konica dhe sidomos Naim Frashëri.
Shkrimtarët e tjerë që vijnë pas Buzukut, siç e vëren Çabej për Budin dhe Bogdanin, për gegërishten letrare, për arsye të thellimit të dallimeve krahinore nga pushtimi osman janë më dialektorë, ndonëse nuk kapërcejnë (Janë përherë afër) nga vija kryesore e aksionit madhështor gjuhësor të Buzukut.
Spiralja e jetës së brendshme të kësaj dukurie lidhet me historinë.
Shkrimtarët e mëdhenj të Veriut, Gjergj Fishta, Mjeda, Migjeni etj., krijuan një traditë të madhe. Gjuha letrare nuk e mohon këtë traditë, përkundrazi vetëm ajo mund ta gjallërojë estetikisht, ta risemantizojë, t’i japë nëntekste të reja traditës së gegërishtes letrare.
Ribotimi i kësaj tradite do të bëjë të mundur që njeriu modern që përdor gjuhën e kultivuar bashkëkohore, të njësuar, duke i lexuar dhe rilexuar shkrimet e gegërishtes letrare do të gjejë e zbulojë te ajo ndjesi të çuditshme, forma e lokucione mjaft të pasura, një leksik të jashtëzakonshëm, etj., e fermenti dialektor nga kjo pikëpamje do të ndikojë duke mos u përmbysur aspak normat e gjuhës së njësuar.
Alternativa e shkrimtarëve, që duan të shkruajnë në një gegërishte letrare nuk është e mohuar etj.
Po këto aspekte nuk e përmbysin faktin pikërisht të rritjes së mëtejshme të forcës autoritative të gjuhës së njësuar dhe mundësive të saj të paskajshme në të gjitha pikëpamjet.
Gegofilia nuk duhet parë kurrë si toskofibi, ose e kundërta.
Shekulli XIX dhe sidomos shekulli XX përcaktuan plazmimin e gjuhën letrare kombëtare.
Në fund të shekullit XIX, po e përsëris Faik Konica dhe Naim Frashëri me fuqinë e tyre konceptuale të jashtëzakonshme nisën institucionalizimin e gjuhës së përbashkët letrare.
Noli dhe Lasgush Poradeci krijuan kulme të papërsëritshme të kulturës gjuhësore e të shprehjeve të saj.
Nga mesi i shekullit XX deri më sot Ismail Kadare arriti kuotat më sipërore duke e emancipuar shqipen si askush. Nuk duhet bishtnuar fakti madhor se të tëra përkthimet e mëdha, duke përfshirë edhe Biblën sot e kemi në standardin letrar, por edhe përkthimet e shkrimtarëve më të shquar botërorë. Kjo tashmë ka krijuar një traditë të pashëmbullt, ku edhe aspekti i epërm estetik i gjuhës letrare standarde ka një shkëlqim përfundimtar si tendencë dhe si arritje.
Shkrimtarët që përmenda më sipër në fakt nuk vepruan sipas traktateve gjuhësore. Ata e ndjejnë në qenien e tyre tendencën e natyrshme të zhvillimit gjuhësor.
B.CENGU: Ju Moikom jeni shprehur se shkrimtarët për standardin letrar janë më të rëndësishëm se sa gjuhëtarët.
M.ZEQO:
Sigurisht. Gjuha letrare standarde është arritje kryesore e shkrimtarëve, shumë më të rëndësishëm se sa gjuhëtarët. Kështu është në të gjithë botën e qytetëruar.
Unë mendoj se shkrimtarët, pavarësisht nga gjuhëtarët, do të arrinin (dhe përherë arrijnë) më përpara në këto vetëdije e rezultat madhor. Ata qenë më të lirë nga komplekset teorizuese të pafundme e shpesh shterpe që ngërthejnë gjuhëtarët, ata kishin fatin të jenë paraprijës sepse e shihnin gjuhën më tepër si praxis, të shfaqeshin më të pakundërshtueshëm, bile në sfondin e debateve. Gjuhëtarët nuk ka pse të kenë xhelozi për këtë rol dhe aktin e shkrimtarëve, ata mund dhe duhet të jenë krenarë për atë që bënë dhe po bëjnë shkrimtarët.
Shkrimtarët e kanë kuptuar në mënyrë të ftillëzuar se gjuha normative duke qenë më e thjeshtë dhe nuk është aspak e thjeshtëzuar.
Muzikantët kanë vetëm shtatë nota, po krijimet e tyre nuk janë kufizuar kurrë nga numri kaq i paktë i notave.
Gjuha normative bëhet më “e thjeshtë” po kjo e shton së tepërmi fuqinë e saj komunikative në hapësirë dhe në kohë.
Nga ana tjetër gjuha normative nuk e pakëson, por e shton pafundësinë e formulave të saj të brendshme gjuhësore, estetike e shprehëse, të metaforizmit të pafund. Këtu spikat madhështia e saj, këtu është realiteti i saj dhe ëndrra.
Gjuhën e flet individi po e gjeneralizon kolektivi e në këtë marrëdhënie të shumëfishtë gjuha gjallërohet, pasurohet.
Pra, gjuha është më shumë një energeia se sa ergon, ky është dhe boshti i filozofisë së gjuhës sipas Humboldit.

Kalimi nga faza dialektore në fazën e gjuhës së njësuar është një ndryshim kopernikian.
Po rilexoj këto ditë një libër me esse të Jorge Luis Borgesit. Një prej tyre quhet “Ndruatjet e doktor Americo Catro-s. Borgesi këndellet ironikisht për maninë e dialektologëve “për bestytni konvenciaonale”. Borgesi shkruan: ”Ne nuk vuajmë nga dialektet, përkundrazi vuajmë nga institutet dialektologjike. ”Dialektet janë “paradhoma” e vetëkuptueshme e gjuhës letrare standarde, ato veprojne dhe sot në të folmet e ndryshme – le të egzistojnë, – por kjo nuk do të thotë të mohohet gjuha letrare standarde. Për fat të mirë gjuha shqipe e ka tashmë këtë simbolikë unitare përfundimisht (pa përjashtuar procesin kreativ ta pandalshëm).
Ndryshe ka ndodhur fjala vjen me dy standardet e gjuhës letrare të rumanishtes në Moldavi dhe në Rumani, ose e standardit të gjuhës “maqedone” me atë bullgare. Multistandardizimi ka sjellë përçarje të mëdha dhe gati të pariparueshme. Shqiptarët e shmangën me mençuri këtë gjë. Gjuhëtari i madh dhe vizionar Idriz Ajeti me gjuhëtarët e tjerë të Kosovës që në 1968 e pranuan gjuhën letrare standarde edhe si një njësi uniteti të krejt kombit dhe të kulturës kombëtare, si një njësi të patjetërsueshme komunikimi. Vite të tëra mbas tyre ca gjuhëtarë po të Kosovës kërkuan “gjuhën kosovarishte letrare”- një projekt ogurzi dhe primitiv. E habitshme! Groteske, – por ja që është e vërtetë!
Rikthimi në istikamet krahinore gjuhësore, është një keqpërdorim i sfilitshëm, ”një gjë arkaike, sic thoshte George Oruell-i e ngjashme si të preferosh qirinjtë kundrejt ndriçimit elektrik, ose pajtonin në vend të avionit“.
Egocentrizmi narcizoit krahinor është diçka e tejkaluar. Gjuha letrare standarde është në vetvete në një modernitet të përjetshëm, ajo edhe do të pasurohet pandalshëm, por s’mund të shkatërohet në jetë të jetëve!
A ka edhe ajo nevojë për ndryshime të pjesshme, të normave ortografike, të pasurimit leksikor etj? Natyrisht! Zhvillimi i saj është kultivimi i saj-kjo është gjithashtu e pashmangshme!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura