PROF.DR.LIMAN RUSHITI: PËRMENDORJA QË NUK E BREN MOTI AS STUHIA

Prishtinë, 27. 08. 2014: (Bedri TAHIRI, Përmendorja që mungon, Meshari, Prishtinё, 2014) – Pas veprës së parë, të botuar më 1995, me titullin “Azem Bejtë Galica”, të cilën e kishte bazuar mbi literaturën e shkruar, autori Bedri Tahiri, i lindur dhe i rritur pranë vatrës së kryekomandantit Azem Galica, në Galicën heroike, mori guxim që t’i hyjë një pune, sa të vështirë aq edhe të rëndësishme, për të mos i lënë harresës kujtesën historike të jetës dhe veprës së atdhetarit të madh, Ahmet Delisë së Prekazit
Sikurse libri i parë, edhe ky për Ahmet Delinë, dalin vepra integruese, të cilat janë rrjedhojë e një edukimi familjar, të brumosur me karakterin dhe edukatën e frymës luftarake për çlirimin kombëtar deri në vdekje. Kështu, në veprën “”, autori me një mjeshtri të rrallë, trajton jetën dhe veprën e Ahmet Delisë që nga lindja, madje edhe më herët, duke hyrë në mugëtira e historisë, tek heroi i parë drenicas, Milosh Nikollë Kopiliqi, e deri në rënien e tij heroike, në betejën e tij të fundit, më 25 dhjetor 1912.
Nëse botimin e parë të kësaj vepre, dikush edhe ka mundur ta quaj vepër letrare, botimi i dytë i plotësuar është krejt ndryshe dhe unë nuk pajtohem fare me këtë përcaktim zhanror. Vepra “Përmendorja që mungon”, në mënyrë besnike paraqet një ngjarje të vërtetë, andaj është vepër historike. Këtu, askund, nuk ka gjera të fantazuara e të imagjinuara, por pasqyrohet një ngjarje e vërtetë historike, me protagonistë të gjallë, të cilët u dolën përballë hordhive barbare serbo-çetnike, për të mbrojtur pragun dhe nderin familjar e kombëtar.

Autori, me të dhënat që i mblodhi si bleta nektarin, duke fluturuar lule me lule, ka arritur që me sukses të shkëlqyer të pasqyrojë jetën dhe veprën atdhetare të Ahmet Delisë e tё Ramё Islamit me bijtё e tyre, Murselin e Jetullahun, brenda një tridhjetë vjeçari kohor të historisë sonë të lavdishme. Titulli i librit është mjaft sugjestiv dhe nënkupton shumë, por autori ia ka dalë dhe e ka mposhtur atë, sepse me veprën e tij ngriti një përmendore, të cilën nuk e bren moti as nuk e rrënon stuhia. Andaj, unë, me përgjegjësi të plotë, tashmë, duke u mbështetur edhe në aparaturën e saj shkencore, burimet e shkruara dhe gojore, librin “Përmendorja që mungon” e quaj vepër historike.
Siç e thashë edhe në fillim, me këtë vepër autori i guximshëm dhe i palodhshëm Bedri Tahiri na paraqitet në vitin 1997, vetëm dy muaj para paraqitjes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Drenicës, më 28 Nëntor 1997. Dhe, pikërisht tashti, në fundvitin 2012, në 100- vjetorin e rënies heroike të Ahmet Delisё e tё Jetullah Ramёs si dhe nё 100- vjetorin e Pavarёsisё sё Shqipёrisё, autori vjen me ribotimin e kësaj vepre të përpunuar e të plotësuar me të dhëna të reja burimore, qoftë nga historia, qoftë nga folklori, dhe me një varg elementesh të tjera, të cilat librin e radhisin në literaturën e rëndësishme e të domosdoshme të historiografisë sonë. Kjo më gëzon shumë për faktin se më duket si një paralajmërim se jemi në prag të kurorёzimit tё aspiratave tona shekullore: Ribashkimit Kombёtar! Urojmë që së shpejti, autori Bedri Tahiri të na paraqitet me një vepër tjetër për Ramë Islamin dhe të birin Jetullahun, edhe pse në këtë ribotim atyre u është kushtuar një kaptinë e veçantë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura