DR.LILJANA KRISTULI: FËMIJËT DHE ABUZIMI SEKSUAL (3)

Pashtriku.org, 08. 11. 2015: Në përgjithësi, mendohet se është më mirë që fëmijët të lihen të qetë në padjallëzinë dhe pafajshmërinë e tyre. Por tashmë është e ditur se fëmijët që nuk kanë asnjë njohuri mbi sjelljen seksuale dhe çrregullimet e saj mashtrohen shumë më lehtë nga abuzuesit. Po citoj fjalët e një pedofili të thëna gjatë procesit të tij gjyqësor: “Më jepni një fëmijë që nuk ka asnjë njohuri mbi seksin, dhe ja ku kam viktimën”. Janë fjalë tronditëse që të bëjnë të reflektosh. Prindi i kujdesshëm i tregon fëmijës rreziqet që mund të hasë çdo ditë: po të rrijë në mes të rrugës, e shtyp makina, po të dalë i zhveshur në dimër, ftohet dhe kështu me radhë. Pra nuk ka asgjë të keqe në se ia bën të ditur se ka dhe rreziqe të tjera si pedofilia, dhuna dhe abuzimi seksual nga të cilat duhet të mbrohet. Idetë personale se si rritet një fëmijë, nuk bëhen pengesë për t’i mësuar edukatën, rregullat e sjelljes në shoqëri, pra edhe njohuritë bazë mbi sjelljen seksuale.
Kjo nuk do të thotë t’i mësosh seksin, por t’i shpjegosh drejt ato gjëra që mund t’i mësojë nga të tjerët në mënyrë të gabuar.
Mund të fillohet duke e nxitur të shprehë lirisht ndjenjat dhe përshtypjet e tij për gjithëçka që e rrethon: ngjyrat, aromat, format, shijen, të shprehë mendimin për shokët, për kopshtin, shkollën, lëndët që e tërheqin më shumë.

Kështu ai mëson të dallojë të mirën, të bukurën, pra cilat janë gjërat që i pëlqejnë apo që e bezdisin.
Jo gjithmonë duhet detyruar një fëmijë të bëjë atë që i kërkohet nëse atij nuk i pëlqen (p.sh. të hajë me zor një gatim që nuk i pëlqen, të veshë një bluzë, të dalë patjetër me ju për shëtitje) sepse në këtë mënyrë mëson vetëm të jetë i bindur, pavarësisht se cilat janë ndjesitë dhe dëshirat e tij.
Fëmija duhet të bëhet i vetëdijshëm se ka të drejtë të kundërshtojë kur diçka nuk i pëlqen, se mund të mos u nënshtrohet dëshirave dhe kërkesave të personave të tjerë, pra ka të drejtë të zgjedhë e të vendosë edhe ai. Është e rëndësishme t’i mësohet fëmijës se jo gjithmonë dhe në çdo rrethanë duhet t’i bindet të rriturve.
Ai duhet të vendosë me “kokën” e tij, në bazë të ndjesive që i jep personi ose kërkesa që i bëhet si dhe të këshillave që i keni dhënë.
Duke qene i vetëdijshëm për rreziqet që mund të hasë, fëmija do të jetë në gjendje të arsyetojë dhe të marrë vendime të drejta, do të dijë si t’i shmanget një provokimi, ose si të kërkojë ndihmë, do të dijë të mbrohet qoftë duke thënë vetëm një “jo” por të sigurt dhe në raste të veçanta të përdorë vetëmbrojtjen fizike.
Më poshtë janë përshkruar disa mënyra të vetëmbrojtjes.
Mund t’i provoni së bashku me fëmijën duke krijuar skena të thjeshta. Fëmija nuk duhet të mbajë të fshehta nga ju, sigurisht është më e lehtë të flasë kur nuk ka frikë nga reagimi tuaj dhe as nga dënimi që mund t’i jepet për shkak të asaj që mund të ketë bërë ose që i ka ndodhur.
FËMIJËT DHE ARGUMENTI SJELLJE SEKSUALE
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është t’ia bëjmë të njohur fëmijës gjininë e tij dhe pjesët e trupit, të cilat emërohen me emrin e vërtetë pa përdorur fjalë kalamajsh (syri quhet sy, goja quhet gojë, organi seksual i një mashkulli quhet organ mashkullor dhe jo bibilush, e kështu më tej).
I shpjegohet se vajzat dhe djemtë janë të ndryshëm dhe se kjo është normale, se organet seksuale janë pjesë të trupit të njeriut dhe si çdo organ tjetër, kanë një funksion të përcaktuar, të rëndësishëm dhe aspak të turpshëm.
Duke qenë një pjesë e trupit, pra personale, askush nuk ka të drejtë t’i prekë këto organe. As ai nuk ka të drejtë të prekë të tjerët edhe nëse dikush ja kërkon këtë gjë. Me përdorimin e internetit edhe nga ana e fëmijëve, është shtuar edhe një rrezik i ri, pedofilia nëpërmjet linjës së internetit.
Ka faqe të ideuara për të krijuar miqësi që pedofilët i shfrytëzojnë për të gjetur viktimat e tyre. Kontrollojini gjithmonë faqet e internetit që fëmija shfleton.
Këshillojeni të mos vendosë fotografitë e tij dhe të mos japë asnjëherë të dhëna personale, emrin, moshën, adresën e shtëpisë apo të shkollës që frekuenton.

E më e rëndësishmja, të mos pranojë të takohet me persona të njohur në internet. Pedofilët mund të fshihen mbrapa emrit dhe moshës jo të vërtetë që japin në profilin e krijuar posaçërisht për të mashtruar viktimat.
Nga kronika
Kur në vitin 1976, fitoi çmimin Nobel për studimet e kryera mbi kurunë, një sëmundje infektive e përhapur në Zelandën e Re, mjeku Daniel Carleton Gajdusek, doli në fotografi i rrethuar nga 8 fëmijë të vegjël zelandezë të birësuar prej tij, që buzëqeshnin të lumtur. 20 vjet më vonë ai dënohet me burgim për krimin e abuzimit seksual ndaj fëmijëve të cilët i kishte birësuar. Jo të gjithë personat janë ashtu si paraqiten.
ABUZIMI SEKSUAL
Ngacmimi seksual që një individ ushtron ndaj një tjetri, pa dëshirën ose duke përfituar nga pamundësia e këtij të fundit për të kundërshtuar dhe për t’u mbrojtur quhet abuzim seksual. Kjo sjelle merr forma e përmasa të ndryshme:
• Provokim me fjalë: quhen të gjitha rastet kur përdoren fjalë të ulëta dhe fyese ose emra poshtëruese drejt një personi tjetër. Çdo femre, të paktën një herë gjatë jetës së saj, i janë drejtuar fjalë të rënda nga një mashkull, edhe pse mund të jenë thënë në formën e një komplimenti. Të ngacmosh një femër në këtë mënyrë, bëhet shpesh për t’u zbavitur, ndoshta pa menduar që është një sjellje e shëmtuar.
• Sjellje e pahijshme: Kur një i panjohur, një koleg apo edhe një i afërm, të përqafon, të prek gjoksin, të ndenjurat apo organet seksuale, kundër dëshirës tënde, do të thotë se po bën sjellje të pahijshme ndaj teje.
• Tundimi: Nëse djali me të cilin shoqërohesh, kërkon të bëjë një raport intim, më tej se sa ti ia lejon, do të thotë se po tenton për një kontakt seksual kundër dëshirës tënde. Nuk ka rëndësi nëse është një i sapo njohur apo i fejuari yt, kërcënimet, premtimet apo fraza të tilla si – po të më duash më len ta bëj, nuk je e virgjër dhe nuk do që unë ta marr vesh – janë presion psikologjik që të ushtrohet, pra tentativë për të detyruar të bësh një gjë që ti nuk do ta bësh.
• Ekzibicionizëm është akti që kryen një burrë, kur demonstron gjenitalet në publik. Ai, përfytyron se është duke e përdhunuar personin që gjendet para tij, dhe ndjejnë kënaqësi nga vështrimi i trembur që provokojnë.
• Froteurizëm, quhet akti i fërkimit të organeve seksuale mbas trupit të një personi tjetër, edhe nëpërmjet veshjeve, pa dëshirën e këtij të fundit. Zakonisht këta individë i has në ambiente të ngushta dhe me shumë njerëz, në autobus, nëpër radha.
• Përdhunimi: quhet akti që përmbush një mashkull, kur kryen raport seksual me një vajzë kundër dëshirës së saj, duke e kërcënuar, trembur, keqtrajtuar, mashtruar, apo duke përfituar nga paaftësia e saj për t’u mbrojtur.
• Violenca në grup: Nëse një personi, i ushtrohet dhunë seksuale, nga dy ose më shumë persona njëkohësisht, themi se është viktimë e një violence të kryer në grup. Kur violenca kryhet nga djem në moshën e adoleshencës, shpesh, ata udhëhiqen nga një kryetar bande më i rritur. Zakonisht dhunojnë një vajzë, më rrallë një djalë. Pjesëtarët e bandës i binden kryetarit të grupit ose nga frika (duke qenë më i rritur ka pushtet mbi ta) ose sepse ai i tall duke i quajtur të pa aftë për të kryer një akt seksual.
• Inçesti: është raporti seksual midis personave të një gjaku: vajzës e babait, motrës e vëllait, nënës e djalit. Është një nga aktet më të trishtuara dhe më të hidhura të abuzimit seksual. Fëmijën e bën të vuajë pikërisht personi i cili duhet ta mbrojë e që fëmija i beson, sepse ka lidhje gjaku me të. Inçesti është mungesa e plotë e moralit dhe e ndjenjës etike. Këta përbindësha nuk i vlerësojnë fëmijët si qenie njerëzore të pavarura, që kanë të drejtë të zgjedhin vetë partnerin kur të jenë gati për të filluar përvojën seksuale. Ata i shohin fëmijët si pronën e tyre, e mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan me ta dhe me trupin e tyre. Në të gjitha rastet e inçestit, dhunuesi, kushdo qoftë ai, është një individ që ka çrregullime të personalitetit.
• Quhet abuzim seksual edhe nëse personi nuk preket fizikisht por e detyrojnë të dëgjojë apo të shikojë skena me përmbajtje seksuale (revista, video erotike) jo të përshtatshme për moshën e tij.
Marrë nga libri: “Heshtja nuk është zgjidhje” – Liljana Kristuli.
=============================
DR.LILJANA KRISTULI: HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE (DHUNA, ABUZIMI, BULIZMI, STALKING, MOBING, DROGA) / 1 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4579
***
LILJANA KRISTULI: SJELLJA SEKSUALE DHE ҪRREGULLIMET E SAJ-PEDOFILIA /2/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4597

________________________
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
ABUZIMI SEKSUAL ME TË MITUR

………………………………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura