Vjenë, Mynih; 16 nëntor 2016: Shqiptari është si zogu shtegtar, i cili ikën dhe shëtitë nëpër botë, por këngën e tij e merr me vete. Njashtu ne shqiptarët, për arsye të ndryshme u shpërndamë nëpër botë, por morëm me vete gjuhën, atdhedashurinë, identitetin, kulturën dhe traditën tonë. Dhe këto veti shembullore që pak popuj në botë i kanë, ne dimë t’i përdorim në vendet ku jetojmë jashtë atdheut, duke u bërë shembull i integrimit të mirë në këto shtete që na pritën krahëhapur dhe ne i pranojmë si atdheu ynë i dytë.
Që nga themelimi i saj, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), në krye me kryetarin z. Hasan Qyqalla organizon për çdo vit në vende të ndryshme takimet tradicionale letrare dhe kulturore të pranverës dhe të vjeshtës. Kësaj radhe “Nëntori Poetik 2016”, gjeti konakun në qytetin Mynih të Gjermanisë. Më 12 nëntor 2016, krijues nga shumë shtete të Europës u mblodhën në Qendrën Kulturore të këtij qyteti dhe për nder të festës së Flamurit, lexuan vargjet e tyre. Takimi u hap me një minutë heshtje për nder të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit dhe piktorit Gjelosh Gjokaj, kurse programit i parapriu mbledhja e kuvendit themelues të Klubit Letrar “Martin Camaj”, për republikën e Bavarisë. Sipas kryesisë e cila u zgjodh me miratimin e shumicës së pjesëmarrësve, ky klub do të jetë si një pasurim i fushëveprimit të përbashkët, krahas shumë shoqatave të tjera kulturore dhe letrare shqiptare në Gjermani, kurse anëtarë mund të jetë secili, qoftë krijues apo mbështetës moral e financiar.
Më pas u hap ora letrare-poetike, ku krijuesit e pranishëm konkurruan me krijimet e tyre të shumta dhe me vlerë. Me këtë rast ishin përgatitur disa çmime të ndryshme për poezitë më të mira. Juria e përzgjedhur për vlerësimin e poezive në përbërje: Mustafë Krasniqi, Hamdi Reqica dhe Halil Kqiku përzgjodhi këto krijues për çmimet: Anton Marku, poet gjakovar nga Austria mori vendin e parë me çmimin “Pena e Artë – Gjelosh Gjokaj”, poeti Sylë Bajrami (Gjermani) mori çmimin “Nëntori Poetik”, çmimi “Shkronjat e Manastirit” iu dha poetit Milazim Kajtazi (Gjermani), “Çmimi Vjetor i LKSHM” shkoi për poeten nga Franca Fakete Rexha dhe “Çmimi i Jurisë” iu dha poetit Brahim Avdyli nga Zvicra.
Pas orës letrare u bë promovimi i antologjisë “Vargje për Nënën”, botim i LKSHM me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë dhe i disa veprave të anëtarëve të LKSHM. U promovuan dy veprat më të fundit të poetit tetovar nga Austria Besim Xhelili, vëllimi i tij i gjashtë poetik “Dallgë në zemër” dhe i shtati “Sy të pafajshëm…”. Përndryshe këto dy vepra bashkë me vëllimin e tij të pestë me poezi “Besa” dhe romanin e tij të parë “1803”, Xhelili i botoi këtë vit dhe do të promovohen të dielën, më 20 nëntor 2016, nga ora 14 në bibliotekën e Muzeut Kombëtar në Tiranë.
Pas promovimeve u mbajt një mbledhje e mësuesve dhe prindërve shqiptarë të Bavarisë, të cilët kanë synim rithemelimin e mësimit plotësues në shqip për fëmijët në këtë republikë të Gjermanisë.
Tërë këto aktivitete personalisht i ndoqën z. Valon Murati, Ministër i Diasporës pranë Qeverisë së R. së Kosovës, z. Arten Hanku, Konsull i Përgjithshëm i R. së Shqipërisë në Mynih, z. Hamdi Reqica, Konsull i R. së Kosovës në Mynih dhe intelektualë e artdashës të shumtë.
Mesazhi i kësaj mbrëmjeje lë të kuptohet se jashtë atdheut me pasion ruhet dhe kultivohet gjuha, prejardhja, tradita dhe pasuria kulturore që kemi, kurse mbështetja institucionale vetëm se forcon këtë proces madhor dhe marrëdhëniet mes vendlindjes dhe mërgatës.
Postime të Lidhura
GJOKË DABAJ: GJEKË GJONAJ, ZËDHËNËS DHE ZËMBROJTËS I SHQIPTARËVET NËN MAL TË ZI
Tiranë, 22 nëntor 2017: (Kumtesë lidhur me librin “Bijtë e Shqipes” të autorit Gjekë Gjonaj) – Kur lexon…
ARTI DHE KRITERI JASHTË-LETRAR I VLERËSIMIT
Nga Xhelal Zejneli Po qe se një shkrimtar i talentuar ka krijuar nën një regjim diktatorial, tiranik, despotik,…
SHEFQET DIBRANI: REALIDEALIZMI SI LIGJERIM POETIK
St.Gallen: 21 korrik 2019: Sabit Rrustemi: “GRAFITE NËNLËKURORE”, poezi, Botoi Shtëpia Botuese, “BEQIR MUSLIU”, Prishtinë 2015, faqe 1164.…
ELIFE PODVORICA: NJË DITË E PAHARRUAR NË GJIROKASTËR! (FOTO + VIDEO)
Prishtinë, 15. 09. 2015: Duke filluar këtë udhëpërshkrim për rrugëtimin tim dhe të Gresës – brenda ditës –…