Ferizaj, 20. 04. 2015 – (Në 16 vjetorin e rrëmbimit të tij nga pushtuesi serb) – Alishefik Spahiu, qytetari dinjitoz i Ferizajt, Tetovës dhe mbarë shqiptarisë, tash e 16 vite nuk është në mesin tonë…!? Ajo që është thellë mes nesh, është fryma e tij e devotshme atdhetare e qytetare, butësia dhe afshi i tij prindëror e bashkëshortor si dhe guximi i tij profesional, i tejkohshëm dhe i tejtrajtshëm. Le të më lejohet që gjashtëmbëdhjetë vite pas zhdukjes së tij, saktësisht, rrëmbimit të tij nga forcat pushtuese serbe, të rikujtoj një akt heroik të Alishefik Spahiut.
Alishefik Spahiun, e kam pasur avokat personal në procesin gjyqësor antishqiptar të viteve 1998-1999, kundër grupit të madh të Ferizajt, i cili përfundoi me rreth 290 vite burg të rëndë për 26 ferizajas shqiptarë të dënuar.
Sipas ekspertëve juridikë, serbë madje, ishte procesi me pasojat më të rënda në tërë historinë e proceseve gjyqësore politike antishqiptare në ish Jugosllavi, që nga viti 1945 e tutje.
Pikërisht, në atë proces, i cili përfundoi me tre heronj të mbytur me torturë dhe të tjerët me lëndime të rënda nga torturat, avokati im i angazhuar ishte, Alishefik Spahiu.
Natyrisht, në rrethanat e atëhershme, nuk mund të bëhej fjalë për një mbrojtje klasike juridike. Për mua, Alishefik Spahiu veçanërisht, por edhe kolegu i tij, Isak Neziri (i ndjerë), nuk ishin avokatë, por dy nga engjëjt e mi, që më mbajtën gjallë moralisht, në kushtet e torturës mizore që po përjetoja.
Por, Alishefik Spahiu, në njërën prej 11 seancave gjyqësore të mbajtura në Gjykatën e Prishtinës, (ku kryegjykatës ishte, inkuizitori serb, Dragoljub Zdravkoviç, i mbështetur nga kolegu i tij i krimit, Dragomir Zhiviç-prokuror i rastit dhe të paraprirë nga mentaliteti brutal antishqiptar i inkuizitores tjetër, Danica Marinkoviç-gjyqtare hetuese), bëri hapin i cili do të ndryshonte përgjithmonë botëkuptimin për gjyqet serbe antishqiptare…
– Alishefik Spahiu –
Në shkurt të vitit 1999, në një nga seancat e imrovizuara gjyqësore, në procesin, pjesë e të cilit isha edhe unë, Alishefik Spahiu, kërkoi publikisht që të ndiqej penalisht, inspektorit serb i SDB-së në Ferizaj, Rajko Doder, për vrasje të shqiptarëve me torturë (Rexhep Bislimi, Cen Dugolli e Bilall Shala) dhe për ushtrim të paligjshëm të torturës vdekjeprurëse, me pasojë dëmtimet e rënda fizike ndaj neve të akuzuarve tjerë.
Me emër e mbiemër, këtë propozim të Alishefik Spahiut e mbështeti edhe avokati humanist serb, Milan Vukoviç, nga Beogradi, asokohe si avokat i deleguar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, që udhëhiqej nga Natasha Kandiç.
Kushdo që ka qenë i pranishëm në sallën e gjykimit atë ditë, ka dëgjuar e parë me sytë e vetë një situatë, e cila, në historinë e gjykimeve antishqiptare, ka ndodhur për herë të parë.
Mbaj mend si sot, që kërkesën e Alishefik Spahiut, për nisjen e kallëzimit penal kundër Rajko Doderit, kryegjyqtari serb i procesit, Dragoljub Zdravkoviç, e priti me nervozizëm të madh dhe me këto çjerrje, të cilat po i citoj besnikërisht: “ Jo… nuk do ta lejoj këtë! (i drejtohet procesmbajtëses), – mos shkruaj emra të inspektorëve të SDB-së… unë nuk guxoj ta bëj këtë…A e dini se në çfarë kohe po jetojmë”, – dhe vazhdoi tutje – “As unë e as prokurori (Dragomir Zhiviç), nuk e mohojmë se ndaj këtyre njerëzve (neve të akuzuarve), është ushtruar një torturë brutale, por, unë nuk do të lejoj të përmenden emra inspektorësh të SDB-së këtu, nuk guxoj!” (përfundim i citatit).
Kërkesën e Alishefik Spahiut dhe reagimin e sipërcituar të Zdravkoviçit, e kishin dëgjuar dhe futur nën shënim edhe mediat, shqiptare dhe serbe, përfaqësuesit e Komisariatit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut si dhe OJQ ndërkombëtare e vendore.
Pra, ishte Alishefik Sahiu ai, i cili për herë të parë në historinë e proceseve të improvizuara gjyqësore serbe kundër shqiptarëve, detyroi një përfaqësues institucional të drejtësisë serbe, që ta pranojë publikisht se shteti i tij, kryente gjenocid, torturë dhe krime kundër njerëzimit, jo në ambiente neutrale, por në vetë ambientet institucionale dhe gjatë procedurave institucionale. Dhe autorë të këtyre krimeve, ishin ideatorët dhe operatorët e institucioneve kyqe të shtetit serb: Shërbimi i Sigurimit Shtetëror dhe gjykatat serbe.
Deri atëherë, me gjithë dëshmitë përmbajtësore të të akuzuarve shqiptarë, për torturën e përjetuar deri te vrasjet, nuk kishte dalë një gjykatës serb e të pranonte publikisht ekzistimin e torturës shtazarake, si metodë e vetme e trajtimit institucional të shqiptarëve, nga ana e organeve kult të shtetit serb, siç ishin policia-SDB-a, burgjet dhe “drejtësia” serbe. Nuk bën pa e vënë një theks edhe një herë faktin e thukët material-juridik, se tortura ishte e motivuar etnikisht dhe ishte e njëanshme në të dyja anët: të torturuarit deri në gjymtim e vrasje, ishin vetëm shqiptarë, ndërsa torturuesit ishin vetëm serbë dhe nisur nga pasojat, në secilin rast të tillë të proceseve gjyqësore antishqiptare, ekzistojnë të gjitha parakushtet juridike për cilësim të veprës si Gjenocid, Krim Kundër Njerëzimit, shkelje e Konventës Ndërkombëtare Kundër Torturës dhe shkelje e konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Akti i tillë i Alishefik Spahiut, kishte tronditur në palcë mekanizmin shtetëror serb të brutalitetit, duke e detyruar njërin prej përgjegjësve të ndjejë frikën e krimeve të veta dhe të ndjehet i detyruar të thotë diçka që kolegët e tij, me dekada përpara nuk e kishin thënë kurrë.
Procesi kundër Grupit të Ferizajt, solli për herë të parë në historinë e proceseve gjyqësore serbe, antishqiptare, pranimin institucional nga ana e zyrtarëve serbë, të procedurës së ushtrimit të terrorit fizik kundër të burgosurve politikë shqiptarë, e cila, ishte e ndaluar madje edhe me vetë ligjet e kushtetutën serbe.
Merita e Alishefik Spahiut, e shndërroi një argument juridik, në një filozofi të luftës kundër barbarisë serbe dhe në një thirrje aq akuzuese publikisht, deri në përmasën e pamundësisë së refuzimit publik nga një zyrtar i lart serb i drejtësisë. Akti i Alishefik Spahiut, para botës së qytetëruar, solli demaskimin total të mentalitetit kriminal serb, i organizuar nga niveli më i lart shtetëror.
Nuk do mend shumë ta kuptosh se një akt i tillë heroik i Alishefik Spahiut, buronte nga të gjitha virtytet e tija të devotshme: patriotizmi i thellë dhe dinjitoz, qytetaria e tij humane dhe guximi i tij i pakufishëm profesional. Ishte tepër e vështirë në atë kohë t’i shquaje publikisht këto virtyte, edhe nëse i kishe nga brenda…!
Sot, Alishefik Spahiu, numërohet në mesin e të zhdukurve. Mbetem edhe vetë peng i pamundësisë për të ditur më shumë për trupin e tij. Por, vepra e tij duhet të marrë dimensionin e natyrshëm të gatishmërisë së tij për të mundur ëndrrën serbe të shfarosjes së shqiptarëve. Në këtë drejtim, ndonëse jo fizikisht në mesin tonë, Alishefik Spahiu është në piedestalin më të lart të triumfuesit.
Drejtësia shqiptare në përgjithësi dhe ajo e shtetit të Kosovës në veçanti, duhet patjetër ta ngrisin shkallën e tyre të betimit human, qytetar, juridik e atdhetar edhe mbi mësimet dinjitoze të Alishefik Spahiut. Emri i tij, duhet të jetë në lartësinë e dekorimit meritor nga ana e popullit shqiptar dhe institucioneve shtetërore shqiptare.
Nderim e vlerësim për heroizmin e atdhetarit e luftëtarit, Alishefik Spahiu!