Nga Rexhep Kasumaj
Triptik filljave – Berelin, Mars, 2024
(Skicë-ese)
BESIMLASHTI VJEN PRORË
(Dhe priftëreshat e Delfit të ri…)
1.
Lufta e dalzotësve
Qysh kohëve lashta, një luftë midis popujve përceptohej, thjeshtë, si luftë midis hyjnive të tyre.
Kështu rrëfejnë kronikat, anise shpesh të errëta. Faraoni i anëve të Nilit, i biri i zotit të epërm Amun-Re, kishte urdhëruar mbytjen në ujërat e tij, të çdo hebreu të posalindur.
Moisiu foshnjë poashtu do gatitej për vdekje m’një kofin paluar. Por ishte mëshira e një nga bijat e Faraonit që i shpëtoi jetën.
U rrit fshehurazi, që njëj agu të praruar, të shfaqej beftas e sfidant para Zotmëkëmbësit me shkopin magjik.
Dhe, ashtu, arriti të çlironte popullin e tij nga vargorët poshtërues egjiptianë.
Rezultoi, prandaj, se në përpjekje mes tyre, Zoti i hebrenjëve të ishte më fortë se Zoti i lodhur i faraonëve.
Por, tani, ndërsa kujtojmë fatet e tyre, askujt më shumë nuk i shkon kjo histori besimvjetër se popujve të vegjël, në të gjitha Orët epike të botës.
A nuk është koha e re plot deshmi kur, në fakt, lufta mes tyre nuk ishte veçse luftë mes zotave, tashmë të këndejbotshëm, që, natyrisht, interesash cytur, u mbulonin supet e këputura?
Dhe shpresat jetike, megjithë rezistencën, armët a dhelpërinë, vareshin si lavjerrës në epilogët e luftës midis dalëzotësve të mëdhenj.
Që këtej, Putini i vogël ballkanës pret durimshëm deri në taktikë, triumfin e Putinit të madh, ndërkohë që shqiptarët përluten të qëndrojë e palëkundur ernash tronditëse të epokës, Aleanca e shenjtë perëndimore.
Dhe ndjekin lajme, shfletojnë broshura të veçanta, hedhin zare, vizitojnë parathënës të rinj Delfi e çelin karta enigmash për të besuar ëndrrën e vet.
Një nga librat tejpamës, fjala vjen, sikur ngroh pak vjedhshëm zemrat arbnore.
Ndryshe nga japonezi Michio Kaku (“Fizika e së ardhmes”), një optimist fluturak që mediton për ardhmërinë rruzullore, popujt e vegjël, pa pasur këtë tagër, vëmendësohen në dramën e vet.
Ndaj, në librin e tij (“Bota në njëqind vjetët e ardhmë”) George Friedman shkruan se si Rusia do të zhbëhet, e Kina nuk do arrijë t’shmang dot shpërbërjen e zallahishme. Mirëpo, ndërkohë që Amerika refuzon urdhërin e natyrës që gjithçka të lulëzojë e bjerë, e pra mbahet e fuqishme, Gjermania e Polonia njiten lartë në status mbifuqie. Por, thuase desh të gëzonte otomanistët tanë, shkronjësi i mirë parakumton rikthimin e furishëm të Turqisë në rrezen e dikurshme perandorake deri tek bedenat e Vjenës.
Veçse shenjat e kryepriftëreshës së Delfit që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj…
E tillë ishte përgjigja që i dhanë sovranit të Lidisë në lutjen për profeci: si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë?
Kur Krezi, i thanë turbullisht, të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri.
Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej shpejt më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej.
E, ndaj, kurrë nuk dihej qëparë se kush do të ishte i fituari, e kush i munduri i betejës, që do të siguronte apo rrëzonte ekzistencën dhe lavdinë…
2
Besa e hyjnive
Ishte viti 1269, para Zotërisë, kur Ramses i dytë dhe mbreti Hattusil i tretë i Hethitëve, do të hidhnin firmën mbi Traktatin e paqes njëshekullore.
Dhe ishte i pari i tillë në historinë e së drejtës ndërkombëtare.
Këtë do mësoja njëj pasdite funddimri nga J. von Uthman në librin e shkëlqyer “Diplomatët”.
Por veçanësia e këtij traktati ishte një klauzolë interesante: besa e lartë qiellore!
Në pjesën e fundme, si ndjenjë sigurie, perënditë thirren dëshmitarë dhe mallkimi i tyre bie mbi cilëndo palë që do të thyente marrëveshjen.
Po ç’klauzolë sigurie do t’përfshinte, vallë, një kontratë paqeje me Serbë?
Ndëshkimin e hyjnive?
Vështirë. Kronikat dëshmojnë se s’ka një traktat që, po e kërkoi koha e tyre, të mos e kenë shkelur.
Ndaj, jo një premtim, një fjalë, madje as një nënshkrim solemn, por është vetëm mizoria e një gjeopolitike fatale që mund t’i kthejë kruspull nën hijen e kumbullës së vet!
3.
Heroi
(…jo i dikujt, por i një diçkaje të lartë)
„Mbrojtja është betejë. Betejë për të drejtat e të pandehurit”.
Kur lexoja “Faji”-n e Ferdinand von Schirach do të ndaloja pak tek ky përskajim, gati epik.
Natyrisht, nuk ishte autorial. Schirach kujtonte një doracak shumë të pëlqyer mbi “mbrojtjen penale”, që e paskësh marrë me vete përherë.
Por arena e politikës, me gjasë, ka një masë e rezon krejt të ndryshëm. Aq më tepër në regjimet autokratike ku e drejta e shtetit rrëzon rregullisht të drejtën e qytetarit.
E pra, në rilexim të Ferdinandit, domethënë të mbrosh dhe idenë me të gjithë historinë e saj: ngjizja, hyrja në skenë të madhe, prerja e kohës, kurthet, flijimet apo triumfet e agimta…
Njeriu, ndaj, s’ka pse të jetë patjetër hero i dikujt, si thotë një urtak. Nuk e mendoj gjithmonë të drejtë këtë mësim.
Të jesh hero i një diçkaje, si ideja e sipërthënë, është më e lartë. Përtej një njeriu, sado i dashur a i dhembshur, në jetën e vogël…