BESIMLASHTI VJEN PRORË

Nga Rexhep Kasumaj

Triptik filljave – Berelin, Mars, 2024

(Skicë-ese)

BESIMLASHTI VJEN PRORË

(Dhe priftëreshat e Delfit të ri…)

1.

Lufta e dalzotësve

Qysh kohëve lashta, një luftë midis popujve përceptohej, thjeshtë, si luftë midis hyjnive të tyre.

Kështu rrëfejnë kronikat, anise shpesh të errëta.  Faraoni i anëve të Nilit, i biri i zotit të epërm Amun-Re, kishte urdhëruar mbytjen në ujërat e tij, të çdo hebreu të posalindur.

Moisiu foshnjë poashtu do gatitej për vdekje m’një kofin paluar. Por ishte mëshira e një nga bijat e Faraonit që i shpëtoi jetën.

U rrit fshehurazi, që njëj agu të praruar, të shfaqej beftas e sfidant para Zotmëkëmbësit me shkopin magjik.

Dhe, ashtu, arriti të çlironte popullin e tij nga vargorët poshtërues egjiptianë.

Rezultoi, prandaj, se në përpjekje mes tyre, Zoti i hebrenjëve të ishte më fortë se Zoti i lodhur i faraonëve.

Por, tani, ndërsa kujtojmë fatet e tyre, askujt më shumë nuk i shkon kjo histori besimvjetër se popujve të vegjël, në të gjitha Orët epike të botës.

A nuk është koha e re  plot deshmi kur, në fakt, lufta mes tyre nuk ishte veçse luftë mes zotave, tashmë të këndejbotshëm, që, natyrisht, interesash cytur, u mbulonin supet e këputura?

Dhe shpresat jetike, megjithë rezistencën, armët a dhelpërinë, vareshin si lavjerrës në epilogët e luftës midis dalëzotësve të mëdhenj.

Që këtej, Putini i vogël ballkanës pret durimshëm deri në taktikë, triumfin e Putinit të madh, ndërkohë që shqiptarët përluten të qëndrojë e palëkundur ernash tronditëse të epokës, Aleanca e shenjtë perëndimore.

Dhe ndjekin lajme, shfletojnë broshura të veçanta, hedhin zare, vizitojnë parathënës të rinj Delfi e çelin karta enigmash për të besuar ëndrrën e vet.

Një nga librat tejpamës, fjala vjen, sikur ngroh pak vjedhshëm zemrat arbnore.

Ndryshe nga japonezi Michio Kaku (“Fizika e së ardhmes”), një optimist fluturak që mediton për ardhmërinë rruzullore, popujt e vegjël, pa pasur këtë tagër, vëmendësohen në dramën e vet.

Ndaj, në librin e tij (“Bota në njëqind vjetët e ardhmë”) George Friedman shkruan se si Rusia do të zhbëhet, e Kina nuk do arrijë t’shmang dot shpërbërjen e zallahishme. Mirëpo, ndërkohë që Amerika refuzon urdhërin e natyrës që gjithçka të lulëzojë e bjerë, e pra mbahet e fuqishme, Gjermania e Polonia njiten lartë në status mbifuqie. Por, thuase  desh të gëzonte otomanistët tanë, shkronjësi i mirë parakumton rikthimin e furishëm të Turqisë në rrezen e dikurshme perandorake deri tek bedenat e Vjenës.

Veçse shenjat e kryepriftëreshës së Delfit që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj…

E tillë ishte përgjigja që i dhanë sovranit të Lidisë në lutjen për profeci: si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë?

Kur Krezi, i thanë turbullisht, të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri.

Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej shpejt më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej.

E, ndaj, kurrë nuk dihej qëparë se kush do të ishte i fituari, e kush i munduri i betejës, që do të siguronte apo rrëzonte ekzistencën dhe lavdinë…

2

Besa e hyjnive

Ishte viti 1269, para Zotërisë, kur Ramses i dytë dhe mbreti Hattusil i tretë i Hethitëve, do të hidhnin firmën mbi Traktatin e paqes njëshekullore.

Dhe ishte i pari i tillë në historinë e së drejtës ndërkombëtare.

Këtë do mësoja njëj pasdite funddimri nga J. von Uthman në librin e shkëlqyer “Diplomatët”.

Por veçanësia e këtij traktati ishte një klauzolë interesante: besa e lartë qiellore!

Në pjesën e fundme, si ndjenjë sigurie, perënditë thirren dëshmitarë dhe mallkimi i tyre bie mbi cilëndo palë që do të thyente marrëveshjen.

Po ç’klauzolë sigurie do t’përfshinte, vallë, një kontratë paqeje me Serbë?

Ndëshkimin e hyjnive?

Vështirë. Kronikat dëshmojnë se s’ka një traktat që, po e kërkoi koha e tyre, të mos e kenë shkelur.

Ndaj, jo një premtim, një fjalë, madje as një nënshkrim solemn, por është vetëm mizoria e një gjeopolitike fatale që mund t’i kthejë kruspull nën hijen e kumbullës së vet!

3.

Heroi

(…jo i dikujt, por i një diçkaje të lartë)

„Mbrojtja është betejë. Betejë për të drejtat e të pandehurit”.

Kur lexoja “Faji”-n e Ferdinand von Schirach do të ndaloja pak tek ky përskajim, gati epik.

Natyrisht, nuk ishte autorial. Schirach kujtonte një doracak shumë të pëlqyer mbi “mbrojtjen penale”, që e paskësh marrë me vete përherë.

Por arena e politikës, me gjasë, ka një masë e rezon krejt të ndryshëm. Aq më tepër në regjimet autokratike ku e drejta e shtetit rrëzon rregullisht të drejtën e qytetarit.

E pra, në rilexim të Ferdinandit, domethënë të mbrosh dhe idenë me të gjithë historinë e saj: ngjizja, hyrja në skenë të madhe, prerja e kohës, kurthet, flijimet apo triumfet e agimta…

Njeriu, ndaj, s’ka pse të jetë patjetër hero i dikujt, si thotë një urtak. Nuk e mendoj gjithmonë të drejtë këtë mësim.

Të jesh hero i një diçkaje, si ideja e sipërthënë, është më e lartë. Përtej një njeriu, sado i dashur a i dhembshur, në jetën e vogël…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura