BESNIK IMERI: FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA (MBI FENË E SHQIPTARËVE) Pjesa I

Vlorë, 8 shtator 2020: Shpesh herë të huajt, sidomos Europianët, kur flasin për besimet fetare në Shqipëri dhe ndasinë e tyre në dy fe të mëdha, dhe në katër sekte; e trajtojnë këtë si një rast unikal dhe kontravers, i cili nuk ka bërë vaki në popuj të tjerë. Dhe këtë e kanë paraqitur dhe e paraqesin si një minus të madh në aftësinë shtetformuese, në zhvillimin ekonomiko social të vendit dhe pranimin në familjen europiane të shqiptarëve. Por ka edhe nga ne Shqiptarët (bëhet fjalë për intelektualë të veçantë) që u mbajnë “ison” të huajve në këto mendime në mënyrë servile dhe pa “vrarje mëndje”. Kjo histori me europianët ka nisur që më 1878, 1913, 1915,1919, 1939, 1946 dhe vazhdon të ndihet sot e kësaj dite, pavarësisht se në forma më të zbutura dhe më të kamufluara. Por dihet që edhe në shumë kombe të tjerë, ndasitë fetare (në muslimanë dhe të krishterë), nuk i kanë penguar të arrijnë të bëhen shtete të fuqishme, madje edhe kur janë shtete të ish kalifatit si Egjipti dhe Turqia. Europianët të mos kujtojnë se është thjesht meritë e tyre që sot janë të krishterë, pasi ishte pafuqia e perandorisë osmane në shekujt e XV dhe XVI, që i shpëtoi ata nga muslimanizmi. Por ishte edhe Shën Gjergji Shqiptar (Gjerjgj Kastrioti) dhe shqiptarët, të cilët për gadi 50 vjet u bënë një shkëmb i madh bllokues në udhën e pandalshme të turqve muslimanë drejt Europës, të cilët ja shterën fuqitë kësaj kulçedre në kulmin e fuqisë së saj dhe e ndalën në vend. Ishte vdekja e sulltan Mehmetit dhe lufta heroike e Himariotëve, që penguan një tragjedi për italianët e pafuqishëm të asaj kohe; se në të kundërt, ata sot nuk do të ishin katolikë, por do të ishin kthyer në muslimanë të devotshëm; ku papati do të kthehej si Patrikana e Stambollit dhe Roma mund të kishte marë një emër tjetër, si dhe Kostandinopoja, ndërsa Katedralja e Shën Pjetrit mund të ishte kthyer në xhami. Në historinë e popujve, ashtu si edhe tek njerzit, vepron edhe një rast fatlum. Prandaj, Historia nuk duhet parë sipas orekseve dhe ëndrave të gjumit të vapës. Më në fund, në shekullin e XXI Europa duhet të lerë mënjanë mentalitetet e shekujve të kaluar dhe të bëhet europiane, rrugë tjetër nuk ka.
Por për shqiptarët ka me të vërtetë një rast unikal si komb, e cila është një veti fisnike e racës së tyre, dhe kjo është bashkëjetesa dhe toleranca fetare, e cila nuk ekziston në kombet e tjera. U kujtojmë Europianëve, se tek shqiptarët nuk ka pasur kurrë Natë të Shën Bartolemeut, dhe as marshime me ngjyra fetare. Shqipëtarët kanë shkuar si luftëtarë në Europë pranë oborreve perandorake dhe mbretërore, ku edhe kanë shkëlqyer në saj të vetive të tyre. Kujtojmë këtu 3000 luftëtarë e gardës se Napoleon Bonapartit, të cilët ishin që të gjithë shqiptarë. Por në asnjë rast ata nuk u bënë pjesë e hordhive të Kryqëzatave, megjithëse ato kaluan nga tokat e tyre.
Flitet mjaft për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare të shqipëtarëve. Flitet për këtë, madje mburremi edhe para të huajve duke u treguar atyre se si ne muslimanë e të krishterë shkojmë shumë mirë me njeri tjetrin. Bëjmë krushqi me njeri tjetrin dhe festojmë festat fetare të njeri tjetrit. Pra flitet për këtë dukuri, për këtë fenomen nga ana e jashtëme, për atë që duket, për shfaqjen; por nuk flitet për atë që është më thelbësorja, për të padukshmen, për shkakun e kësaj dukurie. Kjo ndodh sepse asnjëherë nuk bëhet pyetja e thjeshtë, nga më të thjeshtat pyetje; pse ndodh ky fenomen me ne shqiptarët, kush e shkakton atë, kush e lind atë, pse ne nuk kemi një kohezion fetar si popujt e tjerë rreth e qark? Mungesa e përkushtimit ndaj fesë monoteiste tek populli i ynë është pasojë e këtij diversiteti fetar, apo ky i fundit eshte shkaku i tij?! A jemi ne një popull i pa fe, ose e thënë ndryshe pa një kulturë fetare?! Pse kombet e tjerë kanë mbërthyer një fe të caktuar dhe nuk janë shkëputur më prej saj? Marrja e fesë muslimane nga pjesa dërmuese e popullit tonë, tregon dobësinë dhe nënshtrimin e tij ndaj pushtuesit otoman, dobësinë e karakterit; apo diçka tjetër?!
Pse frekuentimi i institucioneve të kultit musliman (Xhamitë) nuk është i njëjtë për krahina të ndryshme të Shqipërisë? Por, është fakt që edhe institucionet e krishtera (Kishat) nuk frekuentohen masivisht nga e gjithë popullsia e krishterë. A ekziston fanatizmi fetar tek populli i ynë, dhe nëqoftëse nuk ekziston, a mund të kultivohet ai ?! Bindjet dhe ideologjia fetare ka hedhur rrënjë të thella tek popylli i ynë, apo rrënjët i ka në siperfaqe dhe të shkulshme në çdo kohë?
Në kuadrin e pyetjeve të mësipërme, sot në kohët moderne kur në ethir ndryshimet dhe dallimet fetare, (njësoj si në shekujt e kaluar) po kthehen edhe në mbulesa dhe veshje të dallimeve politike; cili do të jete rreshtimi i kombit tonë në këtë ndasi fetare që po konturohet në botë?! Nga do të shikojmë ne nga Lindja, apo nga Perendimi? Si do të kapërxehet kjo larmi fetare në një rreshtim të mundshëm në të ardhmen ?! Kjo larmi fetare është një mungesë, apo është një virtut?! Dhe në se është virtut e cilësi kjo bashkëjetesë, a ka ardhur koha t’ua tregojmë edhe të tjerëve. Dhe ky komb që posedon këtë armë sekrete të bashkëjetesës paqësore fetare; do t’ua rrëfejë edhe kombeve të tjerë kodin e këtij fenomeni ?! A duhet t’ia tregojë botës së qytetëruar këtë kod?! A e ka të drejtën morale ky komb t’i tregojë dhe mësojë botës së qyteteruar këtë mënyrë bashkëjetese, dhe a duhet ta respektojë bota e qytetëruar këtë rrëfenjë?!
Po përpiqemi t’u pergjigjemi disave prej këtyre pyetjeve me rradhë.
1.Marrja e fesë muslimane nga pjesa dërmuese e popullit tonë, tregon dobësinë dhe nënshtrimin e tij ndaj pushtuesit otoman, dobësinë e karakterit; apo diçka tjetër?!
Pothuajse pas 1000 vjetësh, pjesës më të madhe të popullit tonë ju desh të bëjë një riciklim, ndërim të ri të fesë nga të krishterë në muslimanë; ndërrim ky i diktuar nga pushtimi osman. Por une do të isha i mendimit se ky këmbim, pavarësisht pushtimit, nuk është bërë tërësisht dhe plotësisht me dhunë; duke përjashtuar rastet e veçanta. Dhe një nga rastet e veçanta, ku u perdor dhuna për ndërrimin e fesë, ka qënë Labëria; ku antishqiptari Ali Pashë (Hajdut) Tepelena (për të cilin historianët duhet të nxjerrin origjinën e vërtetë të tij,origjina e gjyshit, mbasi mund të mos jetë shqiptar) përdori dhunën në vendosjen e fesë muslimane. Ky ndërrim për gjithë shqiptarët nën pushtimin turk, u bë përsëri, si edhe para 1000 vjetësh, për arësye ekonomike, politike por në disa raste edhe për arësye kombëtare; për t’u dalluar dhe mbrojtur nga kombet e tjerë, për të ruajtur identitetin e vet kombëtar.
Ismail Qemali në lidhje me këtë problem shprehet: “Sulltanët, më në fund, të kënaqur që arritën në përfundimin e një rezistence kaq të madhe, duke i besuar me shumë trimërisë së shqiptarëve se sa pasurive të vëndit të tyre, ishin të kënaqur të bashkohen me Shqiperinë në marrëveshjen që të respektojnë ligjet dhe zakonet, duke ua lënë komandën dhe administrimin vetë krerëve shqiptarë. Më të aftët nga këta krerë, tërhiqeshin në kryeqytet e mbuloheshin me ndere dhe favore, filluan të zënë postet më të larta civile e ushtarake. Dhe shqiptarët nuk munguan të çmojnë dobitë që Perandoria u siguronte atyre, duke i garantuar kundër agresioneve të mundshme nga ana e të tjerëve. Nga ana tjetër, meqë qeveria e Sulltanëve i çmonte shërbimet e dhëna nga ky popull kaq burrëror për forcimin e autoritetit osman në Ballkan, erdhi e u krijua një besim i sinqertë reciprok…” (“Kujtime” botim i vitit 1997, faqe 310).
Një nga arësyet e ndërrimit të fesë nga shqiptarët, siç doli më lart, ishte politike; me qëllim për t’u integruar në administratën e lartë shtetërore osmane. Por këtu duhet pranuar se ky integrim i krerëve dhe mëndjeve më të fuqishme të shqiptarëve në perandorinë Osmane, si dhe konvertimi i pjesës dërmuese të popullit në fenë muslimane; pati edhe anë negative në çështjen kombëtare, pasi krerët e integruar në administratën e lartë osmane nuk ndjenin nevojën e ndryshimit dhe të krijimit të një shteti shqiptar, përjashto këtu patriotët dhe Rilindasit. Por duhet thënë se shqiptarët nëpërmjet ndërrimit të fesë drejtuan Perandorinë, kujtojmë 40 vezirët (kryeministrat) shqiptarë. Sa vezirë Sërbë, apo Grekë ka pasur në Perandorinë Turke?! Pra, raca e jonë ka drejtuar Perandori. A është inferiore një racë që ka drejtuar Perandoritë më të mëdha të njerëzimit;
Fillojmë me ALEKSANDRIN e MADH, kushëririn e dytë të PIRROS së EPIRIT, dy diej verbues dhe dy nga gjeneralët e burrat e shtetit më të mëdhenj të antikitetit, të krahasuar vetëm me sivllezërit e së njëjtës racë, JUL QEZARIN dhe GJERGJ KASTRIOTIN; Aleksandri i biri i Filipit dhe i Olimbisë, i lindur si kryqëzim i dy popujve zulmëmëdhenj shqipfolës, Maqedonësve dhe Epirotëve, krijoi perandorinë më të madhe të antikitetit. Perandoria e Aleksandrit bashkoi Europën me Azinë, fillonte ku lind dielli dhe mbaronte në perëndim të tij.
Perandorinë Romake, të cilën për rreth 200 vjet, pa ndërprerje dhe rresht dhe njeri pas tjetrit e drejtuan rreth 20 perandorë ILIRE (ku 8 të tillë ishin DARDANË); Perandorinë Bizantine, të cilën për rreth 100 vjet rresht e drejtuan 6 perandorë Ilirë (duke mos futur këtu perandorët e dinastisë së Komnenëve, Paleologëve dhe Katakuzhinëve, për të cilët thuhej nga historianët, se nuk ishin as sllavë dhe as grekë, pra mbetej që të ishin shqiptarë). “Perandorët Ilirë të Bizantit qeverisën që nga viti 491 (me Anastasin e Durrësit) deri në vitin 602, pra për 111 vjet. Ata u dalluan për aftësitë e tyre ushtarake dhe politike në drejtimin e shtetit, duke i rikthyer lavdinë Romës dhe Bizantit. Me këta perandorë Bizanti do të arrinte dhe kulmin e zgjerimit të tij, sidomos me Justinianin. Përveç se burra të zotë, ata qenë dhe njerëz që kontribuan në qytetërimin botëror me veprat e artit që ndërtuan…
JUSTINIANI ishte një nga perandorët më të mëdhenj të Bizantit, sepse i dha perandorisë për herë të fundit territoret e perëndimit deri në Spanjë. Ai dha një të drejtë të rinovuar romake, që është edhe sot baza e kodeve civile të gjithë sistemeve ligjorë në Europë dhe kudo në botë…Vepra më e shquar e lidhur me emrin e Justinianit është padyshim Corpus iuris civilis (Korpusi i së drejtës civile). Në të përmblidhen Codex Justinianus (Kodekset e Justinianit)”. (Elena Kocaqi “Albanët me famë në mijëvjecarë” dhe Neritan Ceka “Ilirët”); dhe së fundmi ata drejtuan Perandorinë Turke, në të gjitha postet më të larta deri tek kryeministri; me përjashtim të postit të perandorit, i cili vinte nga kombësia turke në rrugë dinastike. Ç’është kjo racë, e cila megjithëse e pushtuar, për pak kohë merr në dorë frenat e shtetit të pushtuesit!
Kujtojmë me këtë rast fjalët profetike të historianes dhe gjuhëtares së shquar Elena Kocaqi, se me futjen e Shqiperisë në NATO, shqiptarët për pak kohë do të jenë gjeneralët me të zotë të saj. Une me këte rast do të shtoja, se edhe me futjen në Bashkimin Europian; jo më shumë se 50 vjet pas hyrjes, shqiptarët do të marrin pjesë në drejtimin e kësaj “Perandorie”, duke bërë që në Bruksel të flitet edhe shqip; ashtu siç është folur në pallatin mbretëror të Mehmet Aliut në Egjipt; ashtu siç është folur shqip në fund shekullin e XIX dhe fillim shekullin e XX në marinën detare të Greqisë, që nga admirali deri tek bocmani më i thjeshtë.
Por, Shqiptarët kanë merita të jashtëzakonshme edhe në krijimin e shteteve moderne në shekullin e XIX si atë të Italisë ( ZEF Garibaldi, kalibardhi), Egjiptit (Mehmet Ali Kavalla), Greqisë, Rumanisë (Gjikajt) dhe të Turqisë ( Mustafa Qemali). Pak është kjo për një komb të vogël ?!
A mund të futet kjo racë brenda kornizave fetare të mbyllura për mijëra vjet; e cila besimin fetar e ka pasur si një pelerinë, që e ka veshur dhe çveshur sipas nevojave, pa kurrfarë kompleksi! Por ndërrimi i fesë gjatë pushtimit otoman, ka patur edhe një qëllim tjetër të lartë; atë të ruajtjes së pastërtisë së racës, të identitetit kombëtar, për të mos u asimiluar nga popujt fqinj të krishterë, për t’u dalluar prerazi dhe qartazi nga ata. Kështu popullatat shqiptare që banonin territoret kufitare me fqinjët në zonat veriore, veri-lindore, lindore, jug-lindore dhe jugore të Shqiperisë Natyrale (ashtu siç e ka bërë zoti) përdorën fenë muslimane për t’u ndarë si me thikë nga ortodoksët Sllavo-Helene, duke krijuar nje koracë mbrojtëse. Në këtë kuptim dhe vetëm në këtë kuptim, feja mund të quhet pjesë e identitetit kombëtar të shqiptarëve; vetëm si një veshje mbrojtëse, një guaskë e fortë që mbron brenda saj SHQIPTARIN e pa asimilueshem. Dhe kur kollosët e letrave shqipe Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja nxorrën shpatat nga milli, e me leshra të kreshpëruara dolën në beleg të burrave e u ndeshën në një betejë gjigande, me humbje të mëdha energjish; këtë duket se kishin parasysh. Në këtë rast, plaku i urtë dhe historiani i nderuar Kristo Frashëri; I pajtoi me drejtësi e urtësi.
Vazhdojmë me pyetjen tjetër.
2.A jemi ne një popull i pa fe, ose e thënë ndryshe pa një kulturë fetare?! Naim Frashëri në veprën e tij na flet për Shqipërine si një ”vend i bekuar” dhe për shqiptarët si “vëndëthit e bekuar”. Kjo është thjesht një figurë letrare, hiperbolë; apo diçka më e thellë, filozofike dhe e vërtetë historike? Jam i mendimit se është kjo e fundit. Rilindësit tanë ishin eruditë me një shkëlqim të jashtëzakonshëm. Naimi e dinte shumë mirë që Shqipëria ishte një vënd hyjnor, froni ku rrinin perënditë; një vend që ishte vënë në mbrojtje nga zoti. Dhe banorët e këtij vendi hyjnor, ishin edhe ata vetë të bekuar dhe hyjnorë. Këto shprehje të Naimit nuk mund të shpjegohen edhe thjesht si një rastësi. Ai e njihte shumë mire historinë e popullit të tij të stërlashtë. Po të shtyhemi thellë në histori dhe të takojmë historianët e Greqisë së lashtë; PAUZANIA do të na flasë për “Arkadët që thonë se në këtë tokë PELLAZGU lindi i pari në Arkadi dhe meqënëse Pellazgu u bë mbret dhe vendi e mori emrin Pellazgjija”. Ndërsa PINDARI na rëfen: “Njeriun toka e lindi e para dhe kështu solli një dhuratë të bukur… ose Arkadia PELLAZGUN HYJNOR, më parë se hana”.
A e kuptojmë thellësinë e këtij mendimi? Hëna është nga pikëpamja astronomike satelit i tokës. Të kesh lindur para saj, do të thotë që ke lindur i pari në tokë dhe nga pikëpamja yjore ke kapërxyer objektet kozmikë. Pra je një popull i stërlashtë dhe hyjnor. I tillë është populli i ynë. Prof.Dhimiter Pilika në veprën e vet madhore “PELLAZGET origjina jonë e mohuar”, në faqen e parë të saj vendos diçiturën nga teksti i një kënge 300 vjeçare labe “Jemi këtu në vëndë’tënë, që pa lerë diell e hënë”. Sa e afërt është kjo me thënien e Historianëve të lashtë për pellazgët parahënorë. Kjo flet për një respekt të jashtëzakonshëm nga Ata për këtë racë që popullonte asokohe Ballkanin. Por flet edhe për një të vërtetë të madhe, për një popull pranë zotave. A mund të jetë i pa fe një popull i tillë i privilegjuar nga zotat; I cili nuk është në rolin e të përvuajturit besimtar; por në një rol veprues dhe pranë perëndive. Kur Peleu (ky pinjoll dhe stërgjysh i racës tonë) mbërtheu Tetisin dhe e mori për grua, dhe me të polli Akilin, këtë luftëtar gjysëmhyjnor; ishte i pa fe?! Apo ishte aq afër zotave sa mund të krijonte edhe familje me ta. Nuk po flas më, mendojeni vetë këtë punë. Besimi fetar tek populli i ynë, që nga lashtësia e deri më sot, ka një veçori kundrejt të tjerëve; ne e adhurojmë zotin (ose zotat), ne e respektojmë atë. Ky ka qënë gjithmonë një respekt reciprok. Ai asnjëherë nuk ka qënë përulje, ose nënshtrim pa kushte. Kjo shpjegohet vetëm me një veçori të racës tonë, KRENARINË. Ne jemi shumë krenar. Kjo krenari asnjëherë nuk na ka shpënë në fanatizëm, por vetëm në adhurim dhe respektim. Por me i rëndësishëm në këtë qëndrim ka qënë PAGANIZMI i ynë në shekuj. Ne, edhe sot e kësaj dite, në thelbin e tij, kemi mbetur një popull pagan. Me këtë shpjegohet edhe larmia fetare tek ne.
Ja se çfarë thotë në lidhje me këtë në vitin 1899 mendimtari më i madh shqiptar, Sami Frashëri: “Shqiptari është shqiptar përpara se të jetë myslyman a i krishterë. Çka qënë kur kish besën (besimin) e Ti, besën e Pelazgëvet, ay qe dhe si u bë i krishterë, ay është dhe si mori besën e Muhametit. Besa s’e ka ndruar fare dhe kurrë, se ve gjithënjë kombërinë përpara besësë”.
Për ne nuk ka rëndësi se çfarë besimi fetar mund të zgjedhësh, kjo lidhet me nevojat, shijet dhe rrethanat. Dukeqënëse se parimi kryesor në besim ka qene ADHURIMI, atëhere mund të adhurosh çfarë të duash, atë që të pëlqen; sepse vetë adhurimi nënkupton ndryshueshmërinë e zgjedhjes. Ne kemi një besim shumë të madh tek JETA, dhe ky besim na ka shpënë tek adhurimi për ATE që e ka krijuar jetën mbi tokë. Vetë paganizmi ynë lidhet dhe shpjegohet vetëm me këtë besim dhe dashuri për jetën.
VIJON …

_________________

BESNIK IMERI: FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA (MBI FENË E SHQIPTARËVE) Pjesa I
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10465
***
BESNIK IMERI: FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA (MBI FENË E SHQIPTARËVE) Pjesa II
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10466

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura