BESNIK IMERI: KOLONITË HELENE NË EPIR DHE ILIRI

Vlorë, 23 shtator 2020: Tema e kolonive helene në brigjet e Mesdheut, me krijimin e shtetit grek në fillim të shekullit të XIX, është bërë një temë e nxehtë, ku qarqet e vetëquajtura greke, apo akoma më keq, helene, e trajtojnë në një mënyrë shoviniste, politikisht; demagogjike dhe sofiste, nga pikëpamja shkencore; dhe, cinike e të paturpshme nga pikëpamja morale. Por pas kësaj “lehje helene”, këto 150 vjetët e fundit, gjithmonë kanë qëndruar Fuqitë e Mëdha, ose e thënë ndryshe shtete të caktuara të Europës, të cilat,mbështetur në këto dogma dhe demagogji helene të të ashtuquajturave koloni helene, vazhdimisht e kanë “ndërsyer” Greqinë kundër shteteve si Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Turqia, duke mëtuar territore, brigje, ishuj, pjesë të deteve dhe shelfeve detare.
Si është puna e kolonive? Në historinë e lashtë kolonitë e para në brigjet e Mesdheut janë ngritur apo krijuar fillimisht nga pellazgët. Pellazgët, të ndarë në fise, apo popuj të ndryshëm, siç e kemi thënë në kapitujt paraardhës, kanë luzmuar në parahistori në të gjitha brigjet e Mesdheut, Detit të Zi, Kaukazit, Lindjes së Afërme, etj. Ata në lëvizjet e tyre kanë qënë të pranueshëm nga fiset e tjera. Por ka pasur raste që kanë zaptuar territore të tjera edhe me luftë. Të tilla kanë qënë pushtimet e skithëve, që okupuan pothuajse krejt brigjet e Detit të Zi dhe atij Kaspik, duke krijuar një turbullirë të madhe tek popujt që banonin në ato brigje si Kimerët, por edhe të tjerë. Historia flet gjithashtu për zbarkimet e Hiksosve në deltën e Nilit, ku ngritën koloni për qindra vjet në Egjiptin e lashtë. Por historia flet për zbarkime dhe imbarkime të shumta nga ishulli i Kretës. Një nga rastet e mundshme është edhe ajo e zbarkimit të Karianëve kretanë në brigjet lindore të Mesdheut. Qiprua, gjithashtu, ka qënë vend zbarkimesh dhe imbarkimesh të shumta në parahistori. Madje, flitet se ajo, për mjaft kohë, ka qënë edhe koloni e egjiptianëve. Lemnosi, Imbrosi dhe ishuj të quajtur grekë tani, kanë qënë ishuj të banuar nga pellazgët, dhe, tek ata ka pasur zbarkime të ndryshme gjatë gjithë periudhës së parahistorisë, por edhe anitikitetit. Më e famshmja nga ato është zbarkimi i lidianëve, popull pellazg i bregut lindor të Mesdheut, të cilët Lemnosin e përdorën si plasdarmë për të “sulmuar” gadishullin Apenin. Historia flet mjaft për ngritjen prej tyre të kolonive në bregun perëndimor të Apenineve nën udhëheqjen e mbretit të tyre, Tirrenit, prej nga ku prej këtij mbreti lidian trashëgojmë sot emrin e Detit Tirren në Itali.
Në parahistori kemi edhe dy lëvizje të mëdha popujsh; Kadmianët dhe Danajtë, të cilët “mësynë” atë që në shekullin e XIX të erës sonë do të bëhej Greqi. Kadmianët krijuan shtetin e fuqishëm të Tebës, ndërsa Danajtë sunduan mbi shtetin e fuqishëm të Argosit Arkadhian. Për këto dy popuj “mysafirë” shkrimtarët antikë grekë si Sofokliu dhe Eskili kanë shkruar dhe veprat me të mëdha dramaturgjike botërore si: Edipi mbret, Edipi në Kolonë, Antigona, Të shtatë kundër Tebës dhe Lutëset. Madje Kadmi solli qytetërim tek fiset pellazge të Beotisë, Atikës, etj, duke sjellë alfabetin me të cilin u shkruajt helenishtja, ku në saj të mësimit të kësaj gjuhe të re, pra vetëm në sajë të ndryshimit të gjuhës; nga pellazgjishtja tek helenishtja. ata do të shndëroheshin nga pellazgë në helenë.
Më pas janë shquar shumë si një “perandori kolonizatore” Fenikasit e quajtur të tillë nga helenët, por ata e quanin veten Kananë, dhe, ishin një popull i shquar pellazg, të cilët së bashku me Karianët dhe Lidianët, sollën qytetërimin në perëndim (gadishujt Helenik, Apenin, Iberik, Libi dhe jugun e Galëve), duke filluar nga alfabetet pragmatiste dhe deri tek të rejat shkencore për kohën. Kolonitë e tyre shtriheshin në të gjitha brigjet e Mesdheut, por më të shquarat ishin Tartesi, Kartagjena dhe Marseja.
Ndërsa helenët ngritën koloni nga shekulli i VIII p.e.s e këndej, duke u mbivendosur tek kolonitë fenikase, ose duke krijuar të reja në jugun Apenin, brigjet e detit Jon dhe Adriatik; si duke u kthyer vizitën lidianëve, karianëve etj në brigjet lindore të Mesdheut.
Që në fillim, nuk do të isha i mendimit që kolonitë helene janë krijuar në brigjet e Epirit dhe Ilirisë nëpërmjet pushtimit. Lufta edhe mund të jetë përdorur në ndonjë rast, por e përgjithshmja është se këta të ashtuquajtur kolonistë helenë duhet të kenë ardhur pa luftë, ata janë pranuar miqësisht nga vendasit si “jabanxhinj”. Kolonitë helene, nëqoftëse do t’i shikonim me syrin e sotëm, fare mirë mund t’i quanim zona të lira, ku biznesmenët helenë ngritën bizneset e tyre.

Këta kolonistë kanë qënë kryesisht tregtarë dhe zejtarë. Edhe nëqoftëse do të pranonim se një grusht kolonistësh i kanë pushtuar këto qytete ose territore; ata nuk do të mund t’i mbanin dot ato për një kohë të gjatë, sepse vendësit me ndihmën e vellezërve të tyre të prapatokës, do t’i kishin hedhur në det miqtë e paftuar. Mjaft autorë flasin për ngritjen e kolonive në Epir, kryesisht në Thesproti, por ata thonë me vendosmëri, se në këto koloni nuk u përmbys rendi etnik.
Koloni nuk ngritën vetëm helenët, por koloni ngritën edhe Ilirët, ku më të shquarit në këtë drejtim janë Liburnët. Ata ngritën koloni në të dy brigjet e detit Adriatik, atij Apenin dhe atij Ilirik. Ata, si një fuqi e madhe detare (talasokraci), ishin për një farë kohe zotërues të Korkyrës, por edhe të Epidamnit, Lisit, Skodrinit, e deri në veri në bregun Dalmat. Madje, siç e kemi thëne edhe më parë kur flasim për Ilirët e Jugut, ekzistenca e kolonive liburne në qytetet e tyre ka sjellë pështjellim tek mjaft autorë në kohët moderne, që disa nga perënditë liburne, t’i ngatërojnë dhe t’i quajnë perëndi të Ilirëve të Jugut, si Redoni, Bindusi etj. Madje, vetë Kepi i Rodonit, për pozicionin e tij të shkëlqyer strategjik, mund të ketë qënë një pikë e fortifikuar e Liburnëve në Adriatik, të cilët këtij kepi i kanë vendosur edhe emrin e perëndisë së tyre të detit.
Pra, nga të gjitha këto që thamë më lart, nuk kanë ngritur koloni vetëm helenët, por të gjitha ato qytete shtete nga të gjitha brigjet e Mesdheut dhe deteve që ishin pjesë e tij, të cilat ishin të zhvilluara, të fuqishme dhe të pasura, ku ato në të njëjtën kohë, në sajë të zhvillimit të tregtisë, u bënë edhe fuqi detare. Për të qënë më i qartë, afrohemi rreth dymijë vjet në kohë, ku shëmbulli më klasik në mesjetë, është Republika e Venedikut, e cila edhe ajo ngriti koloni, por ndryshe nga të lashtët, ajo këto qytete të fortifikuara bregdetare të Mesdheut i mori me forcën e armëve.
Në Epir dhe Ilirinë e Jugut qytetet më kryesore, që janë emërtuar koloni helene, nga shkenca zyrtare greke, por edhe ajo shqiptare, janë: Korkyra, Butrinti, Apollonia, Dyrrahu etj. Historiani Kristo Frashëri në librin e vet “Historia e qytetërimit shqiptar”, i cili është një studim nën mbikqyrjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në paragrafin, “Kolonitë helene të Shqipërisë” thotë:
“Në çerekun e tretë të shekullit VIII p.e.s (720 p.e.s B.I) flota e Korintit zboi liburnët nga ishulli i Korkyrës dhe themeloi aty koloninë e parë tregtare…Pak më vonë, kolonistët korkyras-korinthas zbarkuan në stere, në tokën e kaonëve dhe pushtuan vendbanimin e tyre të lashtë, Buthrotin. Kolonistë të tjerë helenë, të ardhur nga Fokida, pushtuan Orikun në Gjirin e Vlorës, i cili ishte stacioni i fisit ilir të amantëve. Në shekullin e VII p.e.s, rreth vitit 627 p.e.s, kolonistët e Korkyrës pushtuan me luftë Durrësin, skelën e taulantëve, të cilin ata e quajtën Epidamn dhe romakët më vonë Dyrrah. Rreth 40 vjet më vonë, kolonistët e Durrësit, themeluan Apolloninë…” 1

Në këtë paragraf, në të cilin nuk pasqyrohet vetëm mendimi shkencor i autorit, por dhe i vetë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si kujdestare e këtij botimi, në mënyrë kategorike thuhet, se kolonitë helene në trojet e Epirit dhe të Ilirisë së Jugut, që autori çuditërisht i quan, kolonitë helene të brigjeve të Shqipërisë (se nga e gjeti këtë Shqipërinë ai në shekujt e VIII dhe të VII p.e.s, këtë e di ai dhe Akademia) janë realizuar nëpërmjet pushtimit ushtarak!!! Por autori nuk përmend asnjë betejë për pushtimin e tyre. Dhe për më tepër, as autorët e lashtë grekë, si Herodoti dhe Tuqididi, nuk flasin për pushtime ushtarake, apo për beteja. Dhe për të qënë më bindës, vetë Tuqididi, kur flet për Luftën e Peloponezit, përmend hollësisht përplasjet ushtarake në Epidamn midis demosit nga njera anë dhe oligarkëve e taulantëve nga ana tjetër.

Për të kundërshtuar mendimin se Epidamni është marrë më luftë, dhe, që ka qënë një koloni e sunduar nga helenët, këtë na e thotë vetë Tuqididi, oligarkët, sunduesit e qytetit bashkëpunuan me ilirat taulantë të prapatokës. Pra oligarkët kanë qënë vendas dhe ka qënë paria ose fisnikëria e qytetit, shtresa më e pasur dhe njëkohësisht shtresa sunduese e tij. Si një argument më shumë në këtë drejtim, mund të sillet edhe fakti, se sunduesit e këtyre qyteteve ishin me prirje monarkike; ndërkohë që kolonët duke qënë se bënin pjesë ne shtresat e ulëta të shoqërisë (demosi: tregtarë dhe zejtarë), si dhe fakti që vinin nga qytete ku sundonte demokracia, automatikisht do të ishin me prirje demokratike. Mbi bazën e kësaj llogjike mbetet që sunduesit e këtyre qyteteve të ishin vendës dhe për Epidamnin kjo është e dokumentuar nga lufta që u zhvillua aty. Në këtë luftë Ilirët autoktonë aristokratë të qytetit, me ndihmën e vëllezërve të tyre Taulantë të prapatokës, rivendosën me dhunë të drejtat e tyre duke shtypur revoltën e kolonëve helenë dhe bashkëpunëtoreve të tyre nga shtresat popullore qytetare autoktone ilire (banuese në këtë qytet). Kjo vërteton më së miri atë që këto qytete janë drejtuar dhe sunduar dhe banuar nga vendësit Ilirë, ku kolonistët helenë kanë qënë minoritet dhe bënin pjesë në shtresat e dorës së dytë të shoqërisë së tyre.
Por këtu duhet të ndalemi edhe tek një koncept të gabuar shkencërisht, i cili ka zenë vend në termilogjinë shkencore të historisë: koloni helene. Për mendimin tim nuk ka pasur në antikitet koloni helene në brigjet e Epirit dhe ato të Ilirisë së Jugut. Pra, për të qënë më të saktë: Nuk ka pasur qytete të themeluara dhe të banuara vetëm nga helenët. Ka pasur vetëm kolonistë helenë të ardhur në qytetet Epirote dhe ato Ilire. Koncepti, koloni helene; është krejt i ndryshëm nga, kolonistë helenë.
Në argumentim të kësaj, është vërtetuar shkencërisht se të ashtuquajtura qytete koloni helene, kanë ekzistuar para se të vinin kolonistët helenë, si qytete epirote apo ilire. Butrinti, Foinike, Oriku, Apollonia, Epidamni etj, shekuj më parë se të vinin vizitorët helenë kanë qënë të themeluar dhe banuar nga vendasit, Prasaibët, Kaonët, Amantinët, Bylinët apo Parthinët dhe Taulantët.
Vetë Korkyra që mbahet si koloni e mirëfilltë helene, mbështetur në ato që thotë Neritan Ceka, i cili kur flet për monedhat e Korkyrës, na jep një të dhënë brilante për përkatësinë etnike të korkyrasve, të cilët, nga të gjithë autorët, pa përjashtim, quhen helenë. Por në fakt janë pasardhësit e Feakasve pellazgë të Skeries. Ja edhe informata: “…prerjen e monedhave të Apolonisë dhe Dyrrahut në gjysmën e dytë të shek të V p.e.s…Simbolet e tyre përsërisin ato të Korkyrës, duke pasur në faqe një lopë me viçin duke pirë qumësht, ndërsa në shpinë një katror me ornamente- të shpjeguar si kopshtet e lulëzuara të Alkinout, mbretit homerik të ishullit të feakëve, që besohej të ishte Korkyra…”2.
Pra, si ka mundësi që këta helenë të Korkyrës, por edhe të Apollonisë dhe Dyrrahut, të prisnin monedha me simbolet e Alkinout, mbretit epirot pellazg të Skerisë së lashtë pellazge, dhe të mos prisnin monedha me figurën e mbretërve të Korintit, ku për hir të së drejtës nuk kanë qënë pak?!!! Një nga at aka qënë tirani Periandër. Pra në Korkyrën epirote zbarkuan korinthasit helenë. Prandaj edhe kur korkyrasit, nga ana e tyre, ndoshta edhe me disa korinthas, zbarkuan në Apolloni, Orik, Dyrrah, apo edhe në ndonjë qytet tjetër me përkatësi epirote apo ilire, nuk zbarkuan si helenë, por zbarkuan si epirotë tek epirotët, apo si epirotë tek ilirët. Këto qytete në antikitet ishin si qytetet metropol sot në botë, pra kishin edhe banorë të etnive të ndryshme, pavarësisht faktit, se këta të huaj gjithmonë kanë qënë minoritet në to. Nuk mund të themi sot, se shumicën e banorëve të qyteteve metropole si: Parisi, Londra, Berlini, Roma, Vjena, Amsterdami, Lisbona, etj, e përbëjnë të huajt dhe vendasit janë në minorancë!! Kështu ka qënë edhe në lashtësi. Vetë Dyrrahu, dhe më pas Durrësi, deri në mesjetë vonë ka qënë një qytet metropolitan.
Edhe nëqoftëse do të flitet për shkrime apo mbishkrime të gjetura në greqisht, apo në latinisht në këto qytete; këto nuk përcaktojnë as etninë e këtyre qyteteve, por as etninë e kolonistëve; pasi këto ishin gjuhë ndërkombëtare (dhe për më tepër shkruheshin), dhe një qytet metropol dhe kozmopolit në atë kohë do të ishte i vdekur pa këto gjuhë. Kjo nuk ka përjashtuar faktin që në këto qytete ka pasur shkrime në Ilirisht, por me alfabet grek ose latin dhe ndoshta edhe me alfabetin ilir ose pellazg.
Në mbështetje të mendimeve të mësipërme, po përpiqemi të japim disa fakte për disa nga këto qytete. Fillojmë me të ashtuquajturën koloni helene të Butrintit. Për këtë po i drejtohemi fillimisht arkeologut Neritan Ceka, i cili na thotë:
“Më 1805 Butrinti vizitohet nga konsulli francez në Janinë, F.Pukëvil (Pouqeville), i cili ka lënë një përshkrim të mureve pelazgjike në akropol…burimin e shenjtë të Asklepit, i cili ruan veshjen me gurë të mëdhenj të punuar trashë nga një periudhë më e hershme…Ato ishin kushtime që i përkisnin një tempulli më të lashtë të tipit prostil, prej të cilit, përvç nishes, janë ruajtur edhe themelet e hershme…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqëndruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qëndër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt e XI-X p.e.s..”3
Nga studiuesi Aleks Trushaj na vjen një njoftim interesant, ku sipas tij, murin e akropolit të Butrintit, Ugolini (L’Acropoli di Butrinto, f,262) e ka quajtur “pellazgjik”4
-Pra, dy personalitete, Pukëvili dhe Ugolini i kanë quajtur muret e lashta të akropolit të Butrintit, pellazgjike. Atëhere si ka mundësi, që një qytet i ndërtuar nga pellagët kaonë, del i themeluar nga helenët, dhe, duhet të njihet edhe si koloni helene!!!
-Sipas Neritan Cekës, pranë gërmadhave të tempullit të Asklepit në Butrint, ka gërmadha më të lashta të një tempulli parak më të lashtë, kuptohet pellazgjik, por që nuk është evidentuar se kush ka qënë. Pra ky qytet pellazg ka pasur edhe një tempull para se të vinin helenët, pra në këtë qytet pellazg ka pasur civilizim, dhe, këtë nuk e sollën helenët kolonistë. Gjithashtu Neritan Ceka na thotë, se jeta urbane në akropolin e qytetit ka ekzistuar në periudhën e hershme të hekurit, shek XI-X p.e.s, d.m.th, menjëherë pas Luftës së Trojës. Gjë që na lidhet edhe me legjenda të tjera, që flasin për ekzistencën e Buthrotit në atë periudhë.
Vazhdojmë me Apolloninë. Neritan Ceka para rreth 40 vjetësh ka nxjerrë një libër me emër kuptimplotë “Apolonia e Ilirisë”. Kemi shkëputur disa pjesë nga ky libër: “Në kohën antike ka pasur të paktën 30 qytete me egidën e Apolonit. Për këtë arësye Apoloninë tonë, për ta dalluar nga të tjerat, shkrimtarët antikë e quajnë Apolonia e Ilirisë, Jonit apo Epirit…Këtë qytet të Ilirisë, shkruan Stefan Bizantini në mesin e shekullit të VI të e.s., e banonin ilirët si edhe Epidamnin. Pastaj u dërguan 200 kolonistë korinthas me në krye Gylakun…Gjatë gërmimeve në Apoloni u gjetën fragmente qeramike dhe vegla hekuri dhe bronzi, që i takonin fundit të periudhës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit. Ato ishin sende tipike ilire që i përkisnin një popullsie, e cila kishte banuar aty shumë kohë para ardhjes së kolonistëve. Apollodori shkruan se “mbasi vdiq Helenofori në Trojë, ata që ishin me të, duke u fshehur buzë gjirit Jon, u vendosën në Apoloninë e Epirit”…Plutarku jep edhe datën e saktë: në vitin 583 p.e.s…kolonistët e parë ishin korinthas të larguar gjatë sundimit të tiranit Periandër (fundi i shekullit të VII – fillimi i shekullit të VI p.e.s.)…Straboni shkruan se së bashku me korinthasit në Apoloni u vendosën edhe korkyrasit, gjë që dëshmohet edhe nga Skymni dhe Pauzania. Korkyra, që ishte vetë koloni e Korinthit (737p.e.s.), luajti më pas një rol të veçantë kolonizues në bregdetin Jon dhe Adriatik (pra në Epir dhe Iliri.B.I.). Ka shumë mundësi që prej saj të jenë nisur edhe kolonistët e parë të Dyrrahut dhe Apolonisë…për derisa kolonia e re kishte një karakter zejtar-tregtar, ajo mund të ekzistonte në marrëveshje të plotë me vendasit…”. 5
Nga i gjithë ky perifrazim i gjatë nxjerrim disa përfundime:
– Nga autorët antikë Apolonia cilësohej e Ilirisë apo dhe e Epirit, dhe në asnjë rast nuk quhej Apolonia helene. Më shumë cilësohej qytet i Ilirisë dhe banohej nga ilirët. Pra nuk banohej nga helenët.
– Gjetjet arkeologjike të arkeologëve tanë në këtë qytet i takojnë fundit të periudhës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit. Pra shekujve XII-X p.e.s, shumë kohë më parë se të vinte Gylaku nga Korinthi në shekullin e VI p.e,s. Kjo vërtetohet edhe nga legjenda, që luftëtarët e Luftës së Trojës, kur kanë ardhur në Epir (pasi Iliria nuk njihej në atë kohë me këtë emërtim) e kanë gjetur të ngritur qytetin e Apolonisë.
– Siç e kemi thënë edhe më parë ne, këtu thuhet qartësisht se kolonistët e parë, jo vetëm që u vendosën në një qëndër urbane të banuar nga vendasit, por këta kolonistë ishin zejtarë dhe tregtarë, pra në kuptimin e sotëm biznesmenë të huaj që vijnë për punë në një qytet. Pra këta nuk kanë ardhur me luftë dhe me formacion luftarak, siç thotë Kristo Frashëri, dhe e kanë pushtuar Apoloninë, Dyrrahum, apo edhe ndonjë qytet tjetër të Epirit apo Ilirisë.
Tani për sa i përket qytetit të Epidamnit, për të cilin historiani Kristo Frashëri shprehet se, “kolonistët e Korkyrës pushtuan me luftë Durrësin, skelën e taulantëve, të cilin ata e quajtën Epidamn dhe romakët më vonë Dyrrah.” Ajo shprehja “me luftë” bie nga ato që u thanë më lart. Ndërsa për emërtimin e qytetit me dy emra, ku historiani i mësipërm ua shpërndan si pa të keq helenëve dhe romakëve, do të flasim më poshtë.
Nuk jam i mendimit se emrin EPIDAMN të qytetit e kanë vendosur kolonët helenë, siç thuhet në tekst. Ai është emri që i kane vendosur vendësit qytetit të tyre. Ndoshta ky qytet ishte sipër në kodër. Ndoshta nga zhvillimi që mori, tregtia, porti, ai polli ndën vete edhe birin e vet DYRRAHUN. Ndoshta, kjo pjesë e poshtëme u quajt nga vendësit DY-RRAH, sepse për çudi ai ndodhet midis dy rraheve (rrëzë kodrash, ku është edhe sot e kësaj dite edhe qyteti i sotëm i Durresit). “Rrah” në shqip quhet një vend në faqe, ose rrëzë kodrave, a malit i shpyllëzuar, ose përkarshi diellit.
Meqënëse Dyrrahu ishte qytet-port, kundrejt Epidamnit qe ishte qytet-kala, gjetja e gjurmëve të portit nga arkeologët në kohën e sotme do të sqarojë shumë gjëra. Ndërsa, po të bënim një përpjekje për të shpjeguar edhe emrin EPIDAMN me anë të shqipes, trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e ilirishtes; atëhere do të zgjidhej edhe enigma e emrit të dyfishtë, që mbart ky qytet. “Ep” në shqip do të thotë jep, por përdoret edhe në kuptimin epmë, më jep mua. “Dhashë” ose “Dhashtë” në shqip përdoret në shumës të kohës së shkuar “Dhamë”, në toskërisht përdoret edhe “Dhamnë”; njësoj si fjalët “bëhet” dhe “bënet” që kanë të njëjtin kuptim. Atëhere një qytet në një pikë strategjike në detin Jon, siç ishte Epidamni në lashtësi; ku lidhej Lindja me Perëndimin (gjë që më vonë e vërtetoi edhe ndërtimi i rrugës Egnatia) detyrimisht do të ishte edhe një qëndër tregtie, ku merrej dhe jipej. EP(më) dhe I D(H)AMNE, ku germa “H” gjatë kohës mund të ketë humbur (ose ndoshta, më saktë, nuk përdorej, dhe “D” shqiptohej si “DH”, apo “damë” kishte kuptimin që “Dhamë”) dhe rezultati del EP-I-DAMNE.
Analog mund të jetë aresyetimi si për qytetin tjetër bregdetar dhe tregtar të Mesdheut, koloninë fenikase (kananase), Marsile (MARR + SILLE). Por për të gjitha këto shpjegime fjalën e fundit duhet ta thonë gjuhëtaret.
Për mendimin tim, kemi të bëjme me një qytet por me emërtim të dyfishtë, dhe kjo lidhet me fazat e ndryshme të zhvillimit të tij; ku më i vjetër në moshë është Epidamni pasi lidhet me fazën e parë të tij, kur qyteti ishte në kodër; dhe më pas me shtimin e tij ai doli jashtë mureve dhe u zhvillua poshtë, rrëzë kodrave e pranë portit, dhe kjo pjesë e qytetit mori një emërtim te ri Dyrrah (pavarësisht legjendës se Dyrrahu ishte nipi i Epidamnit); duke zbehur dhe errësuar shkëlqimin e të parit. Pasojë e kësaj është edhe fakti, që emri i dytë Dyrrah mbeti më vonë edhe si emër i qytetit. Ndoshta kjo mund të lidhet edhe me pushtuesit romakë.
Gjithashtu në tekst thuhet që edhe Bylysi dhe Amantia qënkërkan koloni greke bija! Kjo më duket një çudi e madhe. Të paktën deri më sot këtë gjë e dëgjojmë për herë të parë. Historikisht këto dy qytete kanë qënë edhe jashtë Lidhjes Molose, pra nuk kane bërë pjesë në atë që në lashtësi quhej Epir, dhe jo më të ishin koloni helene bija. Çuditërisht, dymbëdhjetë vjet më vonë, pas publikimit të ideve të Kristo Frashërit, vjen një misionar i helenizmit, një farë “Zgërboje”, dhe thotë se teatri i Bylist, pra edhe vetë qyteti, është helen!!
Nga të gjitha këto që u thanë më lart u përpoqëm të argumentojmë, se të ashtuquajturat koloni helene në Epir dhe Iliri në lashtësi, nuk mund të vërtetojnë teoritë e sotme antishkencore dhe antishqiptare, se helenët në lashtësi i kanë krijuar dhe zotëruar këto qytete tërësisht: Buthrotin, Apoloninë, Dyrrahun, Orikun, Bylisin etj; dhe për më tepër kanë qënë banorë të këtyre qyteteve në mënyrë të vazhdueshme deri në ditët e sotme, ku nga kjo, këta myteberët e sotëm të ashtuquajtur grekë i mëtojnë si qytetet të tyre dhe si territore të tyre që nga lashtësia. Rrjedhimisht, sipas tyre ato duhet të futen, me hir apo me pahir, brenda kufirit të shtetit të sotëm grek!!! Pra shkurt, Shqipëria e Jugut deri në Shkumbin, përfshirë edhe Durrësin, duhet të kalojë me Greqinë!!! Amin.
Të vjen keq, që dashje pa dashje, historianë dhe akademikë shqiptarë bëhen zëdhënës të këtyre tezave të rrezikshme që cënojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë.
Besnik Imeri 22 shtator 2020 (pjesë nga studimi Epiri Pellazgjik)
__________________
Literatura:
1 Kristo Frashëri, “Historia e qytetërimit shqiptar”, Bot.AKAD-SHKENC-SHQIP-2008, f.19
2 Neritan Ceka, “Ilirët”, Bot.ILAR-2001, f, 61, 82, 112, 139
3 Neritan Ceka, “Buthroti”, Bot.Cetis Tirana-2002, f,31,35, 46, 21
4 Aleks Trushaj, Kaonia dhe Kaonët në Prehistori dhe Antikitet, Bot.Europrint-2007, f, 49
5 Neritan Ceka, “Apolonia e Ilirisë”, Bot.* Nëntori – Tiranë, f. 17-19

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura