Vlorë, 25 Mars 2020: Përmbi za q’lshon bylbyli / Gjuha shqype m’shungullon; / Përmi erë që m’nep zymbyli / Pa da zemrën ma ngushllon. At Ndre Mjeda, 1866 – 1937.
I leçis këto vargje hyjnore të të ndriturit rilindas, At Ndre Mjeda, dhe më duket vetja sikur jam në pyjet shushuritës, përrenjtë zhurmues, gurgullimën dhe ligjërimin e Cemit, lëndinat e bukura, rudinat dhe zabelet plot hijeshi dhe freski, ajrin e pastër e dritën e kthiellët të qiellit dhe të maleve të Kelmendit, Grykës së Rrugovës dhe gjithë Alpeve Shqiptare; në vendin ku banojnë zotat, të cilët u kanë bërë vend dhe kanë pranuar pranë vetes malësorët, ata dhe vetëm ata dhe askënd tjetër. Malësorët janë të dëshiruarit e zotave. Ne të tjerët, thjesht ëndërrojmë me zili, që për pak kohë të jemi të preferuarit e zotave. Një tokë hyjnore pranon njerëz hyjnorë, të cilët edhe ata, detyrimisht, duhet të flasin gjuhën që flasin zotat, një gjuhë hyjnore: Gjuhën Shqype. Mallkim i rëndë bie mbi ata që e harojnë apo e dhunojnë këtë gjuhë.
Malësorët tanë ju trembën këtij mallkimi dhe për mijëra e mijëra vjet e ruajtën këtë gjuhë, si një amanet nga zotat që nuk e tret asgjë. Por, përpos kësaj, ata e ruajtën më dëshirë, dashuri dhe krenari. Nuk është pak. Është një nder i veçantë, është një privilegj, që të lejohesh të flasësh gjuhën e zotave. Cmirë, ligësi dhe armiqësi ka ngjallur tek fqinjët tanë kjo gjuhë hirushe. Ata, në shekuj dhe deri në ditët e sotme, kanë hedhur baltë mbi të, e kanë përgojuar, kanë shpifur fëlliqësitë më të mëdha kundër saj. Por nuk ja kanë dalë. Ajo lulëzon si bjeshka në pranverë, shndrit si dielli në maj, tingëllon si cicërima më e bukur e zogjve këngëtarë. Ajo është e pavdekshme si vetë zotat. Ajo është shpirti i zotave. Shqiptarët janë trupi që zotat kanë zgjedhur për këtë shpirt. Prandaj, ta dinë mirë miqtë dhe armiqtë, që shqiptarët janë një popull që nuk ka për të vdekur kurrë. Shqipëria ka një jetë të perjetëshme. Gjuha shqipe do t’ju rri në krye si diell dhe do t’u ndricoj në jetë të jetëve. Jemi në bekimin e zotave. Ndodhemi nën një mbrojtje hyjnore.
Prandaj gjuha shqipe është e shënjtë për ne shqiptarët. Jo më kot i thashë disa fjalë aty më lart. Gjuha shqipe është pjesë e identitetit dhe ekzistencës sonë si komb. Pa të ne jemi të humbur. Ashtu si trupi nuk bën dot pa shpirtin dhe me humbjen e tij ai vdes; ashtu edhe ne shqiptarët pa gjuhën shqipe nuk mund të ekzistojmë, humbim ekzistencën kur humbim atë. Për ne ajo është simbol i ekzistencës si komb. Prandaj ne jemi i vetmi komb në Ballkan që në kohën e Perandorisë Osmane jemi sulmuar tek gjuha. Nuk na është lejuar që ta mësojmë atë në shkollë. Të gjithë kombeve të Ballkanit ju lejua që të hapnin shkolla në gjuhën e tyre, madje edhe vllehëve, të cilët si etnitet nuk kishin një territor unik shtetformues ose të trashëguar nga të parët e tyre, duke qënë ardhës në territoret që banonin dhe duke ju bashkangjitur etnive autoktone, ju lejua me irade të sulltanit që të hapnin shkollat në gjuhën vllahe. Ndërsa shqiptarëve, me një territor unik të trashëguar brez pas brezi për mijëra vjet, në tokën e të parëve të tyre dhe duke qënë autoktonë me mijëvjeçarë, ju ndalua rreptësisht mësimi i gjuhës së tyre. Prandaj ne jemi i vetmi komb në botë që kemi dëshmorë të gjuhës. Me thoni një të tillë në botë, ku njerzit e atij kombi të jenë vrarë për gjuhën e tyre. Prandaj ne, në mënyrë të veçantë, kundrejt kombeve të të tjerë, jemi sulmuar dhe sulmohemi akoma sot e kësaj dite tek gjuha.
Gjuhës shqipe sot e kësaj dite, ne Europë dhe në botë, nuk i janë njohur të drejtat e saj legjitime, origjina e saj dhe vendi që ajo zë kundrejt të tjerave. Asaj nuk i është njohur karakteri hyjnor që ajo ka. Në Luftën e Trojës, kur ushtritë ndërluftuese u rradhitën për betejë, atyre luftëtarëve që e flisnin këtë gjuhë, ju njoh karakteri hyjnor duke i quajtur,”pellazgët hyjnor”. Këtë vend ka edhe gjuha shqipe sot në rradhitjen e kombeve në Europë.
Prandaj gjuha shqipe, si një gjuhë hyjnore është edhe një nga gjuhët më të lashta të planetit, pasi është krijuar bashkë me zotat, duke lënë shumë pas gjuhë si: greqishtja e lashtë, latinishtja, sanskritishtja, hebraishtja, vedishtja, tokariania, sllavishtja dhe gjermanishtja e lashtë, lituanishtja etj etj. Motër e saj është keltishtja. Ajo konkuron në kohë ndoshta me gjuhën e actekëve, gjuhën e lashtë egjyptiane dhe gjuhën e lashtë kineze. Por duhet të jetë më e vjetër se edhe këto të fundit.
Sami Frashëri në veprën e vet madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet” në kreun e VII “Kombëri’e gjuh’e shqiptarëvet” thotë: “Shqiptarëtë flasin një nga më të vjetërat’e më të bukurat gjuhë të dheut. Gjuhërat, që kanë qënë shoqet’e motërat e shqipesë, kanë mijëra vjet që kanë humburë e s’flitenë në nonjë vënt të dheut; po në vendit t’atyre përdorenë mbesat’e stërmbesat’e tyre. Shqipja është shoqe me greqishten e vjetër, me llatinishtenë, me sanskritishtenë, gjuhën’e Indis së vjetërë, me sendishtenë, me tevtonishtenë etj. Po këto gjuhëra, që numuruamë, nga të cilat ca kanë qënë motra të vogla të shqipesë e më shumë më të ra (reja) se ajo, këto gjuhëra, them, kanë mij a mijëra vjet që nuk po flitenë më e s’rojnë përveçse me faqet të ca livrave të vjetra. Ato quhenë gjuhëra të vdekura e shqipja, gjuha jonë, q’është m’e vjetërë nga ato, ësht’e gjallë e flitetë edhe sot si në kohët të PELASGËVET…
…Pa ndryshim (dyshim) Pelasgetë janë m’i vjetër’i i kombeve arianë t’Europësë. Kemi shumë shenja e shumë dëftime, të cilatë dëftejnë faqeza që ata pelasgë, që na dukenë si përrallë nga vjetëri’e tepër’e tyre, kanë folurë këtë gjuhë, që flasim na sot…
…pelasgëtë kanë folurë kaqë mijë vjet më parë këtë gjuhë që flasim na sot, po thua pa ndryshime a me aqë pak ndryshim, sa të muntte të delte sot një pelasg, do të muntimë të flasim me të si fletë një gegë me një tosk…”.
Sipas D’Angelysë “…Gjuha pellazge, prejardhja e saj është kaq e largët dhe përfshin dhjetra e qindra mijëra vjet të formimit, të zhvillimit, të evoluimit dhe të njëjtësimit, sa ndiejmë njëfarë keqardhje lidhur me të gjithë ata; që gjithmonë janë përpjekur t’u japin gjuhëve Semitike ose Mesopotamase një rëndësi, për të cilën formimi i tyre krejt i vonë, gjithësejt jo më shumë se 10.000 vjet; nuk mund t’ua japë, dhe aq më pak, t’u vishet atyre roli i huadhënësve për gjuhën pellazge…Përkundrazi Gjuhët Mesopotamase (Hebraishtja dhe Arabishtja) kanë huazuar fjalë nga gjuha shqipe…”.
Sipas Ëlliams Xhons “Gjuha Pellazge është folur në Europë, Egje dhe Azi të Vogël 6500 vjet p.e.s”.
Xhuzepe (Zef) Katapano lindur në Frashineto të Kalabrisë, në veprën e vet “Thot Parlava Albanese” (Thot-i fliste Shqip), për të cilë ai thotë se punoi mbi 40 vjet nga viti 1938, kur ai vizitoi Egjiptin, piramidën e Keopsit (Kufes) dhe deri në vitin 1984, rrëfen:
“Historia e njerëzimit është 600.000 vjet. 594.000 vjet jemi të detyruar t’i përshkruajmë me hamendje, ngaqë prej historisë mezi njohim 6000 vjet, ose 1/100 e saj…..Thoti është themeluesi i besimit të dritës dhe shkencave okulte të mistereve…Thoti është gjithashtu i njohur botërisht si shpikës i shkrimit…Thoti fliste shqip. Kultura e sjellë prej tij në Egjypt nga populli i lirisë është e lashtë prej së paku prej 12.000 vjetësh…Prej Thotit kanë mësuar iniciuesit më të mëdhenj të njerëzimit si; Rama (cikli Arian), Krishna (cikli Braminik), Moisiu, Orfeu, Pitagora dhe Platoni…”.
Robert D’Angely thotë: “…Pellazgjishtes i janë dashur 1000 vjet evoluim për t’u bërë Sanskritishte (Zendishte,3000-2000), Greqishte (1700-700) dhe Latinishte (1200-200)… Në antikitet Gjuha Shqipe ka qënë BURIM dhe MODEL për Zendishten, Sanskritishten, Greqishten dhe Latinishten…”.
Ismail Kadare duke treguar madhështinë e gjuhës shqipe na thotë: “Rilindasit u perpoqën si titanët t’i bindin shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre, se ata kishin një atdhe të bukur, se kishin një gjuhë madhështore, një nga 5-6 gjuhët themelore të Europës dhe një nga 10-12 gjuhët themelore të botës, se ishin një racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht, se kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin një arësye për t’u ftohur me atdheun, por përkundrazi për t’u afruar më shumë me të”. (Ismail Kadare “Kombi shqiptar ne prag te mijevjeçarit te trete”,botim i dyte, f.15-16)
A. Gjuha Shqipe e pasur sa nuk çmohet, dhe me një ndërtim harmonik e të përsosur gati hyjnor.
Gjuha shqipe ngjason me organizmin e njeriut, i cili ka një ndërtim harmonik dhe të përsosur (me trup, shpirt dhe mëndje), si të krijuar nga dora e zotit; ashtu është edhe AJO, harmonike, e përsosur e krijuar dhe e folur ndoshta nga vetë Hyjnitë për dhjetra mijëra vjet, të cilat nuk dihet se për çfarë arësye zgjodhën këtë popull për ta ruajtur dhe përdorur, duke ja lënë trashëgim me testament hyjnor në jetë të jetëve.
Si ka ndodhur kjo? Pse u zgjodh kjo gjuhë dhe pse u zgjodh një popull, i cili me urdhër të zotave do ta fliste, jetëzonte, frymonte tek të gjallët këtë gjuhë?!!! Nuk e dimë. Për këtë duhen pyetur ata, të gjithëditurit, zotat. Ne thjesht dimë që shqipja është vazhduesja e drejtëpërdrejtë e pellazgjishtes, ose e thënë ndryshe, pellazgjishtja e kohëve moderne, që nuk ka ndryshuar asgjë prej saj, veç emrit, të cilën, sipas Homerit, e kanë folur pellazgët hyjnorë. Kaq dimë ne.
Robert D’Anzhely e ka quajtur atë, gjuhë të Universit. Sipas tij, Gjuha që flitej kudo në botën e njohur antike ishte gjuha pellazge, një gjuhë UNIVERSALE e racës së bardhë. Tekstualisht: “Shqipja si gjuhë është GJENIALE dhe me një rëndësi gjuhësore UNIVERSALE. Është për të ardhur keq që shqiptarët e sotëm nuk e kanë kuptuar këtë gjë”.
Robert D’Angely i befasuar nga gjuha shqipe shprehet: “…Gjuha Shqipe, është një gjuhë e mrekullueshme nga të gjitha pikëpamjet, ndonëse primitive, ka forcën e vetmbrojtjes (një imunitet hyjnor), e cila ka bërë të mbahet e të trashëgohet në shekuj e mijëvjeçarë, dhe këtë formë ajo e ka nxjerrë nga burimi i vet, dhe nuk ka pasur asnjë shtypshkronjë, ose gjuhë tjetër që t’ia ndryshojë rrjedhën e formimit të fjalëve dhe të rregullave të saj. Ky është një vitalitet i jashtëzakonshëm HYJNOR (pavdekësia ekziston vetëm tek zotat,hyjnitë)…”.
Ndërsa një rilindas i kohëve moderne, Petro Zheji, e ka quajtur atë gjuhë kozmike. A i pretendon ndonjë gjuhë europiane këto cilësime. Jo, dhe s’ka se si t’i pretendojë. Sepse në të vërtetë nuk janë të tilla. E tillë është vetëm shqipja. Robert D’Anzhely, një francez, po të ishte ashtu nuk do të quante shqipen gjuhë të universit, por do të quante frëngjishten, gjuhën e vet amtare. E vërteta nuk mund të mohohet.
Ja si e vlerëson gjuhën shqipe Robert D’Angely: “… Populli Shqiptar me gjuhën e tij të mrekullueshme dhe kaq të rregullt në format e saj, sa për ne është e pamundur për të mos i njohur një frymë krejt të veçantë (mund të themi gati hyjnore), që ka ndikuar mbi të gjitha gjuhët e tjera ariane dhe jo ariane, dhe që e kapërxen shumë atë të Greqishtes, ose të Latinishtes, të cilave u ka shërbyer si model…”.
Në vazhdim Zefi, arbëreshi ynë, na thotë:
-Gjuha shqipe ruan rrënjë-fjalët e gjuhës së parë të folur nga njeriu mbi tokë…
Si argument të lashtësisë së gjuhës shqipe, ai sjell një fakt mjaft domethënës; Simboli, tingulli “GJ” (Gji) qellzor është karakteristikë e gjuhës së parë të folur nga njeriu mbi tokë. Ky tingull është ruajtur i pacënuar në gjuhën shqipe; tingull që mungon madje edhe në gjuhën e lashtë hebraike.
Sami Frashëri në veprën e vet madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet” në kreun e VII “Kombëri’e gjuh’e shqiptarëvet” thotë:
“Shkronjëtor’i gjuhësë shqip, të përkëthyerit e fjalëvet në aq fytyra (sinonimet), hollësi e nyjevet, të perëmënavet e të tjera bukuri, që s’i ka nonjë nga gjuhët’e sotme, e të cilatë edhe gjuhët’e vjetra s’i kanë kaqë të mbaruara (përkryera, përsosura) e të tepra (të shumta), gjithë këto gjërëra e rrëfejnë që shqipja është një gjuhë e vjetërë, e mbeturë që nga kohërat’e qëmoçime e të përallta (legjendat) e ruajturë sikundër qe (ishte), pa prishur’e pa ndryshuarë”.
Mathieu Aref tek “Shqipëria, Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” na thotë se :
“… Gjuha Shqipe ka ruajtur strukturën e saj sintaksore zanafillore, e cila dallon shumë lehtë në intonacionet e ndryshme të saj, fjalët e shkurtëra njërrokëshe, fonetikën e veçantë dhe fjalorin zanafillor; Një gjuhë e prerë dhe thellësisht thirrmore, admiruese, shprehëse, shëmbëllyese dhe demonstruese… Gjuha shqipe ka 40 diftongje, Greqishtja ka 9 diftongje, Latinishtja vetëm 1, Sanskritishtja ka vetëm 2 diftongje… Pasuria e kësaj gjuhe, lakueshmëria e strukturës së saj dhe epshmëria e saj fonetike i japin mundësinë të ripërtërihet dhe të nxjerrë forcën e saj të ndërtimit sintetik dhe të kapacitetit të saj ripërtëritës në fondin e saj të lashtë gjuhësor; Pellazgjishten. Ja përse kjo gjuhë ka ruajtur gjithmonë dinamizmin dhe vijueshmërinë e saj dhe vazhdon të shquhet midis gjuhëve të tjera europiane…”.
Elena Kocaqi në librin e vet “Shqipja-çelësi i gjuhëve indoevropiane” jep fakte kuptimplotë dhe të pakundërshtueshëm që provojnë lashtësinë e gjuhës shqipe;
-Fjalët e gjuhës shqipe gjënden në gjuhët më të vjetra, që sot janë të vdekura.
-Fjalët RRËNJË në sistemin e gjuhëve indoevropiane kanë kuptim vetëm në gjuhën shqipe.
-Janë 25 fjalë që përbëjnë fjalët bazë të sistemit të gjuhëve indoevropiane. Këto 25 fjalë gjënden të gjitha në gjuhën shqipe.
– Shqipja ka një numër të madh fjalësh rrokore, mbi 850 fjalë….Shqipja mund të jetë e vetmja gjuhë në botë, që pjesa më e madhe fjalëve rrokore me 2-3 gërma ka kuptim.
-Shqipja me sistemin e saj rrokor mund të krijojë një pafundësi fjalësh, madje sisteme të tëra gjuhësh. …Fjalët më të rëndësishme rrokore të shqipes kanë formuar mbi 80 për qind të fjalorit të gjuhëve latine dhe anglo-saksone.
-Fjala GUR gjëndet vetëm tek gjuha shqipe.
-Fjala MAL është një nga fjalët më të vjetra që ka përdorur raca e bardhë, dhe kjo fjalë gjëndet e plotë dhe e pandryshuar në gjuhën shqipe për mijëra vjet.
Sipas D’Angely, Gjuha Pellazge (shqipja e sotme) ka ruajtur të paprekur, bashkë me Morfologjinë, gjithë fjalët e origjinës, gjithë rrënjët e thjeshta, dhe shumicën e fjalëve të prejardhura e të përbëra, që janë aq karakteristike për GJENINË e saj.
Sipas Eduard Shnajder tek “Pellazgët një racë e haruar” shprehet për gjuhën shqipe, se ajo ka fjalë njërrokëshe, emra të shkurtër të fortë, që shprehin harmoninë shëmbëllyese, e cila u bë figura e parë e retorikës, të cilën njeriu zanafillor e shpiku vet.
B. Gjuha Shqipe e aftë të shprehë përsosmërisht dhe me një bukuri të rrallë atë që thuhet dhe shkruhet në gjuhët e ashtuquajtura indoeuropiane.
Gjuha shqipe, kur rifilloi të shkruhej me alfabetin e ri, me njëherë shfaqi aftësinë e saj madhështore dhe cilësitë e larta në përkthimin e kryeveprave të letërsisë botërore. Ja se si e shpreh këtë Ismail Kadare:
“Ndonëse e himnizuar me tepri, gjuha shqipe, ende pa dalë në liri, ishte rrekur të jepte ca prova të vlerës së saj. Vjersha e poema të një bukurie mahnitëse, sipas idhujtarëve (të një bukurie të mirëfilltë, sipas njohësve të rrallë të saj, ndër të cilët, francezi Lamartin), pjesë të Biblës, tekste në prozë, copëra të tjera të shkurtëra, të fshehura shpesh midis tekstit latinisht, si foshnja që merr mbrojtjen e fundit nga një grua e huaj, që po jep shpirt; të gjitha këto ishin ca shenja të pakta, por të mjaftueshme për shqiptarët. Pak vite më pas, e çliruar më në fund nga vargonjtë, në dehjen e parë të lirisë, ajo u turr në logun ku shemronin gjuhët e botës, atë të përkthimit. Pa droje, me bindjen se nuk do t’i zhgënjente shenëruesit e saj, ajo guxoi të maste mundësitë e saj me krenajat e letersisë botërore: “Makbethin” e “Hamletin”, “Don Kishotin” dhe “Ferrin” e Dantes, Homerin dhe tragjikët greke.
Disa nga keto shqipërime, te shpallura nga ekspertet si ndër më të mirat në Europë, do te ishin te mjaftueshme per t’i mbushur mendjen kujtdo ne kete vend se shqipja ishte jashte çdo dyshimi nje makine shprehese e KLASIT të PARË. (Ismail Kadare “Mosmarrëveshja” f.111)
Përfitoj nga rasti që të them dy fjalë për përkthyesit ose shqipëruesit e kryeveprave të letërsisë botërore. Ne si shqiptarë kemi një plejadë të shkëlqyer shqipëruesish, të cilët edhe ata nuk janë vendosur në fronin dhe rradhën që ju takon në bashkësinë e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. I quajta plejadë, pasi të tillë janë, një yllësi e shkëlqyer në qiellin e letërsisë europiane dhe botërore.
Po e filloj me Nolin. Nuk e di, por mendoj se po të ishte gjallë Servantesi, kur Noli shqipëroi “Don Kishotin”, dhe po të dinte shqip; me siguri kishte për t’u habitur, mahnitur dhe turpëruar para fuqisë së madhe shprehëse të gjuhës së Nolit, gjuhës shqipe, të cilën, për hir të së vërtetës, Noli e shpalosi me të gjithë gjeninë e tij. Servantesi kishte për të thënë me brohori: Në shqip Don Kishoti im duket më bukur se sa në spanjisht.
Vijmë tek “Makbethi” i Shekspirit. Them diçka që më është ngulitur në mëndje: Dunkan mos e dëgjo këtë kambanë qe të thërret në ferr dhe në hapsanë. A e dëgjoni këmbanën që tingëllon. Jo nuk është këmbanë, por është gjuha shqipe e përdorur nga një mjeshtër i madh, që tingëllon si këmbanë. Një “gjyqtar” i paanshëm, ose vetë Shekspiri, me siguri që do të thoshte: Zilja e Shekspirit nuk është asgjë para këmbanës së Nolit.
Dhe në fund, por jo nga rëndësia, vijmë tek më të madhërishmet kryevepra të letërsisë botërore: Iliada, Odisea dhe Komedia Hyjnore. Kush është shqipëruesi i Iliadës? Një lis madhështor me degë dhe gjethe shumë që shushurisin aq bukur në dialektin më të ëmbël, më poetik dhe me një fuqi shprehëse shpërthyese si drita e vetëtimës. Kush është ky lis? Gjigandi Gjon Shllaku. Gjoni nuk e përktheu, as e shqipëroi Iliadën. Por çfarë bëri, do të pyesni ju? Jua them unë. Gjon Shllaku e rishkruajti në origjinal Iliadën, ashtu siç e kishte kënduar bardi Omer. Gjon Shllaku e shprehu Iliadën në atë gjuhë që ajo këndohej me lahutë para tremijë vjetësh në të gjithë Mesdheun. Gjon Shllakut, vetëm për këtë, duhet t’i ngrihet një monument nga qytetërimi europian, pasi ai ua ka sjellë në origjinal kryeveprën e letërsisë botërore. Iliada nuk është shkruajtur në greqishten e vjetër. Ajo është përkthyer nga pellazgjishtja në greqishten e vjetër. Greqishtja e vjetër nuk është gjuha origjinale e Iliadës dhe Odisese. Në origjinal ato i kanë kthyer Gjon Shllaku dhe Pashko Gjeçi. Prandaj po të vihen në “kandarin” e letërsisë botërore, kryeveprat e Gjonit dhe të Pashkut, dhe të krahasoheshin me përkthimet e kolegëve të tyre në gjuhët e tjera; me siguri këta tanët do të fitonin kurorat me gjethe dafine, pasi kryeveprat e tyre kanë vlerën e origjinalit. Vetë Omeri, po të kthehej në jetë, kishte për t’i përqafuar me lotë mallëngjimi heronjtë tanë, pasi do të shmallej me gjuhën e vet, që nuk e ka dëgjuar nga askënd atje në botën e përtejme ku ndodhet.
Vijmë tek “Komedia Hyjnore” e Pashko Gjeçit. Edhe këtu jemi të detyruar të themi të njëjtën gjë. Danteja, që e shkroi veprën në italishten popullore, po të dinte shqip dhe të lexonte Komedinë e Pashkos, do të mahnitej dhe do të përkulej me respekt para tij, si para një mjeshtri. Shkodra duhet të krenohet me këta dy kollosë, Gjon Shllakun dhe Pashko Gjeçin. Shtatet e tyre në bronz në shëtitoren, apo lulishten më të bukur të Shkodrës, do të ishte më e pakta që shkodranët, por edhe gjithë shqiptarët, do të bënin në shenjë mirënjohje për veprën madhështore të tyre.
C. Gjuha Shqipe e “mbytur në borxhe” kundrejt gjuhëve ballkanike dhe europiane!!!
Ka mbi një shekull që gjuhën shqipe, stërgjyshen e gjuhëve ballkanike dhe europiane, e kanë ngarkuar me borxhe të rënda. I pari që “ja ka marrë kësaj kënge” është Gustav Mejeri dhe “ison” ja kanë mbajtur me përulësi dhe devotshmëri gjuhëtarët shqiptarë të shekullit të XX dhe ithtarët e tyre në shekullin që jemi. Më i madhi prej tyre, Eqerem Çabeji, thotë se gjuha shqipe ka huazime të shumta nga latinishtja, greqishtja, turqishtja, gjuhët e tjera europiane, madje, madje edhe nga sllavishtja. Gjuhësia shqiptare është në gjunjë.
Që të jem më i qartë dhe që të mos akuzohem për blasfemi po bëj një krahasim. Kjo është e njëjta gjë sikur ne sot të themi, që eposin e kreshnikëve e kemi të huazuar nga sërbët, që Muji dhe Halili, Ajkuna dhe Omeri janë me origjinë sllave, që lahutën e kemi huazuar nga sërbët, që xhubletën e kemi huazuar nga sërbët, që kanunin e Lekë Dukagjnit, apo Kanunin e Maleve, e kemi huazuar nga sërbët. Kuptoni se në çfarë honesh të rrëpirta dhe të errëta na kanë futur akademikët tanë. A e dini që një gjuhëtar post-90, aktualisht i ndjerë, ka marrë titullin akademik me një studim, apo fjalor, ku pjesën dërmuese të fjalëve të gjuhës shqipe i ka nxjerrë të huazuara nga gjuha sllave!!! A e dini që në Akademinë e Shkencave, apo Institutin e Gjuhësisë, ka gjuhëtarë që kanë marrë dhe po marrin titujt shkencorë duke mbrojtur tezat e huazimeve sllave në gjuhën shqipe!!! Duket sikur “Nacertaniaja” ka gjysëm shekulli që është bërë platformë e gjuhësisë zyrtare shqiptare.
Po t’u referohemi atyre që thamë më lart për atributet, aftësitë dhe cilesitë që zotëron gjuha shqipe, këto që thuhen për borxhet e saj duken qesharake, madje duken si naivitete fëminore shkencore. Nëqoftëse do të pranojmë tezën, që unë dhe shumë njerëz në Shqipëri e mbrojnë, të origjinës pellazgjike të gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve, e vërteta është qartë si çdo gjë që del në dritën e diellit. Por shkencëtarët, për të na trembur me ngarkesat dhe zotërimet e tyre të larta shkencore, tekniciene dhe profesionale na fusin në puse të errëta dhe labirinte pa fund duke na sjellë vërdallë që të na marrin mëndjen me diturinë e tyre, që nuk është gjë tjetër veçse një rreze e drite e diellit e futur rrëshqanthi dhe me thyerje të shumta në këto labirinte të errëta. Dhe këtë na e paraqesin si kulmin e shkencës. Të vërtetat shkencore nuk janë aq të ndërlikuara dhe të komplikuara sa na i paraqesin. E vërteta gjithmonë është e thjeshtë, e qartë dhe e drejtëpërdrejtë si drita e diellit. Ajo gjithmonë është si “veza e Kolombit”.
Neqoftëse do të mbështetetemi tek teza pellazgjike, siç e përmendëm më lart, atëhere gjërat janë shumë të thjeshta. Të gjitha gjuhët mesdhetare, duke u kufizuar pak në hapësirë, janë me origjinë të njëjtë pellazgjike. Pra këta popuj të sotshëm, që gjallojnë në këto brigje duke qënë autoktonë në to, të paktën për trimijë vjet, kanë folur të njëjtën gjuhë. Pra ne sot, pas tremijë vjetëve nuk mund të themi dot dhe as të zihemi me njeri tjetrin, se kush ka marrë hua nga gjuha e njeri tjetrit. Kjo do të dukej si një lojë fëminore, si një naivitet fëminor shkencor dhe aspak si një shkencë serioze. Nëqoftëse se sot spanjollët i thonë vajzës çika, ne nuk mund të themi që malësorët tanë në Bjeshkët e Namuna e kanë huazuar këtë fjalë nga gjuha spanjolle. Por nuk mund të themi as të kundërtën, që spanjollët e kanë huazuar këtë fjalë nga e folura gege e jona. Apo të kalojmë në stërhollime dhe alibira të vështira me lëvizje popujsh sa andej këndej dhe vice vërca. E vërteta e thjeshtë është kjo: Si spanjollët, ashtu edhe shqiptarët kanë mbi tremijë vjet që e flasin këtë fjalë, pavarësisht nga njeri tjetri, pasi ata kanë folur të njëjtën gjuhë në prehistori.
Marrim një shëmbull tjetër. Fjala “kandil” ndodhet në pesë gjuhë; anglisht, italisht, greqisht, turqisht dhe shqip. Ju lutem më gjeni këtu huamarrësin dhe huadhënësin e kësaj fjale!!! Shëmbulli tjetër. Fjala “mace” ndodhet në pesë gjuhë; anglisht, italisht, greqisht, frengjisht dhe shqip. Në shqip është në të folmen e Kavajës, Peqinit dhe Elbasanit, “qete”, ndërsa në gjuhët e tjera njihet si “gato” dhe “cat”, e cila është e njëta fjalë, pavarësisht shqiptimit dhe shkrimit që i bëhet në secilën prej këtyre gjuhëve. Por, dhe këtu ka një por të madhe, sepse si fjala “kandil”, ashtu dhe fjala “qete” kanë kuptim vetëm në gjuhën shqipe: Ka – dill (diell), pra ka dritë, ndriçon siç ndriçon edhe dielli. Ndërsa, qete, të gjithë e dimë që macja, është shumë e qetë dhe shumicën e kohës qëndron në këtë gjëndje të qetë, në gjumë ose shtrirë. Mund të vazhdonim me shëmbuj pa fund. por nuk është kjo kryesorja.
Tani vijmë tek thelbi i çështjes. Të gjitha këto gjuhë të këtyre popujve mesdhetarë janë ndodhur në një process reformimi, zhvillimi dhe përzierje të pandërpreprerë, kjo edhe si rezultat i lëvizjes të mëdha të popujve. Dhe sot kemi një pasqyrë të tjetërsuar të tyre. Kështu italishtja është e “infektuar” nga latinishtja dhe e “përzier” me gjuhën e etruskëve, lacios, umbrianëve, oskëve, sikulëve, etj, etj, dhe këtyre po t’u shtojmë edhe reformimin e zhvillimin e saj në gjithë këta shekuj, pra nuk është ajo gjuhë që kanë folur apeninët para trimijë vjetësh. Greqishtja e Re e “infektuar” nga greqishtja e vjetër dhe përzier me pellazgjishten e vjetër, shqipen e arvanitasve dhe ndonjë përzierje tjetër të vogël nga pakicat e tjera, sot na paraqitet, pothuajse e ndryshme nga ajo që është folur nga paraardhësit e atyre që janë sot aty autoktonë, pra duket si një gjuhë tjetër. Gjermanishtja, si një gjuhë e krijuar nga “përzierja” e gjuhës ilire të Bavarisë, Bohemisë dhe Sudeteve me gjuhët e popujve të tjerë veriorë, apo lindorë, barbarë, apo të qytetëruar, është ajo që është sot. Po kështu frëngjishtja që ka brenda “përzierjen” e gjuhës kelte, gale, si dhe të romakëve, normaneve e frankëve ardhacakë; kuptohet që nuk është ajo që është folur në atë që sot quhet Francë në vitin 1200 p.e.s.
Shtrohet pyetja po gjuha shqipe? Shqipja, ndryshe nga të gjitha këto gjuhë që përmendëm më lart, falë edhe cilësive, atributeve që ajo zotëronte; si dhe konservatorizmit dhe fanatizmit të bartësve të saj, që e ruajtën si “sytë e ballit”, si një porosi të shenjtë nga zotat; mbeti pothuajse ajo që ka qënë para trimijë vjetësh. Pra mbeti një bijë besnike e pellazgjishtes, ndërkohë që gjuhë të tjera e braktisën me snobizëm këtë stërgjyshe të dashur dhe të gjithëditur. Prandaj, sot, këto gjuhë nga reformimi i pandërprerë dhe “megalomania” e tyre ndër shekuj nuk e “dinë” kuptimin e fjalëve që morëm si shëmbull më lart. Por edhe të shumë fjalëve të tjera.
Thjesht, po u kujtojmë këtyre gjuhëtarëve tanë akademikë se çfarë ka thënë 130 vjet më parë Sami Frashëri për këtë çështje:
“…Disa thonë se shqiptarët kanë ardhur kohët e vona nga vendi Albaniad d.m.th Dagestani që ndodhet në Kaukaz. Disa thonë se shqiptarët bëjnë pjesë në grupin e popujve sllavë dhe disa kujtojnë se janë degë e grekërve të ngelur në gjëndjen e vjetër barbare, kurse disa nga historianët tanë supozojnë se shqiptarët janë një fis i ardhur nga Arbëria. Në të vërtetë këta e dinin se në gjuhën shqipe ka fjalë të ngjajshme dhe të përbashkëta me gjuhët e vjetra greke, latine, e sllave, por kujtonin se këto fjalë ishin marrë nga këto gjuhë…Më në fund disa studjues duke e njohur thellë gjuhën shqipe, kuptuan se deri në çfarë shkalle ishin marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e vjetra greke, latine, sllave, gotike, persishte e sanskrite dhe duke marrë për bazë gjuhën studjuan edhe historinë, zbuluan origjinën e popullit shqiptar, vendin nga ai kishte ardhur. Kjo çështje që kishte mbetur enigmë për shekuj, tashmë u zgjidh krejtësisht. Populli shqiptar është një prej degëve më të vjetra të popujve të Azisë dhe të Evropës që quhen arianë….
…Por nuk gjykohet se këto fjalë shqipe janë marrë nga gjuhët e vjetra greke, latine, sllave, gjermane, për pasojë me gjithë gjuhët e reja evropiane që rrjedhin prej tyre dhe nga ana tjetër me persishten, zendishten e sanskriten. Përkundrazi ka shumë fjalë që vërtetojnë se forma e tyre shqipe janë BAZË, ndërsa format në gjuhët e vjetra greke e latine janë derivate të tyre. Kjo tregon se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja ose latinishtja e moçme dhe se populli shqiptar është shumë i vjetër…Në disa fjalë lidhjet dhe gjasimet janë më të shumta me gjuhët persishte, zendishte e sanskrite se sa me gjuhët e tjera ariane të Europës. Kjo përbën një prej argumentave që provon se gjuha shqipe nuk është degë e gjuhëve latine, greke, sllave, porse është degë që i përket drejtëpërsëdrejti familjes së vjetër me fillesën e vet nga Azia e mesme, ashtu si popujt e tjerë Arianë…”.(Fjalori i përgjithshëm i gjeografisë dhe historisë-Kamus ul-Alam.Kostandinopojë 1889)
Një kritikë të qartë u bën këtyre autorëve edhe Robert D’Anzhely, ku thotë:
“Gjuhëtarët e kohëve të reja, sa herë që ka qënë rasti për fjalë shqipe, të cilat përdoren edhe nga gjithë popullsitë e tjera të Ballkanit e të Azisë së Vogël, gjithnjë kanë deklaruar prerazi se këto fjalë, nga pikëpamja e prejardhjes etimologjike, janë turke, arabe, persiane, rumune, sllave, greke, italiane, ose të tjera; por asnjëherë nuk kanë menduar, që ato mund të jenë fare thjesht FJALË SHQIPE…”.
Kuptoni të dashur akademikët tanë të padobishëm. Vazhdojmë me teoritë e huadhënieve. Akademiku Shaban Demiraj, deri diku kritikues i kësaj teorie, në veprën e vet “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” na thotë:
“…Gjithësesi, përpjestimi i elementit roman ndaj elementit leksikor vendës të shqipes nuk duhet të ketë qënë ashtu siç e ka paraqitur G.Meyer-i në fjalorin e tij të vitit 1891, ku ndër 5140 fjalë të shqyrtuara 1420 i nxjerr prej burimit roman, 540 prej burimit sllav, 1180 prej burimit turk, 840 prej greqishtes së re, përkundrejt rreth 400 njësive prej burimit indoevropian, ndërsa 780 të tjera i lë pa shpjegim. Ky mendim i Meyer-it është kritikuar nga studjues të ndryshëm…”(f.125)
Kjo që paraqet Mayer-i është absurde, pasi në rreth 5000 fjalë që përdoren në gjuhën shqipe; ai nuk gjen as edhe një fjalë të vetme shqipe, por na gjetka nja 780 fjalë pa shpjegim, mbase dhe këto mos janë nga Zulu-landi.
Në vazhdim Shaban Demiraj, na thotë:
“…të gjithë studjuesit e historisë së gjuhës shqipe kanë pranuar që në këtë gjuhë ka një numër të madh huazimesh latine…ka nga ata dijetarë të huaj, që kanë pranuar se në gjuhën shqipe ka një shtresë huazimesh latine të periudhës para erës së re….si gjuhëtari i njohur me origjinë zvicerane, Ëilhelm Meyer-Lubke i cili pohon se se “elementi latin në shqipe paraqet një gjëndje gjuhësore më të vjetër se çdonjera prej gjuhëve romane” …Një dukuri të tillë, që e patën vënë re së pari Kopitari (1829) dhe Meyer-i (1888), e kanë vënë re edhe gjuhëtarë të tjerë më pas sidomos Çabej (1974), i cili ka parashtruar edhe elementë të tjerë arkaike të huazimeve latine të shqipes. Për më tepër, studjues të ndryshëm kanë vënë në dukje se në gjuhën shqipe ndeshen edhe disa fjalë prej burimit latin, që nuk hasen në rumanishte, madje disa sosh nuk hasen as në gjuhët romane perëndimore. Kështu Mihaescu (1966) ka vënë në dukje se në gjuhën shqipe janë ruajtur 85 fjalë prej burimit latin, që nuk kanë mbijetuar as në gjuhën romane…si dhe 151 huazime latine të shqipes nuk ndeshen në rumanishte…përmend dhe 39 fjalë latine, që ndeshen vetëm në shqipe dhe në rumanishte…” (“Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” f.119-120)
E zeza është shkruajtur mbi të bardhë; “…elementi latin në shqipe paraqit një gjëndje gjuhësore më të vjetër se çdonjera prej gjuhëve romane”, dhe akoma më keq, “…në gjuhën shqipe janë ruajtur edhe një numër i konsiderueshëm huazimesh latine (rreth 85 fjalë) që nuk kanë mbijetuar në asnjë gjuhë romane…”.
Pra gjuha shqipe ka ruajtur një “gjëndje gjuhësore” të këtij elementi latin më të vjetër, madje ka dhe nja 85 fjalë latine, që nuk i ka asnjë nga gjuhët romane. Shtrohet pyetja pse shqipja i ka ruajtur dhe ato i kanë humbur, ndonëse ato vijnë drejtëpërsëdrejti nga latinishtja?! Kaq e kujdesshme ka qënë borxhlesha shqipe, ndërsa ato që i kishin të tyret i kanë “hedhur poshtë”?! Jo dhe njëmijë herë jo. Shqipja nuk ka ruajtur fjalët e të tjerëve. Ajo thjesht ka ruajtur fjalët e saj pellazgjike. Ndërsa të tjerët, ose nuk kanë në gjëndje që t’i ruajnë ato, ose, dhe kjo ka mundësi më shumë që të jetë, nuk i kanë pasur fare këto fjalë, që ndodhen sot e kësaj dite tek shqipja për mijëra vjet. Pra që të flasim qartë dhe saktë, shqipja nuk ka ruajtur të ashtuquajtur “elementë latinë”, por ka ruajtur fjalët e saja pellazgjike.
Në të vërtetë kjo është një gur prove se shqipja ato fjalë i ka të sajat, prandaj edhe i ka “ruajtur”, ndërsa gjuhët romane që kanë lindur si një përzierje e gjuhës së vendasve (që kanë qënë Etruskishtja, Keltishtja, Galishtja, Dakishtja, Iberishtja) me latinishten, nuk i kanë marrë fare ato fjalë, jo se u kanë humbur. Kjo është e vërteta në dritën e diellit.
Pra si përfundim, nuk ka marrë shqipja nga latinishtja, por latinishtja, siç e kemi thënë edhe më lart; në performimin e saj nuk u mbështet vetëm tek gjuha e Etruskëve. Ajo përthithti fuqishëm edhe nga gjuha e pellazgëve të lashtë Apenin si Ligurët, Latinët, Umbrianët, Oskët, Samnitët, Sardët, Enetët, Sikanët, etj popuj pellazgë autoktonë në këtë gadishull. Prandaj, ashtu si për Greqishten e Vjetër, Pellazgjishtja ishte themeli dhe ngrehina e Latinishtes.
Meqënëse jemi tek huazimet, atëhere do të tregojmë se disa fjalë shumë të vjetra gjuhës së fesë hebraike, të cilat shpjegohen ose marin kuptim me gjuhën shqipe.
Rikthehemi tek arbëreshi ynë Zef Katapano, i cili jep disa shëmbuj me fjalë nga gjuha hebraike e lashtë;
-Fjala “Shehinah” jep emërtimin e fjalës që në hebraisht kakuptimin, prania e zotit. Në shqip shehinah bëhet SHEH-AI-NAH, sheh AI (zoti) nga nah, nga ne (në toskërisht nah, ose na, ka kuptimin ne). Zoti na shikon ne, pra është pranë nesh.
-Fjala “Bërishith” në hebraisht ka kuptimin fillesë, zanafillë. Po ta ndajmë këtë fjalë bëri-shith, del folja shqip “bëri”(në toskërisht). Po çfarë na mëson gjeneza, se zoti BËRI botën në gjashtë ditë, pra “bëri”. Më tej. Por gjeneza na mëson gjithashtu, se zoti e bëri botën si shëmbëlltyrë të vetën, ashith, si ai, shëmbëlltyrë, ashtu (si vetja), asojshe.
-Vargu im (i poezisë) thotë Zefi, është përdorur në Mesopotami 5000 vjet më parë, dhe quhej “ballë-ballë”. Më fjalë shqipe se kjo nuk gjen!
-Në Mesopotami, thotë Zefi, ka qënë perëndia MOT. Mot, fjalë shqipe.
-Arif Mati në lidhje me këtë temë na thotë:
“…Në testamentin e vjetër gjëndet fjala Shqipe-URIM. Hebrenjtë i kanë marrë disa fjalë Filistine (Filistinë janë quajtur nga hebrenjtë Peleshtët pellazgë, të cilët për ne janë me origjinë nga Thesprotia), pa u bërë merak për kuptimin që kishin këto fjalë tek ata, Filistinët.
Arif Mati vazhdon. Në Testamentin e vjetër gjëndet fjala Filistine KOVA=Përkrenare (Dihet kuptimi i kësaj fjale, kova në gjuhën shqipe sot. Edhe përkrenarja është një kovë e kthyer përmbys. Por dihet edhe emri i piramidës së Keopsit, që Zef Katapano e quan KUFE, në toskërisht përdoret fjala kof).
PËRFUNDIMI
Gjuha shqipe është monumenti më i madhërishëm i kulturës së popullit tonë, monument i cili duhet mbrojtur me të gjitha instrumentet ligjorë dhe me të gjithë fuqinë e shpirtit tonë. Por, në të njëjtën kohë, ajo është edhe monumenti gjigand i identitetit tonë kombëtar. Aq e vërtetë është kjo, sa çdo shqiptar që humbet gjuhën shqipe në favor të një tjetre; humbet po aq edhe nga cilësitë dhe virtytet e kësaj race dhe kthehet në një specie të kllonuar. Dhe këtë mos e merrni me shaka. Ajo gjuhë, që ne flasim sot, është gjuha e perëndive sipas Herodotit, që e fliste një popull hyjnor si pellazgët. Por kjo nuk vërteton të kundërtën, që çdo jo-shqiptar që mëson dhe flet gjuhën shqipe, automatikisht merr edhe cilësitë e kësaj race. Jo, kjo s’ka ndodhur asnjëherë. Të tjerë shtete të dalldisur kujtojnë se duke folur gjuhën e atij shteti, fiton automatikisht edhe kombësinë përkatëse, duke krijuar një komb të kllonuar dhe amalgamë në sajë të mësimit të gjuhës zyrtare të atij shteti.
Për të gjithë shqipëtarët kudo që janë, në çdo krahinë dhe në çdo fshat, në fushë, apo në majë të malit, vjen një mesazh hyjnor: Mos kini turp të flisni shqip KUDO, të jini krenar për gjuhën tuaj; të mësoni dhe flisni fjalët e bukura shqipe që kanë folur stërgjyshërit dhe flasin gjyshërit tuaj, ashtu siç fliten në çdo shtëpi, lagje, mëhallë, katund, fshat dhe krahinë. Mesazhin më të mirë në këtë drejtim na e japin këngëtaret popullore, të cilat i këndojnë me dashuri gjuhës shqipe; Eliza Ndregjonaj me zërin e saj hyjnor si të një zane mali, që i këndon shungullimit të gjuhës shqipe n’gegnisht në bjeshkët hyjnore; si dhe Juli Cenko, e cila si perëndesha pellazge Athinaja i këndon bukur shkëlqimit të gjuhës shqipe në toskërisht.
Një mesazh tjetër vjen për elitën intelektuale të botës së qytetëruar perëndimore; Mësoni gjuhën shqipe, e cila është një thesar vlerash, një margaritar i rrallë që vjen qysh nga agu i shoqërisë njerëzore. Njohja e kësaj gjuhe për çdo mendje të ndriçuar, ka për të qënë tregues i erudicionit.
Por gjuha shqipe, nuk është vetëm monumenti më i madhërishëm i kombit tonë, ajo është edhe hyjnia mbrojtëse e kombit tonë dhe e çdo shqiptari që flet, do dhe adhuron atë. Nëqoftëse ne ekzistojmë sot si komb, ekzistojmë në sajë të kësaj mbrojtje hyjnore. Prandaj ta ruajmë atë si gjënë më të shenjtë. Të ngremë një TEMPULL për të në malin më të lartë të viseve shqiptare. Dhe të vemi e t’i falemi me përkushtim dhe devocionin më të thellë, ashtu siç nuk i ështe falur edhe besimtari më
fanatik fesë së vet.
Por këtë detyrim, nuk e kemi vetëm NE, shqiptarët. UNESKO duhet t’i kthejë sytë nga gjuha shqipe si një margaritar i trashëgimisë universale të dijes së njerëzimit që nga mugëtirat e kohrave, dhe duhet ta marrë në ruajtje dhe në mbrojtje atë.
Besnik Z.Imeri. Vlorë më 24 mars 2020.