FATBARDHA DEMI: MIKENËT – PELLAZGËT TESTAMENTI QË EMANCIPON HISTORINË

(Tiranë, 09. 10. 2012) – Një nga figurat më të mëdha si strateg dhe burrë shteti, të Francës por edhe të historisë europiane, Napoleon Bonaparti ka thënë “E vërteta historike sigurisht nuk do të jetë ajo që ka ndodhur në vend, por vetëm ajo që do të tregohet”. Simbas përcaktimit të Wikipedias (Enciklopedisë elektronike) Historia, përbën shkencën që merret me atë që është e shkruar dhe historiani duhet të punojë me arkivat. Në rast se historia e shkruar ndër kohë, nuk është ajo që ka ndodhur në të vërtetë, a mund ta quajmë atë “shkencë” dhe a mund t’i atribojmë asaj rolin e “mësuesit” për të tashmen dhe të ardhmen? Sa qëndron ky pohim i Napoleon Bonapartit dhe a mund të zbulojmë “të vërtetën historike” për periudha shumë të largëta nga koha që po jetojmë?
Njeriu (shkruesi), që është dëshimtar i një ngjarjeje, do ta pasqyrojë atë, në varësi të njohurive që ka për të, të bindjeve politike, të “diktatit” për ta pasqyruar në atë mënyrë apo nevojave të çastit, të formimit të tij kulturor dhe shumë arësyjeve të tjera. Ky është një fakt që sot pranohet nga të gjithë. Ja përse strategu francez kishte të drejtë për shkruesit dhe komentuesit e ngjarjeve, veprat e të cilëve sot mbushin Arkivat.
Një shembull i ditëve tona të shkrimit “të ndikuar” të Historisë, është pasqyrimi i luftës së popullit shqiptar kundër okupatorit italian gjatë viteve 1939-41. Nga historia jonë është emërtuar si një luftë e përgjakshme antifashiste (fakt i dëshmuar katërcipërisht), ndërkohë nga ana e historianëve grekë është emërtuar si një bashkëpunim me fashizmin italian.
Për rrjedhoje sot kemi “peshqesh” Ligjin e Luftës. Por, në Wikipedia tek kapitulli mbi Historinë lexojmë këtë perkufizim: “Historia e vërtetë nuk i përket asnjë kohe dhe asnjë vendi” që përcakton saktë se “ajo mund të rishikohet në çdo kohë dhe nga studiues të çdo vendi”. Pra nevojën e përhershme të historianëve për të shfrytëzuar jo “vetëm arkivat” (metod tashmë e vjetëruar) por edhe shumë shkenca dhe metoda të tjera që “të ndajnë shapin nga sheqeri” në pasqyrimin e ngjarjeve në dokumentet e shkruara, dhe domosdoshmërine e debatit për të garantuar asnjanësinë dhe vërtetësinë e studimeve të tyre.

Kopertina e librit: “Mikenët – Pellazgët…”

………………………………….

Pikërisht këtë detyrë ka marrë përsipër historiani Arif Mati në veprën e dytë madhore “Mikenët = Pellazgët” që ka dalë në tregun e botimeve shqiptare. E gjithë vepra ndërtohet pikërisht mbi bazën e debatit me atë që na ka ardhur e shkruar mbi lashtësine ballkanike dhe më gjërë, ku vënd qëndror zë gjuha dhe populli shqiptar që jeton brënda dhe jashtë kufijve shtetëror. Problemet e debatit të trajtuara në libër, për historinë e lashtë të rajonit ballkano-egjeas, janë të shumta. Në mënyrë figurative mund t’i krahasojmë me efektin domino d.m.th. Për shkak të një përcaktimi të hamëndsuar të kohës së zhvillimit të Luftës së Trojës, (Herodotit e vendos më 1250 p.k. dhe Eratoteni më 1193-1083p.k.) “ka patur një vijimësi gabimesh, çoroditjesh dhe pistash të gabuara. Sepse e gjithë bota është bazuar në ekzistencën reale të kësaj lufte?Kësisoj historia e Greqisë, në mënyrë artificiale, është ngjitur sa më lart që ka qenë e mundur” (f.553A.M.)
Si dokument i parë historik njihet pikërisht shkrimi i poemave të Homerit “Zëmrimi i Akilit” i mbiquajtur në shk.VIII p.k.”Iliada” dhe më vonë, “Udhëtimi i Uliksit” apo “Odisea”. Logografët, poetët epike, rapsodët, për të kënaqur dëgjuesit e tyre bashkohor në vendin që më vonë u quajt Greqi, risajuan legjendat e lashtësisë duke futur perëndi dhe ngjarje, kështu “do të shpikin të kaluarën e tyre lokale. Pak nga pak, historia e lashtë filloj pak a shumë të shtrëmbërohej nën ndikimin e paragjykimeve politike” (f.554 A.M)
Vetë thënia e Tuqididit (historiani i shk.V p.k.) “kush nuk interesohet për politikën nuk konsiderohet si një njeri paqësor, por një qenje e padobishme?” dëshmon ndikimin e politikës mbi te, në trajtimin e ngjarjeve historike. (f.10 Albumi “Monumentet e mëdha. Greqija” 1974 A. D’Agostino, G.Seferis)
Dukurija “e riformimit” të lashtësisë për qëllime politike, u pasqyrua edhe në ndërfutjen e figurave të perëndive të mëvonshme tek skulpturat e perëndive të lashta, në objektet e kultit dhe ndërtimet e shk.VIII p.k. e më vonë (Greqi dhe kolonitë e saj).
Në studimin e tij, historiani Arif Mati zbulon fakte të pohuara nga autorët antikë, por të papërmëndura nga historiografija e sotme, si p.sh. se Homeri nuk i përmend dhe as i njeh Helenët, Jonianët dhe Dorianët (të konsideruar paraardhësit e grekëve) . Për rrjedhojë lufta e përshkruar prej tij nuk qe luftë greko-trojane, por lufte midis fiseve “të një gjinie” pellazge, me të njejtën gjuhë dhe zakone.
Hekate i Miletit, Herodoti, Helanikos i Mitilenit apo Tuqiditi kanë pohuar se banorët e parë të asaj që më vonë u quajt Greqi, përpara mbritjes së grekëve, ishin Pellazgët. Pra nuk bëhet fjalë për popullsi helene apo greke autoktone por – të ardhur. E gjithë Greqia quhej Pellazgji.
Në libër shtrohet pyetja se: Nga erdhën ata që më vonë u emërtuan helenë (grek-nga romakët)? Sipas Herodotit dhe autorëve të tjerë antik, por edhe sipas “një teksti biblik (I Makabe 12/19-23), prijësit dorianë ishin me zanafillë egjiptiane. Ata janë zanafilla e Helenëve të vërtetë” (f.557 A.M.) Në Bibël është saktësuar përkatësija e mbretërve dorianë (Spartanë) ndaj etnisë së Hebrejve (f.570 po aty) Vetë prijësit Dorianë, shpreheshin për veten e tyre, se ishin me zanafillë semito-egjyptjanë.
Këta prijës të huaj, ishin një pakicë që sunduan shumicën e popullsisë pellazge vëndese. Mbreti Agis IV (nga sunduesit e parë të huaj të Spartës) pohonte se në Spartë kishte tre Perekë (popull i trungut ilir) për një Spartan!
Në libër dëshmohet se, kolonitë e para në Ballkan dhe pellgun e Mesdheut, qenë ato fenikase, një popull i shquar në lashtësi për detari dhe tregëti. Për hir të mbulimit të këtyre fakteve historike, “u varrosën” pararendësit e qytetrimit europian, Pellazgët, popullsia më e madhe në numër mbas indjanëve, sipas Herodotit.
Në këtë vepër që meriton të quhet “Enciklopedija e popullsive të lashta Ballkano-Egjease e me gjerë”, krahas popullsisë së mirfillët pellazge si Thrako-Ilirët, Frigjanët, Etruskët, Filistinët, etj., autori trajton edhe popuj të të njejtit trung si Iberët, Hititët, Keltët, Galët, Gjermanët. Nuk kanë mbetur jashtë objektit të studimit edhe popuj jo pellazgë, por historia e të cilëve u lidh ngusht me ta nëpërmjet pushtimeve, lidhjve apo ndikimeve të ndryshme si p.sh. Fenikasit etj.
Në dallim nga vepra e parë e historianit Arif Matit ”Shqipëria” (historia dhe gjuha) Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”, Tiranë, Plejad 2007, në veprën e dytë, në qendër të studimit është historia e popujve të të gjithë hapësirës Egjeo-Ballkanase. Megjithatë, popullsia shqiptare dhe gjuha e saj, përbëjnë boshtin e referimit në shtjellimin e shumë “sekreteve” të lashtësise. Arsyeja është, se shqiptarët janë pasardhësit direkt dhe trashëgimtarë të gjuhës së Pellazgëve, banorëve të parë të këtyre trevave, që historiografija e sotme njëzëri i ka quajtur “të zhdukur”.
Shqiptarët, që përdorin gjuhën shqipe, në thelb të pandryshuar të stërgjyshërve të tyre, jetojnë që prej kohërave “që s’mbahen mend” në trevat e të parëve. Gjuha shqipe, kjo pasuri botërore, “arrin të shpjegojë një numër të madh fjalësh etruske, greke, latine, baske, armene, kelte, rumune etj.” (f.559 A.M.) Po falë gjuhës shqipe shpjegohen emrat e mitologjisë, emërtimet gjeografike të lashtësisë dhe në ditët tona etj.
Mosnjohja dhe mos studimi i historisë dhe gjuhës së shqiptarëve, është arsyeja kryesore e problemeve të pazgjidhura dhe ngecjeve të shkencës së historisë së lashtë dhe gjuhësisë europiane dhe asaj botërore. “E gjithe Europa, për dy qytetrimet e saj më të shquara, i detyrohet popujve të trungut pellazg: qytetrimi grek nëpërmjet Pellazgëve dhe qytetrimi romak nëpërmjet Etruskëve, një popull tjetër që ka dalë nga i njëjti trung etnik.
Historini çifut (Flavius Jozefi, bashkëkohës i epokës së Jezus Krishtit), në librin e tij “Kundër Apionit” duke folur për kulturën helene, thoshte: gjithshka te grekët është e vonë dhe mbi të gjitha shkrimi.” (f.562, f.575 A.M.) Trevat shqiptare ku banonin thrako-ilirët që historiografija e sotme i quan popullsi të prapambetura në krahasim me “qytetrimin greko-romak”, me anën e mbetjeve arkeologjike, paleolitike, neolitike, parahistorike dhe antike, zbulojnë një nivel të lartë zhvillimi të krahasueshme me atë të epokës së mbiquajtur mikene. Dëshmi të shumta të këtij zhvillimi i gjejmë të pasqyruara në librin “Mikenët = Pellazgët”.
Historiani i lashtësisë, Herodoti (shk.e V p.k.) shkruante: “Helenët mësuan nga pellazgët artin e punimit të bronxit, ndërtimin e qyteteve dhe fortifikimit ” (f.340 DH P) Krahas sjelljes së fakteve të panjohura mbi historinë e lashtë ballkanike dhe popullsive pellazgo-thrako-ilire dhe rolit të tyre dhe të shumë popullsive të tjera të lashtësisë, libri i historianit Arif Mati ka vlerë edhe për gjuhën e kuptueshme për lexuesin, me të cilën është shkruar. Me gjithë trajtimin e një materiali të madh historik, shpesh në disa variante (legjenda dhe autorë të ndryshëm për të njejtin problem), thjeshtësija bindëse e shprehjes, përsëritjet e pohimeve të provuara më parë, qëendrimi jo kurrizulur përpara ” shkencës botërore”, të udhëheqin për të kuptuar “të vertetën historike”.
Duke treguar mangësite kronollogjike (vijushmërisë kohre) në historinë parahelene (janë fshirë shekuj të tërë), si dhe rrugën e gabuar të ndjekur nga ana e historianëve në pasqyrimin e ngjarjeve (nuk është parë lidhja midis popujve dhe nuk është marr parasysh gjuha shqipe-gjuha e vetme pellazge në ditët tona), autori na pais, me një “metodë vlerësimi” për çdo libër tjetër historik të lashtësisë të autorëve të ndryshëm.
Prologu, Parathënia, Epilogu dhe Përfundimet ndihmojnë në nënvizimin e problemeve të shtruara nga autori dhe përfundimeve të aritura, duke lehtësuar për lexuesin “përtypjen” e një studimi mbi periudha të gjata kohore e me mangësi të mëdha të të dhënave. Librin e shoqëron edhe një sqarues i fjalëve “të lashtësisë” si dhe lista e autorëve të shfrytëzuar, që e bëjnë këtë vepër, një studim me vlera të mirëfillta shkencore.
Një nga mësimet e rëndësishme, që lexuesi përfiton nga libri “Mikenët = Pellazgët” është qëndrimi që duhet të kemi në jetë: si njerëz dhe si profesionist. Koha e gjatë e kaluar në izolim, në periudhen “enveriane”, ka mbjellë ndjenjën e inferioritetit dhe pranimit të çdo pohimi të “shkencës historike perëndimore”. A duhet të pranojmë symbyllur çdo pohim të “studiuesve të huaj” qofshin edhe nga shtete të mëdha apo autorëve të lashtësisë, pa debatuar dhe pa dhënë edhe ne argumentet tona? A nuk është vetë shkenca historike botërore që ka pohuar mbi manipulimet dhe qëndrimet e ndikuara të historianëve? Dihet se që në shekullin 17, ka lindur “Kritika Historike”.
Historikisht një nga vleresimet kryesore për shqiptarët, të bëra nga të huajt, ka qenë qëndrimi i tyre i pavarur, besimi dhe këmbëngulja për të mbrojtur “të vërtetën e tyre”. Rilindasit, pavarësisht se trevat shqiptare ishin prej pesëqind vjetësh të pushtuara nga okupatorët osman, pavarësisht mjerimit, analfabetizmit dhe prapambetjes që sundonte në vënd, pavarësisht se ishim vëndi më i panjohur në Europe dhe në Botë, në shkrimet, studimet dhe fjalët e tyre, kanë pohuar bindshëm për origjinën pellazge dhe vlerën e gjuhës “më të lashtë” shqipe të popullit tonë.
Ata ishin krenarë për historinë e lavdishme të të parëve dhe të ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm që kishte luajtur populli shqiptar në historinë dhe kulturën ballkanike, atë europiane e më gjërë. Megjithëse të rinjtë e sotëm e njohin periudhën “socialiste” vetëm nga tregimet, atyre vazhdohet t’iu ngulitet në ndërgjegje dhe karakter, qëndrimi “inferior” ndaj gjithshkaje që na vjen nga “të huajt” e sidomos kur janë përfshirë edhe interesat politike të tyre.
Në tekstet tona historike Zeusi dodonas dhe pellazg, Athinaja, Artemisi dhe shumë perëndi pellazge, jepen si greke “të cilëve Ilirët ju veshën atribute vëndese”, se “gjuha shqipe nuk ka lidhje me asnjë gjuhë tjetër” dhe ku nuk guxohet as të përmëndet origjina e saj pellazge dhe roli i saj në shkencën e gjuhësisë.
Në librat e historisë të shkollave tona nuk do të gjejmë jo vetëm “të vërtetat historike” mbi ngjarjet, të pohuara nga studiues shqiptarë e të huaj, po as ato që kanë pohuar edhe historianët e lashtë, se Ballkani popullohej nga popullsi autoktone pellazge të përbëra nga fise të shumta dhe se grekët, që mbërritën shumë më vonë, përfituan nga kjo popullsi në fe, kulturë, gjuhë, ndërtim etj. dhe formuan atë që sot quhet Greqi.
Kush është shkaku i kësaj dukurie të pazakontë për çdo shtet europian?
Nuk është vështirë të vërehet, se shkaku i vetëm që në tekstet tona historike mohohen “të vërtetat historike”, është diktati politik, që në periudhën demokratike më shumë se kurrë, ushtron trysninë e tij mbi formimin e brezit të ri. Ky diktat, ndihet jo vetëm në tekstet e historisë së shkollave, por edhe në ato të Institucioneve studimore historike, arkeologjike dhe gjuhësore dhe Akademisë sonë. Në materialin që i kushtohet Historisë, si një shkencë studimore, në Enciklopedinë Wikipedia gjejmë një përcaktim të tillë: “Përfundimet e studimeve historiografike janë në zanafillë të ndryshimeve metodike”.
Le të shpresojmë se libri “Mikenët = Pellazgët” i historianit Arif Mati, në vazhdën e botimeve të mëparshme të tij dhe autorëve të tjerë shqiptarë si: Dh. Pilika, N. Vlora-Falaski, Xh. Katapano, Z. Majani, N. Stillo, A. Kola, E. Kocaqi, P.Zhei, S.Rizaj etj dhe të shumë studiuesve të huaj, do të ndikojnë në ndryshimin e metodologjisë së studimeve historike dhe gjuhësore të “shkencës zyrtare” shqiptare dhe të shkëputjes nga “inferioriteti” dhe “nënshtrimi” ndaj “asaj të pranuar nga të gjithë” dhe diktatit të interesave politike të ditës.
A.M – Arif Mati “Mikenët = Pellazgët”
Dh.P – Dhimiter Pilika “Pellazget, Origjina e jonë e mohuar”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura