BESNIKËRIA E DASHURIA
Nga një pjesë e shkëputur nga librit “Dashuria Kuantike e Filanit”, të autorit Adem Demaçi, të burgosurit politik shumëvjeçar nëpër kazamatet serbe, shihet qartë se policia serbe tentoi ta bënte spiun të Serbisë një të burgosur Ashkalinj të quajtur Selatin Balla nga Mramori dhe të “nxirrte” informata mbi lidhjet e Adem Damaçit me bashkëveprimtarët politik jashtë burgut.
Në vijim po japim tekstin autentik nga libri i lartëpërmendur ( fq.183-193).
===================
“Disa ditë para gjykimit më transferuan nga pjesa hetimore e burgut në pjesën gjyqësore. Nga psëmbëdhjetësha në dyshën (fjala është për numrin e qelisë së burgut). Aty gjeta dy vetë që ishin dënuar dhe tash pritnin vendimet e plotëfuqishme për t’u transferuar në kazamatet e Serbisë.
Para vetes kisha një burrë moshe mesatare, me mustaqe të gjata e të dredhura mprehtas, me mbiemrin Gashi. Një tjetër ishte rrupuçak e bardhosh nga Shala e Bajgorës. Të nesërmen nga dita që më patën transferuar në dyshen, i patëm vizitat. Nëna nuk jepej. Ajo më përsëriti një thënie të Osman Çaushit, të cilën ai na e kishte përsëritur në dhomën tonë të madhe me qinda herë:
“Nuk është me rëndësi sa të dënon Mahmuti, por është me rëndësi se sa të dënon Mahbubi, d.m.th. Zoti!… Evlad, Zoti na ka në dorë. Na vetëm mërzitemi kot. Për nanën mos u mërzit se unë i kam vëllezërit e mi, dajtë e tu. Ti vetëm ruaje shëndetin tënd. Ta qova palltën. A e more?
Pulën ta ka que nusja e dajës Ramë. Të tjerat, çfarë mundëm ne, vetë Ajshen.”
Vizita zgjati dy – tre minuta. Nëna nuk hiqte shikimin prej meje, deri sa humbi prapa policëve që e përcollën deri te porta e burgut.
Pas vizitave, bashkë me pallton e vjetër, por të madhe e të trashë dhe me rrobat e lara, erdhën edhe disa ushqime. Ato që na erdhën, ne të tre që ishim në dhomën numër 2, i qitëm në mes dhe filluam të hanin. Sa filluam, u hap dera me rrapllimë dhe brenda hyri një peron i shtyrë nga gardiani Velku. Ky ishte një djalosh që, sipas dukjes tonë ishte rom. Përveç kalanicës e lugës së drurit, nuk kishte me vete as tasha as koteshë. Na përshëndeti me një shqipe jo me theks të romëve, po me një shqipe tamam si flitet në fshatrat tona. Ai shkoi dhe u ul në kënd te dera, i vetmuar.
E pyeta si e kishte emnrin.
– Selatin Balla, – tha.
– E pse u ule atje larg? Eja këtu me ne të hamë bashkë, çka ka qëlluar!
Selatini ngurronte. Gashi, fshiu mustaqet e i tha: Djalë i mirë, nuk e ha defteri i shqiptarit ne të hamë e ti të shikosh. Meqë po të thërret ky burr, eja ulu me ne!
Edhe bardhoshi ia tha përafërsisht të njëjtat fjalë. Pas disa lutjeve, Selatini u ngrit e u ul pranë meje.
Ashtu duke hangër, si kot iu ktheva Selatinit, bri meje e i thash:
– Po mirë bre Selatin, mos ma merr për të keq, se Zoti na ka falë të gjithëve dhe me rëndësi është që të gjithë jemi njerëz e të mos jemi të poshtër. Mirëpo, nuk po e kuptoj një punë: ti zeshkan po, has rom, si u thonë popull i thjeshtë, magjup, po. Por, shqipen po e flet si bilbil e me rrënjë. Të lutem, edhe një herë po të them, mos ma merr për dallash, ma sqaro këtë punë pak!
Selatinit i shkëlqyen dhëmbët e bardhë, i vizëlluan sytë e mëdhenjë e të zinj, ndali përtypjen, vendosi kaçikun e pulës në kalanicën e vet e filloi të fliste:
– Baci Filan, ty Zoti të ndihmoftë që më ndihmove mua, se edhe vet nuk dija si ta çilja këtë muhabet… Unë ende jam nën hetime, po – Selatini uli fort zërin e m’u drejtue: – po e shihni këtë Velkun, ky, më thirri në zyrën e vet e më tha:
“Ti mund të shpëtosh edhe pa dalë në gjyq fare. Mirëpo, duhet të na ndihmosh diçka…”.
Çka, i thash?
“Të shkosh në dhomën ku është Filan Filani (Adem Demaçi) dhe çfarë të flas ai kundër shtetit tonë, ti të na kallzosh…”.
Mua më punoi mendja shpejt e i thash:
“Po more, si jo, veç me marrë vesh shqiptarët, më rjepin”.
“Hajt ti mos ki dert për atë punë. Ta jap unë ty, herë pasë herë ndonjë kërbaç shpinës që të mos kuptohet se ti je me ne… A u bë?
Unë kisha shumë dëshirë të madhe me ardhë te ti, se në familjen tonë është kap shpesh muhameti për ty, dhe i thash: “Po”.
Dhe, ja ku jam… Unë me të vërtetë jam zeshkan, por nuk jam magjup. Unë nuk di asnjë fjalë magjupisht. Ne në shtëpi flasim vetëm shqip… Ne na thonë Ashkali.
Unë e vlerësova se Selatin Balla e foli të vërtetën. E ndava edhe një kofshë të pulës, ia qita në kalanicë e i thash: Selatin, po ti qenke djalë i mirë, bre”…
Selatini herë pas herë, hante ndonjë kërbaç shpinës dhe Velku e ndalte në zyre, duke i bërtitur. Por, Selatini na i tregonte të gjitha mësimet e Velkut dhe kërkesat e tij…
Velku po na mësonte të të lavdëroj unë ty fort. E, herë pas herë të ta bëjë nga një pyetje, si: a e ke lënë dike pas vetes për ta vazhduar punën tënde patriotike.
Po më mëson të të them se unë edhe pak ditë dal nga burgu e nëse ke ndonjë selamë a ndonjë porosi për dike jashtë, më trego se unë ta kryej atë punë pa përtesë…Ja, këso gjërash.
Ditën e katërtë, pas mëngjesit me kafën e thekrës pas rendit të kabllave, erdhi rendi i shëtitjeve. Qelitë ishin të përjashtuara nga shëtitja. Filloi dhoma numër 1. Prandaj, pasi u ngroha paksa afër radiatorit, u shtriva në trapazan. Pasi që u kthye në dhomë njëshja, i erdhi radha të dilte në shëtitje dyshja.
Kur, a do ti, papritmas ndjeva zvarritjen e lehtë të shulit të derës së qelisë sime. U ngrita ulur.
U hap dera lehta-lehtas dhe si nëpër vetëtimë pashë fytyrën e buzëqeshur të Selatin Ballës, i cili fërfëlloi pallton time dhe po ashtu lehta-lehtas shtyu shulin e derës së qelisë.
Selatin Balla i Mramorit kishte marrë mbi vete një rrezik fort të madh…
Ai e rrezikoi veten dhe më shpëtoi nga dridhmat e natës”.
* * *
Më 28.Nëntor 2024
Hulumtoi dhe shënoi
ALI T. BERISHA, jur. i dipl.