BETEJA E PARË FRONTALE E GRADISHIT NË ANADRINI

BETEJA E PARË FRONTALE E GRADISHIT NË ANADRINI

Nga Dervish Çadraku, Rahovec – 14. 05. 2022

Me daljen publike të UÇK-së në Llaushë të Skënderajt me 28 nëntor 1997, sidomos pas betejës heroike të Adem Jasharit dhe të familjes së tij, më 5, 6, dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz, fillon një dinamikë e re e grupeve të armatosura të  cilat deri tani kishin vepruar në mënyrë sporadike në pjesë të ndryshme të Kosovës. Të populli i Kosovës veçanërisht tek të rinjtë, po rritej pezmi dhe urrejtja ndaj pushtuesit serb, sidomos pas masakrave të njëpasnjëshme që po ndodhnin nëpër Kosovë. Shumë shpejt radhët e luftëtarëve të lirisë u rritën dhe u forcuan  në mënyrë të pa shembullt. Por edhe pushteti serb duke e ndjerë rrezikun nga njësitet e UÇK-së që po mbinin si nga dheu, po shtonin veprimet e përgjakshme operative policore dhe ushtarake në teren. Dhe më 24 mars 1998 Gllogjani do të jetë arenë e luftimeve të ashpra në mes të UÇK-së dhe forcave serbe, ku djemtë e Gllogjanit do të shpartallojnë rrethimin e hekurt dhe do ti mundin për turp serbët në numër shumë më të madh dhe më të armatosur. Pas kësaj fitore UÇK-ja do ta shpallë Gllogjanin zonë të dytë të lirë të UÇK-së në Kosovë, pas asaj të Drenicës.

Në natën e 25 dhe 26 prillit, në një akcion për furnizim me armatime që kishin ndërmarrë njësitet e UÇK-së nga Drenica dhe Drenoci i Rahovecit, duke  tranportuar kishin rënë në pritën serbe të ngritur në mes të fshatit Krushë e Vogël dhe Piranë. Pas luftimëve flak për flak ku kishe edhe të vrarë në radhët e milicisë serbe, ata arrijnë të tërhiqen por plagosen Sami Lushtaku dhe “Hoxha i Jashanicës”. Në këtë akcion kishin marrur pjesë shtatë veta ndër ta edhe Feim Gashi dhe Ilaz Kodra që më vonë do të binë dëshmorë.

Përmes të dhënave të regjistrimit të makinës që kishte mbetur e dëmtuar në vendin e ngjarjes, milicia serbe i kishte rënë në gjurmë pronarit nga Drenoci.  Duke qenë të vetëdishëm për këtë fakt, njësiti i UÇK-së i Drenocit i kishin  marrur të gjitha veprimet e nevojshme. Së bashku me shumë të tjerë nga fshati Drenoc ishin në pritje të përballjes me forcat serbe. Siç edhe pritej, po atë ditë, një numër i madhe i milicëve serbë, të mbështetur me teknikën luftararake, e rrethuan fshatin dhe u zhvilluan luftime të ashpra në mes të forcave serbe dhe atyre të UÇK-së. Përkundër numrit shumë më të madh të milicëve dhe të armatimit që kishin, pas disa orë luftimesh, në mbrëmje, serbët u detyruan të tërhiqen me humbje.

 Jehona e fitorës u dëgjua në tërë Anadrininë e më gjerë. Ajo u shpërnda si një sihariq se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kishte shpallur Drenocin zonë të tretë të lirë të UÇK-s e cila po reflektonte gjithandej Anadrinisë duke u bërë kështu vendi i organizimit dhe regrutimit të shumë të rinjëve dhe të rejave në radhët e UÇK-së.

Bratatini, një fshat në perëndim të Drenocit, kishte rreth 20-30 banorë edhe të komunitetit serbë. Ishin të vetmit serbë në mesin e 15 mijë shqiptarëve të kësaj pjese të Anadrinisë. Para 12 majit ata kishin patur “marëdhënie normale” me shqiptarët, prandaj për këtë, përfaqësuesit e UÇK-së të Shtabit të Drenocit, ishin takuar me banorët serbë të këtij fshati dhe i kishin marrur garancitë e ndërsjellta se nuk do të rrezikoheshin nga njëri-tjetri, dhe se serbët nuk kishin nevojë të frikoheshin apo të iknin nga shtëpitë e tyre nga rreziku i UÇK-së. Por serbët, si gjithmonë, nuk e kishin mbajtur fjalën. Nga aty do të dalin shumë paramilitarë të cilët do të angazhohen në milicinë serbe, dhe do të jenë shumë aktivë gjatë luftës ku do të marrin pjesë në shumë krime që janë bërë ndaj shqiptarëve të pa armatosur duke vrarë gra fëmijë dhe pleq.

Para agut të mëngjesit të 12 majit 1998 (mbase edhe në mbrëmjen e 11 majit) shumë policë dhe paramilitarë serbë pa u hetuar, si hienat, ishin futur nëpër shtëpitë serbe të këtij fshati për t’u pozicionuar më vonë nën fshatin e Drenocit përgjatë rrugës Drenoc-Ratkoc. Ata e kishin sulmuar në befasi një njësit të UÇK- së të Drenocit që po qarkullonte me makinë në këtë rrugë. Në ndërkohë që po zhvilloheshin luftime të ashpra, një numër i madh i milicëve dhe paramilitarëve  serbë, rreth orës 9.30, të mbështetur me makineritë luftarake: tankse, pizgauer, mitralozë e lloje të ndryshme të armatimeve të rënda, ia kishin mësy Bratatinit dhe Drenocit për t‘iu bashkangjitur luftimeve atje. Në qiell po qarkullonin edhe helikopterë luftarakë të cilët po goditnin herë pas here. U trazuan edhe fshatrat përrreth nga të cilët vinin individë të armatosur për t‘iu bashkangjitur luftëtarëve kundër forcave  serbe. Një njësit i LKÇK-së i strukturuar një ditë më parë në UÇK, i përbërë kryesisht nga djemë nga Ratkoci, iu kishin bashkangjitur luftimeve, kishin zënë pritë në dalje të fshatit dhe kishin hapur zjarr në ta, duke zgjatur kështu vijën e luftimeve përgjatë kësaj rruge.

 Në orët e pasditës njësitet e UÇK-së nga Drenoci dhe Ratkocit po zhvillonin luftime të rrepta duke i futur forcat serbe në “senduiç” dhe i detyrojnë të tërhiqen. Derisa njësitet e UÇK-së përparonin në fushëbetejë, u mor edhe stacioni  famëkeq i milicisë dhe përfundimisht  forcat paramilitare serbe u thyen keq dhe së bashku me banorët serbë të fshatit, nën breshërinë e plumbave të luftëtarëve të UÇK-u nëpër barikadën e vendosur në hyrje të Malësisë së Vogël, do të tërhiqen në drejtim të Kodrës së Gradishit me shumë policë të vrarë e të plagosur dhe me dëme të mëdha materiale.

Me këto luftime zona e lirë u zgjerua nga Gradishi, përgjatë luginës së Drinit të Bardhë deri në Kramovik e Zatriq e cila do të përfshijë 22 fshatra të Anadrinisë. Nga kjo datë Kodra e Gradishit dhe Kramoviku do të shërbejnë si porta të mbrojtura nga njësitet e UÇK-së dhe do të kontrollohen hyrje-daljet sepse aty ishin hapur llogore dhe ishin vendosur ushtarë të UÇK-së me qëllim të mbrojtjes së teritorit, tani më të lirë nga sulmet eventuale të forcave serbe.

Në betejën e Bratatinit, në përballje me forcat serbe, në altarin e lirisë ranë heroikisht dëshmorët e parë të Anadrinisë: Milaim Krasniqi nga Pastaseli i cili kishte ardhur nga perëndimi për t‘iu bashkangjitur luftës për çlirim dhe Elmi Morina nga fshati Vrajakë i cili ndër të parët iu kishte bashkangjitur UÇK-së në Drenoc. Poashtu në këto luftime u plagosën edhe Osman Zyberaj, Myfterem Gashi nga Drenoci dhe Lulëzim Hoti nga Ratkoci. Gjatë tërheqjes, serbët e kishin vrarë edhe Malush Miftar Morinën në oborrin e tij nga Ratkoci dhe në Malësi të Vogël kidnapuan 12 banorë të këtij fshati.

Kodra e Gradishit është njëra prej pikave më strategjike e cila për rëndësinë e saj njihet që nga antikiteti. Ende edhe sot, ekzistojnë themelet dëshmi e një kështjelle apo e fortifikimeve ushtarake, të cilat kanë shërbyer për të mbajtur nën kontroll dhe nën vëzhgim hapsirën rreth saj në drejtim të Prizrenit, Gjakovës dhe të Klinës. Kjo kodër ka rëndësi të madhe edhe sot sepse rrëzë saj kalon rruga magjistrale Prizren-Gjakovë-Pejë dhe si arterie për të vazhduar nga Peja në drejtim të Rozhajës dhe të Mirovicës si dhe rruga Xërxë-Gradish-Klinë. Bazuar në këtë, kjo magjistrale, ishte shumë e rëndësishme për qarkullimin dhe furnizimin e milicisë dhe ushtrisë serbe, gjatë luftës në Kosovë. Kjo pjesë kishte rëndësi edhe për njësitet e UÇK-së si koridor më i sigurtë për furnizim me armatime që vinte nga Shqipëria përmes Pashtrikut. Prandaj kishte shumë rëndësi se kush e zotëronte këtë kodër.

 Hapja e llogorëve nga Ura e Fshajtë, përgjatë kurrizit të kësaj kodre dhe kodrave në drejtim të Fortesës, që do të vazhdojë drejt Rrasave të Rahovecit deri në pjesën jug-lindore të Zatriqit e që më vonë do të lidhet edhe me zonën e Malishevës dhe të Suharekës dhe vendosja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këto pozicione, do ta bllokonte mundësinë e këtij qarkullimi. Ura e Fshajtë mbi lumin Drini i Bardhë që e ndanë mes-përmes këtë kodër dhe e lidhë regjionin e Rahovecit me të Gjakovës, ishte pika më e ndjeshme e kësaj rruge. Prandaj edhe pritej që serbët nuk do të lejonin aq lehtë që kjo kodër të kontrollohet apo të rrezikohet nga UÇK-ja.

Njësitet e formuara të UÇK-së nga Ratkoci, Malësia e Vogël, Dejni Gexhja e fshatrat tjera të kësaj zone në bashkëorganizim dhe bashkëveprim me Shtabin qëndror operativ të Drenocit, që do të quhet Zona Operative e Pashtrikut, me datën 13 maj kishin organizuar mbrojtjen në këtë kodër me gjatësi rreth tri kilometra, duke hapurë llogore me lopata dhe eskavatorë dhe kishin koncentruar armatimin që e posedonin.

Me datë 14 maj një konvoj i gjatë i makinerisë luftarake i milicisë serbe i cili po vinte nga drejtimi i Prizrenit e kaloi rrugëkryqin e Xërxës në drejtim të Gjakovës. Vëzhguesit kishin njoftuar se konvoji ishte ndalur dhe po rreshtoheshin nga Ura e Fshajtë përgjatë rrugës rrëzë kodrës duke zbarkuar një numër i madh i milicëve dhe paramilitarëve serbë të armatosur gjer në dhëmbë. Pa u vonuar, autoblindat, pizgauerat me tërë arsenalin i kishin zënë vendet e tyre luftarake dhe ishin vënë në gjendje gadishmërie për të filluar operacionin e sulmit në drejtim të pozicionëve të UÇK-së. Ishte e qartë se serbët kishin ardhur për të nënshtruar këtë pjesë të Anadrinisë që tanimë po frymonte lirshëm nën administrimin e UÇK-së dhe për të marrur hak për humbjet që kishin pësuar para dy ditëve, në këtë pjesë.

Në zonën e UÇK-së, u dha alarmi se po sulmoheshin pozicionet dhe kishin filluar me shpejtësi, mobilizimin e ushtarëve të tjerë dhe po i tranportonin bashkë me armatimet për të përforcuar mbrojtjen në Gradish.

Sikurse në Bratatin edhe këtu një numër i milicëve në errësirën e natës kishin hyrë dhe ishin pozicionuar pa u hetuar, në shtëpitë e banorëve serbë të cilët jetonin mbi hekurudhë pranë tunelit nga Xërxa. Pas goditjeve të shumta artilerike, formacionët e milicisë, kishin filluar të ngjiten drejt pozicioneve të UÇK-së përmes lëvizjeve kamufluese.

  Pasi ishin lejuar që milicia dhe paramilitarët serbë të afroheshin në distancën e përshtashme, rreth orës 8.15 min fillon sulmi UÇK-së mbi forcat serbe. Po zhvilloheshin luftime të rrepta. Përkundër numrit shumë më të madh të paramilitarëve dhe të armatimeve, e kishin të pa mundur të avansonin në drejtim të llogoreve të UÇK-ë. Pas disa orësh luftimesh, serbët, në pa mundësi të marrjes së pozicionëve të UÇK-së në pjesën frontale, një pjesë e tyre kalojnë përtej Urës së Fshajtë, nga Marmulli përgjatë kanionit dhe bregut të Drinit të Bardhë në drejtim të veriut, për të sulmuar prapa shpine. Për shkak të pakujdesisë apo të kohës shumë të shkurtër për të analizuar në detaje mbrojtjen, kjo pjesë kishte mbetur e pa mbuluar mjaftueshëm nga mbrojta e UÇK-së, prandaj edhe serbët e kishin vërejtur si pikë të dobët dhe si mundësi të mirë për të sulmuar nga kjo pjesë.

Në ndërkohë jehona e bombardimeve dhe e krismave të pushkëve që e kishte qare qiellin, ishin dëgjuar deri në Drenicë, Malishevë e Klinë. Dhe njësite të armatosura të këtyre anëve: njësiti “Lumi” nga Malisheva, njësiti “Pëllumbi” nga Klina etj., ia kishin mësyrë pa hezitim logut të betejës në Gradish në ndihmë të luftëtarëve të Anadrinisë të cilët po luftonin dhe nuk po lëviznin nga pozicionet e tyre përkundër goditjeve të pozicioneve me breshëri artilerike. Lufta e UÇK-së po bëhej edhe më e rreptë me ardhjen e këtyre përforcimeve. Morali ishte ngritur te luftëtarët edhe pse serbët po goditnin edhe prapa shpine me snajperë dhe automatikë nga pjesa përtej kanjonit dhe bregut të Drinit të Bardhë. Nga armët e luftëtarëve të lirisë u vranë dhe u plagosën shumë milicë dhe paramilitarë serbë si dhe pati shumë dëme në teknikë të motorizuar si kamionë pizgauerë, tankse etj. Atë ditë siç rrëfejnë qytetarët e rastit, në spitalin e Prizrenit ishin parë milicë që po sjellnin me nxitim shumë të plagosur për mjekim.

Në betejën e Gradishit në përballje me paramilitarët serbë bie heroikisht Mehedin Morina nga Qëndresa (ish Gllareva) i njësitit “Pëllumbi” nga Klina i cili e kishte lënë Holandën për të luftuar nën emblemën e UÇK-së për lirinë e Kosovës. Rënja heroike e Mehedinit në altarin e lirisë do të mbetet një shembull ndër breza se si vdiset për lirinë e atdheut.

Në këtë ditë, tokën e Kosovës e skuqi edhe gjaku i Bajram Himajt dhe i Qamil Himajt nga Gexhja, Imer Kajdomqajt nga Xërxa të cilët edhe për kundër rrezikut nuk e lëshuan fshatin Gexhë për t‘iu qëndruar luftëtarëve pranë. Serbët në shenjë hakmarrje për humbjet e tyre në përballje me UÇK-në, i vranë në mënyrë më mizore. 

Beteja e Gradishit do të mbetet në kujtesën tonë si një betejë që në saje të luftës së vendosur dhe vetmohuese mbi nëntë orëshe të luftëtarëve të lirisë, ku veprimet guerile të deritanishme po ia lëshonin radhën luftës frontale, ia kishin dhënë një mësim të mirë forcave serbe të cilat për kundër makinerisë së shumtë  luftarake  nuk ia kishin arritur qëllimit që të asgjësojnë njësitet e UÇK-së dhe ta zhbëjnë zonën e lirë të Anadrinisë. Prandaj flamuri i kuq me shqiponjën dykrenare i Skënderbeut do të vazhdojë të valëvitet krenar në këtë zonë.

Këtë betejë e ka karakterizuar edhe solidariteti i lartë luftarak në vijën e frontit, sepse përkrah luftëtarëve të Anadrinisë kishin ardhur dhe ishin rreshtuar edhe dhjetra luftëtarë nga pjesë të ndryshme jashtë Anadrinisë, të cilët nuk e kishin kursyer as jetën e tyre për t‘iu dalur në ndihmë luftëtarëve të Anadrinisë në mbrojtje të popullit të kësaj zone, duke e demantuar kështu edhe parullën antikombëtare që qarkullonte nga disa “politikanë pacifistë” se në Kosovë po luftohej për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.

Dervish Çadraku, Rahovec – 14.05.2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura