BINAK ULAJ: RRUGËTIMI JETËSOR I ATDHETARIT JASHAR ALIA

Pashtriku.org, 28. 09. 2014: (Vështrim me rastin e përurimit të librit “Nga fëmijëria deri te liria” shkruar nga Jashar Alia) – Propozimin për t’i thënë ca fjalë për librin e kujtimeve “Nga fëmijëria deri të liria” të Jashar Alisë, e kam mirëpritur me kënaqësi të veçantë. Jo për atë se në këtë libër përfshihet edhe pjesa e rrugëtimit tonë të përbashkët, por më tepër për atë se autorin e njoh që prej shumë vitesh dhe këtë, në rrethana në të cilat dëshmohej më së miri botëkuptimi liridashës, karakteri dhe dinjiteti i njeriut. Për këtë arsye, vlerësoja, se edhe në këtë libër nuk ka mospërputhje ndërmjet veprimtarisë së tij dhe asaj që ka shkruar, gjë për të cilën u binda për të satën herë.
Në qendër të kësaj monografie jetëshkrimore është veprimtaria shumëvjeçare e autorit si pjesëtar i Lëvizjes ilegale, përndjekja dhe ballafaqimi i tij me organet policore të sigurimit shtetëror të ish-Jugosllavisë dhe shqetësimet e tij për fatin e Atdheut, përkatësisht për fatin e pjesës së ndarë, të robëruar dhe, më pas, të copëtuar të Atdheut, Kosovës1.
Nga përshkrimi i rrjedhës kronologjike të ngjarjeve në Kosovën e robëruar, nga përshkrimi i përndjekjeve dhe krimeve të bëra ndaj shqiptarëve nga xhandarmëria serbe e malaziase, nga përshkrimi i krimeve të bandave çetnike të institucionalizuara, të bëra në trevën e Burimit, të cilën autori me të drejtë e quan çerdhe të çetnikëve serbë a malazez, na del i natyrshëm përcaktimi i autorit për rrugën jetësore që do të ndjekë që nga rinia e hershme.

Jehona e demonstratave të vitit 1968 do të përcillet vit pas viti te brezat e rinisë shkollore dhe studentore, do të shtojë besimin në fuqinë e popullit dhe do i nxisë të angazhohen gjithë ata që e ndienin për obligim të organizohen e veprojnë për të mirën e Atdheut. Këtu zë fill edhe ideja Jasharit për të vepruar në mënyrë të organizuar. Ardhja e tij për të studiuar në Prishtinë ku studionte edhe Xhafer Shatri, të cilin e njihte që nga gjimnazi i Burimit, e i cili kishte kohë që vepronte në grupin e formuar së bashku me Kadri Osmanin e Binak Ulajn, të quajtur Grupi Revolucionar2, ishte rasti më i mirë për të realizimin e kësaj ideje.
Ndonëse të rinj dhe pa përvojën e duhur, thekson autori, anëtarët e këtij grupi, do të projektojnë drejt veprimtarinë e vet atdhetare. Këtë e dëshmon serioziteti dhe përkushtimi me të cilën i qasen punës ilegale të organizuar, moto e të cilit ishte: “ Çdo gjë për çështjen dhe asgjë mbi çështjen”.
Pas formimit të strukturave organizative, anëtarët e Grupit Revolucionar, objektiv të parë do të kenë përgatitjen dhe hartimin e dokumenteve politike e programore, siç ishte Statuti dhe Programi i Grupit, ku përcaktohej qëllimi dhe veprimtaria e tij, çështja e anëtarësisë, e marrëdhënieve, të drejtave dhe detyrave të anëtarëve të Grupit, format e organizimit dhe disiplina e, veçanërisht, shtrirja e veprimtarisë anekënd viseve shqiptare në ish-Jugosllavi. Rëndësi të veçantë i kushtohej ngritjes së vetëdijes atdhetare dhe intelektuale të anëtarëve. Për këtë qëllim, thekson autori, burim kryesor ishte literatura që vinte ilegalisht nga Tirana 3.
Përshkrimi që i bën kryerjes së detyrave të caktuara, siç ishte sigurimi i mjeteve teknike, i makinave të shkrimit dhe shumëzuesve të materialeve e, sidomos, shpërndarjes së afisheve, gjë që ishte me shumë rreziqe, dëshmon për përkushtimin dhe guximin e Jasharit dhe të anëtarëve tjerë të Grupit Revolucionar. Afishet e para GR do t’ua kushtojë studentëve, gjë që nuk ishte e rastit. Përmasa e jugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë, të kamufluar me parullën e vëllazërim- bashkimit, më së shumti kërcënonte rininë studentore dhe shkollore. Përveç tek rinia, Grupi Revolucionar do ta përqendrojë veprimtarinë e vet edhe tek klasa punëtore, veçmas te minatorët, si kategoria më e shfrytëzuar. Anëtarët e Grupit Revolucionar, në mesin e të cilëve edhe vetë autori i librit, do të shpërndajë afishe dhe shkruajë parulla në Mitrovicë, në Tunelin e parë, në Stan Tërg, në Kishnicë, në Ajvali, në Golesh të Magurës e gjetiu.
Vlen të theksohet se Grupi Revolucionar është organizata e parë ilegale e cila i ka shkruar afishet edhe në gjuhën serbo-kroate, siç quhej atëherë. Ky fakt dëshmon se Grupi Revolucionar bënte dallim të qartë ndërmjet regjimit shtetëror të Beogradit dhe popullit serb. Grupi Revolucionar, me të drejtë, këtë regjim, e konsideronte shtypës, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të popullit serb dhe të popujve tjerë në ish-Jugosllavi. Rëndësi të veçantë për veprimtarinë e Grupit Revolucionar, veçmas për informimin dhe ngritjen e anëtarëve të Grupit Revolucionar, kishte botimi i ‘Zërit të Kosovës’, numri i parë i të cilit do të dalë më 1 shkurt 1974. Lidhur me këtë, studiuesi i përkushtuar i Lëvizjes ilegale, dr. Ethem Çeku, shkruan: “Gazeta e parë shqiptarte ilegale në Kosvë është ”Zëri i Kosovës“ (Ethem Çeku, Mendimi politik i Lëvizjes Ilegale në Kosovë, 1945-1981, Pr. 2003, f 229). Në këtë organ botoheshin tema politike, komente për ngjarjet aktuale, për çështje ekonomike, organizative, por edh krijime letrare artistike. Me këtë rast e ndiej për obligim të theksoj se shumicën e shkrimeve për “Zërin e Kosvës“ dhe të shkrimeve tjera, i kam shtypur në shtëpinë ku banonte me qira artisti i mirënjohur i Teatrit të Kosovës, Selim Ramadani nga Tetova, të cilit, nga pakujdesia, i kam mbetur borxh për një mirënjohje dhe falënderim publik.
Siç shkruan autori, veprimtaria kaq intensive dhe në nivel të lartë organizimi, i kishte ngritur në këmbë strukturat e të gjitha niveleve të ish-UDB-së, veçmas ato në Kosovë. Ndaj, në fillim të majit të vitit 1974, pas një aksioni për sjelljen e materialeve në bazën kryesore të Grupit Revolucionar, e që ishte e ndërtuar enkas për këtë qëllim në një thellësi mbi të cilën ishte ngritur shtëpia e Kadri Osmanit, do të arrestohen pesë anëtarë të Grupit Revolucionar: Kadri Osmani, Jashar Alia, Xhafer e Metë Shatri dhe unë.
Nga përshkrimi i torturave të ushtruara gjatë hetimeve, por edhe i qëndresës për të mos i zbuluar shokët, autori bën karakterizimin, jo vetëm të vetvetes si i burgosur politik, por edhe të të gjithë atyre të burgosurve politikë shqiptarë, që jetën dhe veprën e tyre ia kushtuan çlirimit të trojeve shqiptare të okupuara dhe bashkimit të tyre me Shqipërinë shtetërore. Falë qëndresës dhe mos zbulimit të shokëve, veprimtaria e Grupit Revolucionar do të vazhdojë edhe më me sukses, duke parapërgatitur kështu Pranverën e Madhe të Tetëdhjetenjëshit, që do të shpie drejt formimit të UÇK-së, organizues dhe pjesëmarrës të të cilës do të jenë edhe disa prej anëtarëve të Grupit Revolucionar.
Shkallën e dënimeve, siç shkruan edhe autori, nuk e caktonte gjykata, por organet e UDB-së. Të vetëdijshëm për këtë, por edhe për të mos e rënduar edhe më gjendjen ekonomike të familjes, anëtarët e Grupit Revolucionar nuk do të angazhojnë fare avokatë. Do të ishte me interes dhe mbetet detyrë e ndonjë juristi të mirëfilltë, të studiojë dhe analizojë aktgjykimet e të burgosurve politikë shqiptarë, për të parë absurdin e bazës juridike dhe humanitare, karakteristike për sistemin juridik të ish-Jugosllavisë.
As torturat çnjerëzore gjatë hetimeve dhe, më pas, në burgjet e ashtuquajtura “Shtëpi ndëshkimore-korrektuese”, në të cilat të burgosurit politikë shqiptarë ishin të rrezikuar, jo vetëm nga gardianët, por edha nga të burgosurit e sëmurë psikik, të cilët i vendosnin në të njëjtën qeli, siç i kishte ndodhur edhe autorit të këtij libri, as dënimet më shumë vite burg, nuk thyejnë vullnetin e të burgosurve politikë shqiptarë. Edhe në kushte të tilla të rënda, ata sillen me dinjitet dhe shqetësim të tyre kanë vazhdimin e veprimtarisë pas daljes nga burgu, por edhe brenda burgut, kuptohet, për aq sa kishte mundësi. Ishte kjo shprehje e fuqisë motivuese dhe e vetëdijes për rrugën e drejtë që kanë zgjedhur dhe dëshmi e asaj se të burgosurit politikë shqiptarë, pas atyre që kanë rënë në luftë me armë në dorë, ishin dhe mbetën kategoria më sakrifikuese për lirinë e Atdheut.
Ndaj, edhe Jashari, pas daljes nga burgu do e vazhdojë veprimtarinë ilegale, e cila tanimë kishte arritur një shkallë të lartë organizimi. Për këtë arsye, pa kaluar shumë kohë, do të arrestohet për herë të dytë, në fillim të muajit maj të vitit 1979 dhe më pas, do të arrestohet edhe për herë të tretë, më 20 tetor 1981, me ç‘rast do të dënohet me 6 vjet burg të rëndë.
Me një gjuhë mbresëlënëse autori e përshkruan takimin dhe dashurinë për familjarët e vet, posaçërisht për nënën, duke veçuar edhe rolin e familjeve të të burgosurve politikë, pa ndihmën e të cilave nuk do të kishte veprimtari të suksesshme ilegale. Siç është e ditur, të burgosurit politikë shqiptarë, përbënin numrin më të madh të të burgosurve politikë dhe, pothuaj, nuk kishte burg ca më të madh, në cilëndo nga republikat në ish-Jugosllavi, e të mos kishte të burgosur politikë shqiptarë. Duke shkuar për t’i vizituar të afërmit e vet të burgosur , anëtarët e këtyre familjeve, njiheshin dhe miqësoheshin me njëra tjetrën, duke krijuar kështu një kategori shoqërore, e cila, falë solidaritet dhe ndihmës së ndërsjellë, jo vetëm që arrinin t’u përballonin masave represive të pushtetit, por edhe të bëheshin krah me rëndësi të veçantë në ecjen përpara të Lëvizjes ilegale. Nuk është e rastit që edhe Jashari do e zgjedhë për shoqe të jetës një bashkëveprimtare, e cila ishte e vetëdijshme për sakrificat që e prisnin, por edhe për misionin e saj të shenjtë, lindjen dhe përkujdesjen për fëmijët, si vazhdimësi e pashkëputur e ekzistencës dhe e rritës familjare.
Përshkrimi i shqetësimeve të autorit për rrjedhat e ngjarjeve në Shqipëri dhe për veprimet e qeverisë fantome të Kosovës në egzil, e cila i keqpërdorte paratë e mërgimtarëve në kohën kur djemtë e vajzat shqiptare derdhnin gjak për lirinë e Kosovës, përbën një kapitull të veçantë.
Shkuarja e autorit në Shqipëri dhe rreshtimi i tij në radhët e UÇK-së janë përplotësim i integritetit atdhetar të tij.
Botimi i pjesëve të ditarit në fund të këtij libri, ku flet për kthimin dhe përkushtimin e tij ndaj familjes dhe, veçmas, për gëzimin që ndien me nipat dhe mbesat, është jo vetëm shprehje e dashurisë ndaj tyre, por edhe shprehje e brengosjes dhe e zhgënjimit në elitën politike e intelektuale të Kosovës, por edhe shqetësim për zërin e munguar të ish- të burgosurve politikë, të cilët, të paorganizuar e të shpërndarë, ashtu siç nuk pritej, ka kohë që nuk dëgjohet.
Veçmas autorin e shqetëson heqja dorë nga ideja largpamëse e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, për të cilën janë sakrifikuar breza e breza atdhetarësh. Lidhur me këtë ide, do të citoj akademik Rexhep Qosjen, i cili shkruan: “Ideja e bashkimit të Shqipërisë dhe të Kosovës mbasi të hynë në Bashkimin Evropian, që po e përsërisin tani e sa kohë disa liderë politikë, është ide demagogjike dhe mashtruese. Një bashkim i tillë i ndarë, jo vetëm se nuk mund të jetë bashkim, por mund të jetë largim gjithnjë e më i përshtirë identitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”.
Autorin e shqetësojnë zërat ndjellakëqij për krijimin e kombit kosovar nga kombi shqiptar dhe krijimin edhe të një standardi të dytë të gjuhës shqipe. Theksoj se në një libër të përuruar dy-tri ditë më parë, mu në këtë bibliotekë, theksohet se 32 për qind e banorëve të Kosovës, kur pyetën për kombësi, e quajnë vetën kosovarë.
Autorin e shqetëson edhe fakti se një numër jo i vogël i uzurpuesve të pushtetit që nga viti 1999 e këndej, kanë krijuar pasuri marramendëse, jo vetëm për kushte tona e në dëm të popullit, me çka u kanë dhënë shkas për akuza atyre që kanë qenë kundër UÇK-së dhe që ende vazhdojnë ta mohojnë rolin e saj për çlirimin e Kosovës. Thënë të vërtetën, ata që e kanë materializuar kontributin e tyre në këtë mënyrë, s’kanë të drejtë morale të thirren në kurrfarë meritash.
Sikur ta kishin ruajtur vullnetin dhe përkushtimin që kishin ndaj Atdheut, sikur të kishin ruajtur etikën e pjesëtarit të UÇK-së, i cili autorit të këtij libri, i kishte thënë me një rast: “Kam ardhur për të luftuar dhe kam shitur lopën për të blerë një pushkë,” punët do t’ i kishim më ndryshe.
Kjo porosi del edhe nga kjo monografi jetëshkrimore, ndaj s’na mbetet tjetër pos autorit t’i urojmë shëndet të plotë dhe sukses në shkrimin edhe të pjesës së dytë kushtuar dukurive që vazhdojnë të rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Binak Ulaj, 18 tetor 2013
____________________
1. Vlen të theksohet se me emrin Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore, Qeveria e Tiranës, i quante të gjitha trevat etnike e historike shqiptare të ripushtuara nga ish–Jugosllavia, gjë që ishte emërtim i drejtë juridikisht e politikisht dhe, njëkohësisht, shprehte vizionin largpamës dhe besimin për çlirimin dhe bashkimin e saj me Shqipërinë shtetërore.
2. Sot, jo pak studiues të shkencave shoqërore e filozofike, termin revolucion, e përdorin në kuptim negativ, gjë që nuk qëndron. Pa dashur të merrem me interpretimin e tillë dhe kthesat përparimtare që kanë bërë revolucionet në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, theksoj se ishte iluzion të pritej që çështja shqiptare në ish-Jugosllavi do të zgjidhej me rrugë evolutive. Përkundrazi. Edhe anëtarët e Grupit Revolucionar, sikundër edhe ata të Lëvizjes për Çlirim e Bashkim Kombëtar të Kosovës, ishin të bindur se vetëm me luftë të armatosur mund të çlirohej populli shqiptar nga pushtuesit jugosllavë, gjë që do të vërtetohet vite më vonë, me organizimin dhe rrjedhat e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
3. Rol të rëndësishëm në sigurimin e kësaj literature ka pasur Idriz Zeqiraj. Pasi kishte ikur ilegalisht në Shqipërinë shtetërore, kishte përzgjedhur dhe blerë shumë libra, të cilat ia dërgonte vëllait, Seferit, në Gjermani dhe axhës, Rexhepit, në Francë, të cilët i sillnin në Kosovë. Më pas, ato i shpërndante vëllai tjetër i Idrizit, Tafa.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura