PROF.DR.SABILE KEÇMEZI – BASHA: ADEM DEMAÇI DHE DOKUMENTET E RËNDËSISHME TË LËVIZJES REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE, 1963

Prishtinë, 29 korrik 2018: Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, u dha shqiptarëve programin kombëtar për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe bashkimin kombëtar, kërkesat që përbënin themelin e programeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vijim. Ato mbetën të tilla edhe në përpjekjet e mëvonshme për liri dhe shtetëformim që vazhduan si të tilla edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, po ashtu edhe pas përfundimit të saj që u përfshin në programet e lëvizjes ilegale të shqiptarëve që mbetën nën pushtimin jugosllav1.
Në vazhdën e shumë organizimeve ilegale atdhetare, duhet përmendur se më vitin 1963, në Kosovë formohet edhe një organizatë tjetër atdhetare me emrin “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e udhëhequr nga atdhetari i njohur Adem Demaçi2. Mendoi se ky organizim ilegal në kuptimin e plotë të fjalës e meriton që të quhej lëvizje, ngase si në aspektin vertikal po ashtu edhe në atë horizontale i plotësonte të gjitha kriteret që e karakterizojnë një lëvizje politike. Se nën
1. LRBSH-ja ishte organizata më e njohur e kohës që kishte ndikim të pamohueshëm dhe programin e saj e kishin miratuar dhe përvetësuar edhe disa organizata ilegale më pak të njohura.
2. Numri i anëtarëve ishte i konsiderueshëm ngase pas formimit të ko¬mi¬teteve të qyteteve të LRBSH-së në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup dhe në Stamboll, parashihej që të vazhdohej me formimin edhe të komiteteve të tjera më të vogla; 3. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqi¬pta¬rëve për një kohë të shkurtër do të ketë programin politik të saj po ashtu edhe Statutin, dhe, kjo bëri që LRBSH-ja të jetë një lëvizje që i karakterizonin të gjitha lëvizjet e mëdha.

Adem Demaçi (1936 – 2018)

Andaj, si imperativ i kohës ishte shtruar domosdoshmëria që të shkruhej Statuti dhe Programi i Lëvizjes. Pas konsultimeve paraprake të kryetarit të LRBSH- së , me anëtarët e tjerë të Komitetit Revolucionar në nivel të vendit, fillojnë përgatitjet që t`i hyhet kësaj pune me shumë interes. Për t`i ikur përcjelljes nga Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe UDB-ja, u propozua që të shkohet në Pejë. Kryetari i Lëvizjes Adem Demaqi në bashkëpunim me Ramadan Shalën bëjnë përpilimin e dokumenteve.3
E veçanta e këtij programi ishte se kishte dy pika kryesore në të cilat prezantohet karakteri i luftës së kësaj lëvizjeje ishte me: 1. Karakter të bashkimit kombëtar dhe 2. Karakter të çlirimit kombëtar. Por në katër pika të tjera ishte përfshirë plotësimi i kushteve themelore, që po ashtu kishin vazhdimësinë nga kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si:
1. Me qenë i bashkuem territorialisht;
2. Me pas nji treg të përbashkët ekonomik;
3. Me pas nji gjuhë të përbashkët letrare;
4. Me qenë i përshkuam nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazëror4.
Programi politik i LRBSH-së veç që ka rëndësi historike, duhet shtuar se ai kishte vizion gjë që edhe sot ka rëndësi aty-këtu aktuale.
Në hyrje të programit, lidhur me luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar thuhej se “Ndihma nga jashtë dhe nga naltë asht e domosdoshme, por jo kurrsesi themelore, kryesore e vendimtare; kushtet e jashtme fitojnë rendësin e vet, vetëm kur ato kombinohen me kushtet e brendshme dhe kur veprojnë si faktorë ndihmës dhe plotësues të tyre”5.
Prandaj, në program, Lëvizja, do t’i kushtojë më shumë rëndësi analizimit dhe përpunimit të faktorëve, të kushteve e rrethanave të brendshme- por, pa i lanë krejtësisht me një anë edhe faktorët, kushtet e rrethanat e jashtme. Mjafton të kujtojmë luftën e fundit të UÇK-së dhe të bindemi se sa të drejt kishin hartuesit e programit kur shkruajmë për kombinimet dhe bashkëpunimin e ndërsjellë të faktorit ndërkombëtar dhe faktorit të brendshëm. Kjo do të thotë se çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës është vendimtare nga vetë rreshtimi i popullit dhe nga veprimi politik në kuadër të tij”.6
Që në fillim të Programit të LRBSH-së bëhet një analizë e përbërjes së popullsisë shqiptare në Kosovë, duke konstatuar se rreth 75% e numrit të përgjithshëm të popullsisë e përbënë fshatarësia, punëtoria rreth 10%, pjesën tjetër të popullsisë e përbëjnë zanatlinjtë, kurse vetëm rreth 1% e përbën inteligjenca. Në Pro¬gram, një vëmendje e veçantë i kushtohet inteligjencës, për të cilën thuhet: Kjo për kah numri nuk kap ma shumë se 1% të popullsisë sonë, por ndërgjegjja dhe vetëdija e saj kombëtare-në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë- asht në shkallën ma të lartë, pjekuria e saj politike ka marrë zhvillim të madh brenda kësaj shtrese. Duhet theksua se inteligjenca e popullit tanë, dallohet për një arsye prej inteligjencies së mëparshme, sepse kjo nuk ka rrjedhë dhe nuk rrjedh prej familjeve t’agallarëve e bejlerëve por kryesisht prej shtresave të gjana katundare, punëtore e prej zejtarëve, prandaj prej radhëve të tyre ka ma së paku- në krahasim me numrin e tyre-bashkëpunëtor me aneksuesit tanë, prandaj, prej radhëve të tyre ka ma së paku asish të cilët janë në gjendje me shitë interesin e përgjithshëm të mbar popullit për interesin e vet personal. Në program shkruan edhe kjo “Megjithatë në mes të kësaj inteligjencie të re bëjnë pjesë edhe t’atillë/ sidomos ata që janë shkollua shkel e shko me favorizime e intervenime/, të cilët, në një ditë- edhe ata- ka me i gjet ajo që i ka gjet të gjithë tradhtarët e popujve të vet kudo që kanë qenë te ne dhe në botë”7. Është interesante se të gjithë “intelektualet” që kanë arritur pa merita dhe pa punën e tyre hartuesi i programit politik i quan dhe i krahason me tradhtar.
Pastaj vazhdon në program se “Me këtë rast duhet me e thanë pa mëdyshje se ata intelektual të cilët u bishtnojnë dhe u shmangen detyrimeve që ua shtron përpara historia, janë në pakicë, kurse shumica e intelektualëve të ndershëm, atdhetar e revolucionar, janë vu në veprim qysh tash dhe po punojnë me mish e shpirt për ta qua matej fitoren e popullit tanë, për ta bashkua mbarë popullin, tash, të ndamë e të shpërndamë. Ngritja kulturo-arsimore e inteligjencies shqiptare, pjekuria e saj mjaft e madhe politike asht, duhet dhe do të jetë një fener i domosdoshëm dhe shpëtimtar, për të ndriçua ma mirë e ma me mjeshtri rrugën e luftës së mbar popullit tanë drejt majave të çlirimit dhe bashkimit të tij përfundimtar”
Nëqoftëse inteligjencia jonë do të marri mbi vete ma tanë energjinë dhe forcat e veta, rolin e tharmit në lëvizjen tanë, për çlirim e bashkim, ajo do ta kryej ma së miri detyrën si para vetvetes, si para popullit të vet, ashtu edhe para historisë”8 thuhej në program.
Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashki¬min e Shqiptarëve është një dokument tepër i rëndësishëm në të cilin bëhen analiza detale, veç e veç, për rrethanat në tokat e okupuara shqiptare nën administrimin jugosllav, për Shqipërinë dhe për vet Jugosllavinë. Kështu, në kapitullin e Programit të LRBSH-së “Analiza konkrete e situatës konkrete brenda nesh”, fokusohet në:
a) Vështrimin e gjendjes politike;
b) Vështrimin e gjendjes ekonomike;
c) Vështrimin e gjendjes kulturore-arsimore dhe
d) Vështrimin e gjendjes sociale-shëndetësore9.
Por në programin e LRBSH-së rëndësi e veçantë i kushtohet strategjisë së popullit shqiptar, në të cilën prezantohen tri pikëpamje për të arritur deri te bashkimi kombëtar:
a) Pikëpamja e parë ose pikëpamja arsimore, paraqitet dhe shihet si zgjidhje arsimimi i popullatës shqiptare dhe komentohet në këtë mënyrë: Neve mundet me na shpëtua vetëm arsimi; kur të nxjerrim mjaft njerëz të arsimuar na do të mundemi me zanë edhe vendet kyçe si në udhëheqjet politike, ekonomike etj, e prej këndej kemi me e pas fare të lehtë me e zgjidhë edhe çështjen e bashkimit tonë”. Për të vazhdua se “Na nuk duhet të bëjmë asgjë kundër armikut, sepse ky mund të hidhërohet e të marri masa kundër nesh, të burgosi persona të ndryshëm, të përjashtojë arsimtarë nga detyra e kjo shkon në damë tonin, sepse na mbesin shkollat pa arsimtarë, entet e sipërmarrjet pa drejtues shqiptarë10 etj…etj.”
b) Pikëpamja e dytë është e kundërta e kësaj të parës, ose pikëpamja revolucionare- aventuriste, e cila ka për bazë luftën e përgjithshme popullore ku thuhej se “Na duhet të ngrihemi të gjithë, t’i dalim armikut ballë përballë dhe të luftojmë me ta për jetë ose vdekje. Lufta jonë duhet të jetë e vrullshme, e ashpër dhe e shkurtë- sa zgjatë një pranverë e një verë- na ose do të fitojmë shpejt ose nëqoftëse lufta do të zgjas shumë na nuk mund të mundemi me fitua, do të të humbim”
Në programin politik paraqitet edhe pikëpamja e tretë e që është edhe pikëpamja programore e lëvizjes me të cilën nuk pajtohen as me të parën e as me të dytën plotësisht “por prej të dy pikëpamjeve mund të marrim dhe ato çka janë të vlefshme e pozitive për të formua strategjinë tonë. Arsimimi dhe shkollimi i popullit asht një ndihmë kolosale, një forcë dhe përkrahje e paçmueshme, por na do të kënaqemi vetëm tue arsimua dhe shkollua popullin tanë pa i dhanë kësaj force një drejtim të caktuam, pa e përdorë për arritjen e një qëllimi të caktuam, kjo forcë do të mbetet qorre. Ndërsa tek pikëpamja e dytë mendojmë se asht me vend mendimi se lufta jonë ka me qenë me të vërtet e vrullshme dhe e ashpër është konkludim me vend.
Dhe nëqoftëse dikush prej nesh, ose edhe të gjithë na, mendojmë se lufta jonë ka me qenë e gjatë, na duhet të përgatitemi për luftë të gjatë
1. Lufta jonë ka me qenë e gjatë edhe për arsye se për fitoren e saj të sigurt dhe të plotë duhen plotësua edhe shumë kushte të brendshme dhe të jashtme.
2. Lufta jonë duhet të përfshijë në gjirin e vet të gjitha shtresat dhe mbar popullin tanë.
3. Lufta jonë duhet të zhvillohet në pajtim me kushtet e rrethanat të cilat mbretërojnë brenda popullit tanë, në pajtim me kushtet e rrethanat të cilat mbretërojnë në Shqipëri, në pajtim me kushtet e rrethanat që mbretërojnë brenda aksionistëve tanë si dhe në pajtim me kushtet e rrethanat të cilat mbretërojnë në tanë botën e sotshme.
4. Lufta jonë duhet- kryesisht- të mbështetet në forcat tona të brendshme , kurse ndihmat që mund t’na ofrohen nga jashtë mund të jenë vetëm si faktorë plotësues dhe ndihmës11.
Nëqoftëse na Lëvizjen tanë do të mundemi me e orientua, me e zhvillua dhe drejtua në pajtim me katër pikat rreshtuese ma naltë- në fund të fundit- populli ynë, me siguri, do të dali fitimtar.
Në pjesën e programit “Taktika jonë” në 6 pika, thuhej se, LRBSH-ja ishte e konsistuar në këto pozicione, të cilat pasqyrohen në Programin e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqipta¬rëve: mos të flihet asnjë çast; të punohet që sot e jo nesër; Lëvizja të drejtohet nga masat që e pranojnë; Lëvizja mos të ketë karakter kadrovik; mos me u marrë me premtime, gradime, mashtrime, kërcë¬nime dhe me pasoja. Duhet ta bindim vetveten se armiku jonë ka me humbë luftën. Tek e fundit, çë¬shtja shqiptare nuk pritet të zgjidhet as nga pozici¬oni i demokracisë perëndimore, as nga pozicioni i demokracisë socialiste, por çështja shqiptare do të zgjidhet në pajtim të plotë me zhvillimin historik, sepse shqiptarët janë duke notuar ujit te poshtë, kurse robëruesit e shqiptarëve janë duke notuar jo drejt, turpshëm, prandaj, le të zgjasë lufta jonë sa të dojë, le të jetë ajo e vështirë dhe e përgjakshme sa të dojë, në fund të fundit-ne do të dalim ngadhë¬njimtarë, faqebardhë dhe, në fund të fundit, populli shqiptar do të bashkohet në flatrat e shqiponjës dy krenare legjendare.12
Në vazhdim, në program kërkesat kryesore te LRBSH-së ishin të ngjashme me programet e organizatave të mëhershme atdhetare : çlirimin nga pushtuesit sllav, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i të gjitha trevave shqiptare. Se populli Shqiptar nuk po kërkon asgjë ma shumë se atë që gëzojnë gjithë kombet e Evropës- me qenë i bashkuar. Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt tjerë. Se nuk gjendet në Evropën e sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë cunguar aq rëndë, dhe që t’i jetë bërë një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Populli Shqiptarë është i vetmi popull në Evropë i cili për asnjë faj të vetin qëndron i ndarë në dy pjesë, përveç atyre bashkëkombësve tanë që janë shpërnda në të katër anët e botës. Por le të mos shkojmë ma larg prej praktikës jugosllave. Popujt sllavë përmbajnë Jugosllavinë edhe pse janë formua gjatë historisë si kombe në vete, vetëm pse kanë një origjinë të përbashkët dhe e shohin të arsyeshme me qenë të bashkuar kurse neve Shqiptarëve- një komb, një gjak, një asht, një mish, një shpirt- na e mohojnë të drejtën tonë të patjetërsueshme për bashkim.
Gjithashtu rëndësi të veçante në program i japin edhe zhvillimeve patriotike tek shqiptaret, por vazhdimisht duke i dhënë edhe sqarimet se si pushtetarët mundohen të kamuflojnë realitetin në Kosovë. Megjithatë, formimi dhe zbulimi i organizatave ilegale atdhetare kanë porosi të qarta për pushtetin jugosllavë se populli shqiptar me aneksimin e Kosovës Serbisë është i pakënaqur. Në program thuhej edhe kjo se “Populli Shqiptar, i paepur si gjithmonë, nuk pushoi për asnjë çast luftën për çlirim e bashkimin e vet. Një statistikë edhe jo fort e përpiktë tregon se që prej 1945-tës e deri më 1960 kanë dalë para gjyqeve famëkëqij jugosllavë mase pesëqind organizata, grupe të mëdha e të vogla ose individë, të cilët janë akuzua për “orvatje me e shkëput Kosovën-Metohin prej Jugosllavisë dhe me ia bashkua Shqipërisë”13.
Edhe pse në Kushtetutën e Jugosllavisë lidhur me vetëvendosjen e popujve shkruhej se “Popujt e Jugosllavisë, tue u nisë nga e drejta e çdo populli për vetëvendosje, tue përfshi edhe të drejtën për shkëputje, në bazë të luftës së përbashkët dhe të shprehjes së lirë të vullnetit në luftën nacionalçlirimtare dhe në revolucionin socialist dhe në pajtim me aspiratat e tyre historike, të ndërgjegjshëm se forcimi i mëtejshëm i vëllazërimit dhe bashkimit nën një republikë federative kombesh dhe popujsh të lirë dhe të barabartë e krijuan bashkësinë socialiste federative të punonjësve14. Kjo e dhënë mjafton që të supozohej se për shqiptaret premtimet e fjalët nga pushtetarët, fundja të futura edhe në Kushtetutë, që të gjitha ishin boshe. Këto fjalë të shkruara dëshmojnë se “populli ynë nuk ka kërkua e as nuk po kërkon asgjë ma shumë përveç të drejtës së vet për vetëvendosje, tue përfshi edhe të drejtën për shkëputje? Por nuk duhet me harrua se kjo asht Kushtetuta Jugosllave, dhe pikërisht pse asht Jugosllave duhet me e ditë se ajo qëndron vetëm në letër, kurse zbatimi i saj gjendet nëntëqind pash nën dhe. Na u nisëm prej Kushtetutës- si dokument themelor dhe burimor- si shembull ma i spikatur për të pa se sa larg qëndrojnë njëra prej tjetrës-teoria dhe praktika Jugosllave dhe pikërisht- ky mospajtim rrasor në mes të asaj se çka shkruajnë e të asaj se çka flasin e çka veprojnë aneksionistët jugosllavë- asht përveç tjerash- faktori kryesor, që shtynë popullin tanë të vazhdojë luftën deri në fund për çlirimin e vet nga zgjedha jugosllave”. Vëmendje e posaçme iu kushtonte edhe situatës politike e ekonomike, zhvillimit arsimor e shëndetësisë në Kosovë. Padrejtësitë e shumta që cekën në këtë program politik janë të shumta dhe të gjitha këto ilustrohen me fakte e shifra. Derisa në njërën anë makina propagandistike jugosllave trumbeton me të madhe Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në anën tjetër, çdokush prej nesh, që ka guxim me kërkua zbatimin e thelbit të saj- të drejtën për vetëvendosje dhe shkëputje- në qoftëse shpëton pa hëngër plumbin në ballë me siguri ka me u plakë nëpër burgjet e kazamatet jugosllave. Nëqoftëse dikush prej nesh do të kërkojë zbatimin e Deklaratës për të drejtat e njeriut, aprovuar më 10 dhjetor 1950, po në OKB, e të cilën e trumbetojnë edhe pushtuesit jugosllavë, ai do t’i gjejë këto të drejta në selitë e errëta e të ftohta të burgjeve Jugosllave.
Programi politik i LRBSH-së, në mënyrën më të argumentuar na prezanton të dhënat statistikore të marra nga shënimet zyrtare Jugosllave nxjerrë prej broshurës “Kosovo i Metohija”-pregled drushtveno- ekonomskog razvitka (vështrim i zhvillimit shoqëror- ekonomik) botua në Beograd, më 1963, nga “Sedma sila”.
Ja si duket në praktik vëllazërimi e bashkimi dhe barazia aq shumë e proklamuar dhe e trumbetuar në mes të Shqiptarëve dhe në një anë e Serbëve e Malazezëve në anën tjetër.
Më 1963 numri i përgjithshëm i këshilltarëve në Krahinë ishte 2090. Prej këtyre Shqiptarë ishin 1.265, kurse proporcionalisht me numrin e Shqiptarëve në Krahinë (Shqiptarët së bashku me ata që i paraqesin si “Turq” përbëjnë 70% të popullsisë), do të duhej të ishin 1.463, ndërsa serbë e malazezë do të duhej të ishin vetëm 664 e jo 754-sa janë.
Lidhja komuniste më 1963 ka pas gjithsej 40.127 anëtar, prej të cilëve vetëm 19.370 shqiptar, ndërsa proporcionalisht me përbërjen e popullsisë në Krahinë do të duhej të ishin jo më pak se 28.889, kurse serb e malazezë janë 19.676, kurse do të duhej të ishin jo ma shumë se 10.834.
Këshilltar të Këshillit Popullor Krahinor, po n’at vjet ishin gjithsej 165, prej të cilëve shqiptarë ishin vetëm 89 e do të duhej të ishin 115 kurse serbë e malazezë ishin 68 e do të duhej të ishin vetëm 50.
Anëtarë të Këshillave punëtore nëpër ndërmarrje kanë qenë gjithsej 3.869, prej të cilëve shqiptarë ishin vetëm 1.872 e do të duhej të ishin 2.708, ndërsa serbë e malazezë kanë qenë 1.798 e do të duhej të ishin në bazë të barabarësisë dhe bashkim-vëllazërimit të vërtet jo ma shumë se 1.045.
Anëtarë të këshillave drejtuese nëpër sipërmarrje kanë qenë gjithsej 1.349, prej të cilëve të kombësisë shqiptare, vetëm 641 e do të duhej të ishin 944, kurse serbë e malazezë do të duhej të ishin vetëm 364 e në të vërtet kanë qenë rrumbullak 663.
Prej 28 komunave, sa ka gjithsej krahina, në 25 prej tyre shumica dërmuese e popullsisë asht shqiptare, por prej 28 sish- vetëm 17 prej tyre i kanë kryetaret prej kombësisë shqiptare15.
Këto janë fakte të cilat flasin vetë dhe nuk ka nevojë me bë kurrfarë shpjegimi në lidhje me to. Ndoshta do të duhej me përmend vetëm edhe faktin (kësaj gjëje i ka bë bisht gazetari- shërbëtor i aneksionistëve), se të gjitha pozitat kyçe si në Parti ( sekretar i LK të Serbisë për Kosovë e Metohi, asht malazezi- Dushan Mugosha), si në pushtet (Kryetar i Kuvendit Popullor Krahinor . asht Stanoje Aksiqi), dhe si në organet e Sigurimit të brendshëm ( në këto organe shqiptarët as nuk mund të afrohen), i kanë në duart e veta vetëm serbët e malazezët16.
Në fund kishim me thanë se mbasi lufta jonë asht e drejtë, madhështore dhe e lavdishme, mbasi lufta jonë asht në pajtim me ligjet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, mbasi lufta jonë asht në pajtim të plotë me zhvillimin historik,…le të zgjas lufta jonë sa të dojë, le të jetë ajo e pabarabartë sa të dojë, le të jetë ajo e vështirë dhe e përgjakshme sa të dojë- në fund të fundit- na do të dalim ngadhënjimtar, faqebardhë- në fund të fundit- populli Shqiptarë do të bashkohet nën flatrat e shkabës dy krefshe legjendare.
Le ta ngrehim ballin lartë me besim të patundur në zemër se mbas dimrit- sado i gjatë dhe i ashpër qoftë- do të vijë pranvera me behar e lule plotë, përfundon programi politik i LRBSH-së.
Kryetari i LRBSH me shok kishte hartua edhe një dokument mjaftë të rëndësishëm për organizatën- Statuti i organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkim të Shqiptarëve” në të cilën në pjesën e I, të saj thuhej se “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtave për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë prej shqiptarësh, që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, d.m.th. qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht- çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet- Shqipërinë.
Në pjesën e II, vazhdohet se ”Lëvizja jonë, për me mbërrit qëllimin e naltë përmendur, ka me përdor të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë për dore- prej atyre politiko-propagandistike- mjete paqësore- e deri te lufta e armatosur dhe kryengritja e përgjithshme popullore- mjete jo paqësore.
Pjesa e III, është e lidhur ngushtë me dy pikat e para dhe thuhej se “Në realizimin e të drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptarë, për çlirim dhe bashkim, Lëvizja jonë ka me pranua , me miradije të madhe, çdo ndihmë e përkrahje të sinqert, materiale e morale- prej këdo dhe kudo që t’i vije e t’i afrohet.
Në pjesën e IV të statutit, anëtarët e saj thonë se “Lëvizja jonë nuk drejton aktivitetin dhe luftën e vet kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj shoqëror-ekonomik- si tërësi- por aktiviteti dhe lufta e saj do të vazhdojë, do të shkojë deri në atë shkallë, sa t’i çlirojë dhe t’i bashkojë me Shqipërinë krahinat shqiptare- t’aneksueme prej Jugosllavisë. Dhe në pjesën e Pestë të pjesës së përgjithshme, njofton se “Lëvizja jonë ka “Programin” dhe “Statutin” e vet17.
Ndërsa në Pjesa organizative bëhet fjalë për organizimin e brendshëm të lëvizjes.
Anëtarë i Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqipëtarëve mund të jetë çdo kush që – tue vu interesin e përgjithshëm përpara interesit personal- përpiqet e lufton me mish e shpirt, që përkrah, pa rezervë- në çdo kohë e kudo që të gjindet- si personalisht- tue flijue jetën e vet- si materialisht, si moralisht- çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të shqiptarëve18.
Organi kryesor i Lëvizjes është Komiteti Revolucionar i Bashkimit të Shqiptarëve, Zgjerimi i tij bahet me kooptim- me pëlqim të njëzëshëm të anëtarëve tjerë.
Detyrat e Komitetit Revolucionar të Lëvizjes janë: Koordinimi dhe drejtimi i mbarë Lëvizjes. Emëron dhe shkarkon të gjitha organet dhe të gjithë përgjegjësin e Lëvizjes. Vendimet e tij merren me shumicë votash dhe janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e Lëvizjes- kudo që të gjinden.
Vetëm Komiteti Revolucionar i Lëvizjes së Bashkimit të Shqiptarëve ka të drejtë me plotësua ose me ndryshua “Programin” ose “Statutin” e Lëvizjes.
Ndërsa pika e X e statutit është edhe një lloj betimi që e hasim tek organizatat e mëhershme, siç ishte ONDSH, Besa Kombëtare, Organizata nr. 2. Etj, që thoshin se “Ai që tradhton- në një mënyrë ose në një tjetër- ai vetveten e dënon me vdekje. Komiteti Revolucionar i Lëvizjes, konstaton dhe vërteton tradhtinë e bame, njëherë merr masa edhe për zbatimin e vendimit të pafalshëm19.
Epoka e LRBSH-së është njëra nder periudhat me te lavdishme e me te ndritura te historisë se lëvizjes ilegale në Kosovë pas LDB. Ajo do te mbetet në kujtesën e shqiptarëve si simboli i Adem Demaçit dhe bashkimit kombëtar. Të mësojmë dhe te frymëzohemi nga përvoja historike dhe platforma kombëtare e tij. Të nxjerrim mësime të rëndësishme nga përpjekjet shekullore te popullit tone, te marrim shembull nga bacë Adem Demaçi dhe të ngremë lart vlerat tona kombëtare e njerëzore, kodin tone te larte etik e moral. Dhe krejt në fund të mësohemi se Atdheu te jete partia e shqiptarit, shqiptarizmi te jete ideologjia e tij. Se kështu na mësoi Adem Demaçi dhe epoka e tij e lavdishme.
__________________________
Fusnotat:
1. Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale Kombëtare në Kosovë (1945-1999), Kosova, nr.40, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2015
2. Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politik shqiptaer në Kosovë 1945-1990, Logosi- A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2010, 21
3. Hakif Bajrami, Dosja Demaçi, Prishtinë 2003, 73
4. Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, 1964, Gjykata e Qarkut, Prishtinë.
5. Po aty.
6. Ethem Çeku, Shekulli i ilegalës, Prishtinë 2004, 155, 156.
7. Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, 1964, Gjykata e Qarkut, Prishtinë.
8. Po aty.
9. Selatin Novosella, Demaçi, Lëvizja për Bashkim, 1. Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës, Prishtinë 2012, 273
10. Po aty.
11. Dokumente të rendësishme nga Dosja Demaçi, Gjykata e Qarkut Aktgjykimi, K.nr.271/64.
12. Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, Dosja Demaçi, Arkivi i Kosovës, K. Nr. 271/64
13. Programi I LRBSH-s- 1963
14. Pjesa hymse. Parimet themelore- f. 7 të Kushtetutës RSFJ, t’aprovueme më 7 prill 1963.
15. Po aty.
16. “Kosovo i Metohija”-pregled drushtveno- ekonomskog razvitka (vështrim i zhvillimit shoqëror- ekonomik), botuar në Beograd, më 1963, nga “Sedma sila”.
17. Statuti i organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, Kutia-Dosja Demaçi, Arkivi I Kosovës, 1964
18. Po aty.
19. Po aty.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura